Home

Një tragjedi e panjohur e periudhës staliniste: Internimi i ushtarakëve dhe civilëve polakë në Iran.

Një kapitull i errët i Luftës së Dytë Botërore është groposur në varrezat katolike të periferisë së varfër të Teheranit. Këtu prehen 1.892 gra, të moshuar dhe fëmijë polakë, të internuar nga Stalini në vitet nga 1939 deri më 1942. Siç dihet, në shtatorin e vitit 1939, Hitleri dhe diktatori i Moskës, pas marrëveshjes së arritur me Paktin Ribbentrop-Molotov, ju sulën Polonisë duke e shpërbërë. Bashkimi Sovjetik aneksoi pjesën lindore të vendit dhe pasi çarmatosi dhe internoi të gjithë ushtrinë polake që gjendej në këto territore (rreth 250.000 burra), nisi menjëherë procesin e rusifikimit të rajonit. Më 1940, në shkelje të të gjithë traktateve dhe konventave ndërshtetërore, Stalini nuk i liroi oficerët dhe ushtarët e kapur rob por i grumbulloi në rreth dhjetë kampe përqendrimi në Ukrainë. Vitin pasardhës, kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik, diktatori vendosi t’i lironte të gjithë ushtarakët polakë, duke ju premtuar një trajtim të ndershëm dhe madje “një tokë të re”, në këmbim të ndihmës së tyre në luftën kundër nazizmit. Të dërguarit e Stalinit lejuan ushtarakët polakë që të vazhdonin të luftonin në kudër të një Armate të Re që rusët, së bashku me britanikët, por ngrinin në Persinë veriore. Të vendosur për të rifituar lirinë dhe për të ndihmuar Aleatët, polakët pranuan propozimin e Moskës dhe në kolona të gjata hekurudhore u nisën për në vendin e largët dhe neutral. Persia, në vijim të sulmit gjerman dhe të traktatit të aleancës me Rusisë dhe Britanisë së Madhe, ishte pushtuar paraprakisht nga forcat e Fuqive të cilat ishin të shqetësuar nga mundësia e infiltrimit armik në këtë rajon strategjik.

Brenda pak javëve, disa mijëra ushtarë (por edhe civil) polakë që ishin internuar në kampet sovjetike nënshkruan bashkimin me “Ushtrinë Çlirimtare Polake në Persi”. Një grupim i ri dhe me një kuadër jo fort të qartë. Në bazë të të dhënave nga arkivat sekrete ruse (1999) përllogaritet që, nga korrik deri në dhjetorin e vitit 1941, autoritetet sovjetike transferuan në Persi një numër polakësh që varion nga 114.000 në 300.000 (ka mjaft mospërputhje në shifra). Për të provuar këtë “eksod” masiv nuk kanë mbetur vetëm dokumentet, që për disa dekada u fshehën me aq kujdes nga Moska, por edhe disa dhjetëra dëshmitarë që ende jetojnë në periferinë e Teheranit. Zbulimi i këtyre të mbijetuarve është bërë nga Anwar Faruqi, një gazetar i zot i Associated Press, i cili vite më parë i gjendur në Iran për çështje pune, ja doli mbanë të rindërtonte të gjithë çështjen. Duke vizituar periferinë e kryeqytetit iranian, Faruqi njohu Helena Stelmach-in, një shtatëdhjetë vjeçare polake, prej vitesh e martuar me një iranian. Kjo, së bashku me Anna Borkowska-n, 83 vjeçare, duket të jenë të mbijetuarat e fundit të shpërnguljes që urdhëroi Stalini më 1941. Jo pa hezitime, dy zonjat e moshuara (“që flasin gjuhën iraniane me një theks të çuditshëm”), pranuan ti rrëfejnë Faruqi-t për ngjarjet e atyre viteve. “Të dyja të mbijetuarat jetojnë në banesa modeste, të mobiluar thjeshtë, me tapetet tradicionalë të varur nëpër mure, fotografitë e ayatollah Khomeini-t dhe të Papa Gjon Palit II dhe disa ikona të Jezusit dhe Marias”.

Helena Stelmach – i rrëfen – se kur nisi pushtimi sovjetik gjendej në një fshat të Polonisë lindore: “në shtator të vitit 1939, shumë civilë mes të cilëve dhe unë, u mbyllën së bashku me ushtarët polakë, në kampe përqendrimi të përkohshëm. Më tej u zhvendosën, me tren mallrash, në pyllin e dendur të Basharov-ës, jo larg nga qyteti Arkhangelsk. Aty rusët na mbajtën dhe na vunë në punë të detyruar. Në vitin 1941, në kampin e punës ku gjendesha filluan të qarkullonin lajme të habitshme. Ushtritë gjermane kishin pushtuar Ukrainën dhe po i afroheshin Leningradit. Disa ditë më vonë, sapo ishim kthyer nga pylli ku prisnim dru, komandanti rus na mblodhi të gjithëve. Oficeri na tha se mund të na lironin nëse merrnim pjesë në “Luftën e madhe patriotike” kundër Gjermanisë naziste. Më vonë mësuam se Stalini, përpara se të mbërrinin gjermanët, kishte transferuar pothuajse të gjithë popullatën nga Polonia lindore në Rusi dhe Siberi, për të mos ju dhënë mundësi atyre të bën plaçkë lufte krahët e punës”.

Gjithmonë sipas dokumenteve të arkivave moskovit, në verën e vitit 1941, nga të gjitha kampet e përqendrimit të Bashkimit Sovjetik u transferuan në drejtim të Persisë dhjetëra mijëra polakë, të cilët vetëm pak ditë më herët përdoreshin në fusha, pyje dhe miniera. “Praktikisht ishim skllevërit e Stalinit”. “Udhëtimi në kolonat sovjetike ishte i frikshëm: një makth”, kujton Stelmach-u, që në atë kohë ishte dhjetë vjeç dhe udhëtonte me të ëmën. “Ishim me dhjetëra që shtypeshim në vagonë për kafshët. I ftohti ishte i tmerrshëm dhe nuk kishim asgjë, përveç rreckave tona, për t’u mbuluar. Çdo dyqind, treqind kilometra kolonat ndaleshin dhe rojet na jepnin ndonjë kovë me rrepa, bukë të tharë dhe një bidon ujë. Me dhjetëra fëmijë dhe të moshuar vdiqën gjatë udhëtimit për shkak të urisë dhe të ftohtit. Pas disa ditësh mbërritëm në Taskent, kryeqyteti i Uzbekistanit sovjetik. Aty na hipëm në një tren tjetër me drejtim Persinë”. Një muaj pas nisjes nga Arkhangelsk-u, Stekmach-u dhe refugjatët e tjerë mbërritën në një stacion hekurudhor në brigjet lindore të Kaspikut. “Na hipën në anije të vogla dhe u nisëm në drejtim të portit iranian të Enzelit. Ai udhëtim në det, që e kishim menduar se do të ishte më i mirë se udhëtimi në tren, ishte shumë më i keq. Anijet ishin të vjetra dhe të tej mbushura. Na rrasën në hambarët që ishin të mbushur me minj dhe insekte. Një herë në ditë rojet na jepnin ujë dhe supën me rrepa, rrënjë dhe bukë të thatë. Nevojat tona i kryenim në një cep të hambarit. Kundërmimi ishte i padurueshëm. Shpërtheu një epidemi ethesh tifoide; shumë veta vdiqën dhe trupat e tyre u vërvitën në det. Më në fund, në një mëngjes të ftohtë, anija mbërriti në portin iranian të Enzelit (sot Bandar Anzal). Ishte janari i vitit 1942. Brenda pak muajve 2.806 refugjatë vdiqën dhe trupat e tyre u varrosën në varre të përbashkët në rrethinat e qytetit”.

Pjesa më e madhe e polakëve që ishin në gjendje më të mira shëndetësore u dërguan menjëherë në kampet stërvitore – ku sipas sovjetikëve – po formohej ushtria e re polake e komanduar nga gjenerali Wladyslaw Anders. Pothuajse të gjithë polakët u transferuan me kamionë në Teheran, Isfahan dhe në qytete të tjera iraniane. “Takimi ynë i parë me popullin iranian ishte shumë i ngrohtë. Afroheshin te kamionët dhe na jepnin arra, hurma, stafidhe dhe fruta të tjera”, rrëfen Krystyna Skwarko, një mësuese polake që më vonë, pas luftës, do të bëhej drejtoresha e jetimores së Isfahan-it. Skwarko do të shkruante edhe një libër interesant, “The Invited”, në të cilin përshkruan me hollësi udhëtimin e saj nga Enzeli në kampet e grumbullimit. Ajo jetoi në Iran deri në vitet gjashtëdhjetë dhe më vonë emigroi në Zelandën e Re dhe ku vdiq më 1995.

Më shumë se 13.000 fëmijë polakë që mbërritën në Iran ishin jetim. Një pjesë e tyre i humbi prindërit edhe gjatë zhvendosjeve të tmerrshme nëpër hekurudhat sovjetike. Në kampet iraniane do të vepronte dhe një shoqatë bamirëse sioniste e cila u përkujdes për fëmijët polakë me origjinë hebraike. Shumë prej tyre u zhvendosën në Palestinë dhe pas lufte emigruan në SHBA, Angli, Australi, Afrikë të Jugut, Zelandë të Re dhe gjetkë.

Alberto Rosselli

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s