Home

Kanë kaluar 97 vite që nga Revolucioni Rus. Tashmë mund të vihemi në dijeni të çdo gjëje që ndodhi në Rusi gjatë vitit 1917 e megjithatë mitet që shtrembërojnë politikisht historinë janë më të qëndrueshëm dhe të përhapur se sa historia e vërtetë. Mjafton të bëjmë një eksperiment të thjeshtë: të pyesësh, këdo që ka një arsimim mesatar, ç’ishte Revolucioni Rus. Shumica nuk e kanë studiuar kurrë ose nuk e mbajnë mend. Mes atyre që u kujtohet, bazuar në ç’kanë studiuar në librat e historisë, do të merret e njëjta përgjigje: komunistët duke i prirë proletariatit, përmbysën pushtetin carist dhe themeluan Bashkimin Sovjetik. Më tej mund të shtohen vlerësime, pozitive apo negative për Bashkimin Sovjetik dhe komunizmin, por mbetet bindja e hekurt se zgjedhja në Rusi ishte midis Carit (një mbetje e monarkive të vjetra evropiane) dhe komunistëve. Kjo justifikon këta të fundit, edhe në sytë e antikomunistëve: Rusia nuk mund të vazhdonte me Carin edhe në shekullin XX, ishte një regjim feudal që nuk gjente më vend në botën moderne, në fund të fundit komunistët e kthyen Rusinë në një vend modern, krijuan industrinë e rëndë dhe lëshuan Sputnikun, etj….

Dukesh si provokator antikomunist nëse rrëfen një histori tjetër: partia komuniste (bolshevike), në një vend që tashmë ishte çliruar nga monarkia cariste, e mori pushtetin me forcë, kundër dëshirës së proletariatit, të sindikatave të punëtorëve dhe të pjesës së stërmadhe të opinionit publik rus. Pas marrjes së pushtetit komunistët ri sollën kohën shpellore ndërkaq që Rusia ishte në fazë të plotë modernizimi. Kjo është 1917? Po, ndodhi saktësisht kjo dhe kjo duhet thënë me zë të lartë, për të paktën dy arsye thelbësore.

Që prej vitit 1905 Rusia po modernizohej.
Duke nisur nga dekadat e fundit të shek. XIX shoqëria ruse po evoluonte duke zhvilluar një industri vendase të suksesshme dhe gjithmonë e më shumë duke rritur ndërvarësinë ekonomike me Evropën. Pas humbjes së luftës Ruso-Japoneze të 1904-1905, ndodhi një revolucion i parë. Liberalët, në tetor të 1905, kishin detyruar Car Nikollën II   të nënshkruante në “kartë kushtetuese” e cila parashikonte ngritjen e një parlamenti konsultiv: Dumën. Si ndodh shpesh në vendet pa traditë demokratike dhe pa një strukturë sociale të hapur dhe pluraliste, këto garanci kushtetuese ishin ende shumë të kufizuara, por ishte hedhur një hap i parë shumë i rëndësishëm. Në vitet në vijim, kryeministri Stolypin, edhe pse nuk i kurseu metodat jo shumë kushtetuese ndaj revolucionarëve radikal (e famshme “kravata e Stolypin-it”, në kuptimin e varjeve), arriti ta fuste Rusinë në udhën e një demokracie liberale. Objektivat e tij ishin: garantimi i të drejtave vetjake; zbutja e sjelljes së policisë (duke e përshtatur me standardet evropiane); shndërrimi i Rusisë në një federatë autonomish vendore; garantimi i të drejtave të barabarta për të gjithë shtetasit pavarësisht gjinisë, etnisë, fesë; legjitimimi i sindikatave dhe garantimi i shëndetësisë dhe arsimit për të gjithë. Por Stolpyn nuk kishte mbështetjen e institucioneve të tjera. Pa dyshim nuk kish atë të kurorës e cila mbahej fortë pas privilegjeve të vjetra. Mbi të gjitha nuk pati mbështetjen e Dumës, e cila ishte e mbizotëruar nga utopistët që nuk doni as të flitej për një kompromis me carin dhe ministrin e tij. As liberalët, që historiografia komuniste i damkosi i “reaksionar”, nuk i shpëtuan shpërthimeve utopiste adoleshenciale; edhe pse ju desh të ishin plotësisht dakord me programin e Stolypin-ut, u tërhoqën nga programe radikale (si rishpërndarja e tokës) për të fituar elektoratin e socialistëve.

Pas vdekjes tragjike të Stolypin-it, në një atentat në shtator të 1911, dhe deri në Luftën I Botërore, politika ruse u përfshi në një ballafaqim “kokë për kokë”, mes Dumës dhe carit. Çdo përpjekje për reforma, në pamje të parë, ngeci. Vetëm në pamje të parë sepse eksperienca kushtetuese dhe dinamizmi ekonomik gjithmonë e në rritje, po ndryshonte rrënjësisht strukturën sociale ruse. Shtresa e mesme e përbërë nga pronarët e vegjël të tokave (kulakët), e rritur si rrjedhim i reformës agrare të Stolypin-it, siguronte një stabilitet social të fortë; fshati ishte gjithmonë dhe më i pasur dhe kjo mënjanonte pjesën më të madhe të arsyeve për konflikt social. Duhet pasur parasysh që 2/3 e popullit ishin fshatarë. Industria ishte rritur dukshëm, aq sa në vitin 1914, Rusia ishte fuqia e katërt industriale e botës. Industrializim do të thoshte një numër më të lartë teknikësh, punëtorësh të specializuar, punëtorësh të arsimuar dhe një klasë sipërmarrësish të pavarur. Grevat e shumta ishin gjithmonë e më pak burim konfliktesh për faktin se sindikatat ishin të ligjshme ashtu si edhe e drejta e grevës. Politizimi ekstrem në jetën ruse ishte në rënie; grupet radikale kishin gjithmonë e më pak ndjekës. Rusia ishte ende në rrugën drejt lirisë; do i duhej një reformë “zhbllokuese” për të arritur objektivat që Stolypin-i, në gjashtë vite qeverisje të urtë nuk kishte arritur dot. Por plasi lufta botërore.

Lufta I Botërore jo vetëm që shkaktoi në Rusi dëme të jashtëzakonshme në ekonomi dhe miliona të vdekur por ashpërsoi dhe konfliktet politike, etnike, sociale dhe zgjeroi të çarat që trashëgoheshin prej dekadash. Kjo përzierje faktorësh shpërtheu në shkurt të vitit 1917 me përmbysjen e regjimit carist. Revolucioni i shkurtit duke përmbysur monarkinë shkatërroi dhe shpresat e kujt synonte të kryente reforma graduale dhe paqësore në Rusi. Duke humbur kapaku carist, vazoja e Pandorës u hap; anarki në fshatra, shpërbërje e ushtrisë dhe lindja e sindikatave të forta të punëtorëve dhe ushtarëve: Sovjetët. Këto ishin shkaku kryesor i shkatërrimit të demokracisë ruse. Sovjetët ishin aq të fuqishëm sa ndikonin Dumën, e cila do të duhej, me anën e një qeverie të përkohshme të udhëhiqte vendin drejt një demokracie liberale. 

Sovjetët dhe organi i tyre burokratik, Ispolkom, edhe pse përfaqësonin interesat e vetëm 10-15% të popullsisë (fshatarët nuk ishin të përfaqësuar) edhe duke mos qenë të zgjedhur dhe  duke mos pasur përgjegjësi përballë një elektorati, kishin kontrollin e plotë mbi forcat e armatosura, mbi të gjitha mjetet e transportit dhe të komunikimit, mbi pjesën më të madhe të informacionit dhe të drejtë vetoje mbi çdo vendim qeveritar. Nuk është e tepruar të thuash që totalitarizmi sovjetik nisi të strukturohej që gjatë vitit 1917.
Nga ana tjetër, Duma dhe qeveritë e përkohshme, ishin shumë të dobëta për t’i bërë ballë gjendjes së krijuar: edhe duke kufizuar objektivat ushtarak (edhe për shkak të kundërshtive të Sovjetëve) edhe duke njohur dobësitë e ushtrisë, qeveritë e L’vov dhe Kerenskj-it nuk gjetën forcën për të marrë vendimin në duhej vazhduar apo jo lufta. Kjo ishte gjendja falë të cilës bolshevikët arritën të merrnin pushtetin. Nuk vendosën regjimin e tyre në një vend feudal të prapambetur, por në një republikë që po lindte, duke përfituar nga dobësitë institucionale që karakterizon çdo demokraci të re.

Pushteti i bolshevikëve nuk ishte bazuar mbi miratimin por mbi forcën.

Deri në vitin 1917, partia e Leninit nuk kishte përkrahës në Rusi. Ishte Gjermania perandorake që, për arsye lufte (për të nxjerrë Rusinë nga konflikti), lejoi rikthimin e tij në atdhe dhe riorganizimin e partisë bolshevike. Veprimtaria politike e bolshevikëve u karakterizua, që në fillim, nga përpjekja për të marrë qendrën e pushteti me forcë. Kur në 4 korrik Lenini tentoi grushtin e Shtetit, për herë të parë, qeveria shpëtoi vetëm falë çorganizimit të rebelëve dhe më tej nuk pati fuqinë dhe vendosmërinë për t’i ndëshkuar ata. Karenskj-i, si i majtë radikal që ishte, nuk shihte te bolshevikët ndonjë kërcënim serioz por ishte i terrorizuar nga një komplot, shumë hipotetik, i të djathtëve. Për të nxjerrë këtë frikë, fillimisht kërkoi mbështetjen e gjeneralit Kornilov (një gjeneral besnik i liberalëve) në rast të puçeve të tjera, por, më tej si pasojë e një serie keqkuptimesh arrestoi Kornilov-in vetë së bashku me shtabin e tij. Jo vetëm: nga frika e ndonjë lëvizje të djathtë, bëri një gabim fatal. Lejoi armatimin e forcave paraushtarake bolshevike dhe liroi puçistët e korrikut. Me “çështjen Kornilov” demokracia ruse kreu vetëvrasjen duke i hequr vetes çdo mjet mbrojtës. Në këtë pikë Lenini, ndihmuar dhe nga Trocki, mundi të merrte pushtetin.

Në fund të tetorit bolshevikët, që ishin një pakicë brenda Sovjetëve, me anë të një strategjie, morën kontrollin e të gjithë organizimit: çka do të thoshte kontrollin mbi të gjithë vendin. Duke i paraprirë me disa ditë Kongresit të Sovjetëve, por duke vepruar në emër të Sovjetëve, Lenini udhëhoqi grushtin e Shtetit të 7 nëntorit 1917. Edhe pas puçit, partisë bolshevike ju desh të vendoste pushtetin e saj me forcë: fabrikat, ministritë dhe administrata publike u hodhën menjëherë në grevë kundër regjimit të ri. Leninit ju desh të përdorte kërcënimet dhe dhunën: shtypi grevat dhe ndërroi personelin e ministrive. Ushtroi terrorin për herë të parë.

Në provën e parë elektorale, zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese (zgjedhjet e para të lira, me votë të fshehtë dhe universale), bolshevikët u votuan vetëm nga një pakicë shumë e vogël. Lenini, që tashmë e zotëronte Shtetin, shpërndau Asamblenë Kushtetuese më 19 janar 1918 dhe dha urdhër të hapej zjarr mbi turmën që protestonte në mbrojtje të demokracisë. Mbetej vetëm pushtimi i pjesës tjetër të Rusisë.

Edhe kjo detyrë u krye duke përdorur dhunën.

Lufta Civile mes bolshevikëve dhe ushtrive që kundërshtonin regjimin e ri (Armatat e Bardha) vazhdoi deri në vitin 1921 dhe i shkaktoi Rusisë një milion të vdekur. Historiani amerikan Richard Pipes përgënjeshtron një tjetër mit: atë sipas të cilit fshatarët u bashkuan me bolshevikët, duke përcaktuar kështu humbjen e Armatave të Bardha. Në të vërtetë fshatarët nuk u bashkuan: u rekrutuan me forcë, nga të dyja palët, sa herë që një vijë fronti i afrohej fshatrave të tyre. Bolshevikët fituan sepse, që nga shpërthimi i luftës civile, kishin kontrollin mbi rajonet qendrore, më të industrializuarat e Rusisë. Kishin mundësinë të rekrutonin pjesën më të madhe të popullatës ruse (gjë që ju siguroi një superioritet numerik për gjatë gjithë konfliktit) dhe mund të shfrytëzonte pjesën më të madhe të hekurudhave për zhvendosjen e trupave. Të Bardhët, përkundrazi, ishin të shpërndarë në rajone periferike (Veriu i largët, rajoni i Donit dhe Siberi); rajone që nuk ishin të lidhura njëra me tjetrën dhe ishin gjatë gjithë luftës në numër më të pakët. Ndryshe nga fjalët e hapura, që i bënin në shërbim të “fuqive imperialiste”, mbështetja që patën nga fuqitë evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, ishte vetëm logjistike dhe për një kohë shumë të kufizuar.

Ndërkohë, regjimi i ri, forconte mjetet për kontrollin absolut të pushtetit. Duhet të kujtojmë dy episode për të kuptuar natyrën e vërtetë të regjimit bolshevik: themelimi i policisë politike (Cheka) më 20 dhjetor të 1917 dhe ngritja e kampit të parë të përqendrimit në Ishujt Solovki, në maj të 1918. Policia politike dhe kampet e përqendrimit për punë të detyrueshme, që më tej u quajtën Gulag, nga emri i agjencisë që i administronte, ishin karakteristikat e veçanta të shtypjes komuniste, që  u eksportuan edhe në të gjitha regjimet e tjera komuniste. Këto mjete ishin të nevojshme për përgatitjen e shoqërisë së re, përmes eliminimit fizik të kundërshtarëve politik, të fesë, të shtresave të mesme por edhe të fshatarëve “që kishin grurë por nuk ja jepnin kolektivitetit” dhe për këtë arsye, që nga maji i vitit 1918, u shpallën zyrtarisht nga Lenini, si “armiq të popullit”.

Masat shtypëse të Leninit i kushtuan Rusisë (nga 1917 deri 1924) rreth katër milion viktima, katër herë më shumë se numri i të rënëve në Luftën Civile. Do të ishte vetëm fillim i vuajtjeve që Rusia pësoi në 74 vitet në vijim.

Stefano Magni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s