Home

Che Guevara, që bëri kaq shumë (apo ishte aq pak?) për të shkatërruar kapitalizmin, tani është një markë tipike kapitaliste. Imazhi i tij zbukuron filxhanë, kapele, çakmakë, mbajtëse çalash, portofola, shami, kanotiere, çanta, xhinse, dhe sigurisht ato bluzat e kudondodhura me fotografinë me kasketë, që Alberto Korda i shkrepi idhullit socialist gjatë viteve të para të revolucionit. Fotografi që, ende sot kaq vite pas vdekjes, të jetë imazhi shikut revolucionar (apo kapitalist?). Sean O’Hogan shkruante për The Observer se ekziston edhe një ilaç rrobash me sloganin «Che-ja lan më mirë». Me prodhimet e Che-së merren korporata të mëdha dhe sipërmarrje të vogla, si Burlington Coat Factory, në reklamën televizive të së cilës shfaqet një i ri me veshje pune dhe me bluzën e Che-së, apo si Flamingo’s Boutique e Union City në New Jersey: pronari i së cilës furisë së emigrantëve politikë kubanes u përgjigj me argumentin e pakundërshtueshëm «shes çdo gjë që njerëzit duan të blejnë». Edhe revolucionarët nuk janë të pandjeshëm ndaj rregullave të tregut: The Che Store, dyqani i Che-së në internet, do të plotësojë «të gjitha nevojat tuaja revolucionare»; gazetari italian Gianni Minà i shiti Robert Redford-it të drejtat e filmit bazuar në ditarin e udhëtime që Che kreu në Amerikën e Jugut në vitin 1952, në këmbim të mundësisë për të realizuar një dokumentar në sheshxhirim. Për të mos folur për Alberto Granado-n që shoqëroi Che-në gjatë atij udhëtimi dhe që sot kryen këshillime për dokumentaristë të ndryshëm ndërkohë që – si raporton El País – mes kraharorëve të patës shoqëruar me verë të Rioja-s ankohet se nuk mund të vjelë të drejtat për shkak të embargos amerikane ndaj Kubës. (…) Transformimi i Che-së në një markë kapitaliste nuk është gjë e re por  ka pasur një rigjallërim domethënës. Domethënës pasi ndodh vite pas rrënimit të politik dhe ideologjik të çdo gjëje që Guevara përfaqësonte. Një ringritje e papritur që vjen sidomos si pasojë e “Ditarët e motoçikletës ”, filmi me regji të Walter Salles dhe prodhuar nga Robert Redford. (…) Për të qenë të saktë ky rigjallërim nisi në vitin 1997, në tridhjetë vjetorin e vdekjes së Che-së, kur nëpër librari u shfaqën pesë biografi dhe kur njëkohësisht , me koincidence një interesante, pas pohimeve të një gjenerali bolivian në pension, pranë aeroportit bolivian të Vellagrande-s u zbuluan eshtrat e Guevara-s. Përvjetori përqendroi vëmendjen edhe në fotografinë e famshme të Freddy Alborta-s ku mbi një tavolinë paraqitet kufoma e Che-së me një romantizëm si të Krishtit të Mantenga-s.

Është normale që besimtarët e një kulti të mos njohin të vërtetën historike të heroit të tyre. Nuk habit që ndjekësit e tanishëm të Che-së, admiruesit e tij postkomunistë, të vetë mashtrohen duke u kapur pas një miti – me përjashtim të të rinjve argjentinas që kanë nxjerrë shprehjen: «Tengo una remera del Che y no sé por qué», «Kam një bluzë të Che-së dhe nuk e di përse». Mendojmë sa, kohët e fundit, kanë valëvitur fytyrën e Che-së si ikonë të drejtësisë e të rebelimit ndaj abuzimeve të pushteti. Në Libi demonstruesit që protestonin, mbi varrin e kryeministrit Rafiq Hariri, kundër Sirisë mbanin imazhin e Che-së. Thierry Henry, futbollist francez, mori pjesë në një festë të madhe organizuar nga FIFA, veshur me një bluzë të Che-së. Në një kritikë të filmit “Toka e të vdekurve të gjallë” të George A. Romero, publikuar te New York Times, Manohla Dargis shkruante: «Goditja kryesore është transformimi i një zombi të zi në një lider revolucionar» dhe shtonte: «Mendoj se në fund të fundit Che-ja është gjallë». Gjatë një udhëtimi në Venezuelë, gjatë të cilit takoi edhe Hugo Chávez-in, Maradona  shfaqi një tatuazh të Che-së në krahun e djathtë. Në Stavropol, Rusia jugore, demonstruesit që denonconin koncesionet shtetërore u grumbulluan në sheshin e qytetit duke valëvitur flamuj me Che-në. Në San Francisko, City Light Books, tempull i letërsisë beat, ofron vizitorëve një seksion kushtuar Amerikës latine në të cilën gjysma e rafteve mban libra për Che-në. José Luis Montoya, një polic meksikan që lufton trafikun e drogës në Mexicali, vesh një shami me Che-në sepse e bën të ndihet më i fortë. Në kampin e refugjatëve të Dheisheh-ut në Cisjordani, posterat e Che-së zbukurojnë një mur që përkujton Intifadën. Një e përjavshme e Sidnejt rreshton tre të ftuar ideal për një festë: Alvar Aalto, Richard Branson dhe Che Guevara. Leung Kwok Hung, rebeli i zgjedhur në Këshillin legjislativ të Hong-Kongut, sfidon Pekinin duke veshur bluzën e Che-së. Në Brazil, Frei Betto, këshilltar i presidentit Lula da Silva, përgjegjës i programit «Zero uri», pohon se «do të duhej t’i kishim kushtuar më pak vëmendje Trockit dhe më shumë Che Guevarës». Dhe më e famshmja: në ceremoninë Academy Awards të këtij viti, Carlos Santana dhe Antonio Banderas interpretuan muzikën e filmit “Ditarët e motoçikletës”; Santana kishte veshur në bluzë të Che-së dhe një mbante një kryq. Shprehje të kultit të ri të Che-së gjenden gjithandej.

Edhe një herë, miti tërheq njerëz kauza e të cilëve është plotësisht e kundërt me atë që Guevara ishte. (…) Në janar të vitit 1957, si shkruhet në ditarin e Sierra Maestra, Guevara i shtiu Eutimio Guerra-s, i dyshuar për rrjedhje informacioni: «E zgjidha problemin me një kalibër 32 në pjesën e djathtë të trurit… Ç’ishte e tij u bë e imja». Më vonë i shtiu dhe Aristidio-s, një fshatari që kishte shprehur dëshirën për tu tërhequr sapo rebelët të ishin larguar. Ndërsa pyeste veten nëse viktima «ishte fajtore sa për të merituar vdekjen», nuk hezitonte të urdhëronte vrasjen e Echevarría-s, vëllai i një shoku, fajtor për krime të papërcaktuara: «Duhet të paguajë». Në raste të tjera simulonte ekzekutime si formë torture psikologjike. Luis Guardia dhe Pedro Corzo, dy studiues nga Florida që po punojnë për një dokumentar për Che-në, morën dëshminë e Jaime Costa Vázquez-it, ish komandant i ushtrisë revolucionare i njohur si «El Catalán», sipas së cilës shumë prej vrasjeve të Ramiro Valdés, më tej ministër i Brendshëm i Kubës, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Che-së. Valdés-i, në male, zbatonte urdhrat. «Në rast dyshimi, vritini» ishte direktiva e Guevarës. Gjithmonë sipas Costa-s, në prag të fitores Che-ja urdhëroi ekzekutimin e rreth njëzet personave në Santa Clara, në Kubën qendrore. Si ka shkruar Macelo Fernándes-Zayas, një tjetër ish revolucionar që më tej u bë gazetar, disa u vranë në një hotel, mes tyre kishte njerëz të shtresave të ulëta, fshatarë që ishin veshur ushtarë për të mos mbetur pa punë.

Megjithatë «makina që vriste me gjak të ftohtë» nuk do të tregonte gjithë egërsinë e vet deri sa, menjëherë pas rrëzimit të Batistës, Fideli t’a emëronte drejtor të burgut të La Cabaña-s. (Fideli  kishte talentin e lindur për të zgjedhur njerëzit e përshtatshëm për mbrojtjen e revolucionit nga molepsjet). San Carlos i La Cabaña-s ishte një fortesë e përdorur gjatë shek. XVIII për të mbrojtur Havanën nga piratët anglezë; më tej u kthye në një kazermë ushtarake. Guevara ishte drejtor gjatë pjesës së parë të vitit 1959, një prej periudhave më të errëta të revolucionit. José Vilasuso, avokat dhe profesor në Universidad Interamericana de Bayamón në Porto Riko dhe ish anëtar i organit që merrej me proceset e shpejta në La Cabaña-s, kohët e fundit më rrëfeu: «Che-ja drejtonte Comisión Depurada. Procesi respektonte vetëm ligjet e Sierra-s: ishte një gjykatë ushtarake dhe sipas udhëzimeve të Che-së duhet të vepronim me vendosmëri, sepse të gjithë ishin vrasës dhe të veproje në mënyrë revolucionare do të thoshte të ishe i palëkundur. Komandanti im ishte Miguel Doque Estrada. Detyra ime ishte rregullimi i dosjeve përpara se të dërgoheshin në Ministri. Ekzekutimet zhvilloheshin nga e hëna deri të premten, në mes të natës, sapo merrej  vendimi dhe konfirmimi, i kurdohershëm,  në shkallën e apelit. Në natën më të tmerrshme që mbaj mend, u vranë shtatë njerëz».

Javier Arzuaga, priftin që ngushëllonte të dënuarit me vdekje, dëshmitar i dhjetëra ekzekutimeve, e takova në shtëpinë e tij në Porto Riko. Ish prift katolik, sot shtatëdhjetepesë vjeçar, e përcakton veten «më afër Leonard Boff-it dhe teologjisë së Çlirimit sesa ish kardinalit Ratzinger», kujton se: «Gjendeshin rreth tetëqind të burgosur në një hapësire që nuk mund të mbante më shumë se treqind: ishin ish ushtarakë dhe policë të epokës së Batistës, gazetarë dhe ndonjë sipërmarrës. Gjykata revolucionare përbëhej nga njerëz të milicisë. Che Guevara drejtonte Gjykatën e Apelit. Nuk anuloi asnjë vendim. Vizitoja “krahun e vdekjes” në Galera de la muerte. U hap fjala se i hipnotizoja të burgosurit nga që shumë prej tyre rinin të qetë, kështu që Che-ja urdhëroi që unë të isha prezent gjatë ekzekutimeve. Pas largimit të tij, në maj, u zbatuan edhe shumë vendime të tjera. Unë kam parë 55 ekzekutime. Ishte një amerikan, Herman Marks, me të gjitha gjasat një ish i burgosur. E quanim «kasapi» sepse kënaqej kur jepte urdhrin për të hapur zjarr. Mbrojta përpara Che-së çështjet e shumë të burgosurve. Në veçanti më kujtohet një i ri, Ariel Lima. Che-ja nuk u lëkund. As Fideli kur e takova. U trondita aq shumë sa që në fund të majit të vitit 1959 më urdhëruan të largohesha nga kisha e Casa Blanca-s, në të cilën gjendej La Cabaña dhe ku kisha shërbyer për tre vite rresht. Shkova për kura në Meksikë. Ditën që u nisa, Che-ja më tha që secili nga ne ishte përpjekur të tërhiqte tjetrin nga ana e vet por më kot. Fjalët e tij të fundit ishin: “Kur të heqim maskat do të rikthehemi armiq”».

Sa veta janë vrarë në La Cabaña? Pedro Corzo jep një shifër prej 200 viktimash, pak a shumë sa shifra e përllogaritur nga Armando Lago, një profesor ekonomie në pension, i cili ka përpiluar një listë me 179 emra. Vilasuso pohon se nga janari dhe fundi i qershorit (kur Che-ja la detyrën në La Cabaña) u vranë katërqind persona. Kabllogramet sekrete të dërguara nga ambasada amerikane, në Havana, Departamentit të Shtetit në Uashington, flasin për «mbi pesëqind». Sipas Jorge Castañeda, një prej biografëve të Che-së, at Iñaki de Aspiuzú, katolik bask i afërt me revolucionin, ka folur për shtatëqind viktima. Felix Rodríguez, një agjent i CIA-s që ishte pjesë e skuadrës që gjurmoi Che-në në Bolivi, më ka rrëfyer se diskutoi me atë për çështjen e «rreth dymijë» për të cilat ishte përgjegjës. Rodríguez-i kujton: «Tha se ishin të gjithë agjentë të CIA-s dhe nuk më dha numrin e saktë».

 

Alvaro Vargas Llosa

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s