Home

Një ndër krimet më të urryera dhe sistematike kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore janë përdhunimet në masë të femrave gjermane nga ushtritë Aleate.
Një statistikë numëron rreth 2 milion gra të përdhunuara, pjesa më e madhe nga rusët, por nuk munguan dhe shumë raste nga ushtritë e tjera.
Territoret më të goditura, nga shpërnguljet dhe përdhunimet ruse, ishin ato të Gjermanisë Lindore, territore të cilat më tej u aneksuan nga Aleatët.
Dokumenti i mëposhtëm është dëshmia e një të mbijetuare.Dëshmitë janë të përmbledhura në “Ost Dokumentation” në arkivin federal të Bayreuth-it.

Kujtimet e Dorothea M., Ost Dok 2/68, WestPreussen, Reichskreise, Kreis Elbing, f. 380-383.

(…) Më 9 shkurt 1945 rusët mbërritën në lagjen në qytetin Elbing, vendlindja ime, në kryqëzimin midis Königsbergerstrasse dhe Hochstrasse. Pasi përfunduan luftimet më të frikshme (është e ditur se Elbing-u është një nga qytetet që u shkatërruan më shumë në territoret lindore), menduam se mund të merrnim frymë lirshëm dhe nuk e kishim imagjinuar që që prej atij momenti do të nisnin vuajtje shumë më të mëdha. Rusët sapo na zbuluan në bunkerin e vogël që kishim ndërtuar në oborr, nisën të na grabisnin. Na morën orët, bizhuteritë dhe çdo gjë me vlerë. Kjo nuk na shqetësoi shumë sepse të gjithë – ishim rreth 18 veta në bunker – ishim plotësisht të shkrehur dhe të uritur. Nuk kishim mundur të dilnim nga bunkeri për gjatë gjithë fazës së bombardimeve, që në lagjen tonë vazhdoi për disa ditë. Shtëpia jonë ishte djegur. Erdhi një rus i dehur që kërkoi raki. Natyrisht  nuk kishim. I marrosur, nxori një bombë dore dhe e hodhi brenda në bunker, i cili do të ishte shembur i gjithi, duke na groposur të gjallë, në rast se në hyrjen e tij, për mrekulli, nuk do të ishte një kovë me ujë. Bomba përfundoi bash në kovën me ujë. Bunkeri u mbush me tym dhe ata që ishin afër hyrjes u plagosën, dy prej tyre rëndë. Këta, njëri prej tyre ishte xhaxhai im Bernhard H. 56 vjeç, i vranë me pistoletë rusët. I vranë sepse nuk kishin më fuqi të vazhdonin përpara; menjëherë na tërhoqën zvarrë jashtë bunkerit, më keq se kafshët. Kështu nisi dhimbja për shumë mijëra të rinj dhe të moshuar.

Njerëzit, që vinin nga të gjitha rrugët dhe shtëpitë, i grumbulluan dhe i mbyllën në burg ose në ndërtesa të tjera botore. Ne, për shembull, na dërguan në Bergschule, ku kaluam dhe natën. Ishte e tmerrshme. Ishim të ngjeshur njëri pas tjetrit, të rraskapitur dhe të uritur. Disa arritën të hanin diçka, por pjesa më e madhe nuk kishte më asgjë dhe nuk pati mundësi të gjente ndonjë gjë për të ngrënë. Ende besonim, ose më mirë shpresonim, se çdo gjë do të përfundonte shpejt dhe do të dërgoheshim në shtëpi. Na premtuan “ushqim të ngrohtë”! Ç’mashtrim! Shumica prej nesh nuk e shijoi më, asnjëherë. Uria dhe të qarat e fëmijëve, dhe të rriturve, që kishin etje dhe uri, ishin të padurueshme. Më zë tmerri kur kujtoj gjithë ata fëmijë që qanin, të vegjlit e mi dy dhe tre vjeç (nuk ka gjë më mizore se sa të shohësh fëmijë që qajnë nga uria). Më zë tmerri kur kujtoj një grua që ishte gati për të lindur dhe nuk kishte asnjë ndihmë.
Atëherë nisi me të vërtetë më e keqja, më e keqja që mund të na ndodhte ne grave. Ishte tronditëse njohja me të paimagjinueshmen: ato bisha të egra vinin pa pushim, ndriçonin dhomën me elektrik, merrnin gratë njëra pas tjetrës, askush nuk na ndihmoi dhe pothuajse asnjë grua nuk i shpëtoi atij fati . As unë. As motrat e mia, të reja dhe të pafajshme. As shumë gra dhe vajza të tjera që u nënshtruan për ti shpëtuar vdekjes. Nëse ndonjëra rezistonte, i tregohej pistoleta.
Kështu kaloi nata e parë e “lirisë”.

Në mëngjes na çuan në qytet në grupe të mëdha grash dhe fëmijësh të ndarë nga burrat. Ishte mëngjesi i 10 shkurtit 1945, një ditë që ka ngelur  e ngulitur përgjithmonë në kujtesën time. Ende sot i kam para syve skenat. Skena vuajtjesh që nuk mund të përcillen siç duhet. Dy motrat e mia, 16 dhe 26 vjeç, u ndanë nga mamaja, që në atë kohë ishte e sëmurë. Si mund vetëm ta imagjinonim, nuk do të ishim rishikuar më. E njëjta vlen edhe për babin, i cili ishte më mbrapa, në rreshtin e burrave. Vetëm shumë kohë më vonë, pasi ikëm nga Elbing-u, miq e të njohur na treguan vuajtjet e të ndjerëve tanë. Disa prej tyre, që kishin qenë bashkë në Siberi, mundën të na thoshin që kishin vdekur të gjithë, ose më mirë ishin konsumuar të gjithë. Si na rrëfyen, ishin skelete që i ngjeshën në varre të përbashkëta. Askush nuk mund të kuptojë vuajtjet e atyre të mjerëve.

Unë i shpëtova shpërnguljes sepse shtrëngova fortë në krahë fëmijët, kur rusët mu vërsulën. Isha me fat sepse të kishe fëmijë nuk ishte motiv për mos shpërngulje. Sa e sa nëna u ndanë nga bijtë. Një lehonë, pasi la buzë rrugës trupin foshnjës së vdekur nga uria, më dha karrocën e fëmijës, për të shtrirë vajzën time një vjeçe e gjysmë, e cila ishte sëmurë shumë rëndë dhe gati po vdiste nga uria (vdiq pas një viti nga skorbuti). Ajo nënë e re u morr nga rusët. Bërtiti, ulëriti – si të gjitha – nëna e vet që u përpoq ta mbronte u godit nga rusët me kondakët e pushkëve. Nuk do të mundem kurrë të harrojë kurrë këta njerëz, dikur të rinj e të fuqishëm, që mezi mbaheshin në këmbë, disa të përlotur dhe disa të tjerë plotësisht apatik.

Pasi ndanë, më forcë, nga grupi ynë vajzat e reja dhe gratë, ne të paktat që ngelëm na drejtuan për në qytet, që ende digjej. Arritëm deri në qendër, ku gjeta strehë te mikja ime Edith K. Përdhunimet e vazhdueshme dua ti përmend vetëm shkarazi: duket sikur nuk do të merrnin kurrë fund.

Ishin shumë njerëz në atë shtëpi dhe në javët që vijuan jetuam në qilar, në kushte fare parake, pa mbrojtje, pa ligj dhe të drejta, në mëshirën e dhunës dhe arbitraritetit rus. Plaçkitjet e vazhdueshme nuk na shqetësonin më por frika e përhershme nga përdhunime të tjera nga paralizonte plotësisht (sot pyes veten si mund të durohej e gjitha kjo). Shpërnguljet vazhduan: çdo ditë dëgjoheshin britmat e grave që kërkonin ndihmë. Gra të cilat merresh nga shtëpitë, teksa kërkonin ushqim (kërkohej ndonjë gjë për të ngrënë në qilarët apo banesat e boshatisura), apo ndërsa ishin te pusi për të mbushur ujë (tubacionet e ujit dhe kabllot elektrikë ishin shkatërruar plotësisht). Jetoja me frikën e vdekjes, mendimi që mund të më ndanin nga fëmijët ishte vërtetë gjëja më e keqe që mund të më ndodhte.Ishim gjatë të gjithë kohës të rrezikuara nga grabitjet dhe shpërnguljet.

Në vijim dua të raportoj se si rusët kryenin shpërnguljet.
Ishte e premte e shenjtë – sovjetikët parapëlqenin në mënyrë të veçantë këto ditë festash apo të dielat – kur papritur rruga jonë u bllokua. U dëgjuan fishkëllima dhe të bërtitura nga të gjitha anët dhe brenda pak minutave të gjitha shtëpitë dhe oborret u rrethuan. As që mund të mendohej arratisja. Të gjitha shtëpitë u kontrolluan, nga maja te themelet (vetëm kush ka përjetuar diçka të ngjashme mund të kuptojë ç’do të thotë). Në çastin e fundit arrita të rrëshqisja në një vend të fshehtë që kisha parapërgatitur për këtë qëllim (nuk ishte hera e parë që bëheshin këto kontrolle). Aty prita, pothuajse pa ndjenja, duke pyetur veten nëse do më kapnin apo jo. Edhe atë herë ja hodha. Vetëm në shtëpinë tonë morën katër gra (njëra prej të cilave nënë e dy fëmijëve të vegjël; dy u rikthyen për shkak të moshës dhe sëmundjeve). Unë mezi arrita të shikoja – kur rusët u larguan me të njëjtën shpejtësi që erdhën – një rresht të gjatë me vajza dhe gra, në mes të rrugës, duke qarë. Disa prej tyre mbartnin bohçe me plaçka, disa mbuluar me batanije dhe disa, madje, dhe pa pallto. Bënte ftohtë. As këtë kortezh nuk kam për ta harruar. I shtynin përpara me kondakë (dhe dridhesha duke hamendësuar se kur do të ishte radha ime).

Pastaj erdhi 20 prilli, një ditë tjetër e frikshme. Qysh më herët ishin hapur fjalë. Por dita rrodhi e pa probleme dhe besonim se çdo gjë do të përfundonte mirë. Shkuam në shtrat me gjithë rroba, përndryshe nuk mund të ishim të qeta. Në rast nevoje, të paktën, duhet të ishe e veshur.
Atë natë pashë që u vunë shtatë zjarre të mëdhenj. Shtëpia u mbush përsëri me rusë. Megjithëse kishim vendosur shula për të mbyllur dyert, ata hynë papritur dhe unë nuk pata kohë të fshihesha. E lodhur për vdekje dhe e uritur nuk kisha forcë për tu rebeluar dhe mbrojtur. Binte shi me gjyma kur ne grave – duke lënë pas fëmijët – na nxorën jashtë, të gjitha përveç disa të moshuarave, përfshirë dhe nënën time. Më mbeti vetëm ky ngushëllim; fëmijët ishin me nënën time. Nga poterja ata ishin zgjuar dhe teksa rusët po më merrnin filluan të qanin. Atë çast mendova se nuk do të kthehesha më. Ishte e tmerrshme dhe nuk mundem ta përshkruaj me fjalë.

Ajo natë ishte një shembull tipik sesi rusët na torturonin vetëm e vetëm për një dëshirë të egër argëtimi. Kaluam ndërmjet shumë zjarreve dhe duke në lenë në çdo vend një grup. Ishim një rresht i gjatë me gra, të marra nga një lagje e tërë. Habiteshim sesi kishin mbetur ende aq shumë gra në lagje. Unë u gjenda në grupin që duhej të ndalej në Petristrasse. Ndaluam përpara një shtëpie të madhe që po digjej. Nga njëra anë shiu i rrëmbyer nga krahu tjetër flakët e larta, kërcëllimat, nxehtësia e padurueshme , frika se mos shtëpia shembej duka na zënë poshtë. Papritur rusët filluan të bërtisnin, na numëruan: një në dhjetë duhet të bënte “një hap përpara”, për tu ekzekutuar sepse gjermanët kishin vënë gjithë zjarret! Të lajthitur, nëse një gjerman do të kishte guxuar të dilte në rrugë natën, ushtarët rusë do ta kishin vrarë pa mëshirë. (Është e pamundur të gjesh fjalët për të përshkruar ç’po vuanim). Ndërsa bishat e egra po na numëronin, të tjerë shtinin mbi kokat tona. Dëgjoheshin të shtëna dhe shpërthime nga të gjitha anët dhe kjo krijoj një ndjenjë përhumbje të përgjithshme. U përpoqëm të arratiseshim por më kot, sepse rusët do të na ndiqnin dhe rrethonin menjëherë. Ende sot kam para syve zgërdhitjet, shtrembërimet djallëzore të fytyrës: lumturoheshin nga frika jonë, e dinin që ishim të pambrojtura. Papritur filluan të na gjuanin me kondakët e pushkëve dhe na thanë, duke bërtitur, që duhet të vraponim (me fjalë të shkëputura, në një gjermanishte të keqe), ndryshe do të na vrisnin. Megjithëse të lodhura filluam të vraponim për të shpëtuar kokën. Vrapuam deri sa u ndjemë pak më të sigurta në errësirën e natës. Ishte ora tre e mëngjesit. Na kishin nxjerrë nga shtëpitë në mesnatë. Disa prej tyre na kthyen mbrapa, në rrugën tonë, dhe nuk na bën më gjë. Çdo herë, pas ndodhive të tilla, binim të shkrehura.

Gjatë kësaj periudhe humbëm çdo lloj ndjeshmërie ndaj ngjarjeve të tilla. Më vonë ndodhi diçka që na tronditi përsëri. Të paktën mua. Nën “drejtimin” e një komunisteje gjermane dhe bashkëshortit të saj, të cilët duhet të ishin vëllazëruar goxha shumë me rusët, u detyruam të varrosnim ushtarët e shumtë gjermanë të vdekur, që gjendeshin nëpër rrugë, shtëpi dhe qilarë. Ende sot mund të gjej vendet ku i varrosëm (në fillim duke vajtuar, por duhet të tregonim shumë kujdes për të mos nxehur rojet). Na e ndaluan rreptësishtë të merrnim çfarëdolloj dokumenti nga kufomat. As këtë shërbim nuk mundëm t’ua bënim atyre trupave të gjorë. Për ata që ende sot presin, mund të kishim dhënë lajmin e vdekjes. Ruaj ende një libërth lutjesh të një ushtari – për fat të keq pa emër – që e mora teksa po e varrosnim. Na urdhëruan të varrosnim dhe një kalë të ngordhur bashkë me trupat e ushtarëve, çnjerëzore.
Ndonjëherë ishim plotësisht të pafuqishme, ndienim dhimbje për ata të vdekur dhe për të afërmit e tyre. Është e nevojshme të përmend të rast të veçantë: në oborrin e Pestalozzischule-s (Logenstrasse) varrosëm rreth njëzetepesë ushtarë. Ata të gjorë ishin të plagosur rëndë dhe ishin strehuar në shkollë e cila shërbente si infermieri. Trupat ishin afër ose njëri mbi tjetrin, të ngrirë dhe të deformuar si të kishin luftuar kundër vdekjes. Ishte një pamje tronditëse. Disa kishin në trup shenja dëmtimesh dhe plagësh nga armë zjarri. Edhe sot më zë tmerri. Të gjithë ishin vrarë nga rusët në mënyrë kafshërore.

Në kufomat e dy grave, që kemi varrosur, dukeshin qartë shenjat e përdhunimit. Ishin gjysmëlakuriq, i kishin përdhunuar dhe pastaj vrarë me armë zjarri. Pamja të këpuste shpirtin. Duhet të ishin vetëmbrojtur prandaj i kishin vrarë.

Doja të shtoja dhe diçka përpara se të përfundoj. Është një histori e vërtetë që ma ka treguar një ish komshi (Frau P.). Ishte vera e 1945, në Hochstrasse në Elbing, përballë shtëpisë së prindërve të mi (që u dogj gjatë bombardimeve), ishte një shtëpi dykatëshe në pronësi të familjes A. Aty ishin mbledhur shumë komshinj në pritje që të përfundonin luftimet në qytet. Pasi e pushtuan, rusët gjetën një ushtar të tyrin që kishte vdekur përpara shtëpisë. Menjëherë grumbulluan burrat që gjendeshin në qilar dhe i ekzekutuan. Doja të përmendja disa nga emrat që më kanë mbetur në kujtesë; i njihja që prej fëmijërisë: 1) z. T., rreth 76 vjeçe, 2) W., rreth 55, 3) P., rreth 56 (bashkëshortja e tij më tregoi ngjarjen), 4) A., rreth 62., 5) S rreth 65, 6) S., (nuk e di moshën). Përveç këtyre vranë edhe dy burra të tjerë të cilët nuk i njihja sepse nuk ishin të lagjes.
Më tej rusët e hodhën në erë ndërtesën (unë kam parë rrënojat), pa e vrarë mendjen për gratë dhe vajzat që gjendeshin ende në qilar. Sa prej tyre vdiqën nuk e di.

Dy varre – të një vajze të re dhe të një të moshuare – u hapën në oborrin tonë, në fushën e patateve. Nëna e vajzës, duke qarë, më tregoi për fatin e të mjerës. Ishin në rrugë dhe kishin filluar të shtënat, ishin përpjekur të gjenin strehë.

Çdo banor i Elbing-ut mund të rreshtojë këto dhe të tjera krime të urryera.

Shënime:  a) Mbiemrat e personave nuk shfaqen në respekt të rregullave arkivistike lidhur me përdorimin e dëshmive. b) Qyteti  Elbing u shkatërrua plotësisht gjatë Luftës dhe me vendim të Konferencës së Potsadimit kaloi në administrim të Polonisë. c) Titulli është i MVSK.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s