Varre të përbashkëta janë zbuluar në Ukrainën perëndimore: viktimat kishin duart e lidhura mbas shpinës dhe janë ekzekutuar me një të shtënë pas koke. Masakra është vepër NKVD-së, policia famëkeqe e Stalinit.
Një tjetër kapitull i tmerrshëm i është shtuar «Librit të zi të komunizmit»: një përsëritje, në shkallë më të vogël e therorisë së Katyn-in ku sovjetikët masakruan mbi 20.000 oficerë dhe ushtarë të ushtrisë polake me qëllim zhdukjen e klasës drejtuese të vendit, për të lehtësuar kështu nënshtrimin e tij. Sipas të përjavshmes polake «Rzecspospolita», një tjetër varr i përbashkët që përmban 3.500 trupa, që i përkisnin Rojës Kufitare ose Korparmatës së gjeneralit Smorawinski, është zbuluar në Wlodzimier Wolynski, në Ukrainën e tanishme. Ashtu si në Katyn të gjithë kishin duar e lidhura mbas shpinës dhe janë vrarë me një të shtënë pas koke. Zbulimi, në të vërtetë i përket dymbëdhjetë viteve më aprë, por për arsye të qarta autoritetet e Kievit vendosën të heshtnin në pritje të verifikimeve të mëtejshme. Vetëm tani zyrtarizuan të satin krim stalinist.
Lajmi i masakrës nuk do të ngjallë shumë habi në mesin e atyre që e dinë historinë e Katyn-it. Nga çasti që Kremlini vendosi të përfitonte nga rrethanat e luftës për të eliminuar çdo forcë rezistence nga ana e polakëve, pas aneksimit të gjysmës lindore të vendit, nuk është për t’u habitur me ekzistencën e këtij grupi të dytë robërish të masakruar mizorisht. Zbulimi nuk do të mund të mos ndikojë në raportet midis Varshavës dhe Moskës, në të cilat ende sot ndihet ndikimi i Katyn-it dhe që sigurisht nuk janë përmirësuar me kalimin e Polonisë nga satelit i BRSS në anëtare të NATO-s dhe BE-së. Për gjysmë shekulli sovjetikët vazhduan të mohonin përgjegjësinë e masakrës dhe kundër çdo prove, madje edhe asaj gjeografike, të fajësonin gjermanët. Vetëm pas rënies së murit të Berlinit, kur perandoria sovjetike ishte në agoni. Gorbaciovi pranoi krimin, e kryer nga NKVD-ja, dhe paraqiti ndjesën e vonuar Polonisë. Vijoi një periudhë e gjatë në të vilën rusët dhe polakët bashkëpunuan për rindërtimin e dinamikës së ngjarjeve, kjo deri kur, në kuadër të politikës së restaurimit të perandorisë dhe si hakmarrje për bashkëpunimin e ngushtë polak me Amerikën e Bushit, Putin urdhëroi ndalimin e kalimit të informacioneve Polonisë dhe të kërkimit të përgjegjësve, duke u rikthyer në politikën e vjetër.
Prokurori përgjegjës i hetimeve, në një komunikatë që në Varshavë ende djeg, deklaroi se «Katyn-i nuk ishte as gjenocid, as krim lufte dhe as krim kundra njerëzimit; nuk ekzistojnë, pra, bazat për të shtruar çështjen në kuadër juridik». Një përpjekje për të fshirë të vërtetën ose për të kthyer mbrapa orën e historisë. Me këtë rast, nga ana ruse u rikthyen edhe “sekretet e shtetit”.
Nuk dimë nëse denoncimi i kësaj masakre, 12 vite pas zbulimit të kufomave, është një scoop i «Rzecspospolit-ës» apo në ndonjë farë mënyrë është pilotuar nga qeveria e Varshavës për të vënë në pozitë rusët, duke i detyruar të nisin një hetim të ri dhe të rihapin kapitullin Katyn. Në dritën e politikës së Putinit është e mundshme që Kremlini të mos reagojë apo të rinis mohimet, si në kohët e BRSS-së, madje duke parë që zbulimi ndodhi në Ukrainë të fillojë e të flasë për komplot.
Vetëm një gjë është e sigurt: historia e këtyre 3.500 martirëve do të jehojë jo vetëm në Poloni por në të gjithë Evropën Lindore e cila deri 20 vite më parë ishte nën zgjedhën sovjetike, duke trekuar edhe një herë që për mbylljen e disa plagëve nuk mjaftojnë as dekadat.
Livio Caputo