Home

Dokumenti i mëposhtëm është një trakt komunist i vitit 1942. Ajo që bie në sy është fakti se lufta “çlirimtare” e komunistëve nuk ishte tjetër gjë veçse një zgjatim i Frontit të Lindjes dhe shpreh qartë që grupet komuniste në Shqipëri, si në të gjitha vendet e tjera të Evropës, u mobilizuan vetëm pas direktivave të Moskës. Direktivë që erdhi pas nisjes së Operacionit Barbarosa.
Më herët komunistët shqiptarë, apo ata që u paguan për të qenë të tillë, nuk ishin interesuar aspak për çështjen e luftës së armatosur kundër pushtuesit italian, përkundrazi kishin vazhduar të përfitonin ekonomikisht nga gjendja e pushtimit.
Sulmi gjerman ndaj ndryshon çdo gjë.

Një tjetër element interesant, që u shfaq me rregullsi edhe në traktet pasardhës, është vendosja e shenjës së barazisë midis politikanë shqiptarë dhe çetnikëve serb, në rastin tonë të Mustafa Krujës (i cili qëllon të jetë dhe një ndër nënshkruesit e Pavarësisë).
Në ditët kur qindra, mijëra të rinj shqiptarë, intelektual, mësues, mjekë, agronom, ushtarakë zhvendosen në “Tokat e Lirueme” për të ngritur atë që në 95 vite do të ishte e vetmja administratë shqiptare në Shqipërinë Veriore, komunistët japin kushtrimin për sabotimin e punës së tyre.

Trakti i mëposhtëm është një shembull i përkryer i internacionalizmit. Shqiptarët ftohen të mos bashkëpunojnë me njëri tjetrin por me armikun shekullor, e gjitha kjo në emër të luftës së popujve të ashtuquajtur sovjetikë. Pasojat e këtij internacionalizmi, që për fat të keq ende sot mbartim, janë fakte historike, fakte të mbushura me qindra mijëra shqiptarë të vrarë dhe të shpërngulur me forcë.

 

Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohisë

Ju, bashkë me ju gjithë popujt e shtypun të Jugosllavis kini vuejt ditët e zeza në zgjedhën e qeverive kundra-popullore jugosllave. Me ardhjen e fashizmit ju kujtuet se erdh dita e shlirimit t’uej.

Fashizmi gjakësor mundohet me ju rrejt se gjoja me armët e tij të përgjakuna u shliroj dhe u bashkoj me «Shqipnin e Madhe». Mjerisht, siç e shihni edhe vet, keni hye në nji zgjedhë bile shumë ma të randë. Fashizmi i pruni pra në fuqi beglerët e agallarët tradhtarë si Ferhat Dragën, Iljaz Agushin e të tjerë njerzë që kanë qenë në shërbim të Jugosllavis e që janë mësue me u shitë në çdo qeveri, me përfitue prej mundit t’uej, njerz që shesin çdo gja të shejtë për me i mbushë xhepat e tyne.

Hyzmeqari i fashizmit në Shqipnin, tradhtari Mustafa Kruja po mundohet me ja forcue zingjirët e robnis popullit shqiptarë, po ja grabitë pasunin, po ja merre bereqetin dhe gjanë e gjallë për me i yshqye anmiqt e popullit: fashistat. Përveç mundit, tradhtari Mustafa Kruja po i ep si bakshish anmikut edhe gjakun e djemve të popullit t’onë. Po mundohet me ja u mbushë menden se duhet të rrokni armët dhe të luftoni për hesapin e tyne, mundohen me ju përdorë si mashë për qëllimet e tyne t’errta: për me shtypë luftën nacional-shlirimtare të popujve kojshi. Duen me ju çue në luftë kundra partizanve kombtarë që po luftojnë jo vetëm për lirin e tyne, por edhe për lirin t’onë, për lirin e tanë popullit. Në kët luftë shlirimtare, ku luhet fati i tanë popujve, duhet edhe ne të marrim pjesë me armë në dorë për të shpëtue nji herë e mirë prej robnis. Në kët luftë shlirimtare nuk kemi me kenë vetëm. Popujt puntorë e trima të Bashkimit Sovjetik që po luftojnë si dragoj kundra fashizmit – anmikut të betuem të njerzimit – na siguronë lirin t’onë dhe të gjithë popujve, të ciliët mandej mund t’a zgjedhin vet mënyrën e qeverimit dhe nuk do të jenë ma të shkelun e të përbuzun prej qeverive jo popullore.

Popujt liridashës dhe popujt e robnuem nga thundra e flliqtë fashiste po bashkojnë tanë forcat e veta për t’u shlirue nga zgjedha dhe për të zhdukun anmikun fashist nga faqja e dheut. Sigurija e jonë në fitorjen asht e plotë.

 

Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohisë

 

Mos u besoni rrenave të tradhtarvet. Mos e ndihmoni anmikun tue i çue bijt t’uej për me luftue për hesapin e tij, por pengoni luftën e fashizmit tue mos i dhanë asnji kokërr gruni, asnji gotë uj. Ngrihuni të tanë kundër zaptuesit fashist. Lidhnie luftën e juej e vllaznive t’uej në Shqipni dhe me ata të vendeve kojshi , të Malit të Zi, të Serbis e të Greqis që janë çue kundra fashizmit. Lidhuni ngusht me të tanë të ndershmit Sllavë në Kosovë e Metohi, të cilët janë gadi me dëbue zaptuesin fashist dhe me zhdukë të tanë ata të cilët e dojnë këthimin e kohës së moçme: për me mujt mandej me e instalue qeverin e vërtetë popullore. Armët që keni marrë këtheni kundër zaptuesit dhe hyzmeqarve të tij, kundra spionve, çetnikve serb e malazez e milicve shqiptar që armatosen prej zaptuesit për me luftue kundra partizanve kombtarë që janë miqt e popullit të robnuem shqiptarë. Formoni çetat t’ueja partizane dhe bashkëpunoni me ato të partizanve jugosllav. Të bashkuem e të vllaznuem me partizanë në luftën shlirimtare, formoni sa më shpejt frontin e përbashkët kundër gjith anmiqve, se vetëm kjo asht rruga e drejtë për të fitue lirin t’uej.

 

Në luftë pra, në të mramën luftë, se ka ra ora e fundit!

 

Rrnoftë vllaznimi dhe bashkimi i popujve ballkanikë në luftën nacional-shlirimtare!
Rrnoftë e pa-thyeshmja ushtri e kuqe e puntorve dhe katundarve!
Rrnoftë fronit i pa-thyeshëm shlirimtar i të gjitha forcave patriotike të popujve shqiptar e jugosllav kundër zaptuesit fashist!
Rrnofshin partizanët t’onë trima-shlirimtarë e popullit!
Rrnoftë shoku i madh Stalin, udhëheqësi dhe organizatori i fitorjeve të kalueme, të tashme e t’ardhshme!
Rrnoftë Partija Komuniste e Shqipnis!
Rrnoftë Partija Komuniste e Jugosllavis!
Rrnoftë Partija Komuniste (Bolshevike) e U.R.S.S.-it!
Rrnoftë Internacionalia Komuniste!
Përpara në luftë kundra zaptuesit fashist për liri e nji t’ardhme ma të bukur të popujve.
Vdekje Fashizmit – Liri Popullit

25-III-1942.

Komiteti Central i Partis Komuniste të Shqipnis
Komiteti Qarkor i Partis Komuniste të Jugoslavis për Kosovë e Metohi

 

 

Burimi: A.Q.Sh. F. 166 V. 1942 D. 76

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s