Home

Në pranverën e vitit 1940, në pyllin e Katyn-it, në Poloni, u ekzekutuan më shumë se 22. 000 rob lufte polakë. Me kyçet dhe fytin e lidhur u qëlluan me një plumb pas koke dhe u hodhën në disa varre të përbashkëta. Bëhej fjalë për një gjeneratë të tërë oficerësh që i përkisnin borgjezisë dhe inteligjencës polake, bëhej fjalë për gjithë drejtuesit ushtarak të një vendi. Kjo ndërmarrje “shkencore”, e realizuar nga profesionistë të tej aftë në ekzekutime, mbeti për më shumë se pesëdhjetë vite e rrethuar nga misteri. Dhe gënjeshtra. Kujt i përkiste regjia e këtij krimi? Cilës prej dy diktaturave që i ishin lëshuar, në marrëveshje, trupit të Polonisë, Gjermanisë naziste apo Rusisë komuniste i përkiste përgjegjësia për ngjarjen? Mbetur jashtë dijenisë së opinionit publike për tre vjet, masakra u njoftua në pranverën e vitit 1943 nga radioja gjermane.

Në orën 9:15, ora e Nju Jorkut, propaganda naziste bënte me dije se si katër ditë më herët ministri Jozef Goebbels shënonte në ditarin e tij se “pranë Smolensk-it janë gjetur disa varre të përbashkëta me kufoma polake. Bolshevikët thjesht kanë vrarë rreth 10.000 robër dhe varrosur shpejt e shpejt në varre të përbashkët”. Përgjegjësit e masakrës, pra, ishin sovjetikët. Kjo e vërtetë vetëm për faktin se pohohej nga një regjim kriminal si ai nazist (dhe si do të shohim në vijim, për arsye realpolitike) nuk u pranua. Regjimi stalinist dhe aleatët perëndimorë në fillim nuk deshën ta besonin përgjegjësinë ruse për masakrën dhe më tej bënë ç’ishte e mundur për të fshehur atë që për polakët tashmë ishte e qartë: ishte famëkeqja NKVD – policia politike komuniste – që kishte kryer punën, bazuar mbi urdhrat e saktë të udhëheqjes sovjetike dhe udhëzimet, këshillat dhe ndihmën e zellshme të komunistëve polakë. Hapja e arkivave sovjetikë pas rënies së sistemit lejoi të hidhej dritë mbi të vërtetën e Katyn-it. Qysh prej muajve të fundit të glasnosit të  Gorbaciovit kjo e vërtetë ishte bërë e vështirë për t’u fshehur. Me ardhjen në pushtet të Jelcinit dhe me denonciomin e Partisë Komuniste të BS-së si organizatë kriminale, më në fund doli në dritë një dokumentacion i frikshëm nga i cili mund të kuptohen vetë mekanizmat kriminal të një sistemi totalitar.

Pra se si eliminimi i disa kategorive (sociale për komunistët, raciale për nazistët) ishte një praktikë e planifikuar në mënyrë shkencore dhe në mënyrë po aq shkencore zbatuar. “E parë në kuadër të historisë sovjetike – shkruan historiani polak Vicktor Zaslavsky, autori i «Masakra e Katyn-it» – e cila përfshinë ngjarje si eliminimi i klasës së kulakëve apo pushkatimi i më shumë se një milion personave, përfshirë dhe 44.000 ushtarakë të lartë gjatë terrorit të madh në vitet 1937-1939, ose shpërnguljet e detyruara të popujve të tërë në vitet e fundit të luftës – Katyn – i humbet rëndësinë e tij dhe merr pamjen e një mizorie të zakonshme, një krimi çfarëdo të stalinizmit. Por e parë në kuadrin e raporteve ndërshtetërore, masakra e Katyn-it mbetet një prej ngjarjeve më domethënëse të Luftës së Dytë Botërore”. Shembulli i Katyn-it të bën të mendosh. Përtej polemikave strumentale mbi përkufizimin e revizionizmit, i cili ka kundërvënë shumë studiues, nuk mund të mos të mos vlerësohet se hapja e arkivave sovjetikë përbën një stimul për të rishikuar disa analiza historike të shekullit të kaluar. Duke përzier, me zgjuarsi, në përkufizim e revizionizmit, mohimin absurd të holokaustit me të drejtën legjitime për të kërkuar dokumente të reja të cila mund të ndryshojnë disa të vërteta të betonuara, një shkollë mendimi ka dashur të vendosë në cep, duke i zbritur në nivelin e lajmeve pak të rëndësishme disa nga zbulimet historike të dala nga dokumentet sekrete të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dhe të partive të tjera në Lindje. Nëse sot teza zyrtare – e cila për pesëdhjetë vite i veshi masakrën e Katyn-it gjermanëve – shfaqet në të gjithë mashtrimin e saj, është meritë pikërisht e këtyre studiuesve që vendosën të gërmonin në arkiva dhe që deshën të rishikonin disa fragmente të historisë tonë.

Masakra e Katyn-it, dhe heshtja që e ndoqi, janë bija të dy “aleancave jo të natyrshme”. E para (ndoshta jo aq e panatyrshme sa mund të mendohet) lindi nga Pakti von Ribbentrop-Molotov e 23 gushtit 1939, me anë të së cilës Hitleri dhe Stalini ranë dakord se si do të ndanin Poloninë dhe vendosën një politikë bashkëpunimi strategjik. E dyta ishte ajo midis Bashkimit Sovjetik dhe demokracive perëndimore, e justifikuar nga kërcënimi nazist dhe e realizuar vetëm pas sulmit gjerman mbi Rusinë në verën e vitit 1940. Nuk ka dyshim që pakti midis gjermanëve dhe sovjetikëve ishte fara që mbarsi Luftën e Dytë Botërore. Nga afrimi midis diplomacisë naziste dhe asaj komuniste, në verën e vitit 1939, lindi e premtja tragjike 1 shtatorit 1940, lindi pushtimi gjerman i Polonisë. Pika e dytë e protokollit sekret mes dy regjimeve parashikonte pikërisht ndarjen e Polonisë. Nga kjo vjen dhe kthimi i faqes së lëvizjes komuniste ndërshtetërore. Fillimisht shpërthyen kundër pushtimit gjerman (mjafton të kujtojmë thirrjen e francezit Thorez “dëshira e të gjithë komunistëve është të luftojnë kundër nazizmit dhe fashizmit”, dhe mbështetjen e pakushtëzuar të komunistëve francezë për luftën kërkuar nga qeveria e Deladier-it), komunistëve u desh të mësonin të habitur se “Babai i Vogël” e mendonte ndryshe. Më 5 shtator kryetari i Komitern-it, bullgari Georgij Dimitrov, kërkonte udhëzime se si duhej vepruar. “Në përpunimin e taktikës dhe të objektivave politikë të partive komuniste – shkruante Dimitrov-i – po hasim vështirësi të jashtëzakonshme. Për ti tejkaluar dhe për të marrë një vendim të drejtë kemi nevojë, më shumë se kurrë, për ndihmën dhe këshillën e menjëhershme të shokut Stalin”. Bota komuniste pyeste Papën e vet se ç’duhet të mendonte. Më 7 shtator u realizua takimi i mezi pritur midis Stalinit dhe Dimitrov-it. Prezent ishin dhe besnikët Molotov dhe Zdanov. Përplasja në ato çaste – shpjegoi Stalini – ishte midis dy forcave gjithsesi kapitaliste, ato të pasura (fuqitë perëndimore) dhe atyre të varfra (Gjermania dhe Italia). Në atë fazë duheshin braktisur frontet popullore antifashiste dhe “të manovrohej dhe të shtyhej një palë kundër tjetrës”. Polonia – ishte mendimi përfundimtar i Stalinit – ishte “një shtet fashist, që shtypte ukrainasit, bjellorusët dhe kombësitë e tjera. Shkatërrimi i saj, në gjendjen e tanishme, do të thotë një shtet fashist më pak! Ç’të keqe ka që pas disfatës së Polonisë të shtrijmë sistemin sovjetik në territore dhe popuj të rinj?” Fati i Polonisë ishte shënuar. Me një mirëkuptim operativ të përkryer midis nazistëve dhe sovjetikëve Polonia, në kuptimin e plotë të fjalës, u mbyt. Ndërsa nazistët mësynë shtetin baltik më 1 shtator, sovjetikët pritën dy javë përpara se, me justifikimin e mbrojtjes së minoriteteve në kufi, të sulmonin. Qeveria sovjetike nuk formuloi as një deklaratë lufte kundër Polonisë. “Shprehja në nota sovjetike dorëzuar qeverisë polake – shkruan Zaslavsky – sipas të cilës trupat kishin kaluar kufirin për ti zgjatur dorën vëllazërore popullit polak, mbeti në gjuhën ruse si një ironi gjithëpërfshirëse e politikës staliniste në lidhje me Evropën lindore”. Ushtritë e dy fuqive u ndalën në pikën e paracaktuar dhe e ndanë “me ndershmëri” vendin e sulmuar. “Polonia – deklaroi ato ditë Molotov-i përpara anëtarëve të Sovjetit suprem – kjo krijesë bastarde e lindur nga traktati i Versajës, pushoi së ekzistuari”.

Më shumë se gjysma e territorit polak dhe me të 250.000 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë polake përfunduan nën zotërimin sovjetik, “robër – shkruan Zaskavsky – të një lufte të pa deklaruar”. Gjendja e këtyre robërve ishte e mjerueshme dhe krerët ushtarakë rusë në Poloni i kërkonin informacione Moskës se si duhet organizuar burgosja e tyre duke parë që mungonte edhe ushqimi. Politbyroja organizoi një komision të posaçëm nën drejtimin e famëkeqëve Berija dhe Zdanov. Sidomos i pari diti t’i bjerë në sy Stalinit për efikasitetin cinik në trajtimin “e materialit njerëzor”. Mund të thuhet se që prej kësaj detyre Berija nisi ngjitjen që e çoi të bëhej një prej krahëve të djathtë më të besuar të Stalinit. Si fillim Komisioni vendosi lirimin e të burgosurve ukrainas dhe bjellorus, dhe mbajtjen e 25.000 personave për ndërtimin e rrugës Novgorod-Volynski-Leopoli. Sipas traditës së regjimit sovjetik, të burgosurit u kthyen në skllevër modernë që përdoreshin në veprat e rëndësishme. Oficerët polakë u transferuan në kampet në afërsi të Kozelsk-it, Starobelsk-it dhe Ostaskov-it. Drejtimi i këtyre kampeve ju besua NKVD-së. Policia politike sovjetike menjëherë u përpoq të infiltronte spiunë dhe vëzhgues në mesin e oficerëve të burgosur. Në një direktivë sekrete të datës 8 tetor 1939, nënshkruar nga Berija, lidhur me vëzhgimin operativ të robërve të luftës në kampet e NKDV-së, komunisti gjeorgjian shprehte shpresën për krijimin e “një rrjeti spiuno-informativ për të pikasur grupime kundërrevolucionare në mesin e robërve”.

Ishte e rëndësishme – përfundonte Berija – “të sqarohej sjellja e robërve të luftës”. Ndërkaq bashkëpunimi me nazistët ishte shumë efikas. Në vjeshtën e vitit 1939 dy regjimet aleate shkëmbyn shumë të robër. 43.000 dhe 14.000 ushtarë polakë ishin “dhurata” që nazistët dhe sovjetikët i bënë njeri-tjetrit. “Ky shkëmbim – shkruan Zaslavsky – dëshmon jo vetëm një bashkëpunim aktiv por dhe atë lloj fenomeni që i parë nën dritën e ngjarjeve që ndoqën mund të cilësohet si një ndarje e punës midis regjimeve të Stalinit dhe Hitlerit”. Nuk duhet të harrojmë, si vë në dukje Zaslavsky që “gjatë shkëmbimit të ushtarëve, kërkesat e përsëritura të hebrenjve dhe komunistëve për të qëndruar në BRSS për shkak se i druheshin persekutimeve naziste, udhëheqja staliniste nuk i mori parasysh”. Stalini as në shkurtin e vitit 1940 nuk do të ngurronte t’i dorëzonte Gestapos disa komunistë gjermanë, refugjatë politikë në BRSS dhe që kishin përfunduar në kampet sovjetike gjatë spastrimeve të vitet ’30. Këta njerëz kaluan nga gulagu në lager. Oficerët polakë, robër të rusëve, u nënshtruan jo vetëm një kontrolli dhe spiunimi frymëmarrës por edhe riedukimit politik. Propagandë me çekan, bisedime, projektime filmash lavdërues të Revolucionit; asgjë nuk u la pa u provuar në përpjekje për të rekrutuar spiunë të rinj dhe për të zbutur ata njerëz që nga pikëpamja sociale cilësoheshin si të huaj, për sa vinin nga shtresa më e mirë e borgjezisë polake. “Çdo i burgosur në kampet Kozelsk, Starobelsk, Osatskov – shkruan Zaslavsky – merrej në pyetje në mënyrë të vazhdueshme dhe me orare të zgjatura. Hetuesit ishin veçanërisht të interesuar në lidhje me shtresën dhe pozicioni social dhe ekonomik të të burgosurit, për bindjet politike, pjesëmarrjen në partitë politike, lidhjet me vendet perëndimore dhe njohjen e gjuhëve të huaja.”. Ky kërkim i tmerrshëm ishte parakushti i veprimtarisë “pastruese”.

Kur lajmi i masakrës u përhap nga radioja gjermane shumë njerëz dyshuan. Nazistët, më 1943, ishin qartësisht në vështirësi në shumë fronte. Perëndimorët dyshuan se ajo ishte një lëvizje e parashikueshme në përpjekje për të dobësuar frontin armik. Sidoqoftë nazistët organizuan një komision hetues formuar nga mjek me prejardhje nga shtete të ndryshme dhe këshilloi Kryqin e Kuq ndërshtetëror të dërgonte anëtarët e vet për të kontrolluar viktimat e masakrës. Komisioni i formuar nga gjermanët cilësoi sovjetikët si përgjegjës të masakrës: viktimat – shpjegohej në raportin përfundimtar – ishin vrarë gjatë pranverës së vitit 1940, kur zona ishte ende nën pushtimin rus, pra përpara se gjermanët të nisnin Operacionin Barbarossa.

Një prej profesorëve anëtarë të Komisionit ishte italiani Vincenzo Palmieri, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Napolit. “Mes ne të dymbëdhjetë (anëtarë të Komisionit mjekësor, shën. red.) – shkruan ai – nuk kishte dyshime, askush nuk pati dyshime, nuk pati asnjë kundërshti. Vendimtare ishte autopsia e kafkës kryer nga profesor Orsos nga Budapesti: në muret e brendshme gjeti një substancë e cila fillon të formohet tre vjet pas vdekjes. Tre vjeç ishte dhe pylli i mbjellë mbi varret […] Prova ishte e pakundërshtueshme. Njëkohësisht në Katyn punoi dhe një komision i Kryqit të Kuq polak, formuar nga njerëz që i njihnin mirë barbaritë naziste (mes tyre, siç u zbulua më vonë, kishte edhe anëtarë të fshehtë të Rezistencës polake!). Edhe ky Komision – sigurisht i përbërë nga njerëz të cilëve nuk mund t’ju visheshin simpati naziste – doli në të njëjtin përfundim: përgjegjësia e masakrës rëndonte plotësisht mbi sovjetikët. Për sa mund të duket e pabesueshme, përfundimet e këtij Komisioni nuk u bën publike deri në vitin 1989! Kjo për të mos favorizuar propagandën naziste. Kur zona e Katyn-it u rikthye në duar ruse, afër përfundimit të luftës, edhe sovjetikët ngritën një komision të tyrin, komisionin Burdenko, detyra e të cilit ishte, sigurisht, të pohonte përgjegjësinë naziste për masakrën. Përbërë vetëm nga shtetas sovjetik, Komisioni ftoi në Katyn, më 15 janar 1944, një grup gazetarësh perëndimor (në radhët e të cilëve ishte dhe e bija e ambasadorit amerikan në Moskë Averell Harriman): disa prej tyre i besuan versionit sovjetik. Plumbat e përdorur në ekzekutime ishin prodhuar në Gjermani, dhe mbi këtë sovjetikët bazuan akuzën e tyre.

Një akuzë që hidhej poshtë me lehtësi: plagët me bajonetë dhe litarët e përdorur të lidhur robërit ishin prodhim sovjetik, ndërsa plumbat vinin nga Gustaw Genschow e Kalsruhes, e cila pas kufizimeve të vendosura nga Traktati i Versajës, nuk furnizonte më Gjermaninë dhe filloi eksportin masiv drejt Bashkimit Sovjetik, Polonisë dhe vendeve baltike. NKVD-ja – sot është e provuar – përdorte pistoleta dhe fishekë gjermanë “Geco” kalibër 7.56. Pushktatimet, sipas kësaj teze, ishin kryer midis gushtit dhe shtatorit të vitit 1941. Jo pak gazetarë nuk mundën të mos vinin në dukje që kufomat mbanin tesha dimërore. Komisioni Burdenko, pas kësaj, deklaroi se ishte gabuar dhe hodhi tezën se ekzekutimet kishin ndodhur midis muajve gusht dhe dhjetor të 1941. Sovjetikët shpresoni në mbylljen përfundimtare të çështjes së sikleteshme me rastin e procesit të Nurembergut, por edhe në atë rast, për shkak të deklaratave jo të qarta nga ana e dëshmitarëve pro sovjetik, çështja mbeti formalisht e hapur. Zbulimet e viteve të fundit sqaruan, pa hije dyshimi, që 22.000 robërit polak u eliminuan nga NKVD-ja.

Por si u arrit në këtë zyrtarizim? Gjërat filluan të ndryshonin në muajt e fundit të qeverisë Gorbaciov. Për sa ishte e mundur, me gjithë deklaratat mbi glasnost-in, sekretari i fundit e PKBS në pushtet u përpoq të fitonte kohë lidhur me zbardhjen e përgjegjësisë sovjetike.

Gjërat ndryshuan kur komisioni polako-sovjetik zbuloi në arkivat sekrete sovjetike që u vunë në dispozicion një fond emërtuar thjesht “Qendra për ruajtjen e koleksioneve të dokumenteve historik”. Në këtë arkiv, special dhe të vëzhguar nga KGB-ja, dokumentet e Drejtorisë për çështjet e robërve të luftës të NKVD-së. Mbi 9.000 fletë që hidhnin dritë mbi shfrytëzimin e robërve të luftës për qëllime pune dhe mbi gjendjen e kampeve. Nuk bëhej ende fjalë për bërthamën e dokumenteve kryesore lidhur mbi faktet e Katyn-it, por lehtësisht nuhatej mundësia për gjetjen e tyre në burime të tjera. Përgjegjësi i komisionit polako-sovjetik, rusi Aleksandr Yakovelv, dëshmon se ka dërguar dokumentet në shumë adresa, saktësisht pesë kopje Departamentit ndërshtetëror të KQ-së së KGB-së, Ministrisë së Jashtme dhe “nuk më kujtohet kujt tjetër”, në mënyrë që ti mbronte nga pikëpamja burokratike dhe të vështirësonte zhdukjen. Në maj të vitit 1988 gjatë një ceremonia në Katyn, oficerët sovjetikë dhe ata polakë përjetuan njohjen formale të përgjegjësisë sovjetike të masakrës realizuar nga NKVD-ja. Regjimi sovjetik përsëriste teknikat krushoviane të 1956, kur në të famshmin Kongres XX të partisë, kryeministri sovjetik denoncoi krimet e Stalinit. Në këtë rast PKBS-ja lante duart duke i veshur çdo përgjegjësi Berija-s dhe NKVD-së. Më 13 tetor 1990, në ditën botërore të viktimave të Katyn-it u arrit pranimi përfundimtar: në një ceremoni në Kremlin Michail Gorbaviov kërkoi zyrtarisht ndjesë popullit polak. Me atë rast sekretari komunist i dorëzoi qeverisë polake disa arka me dokumente sekrete. Prej tyre u zbulua qartazi misteri i Katyn-it, që në këtë pikë nuk ishte më i tillë.

Pas rënies së BRSS-së bashkë me pushteti kaloi nga Gorvaciovi te Eltsini dhe një seri dokumentesh mjaft të rëndësishëm. Rrëfimi në vijim i Yakovelv-it është shkëputur nga libri i Zaslavsky-it: Mes letrave shumë të rëndësishme – tha funksionari sovjetik – Gorbaciovi i kaloi Eltsinit një zarf që përmbante disa dokumente duke shtuar që ishte e domosdoshme që të diskutohej se ç’do të bëhej në vijim. “Druaj se mund të lindin ndërlikime ndërshtetërore, por në fund të fundit vendimi është i yti”, theksoi Gorbaciovi. Eltsini i lexoi dhe pohoi se duhej menduar mirë. Ishte i tronditur. Bëhej fjalë për dokumente tepër sekrete mbi Katyn-in, dëshmi të krimeve të regjimit. Ishte i tronditur edhe pse Michail Sergeevici i dorëzoi ato dokumente me një qetësi të jashtëzakonshme, sikur të mos i kisha kërkuar disa herë të urdhëronte Arkivin e tij [të Komitetit Qëndror] të gjurmonte dokumentet. Vështrova Gorbaciovin i habitur por nuk vura re asnjë shqetësim te ai. Kështu e ka jeta”. Me Eltsinin e vërteta, e plotë, doli në dritë dhe PKBS, më këtë dhe shumë arsye të tjera, u shpall organizatë kriminale. Në verën e vitit 1992 mes këtyre dokumenteve u gjet dhe letërkëmbimi midis Berija-s dhe Stalinit, nga i cili doli dhe vendimi për të eliminuar të gjithë oficerët polakë. Ky vendim u mor në shkurt të vitit 1940. Më 2 mars Politbyroja miratoi propozimin e Berija-s dhe sekretarit të atëhershëm të PK ukrainase shokut Nikita Krusciov, i cili sot përkujtohet në perëndim si një farë udhëheqësi sovjetik me fytyrë njerëzore (!), për besimin robërve NKVD-së.

Berija dhe Krusciovi shpresonin edhe në shpërnguljen “në rajonin sovjetik të Kazakistanit, për një periudhë dhjetëvjeçare, të të gjitha familjeve të robërve të luftës që gjendeshin në kampet për ish-oficerët e ushtrisë polake […], për një total pre 22.000-25.000 familje”.

“Egërsia e padëgjuar e ndëshkimit […] – shkruan Zaslavsky – paralajmëronte përmbajtjen e vendimit të Politbyrosë për vetë robërit”. Vendimi padyshim do të ishte dënimi kapital. Dokumentet e dala në dritë – me nënshkrim të drejtueseve kryesor stalinist (vetë Stalini, Molotv, Berija, Kaganovic, Voroscilov, Kalinin, Mikojan) – bëjnë të qartë vendimin për të eliminuar të gjithë oficerët polakë të cilësuar “ta parikuperueshëm” nga vlerësuesit e NKVD-së.

“Më 5 maj 1940 maja e PKBS i dha urdhrin NKVD-së për “të trajtuar rastet e 25.700 robërve të luftës polakë (14.700 të burgosur në kampet në Kozelsk, Starobels dhe Ostaskov dhe 11.000 të tjerë në burgjet e Ukrainës e Bjellorusisë perëndimore) me procedurë speciale, pra pa i thërritur në gjykim, pa paraqitur aktakuzë, pa protokolluar përfundimin e hetimit dhe aktakuzën dhe duke aplikuar mbi ta masën më të lartë ndëshkues: pushkatimin”. Gjuha e ftohtë dhe cinizmi i këtij urdhri, duke pasur parasysh numrin e lartë të personave të përfshirë, edhe sot tingëllon tronditës. Operacioni i NKVD-së ishte një kryevepër efikasiteti: dhjetëra mijëra persona u ekzekutuan, trupat – në më pak se një muaj – u fshehën, transportuan në vende të sekrete dhe u varrosën. “Ishte e nevojshme bashkëpunimi i shumë personave si politikanë, nëpunës shtetëror, ushtarak e varrmihës. Dhe ashtu ndodhi. Jo vetëm, si theksuam më lartë, u arrit dhe bashkëpunimi i zellshëm komunistëve polakë. “Mjafton të citojmë – si shkruan Zaslavsky – raportin e Wanda Bartoszewic-it, anëtar i partisë komuniste polake […] 99% janë persona të liruar nga burgjet, kampet dhe internimi […] Të gjithë armiq të vërtetë të BRSS-së, të gatshëm të hakmerren për vuajtjet e tyre. Asgjë nuk mund t’i ndryshojë njerëzit mes të cilëve gjendem dhe do të duhet vetëm t’i eliminojmë.” Një shembull i shkëlqyer i internacionalizmit.

Masakra e Katyn-it mbetet një “kufomë” e sikletshme edhe për Perëndimin. Sovjetikët nuk do të kishin mundur të fshihnin të vërtetën pa bashkëpunimin e vendeve perëndimore. Amerikanë deri në vitet pesëdhjetë, anglezët deri në rënien e BRSS më 1991. Sigurisht nuk e nderojnë burrin e madh të shtetit Winston Churchill fjalët e shqiptuara mbi Katyn-in në vitet dyzetë. Për kryeministrin britanik çështja e Katyn-it nuk kishte “asnjë vlerë praktike” dhe, si i shkroi në prill të vitit 1943 ministrit Eden “nuk duhet të vazhdohet të xhirohet patologjikisht vërdallë varreve trevjeçare në Smolensk”. Paradoksalisht te kjo referencë kronologjike qëndronte bindja që masakra ishte kryer nga aleatët sovjetik. Qeveria amerikane u soll edhe më keq. Kur i dërguari i posaçëm për çështjet ballkanike, George Earle, gjeti prova të pakundërshtueshme mbi përgjegjësitë sovjetike në lidhje me Katyn-in, mori në përgjigje një paralajmërim të ashpër nga Roosevelti. “Nuk është gjë tjetër veçse propagandë – shkroi presidenti amerikan – një komplot gjerman. Jam absolutisht i bindur që nuk e kanë bërë rusët”.

Këmbënguljes së Earle-it dhe vendimit të tij për të publikuar provat qeveria amerikane ju përgjigj duke e dërguar në mision diplomatin në ishujt e largët Samoa. “Jo vetëm që nuk dëshiroj – shkroi përsëri Rooselvelti Earle-it – por të ndaloj në mënyrë specifike të bësh publike çdo informacion apo opinion, që mund të kesh gjetur kur ishte në detyrë apo në shërbim të marinë së Shteteve të Bashkuar dhe që lidhet me aleatin tonë”.

Masakra e Katyn-it sjell një polemikë. Sot, pasi janë zbuluar të gjithë dokumentet sekrete sovjetike, jemi në gjendje të hetojmë çdo anë të atij krimi të urryer. Janë pikasur, si vë në dukje dhe Zaslavsky, organizatorët dhe ekzekutorët. Por, vazhdon studiuesi polak, “ndërsa në vendet perëndimore kriminelët nazistë janë ende në kërkim, si trego dhe rasti Priebke, në Rusi asnjë prej vrasësve nuk ka dalë në gjykim apo është hetuar”. Katyn-i është vetëm një nga shumë krimet e të cilave personazhet e regjimeve komuniste në Evropë nuk kanë dhënë llogari. Si shpresohet dhe pritet kërkesa për ekstradim të gjeneralit Pinoçet, për ta gjykuar si përgjegjës për zhdukjen dhe vdekjen e 4.500 kilianëve, nuk kuptohet se si – në bazë të të njëjtit parim të “së drejtës ndërshtetërore” – nuk duhet pretenduar që përgjegjësit e një numri shumë më të lartë viktimash, theroria e Katyn-it, të mos i sigurohen drejtësisë.

Ferrucio Gattuso

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s