Pas rënies së regjimeve bolshevike opinioni i gjerë botëror u trondit kur filloi të kuptonte përmasat e vërteta të tragjedisë komuniste. Megjithatë nuk kanë qenë të pakta burimet të cilat që prej vendosjes deri në rrëzimin e këtyre regjimeve, nuk reshtën së paralajmëruari dhe përshkruari mizoritë e komunizmit.
Një prej tyre ishin dhe fletoret në Tiranë.
Heshtja e këtyre të vërtetave është pasojë e një interesi politik që merr trajtat e bashkëfajësisë.
Shkrimi i mëposhtëm është shkëputur nga “Lirija e Shqipnis” e shtatorit 1944.
Nji Katyn i dytë?
Polonezët nën kërbaçin sovjetik.
«Nji Katyn i dytë?» pyet gazeta “Voz” në lidhje me lajme e përhapura nga një stacjon polak, mbas të cilavet 220 oficerë dhe ushtarë, të ashtuquajtura trupa të politikës së mbrendëshme, janë zvarritur prej rusvet në një vend të papërmendur mbrenda në thellësinë lindore të Rusisë. Në lidhje me Katynin zgjuan ky lajm një tmerr. Stacjoni i radios polake paska lajmëruar edhe se grumbuj ajrorë rusë paskan qarkulluar Vashovinë, pa i u sjellë ndonjë ndihmë polakëvet luftues edhe pa i prekur gjermanët por vetëm e vetëm për të kqyrur gjendjen në qytet.
Kështu e trajton Rusija Sovjetike atë vend, për qefin e secilës fuqitë perëndimore hynë në luftë. Nga ana e fuqivet perëndimore nuk u bëka ndonjë protestë. Thirrjet që iu drejtojnë aleatëvet polakët e pafat nuk paskan shërbyer asgjë. Rusija paska përhapur një hije të rëndë ndër aleatët. Moska paska vendosur të jetë barbare përkundrejt polakëvet edhe paska qëllim t’a vazhdojë këtë mënyrë pa u shmangë. Me gjithë atë paska njerëz, të cilët presin prej Moske një bashkëpunim të çmuarshëm për rindërtimin e botës.