Home

Branko Merxhani, 1937.

Një nga miqtë e mi duke parë paragrafin e vogël që shkrova në numrin e Dhjetorit rreth surprizës që deshi të na bënte z. Drejtor i Zyrës së Shtypit, ndofta pa patur paramendime ndaj nesh, por vetëm, le të themi, nga zelli i tepërt për plotësimin e detyrës që i ngarkuan – në një nga letrat e tij të fundit më shkruan: “…Mirë, që ti nuk je Marksist pa princip, është një gjë që nuk mund t’a mohoj kurkush. Bile vërehet haptazi. Midis njerëzvet që meren me Sociologji, rallë janë ata që i simpathizojnë in globo parimet doktrinare të shkollës marksiste. Sidomos kur kemi të bëjmë me një Durkheim, një gjë e tillë as që na shkon nga mëndja fare. Mirë po, pse kufizohesh vetëm duke shënuar se teorikisht nuk je anëtar i kësaj shkolle dhe nuk na shpjegon edhe arsyet e këtij qëndrimi t’ënd? A nuk të duket që vlen të shkruhen disa radhë rreth kësaj theme – sidomos sot? Shteti, për arsye që i di vet, shpalli luftë të tmerëshme ndaj komunizmit dhe është rrezik se mos merr në qafë (gabimisht) edhe disa njerëz krejt të pafajshëm dhe bile shumë të vlershëm (në se do t’i lënin të lirë të punonin) që të kontribuojnë diçka në shvillimin normal të këtij vendi.
Kam frikë se mos krijohet ndonjë konfusion i dëmshëm vetëm e vetëm nga shkaku i mëriravet foshnjarake të disa (për fat të mirë) shumë të pakët, gjoja intelektualë ose edhe nga shkaku i konsepsionit shumë të ngushtë (për fat të keq) që dëftejnë zakonisht në të tillaraste funksionarët e shtetit. Mua më duket se një pun’e tillë ka vlerën e sajë dhe është tamam aktuale. A thua se nuk është një nga detyrat e intelektualëvet të ndriçojnë nga njëra anë opinionin publik dhe nga ana tjetër të përpiqen me sa u iepet që edhe Shteti të mos bije në gabime të zbatimin e vendimeve që mer për një ose për tjetrin shkak?…”
Nuk kam asnjë kundërshtim, as një pengim që të mos pranoj këtë thirje aq interesante dhe me vënd të këtij miku të shqetësuar aq shumë. Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe antikomunist. Hem si njeri – mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri shqiptar. Jo vetëm në lëmin e shkoqitjevet theorike, por edhe në pikëpamjet politiko-shoqërore të shvillimit ndërkombëtar, unë nuk jam nga ata që pranojnë thezën se gjoja bota e qytetëruar e sotëshme është ndarë në dy fronte ideollogjike që luftojnë njëri tjetrin gjer në pikën e fundit.
Bota e sotëshme, ashtu siç e shoh unë, është ndarë jo në dy, por në tre fronte ideologjike; pjesa e tretë, pjesa më e madhe, më e shëndoshë, më impozante, mbeti besnike ndaj parimeve të demokratisë përparimtare dhe kapërcen me fuqi dhe me vullnet gjithë tronditjet dhe tërë nervozitet që shkaktoi lufta ndërkombëtare e periodës 1914-1918 në struktura shoqërore të popujve të mëdhenj që muarnë pjesë n’atë ndeshjemë të tmerëshme të së gjithë historisë së njerëzimit. Dhe jam i bindur se popujt e qytetëruar, popujt e mbrumur dhe të ritur brenda një tradite të gjatë shvillimi kultural, nuk mund t’i sakrifikojnë për hir të një aksidenti katastrofal, siç është çdo ndeshje luftarake, Lirit e tyre të shtrenjta dhe të shenjta për fitimin e të cilave derdhën pjesën më fisnike të gjakut të tyre brez pas brezi botëra të tëra.
Kjo ësht bindja ime e pa tundur.
Pra le të përpiqem të kënaq dëshirën dhe kureshtjen e mikut mendjehollë, letrat e të cilit shpeshherë më dëfrejnë shpirtin dhe më japin shkak të mendoj mbi disa gjëra që thatësit e rrethit t’onë mendor na i mshehin prej syrit dhe na i bëjnë që të mos i shohim fare, kurse në realitet janë gjëra t’afërme dhe të gjalla që shvillohen mu nën hijen e hundës s’onë.
Siç dihet rreth kritikës së Marksismit që nga pjesa e fundit të shekullit të kaluar e gjer më sot janë shkruar volume librashtë panumërta që mund të mbushin tërë raftet e bibliothekave zyrtare dhe private që kemi sot në Shqipëri. Unë këtu do të kufizohem të shpiegoj pikëpamjet e mija duke krahasuar doktrinat marksiste me ngjarjet praktike të jetës shoqërore.

* * *

Një nga pretendimet e Marksismit, ndofta jo nga më themeloret, por nga më të përshtatëshmet për të rekrutuar anëtarë, ësht ky:
– Dy të tretat e fitimevet të popullit shkojnë nëpër duart e një të pestës së popullsisë së një vëndit.
Shkencat ekonomike dhe statistikat provuan që në krye gabimin e këtij pretendimi. Statistikat që janë bërë me metodën shkencore më të përsosur në këto kohë të fundit nxuarrnë në shesh analogjin e shtimit të pasuris së të varfërve në rast se fitimet e të pasurve do të përndaheshin popullit. Kjo llogari nuk është një pun’e lehtë. Por përfundimi i saj është kaq i hapët dhe kaq kategorik sa që edhe ato pika të pakta që mund të bisedohen nuk kanë pasur fuqin që të influencojnë gjykimin t’onë të fundëm. P.sh. sociologu gjerman Reiners shumë kohë më parë provoi se në qoftë se fitimet që kapërcejnë 8000 marka në vit do të shpërndaheshin midis atyre që janë të shtrënguarë të punojnë për bukën e gojës, fitimi i përditshëm i këtyre të fundit nuk do të shtohej më tepër se vetëm me një përqindje minimale e 0,19 marka. Me këtë shumë në Gjermani nuk mund të blehen as edhe katër cingare.
Pra Marksizmi nuk ka gjetur aspak “ilaçin për të zhdukur nga mesi varfërin” Nga ana tjetër prapë statistikat na mësojnë, me një mënyrë që nuk lë as edhe dyshimin më të vogël, se në çështjen e sigurimit të mirëvajtjes së një populli, një nga faktorët që lozin rolin e parë është përdorimi dhe përparimi i Teknikës.
B.f. në Shtetet e Bashkuarat’Amerikës, ku Teknika ka arritur kulmin, që nga viti 1919, prodhimi kombëtar ësht shtuar 42%. Influenca e madhe dhe kategorike që ka organizimi teknik mbi shtimin dhe mbi rregullimin më të mirë të pasuris së një populli mund të mirret vesh edhe nga disa hrahasime të vogla të tjera. Simbas statistikave gjermane – jo të kohës hitleriane – prodhimi mekanik vjetor që bie për çdo frymë n’Amerikë është 99 RM. Kurse në Kinë, vend primitiv dhe pa farë teknike, është vetëm 0,20 RM. Në Shqipëri po thua 0.

* * *

Një argument tjetër i Marksismit, nga ata që ka marrë në qafë dhe që ka sjellur vërdall mendjen e shumë njerëzvet, është ky.
– Regjimi kapitalist zhduk industrin e vogël
Përkrahësi më i fortë i kësaj theorije ka qënë i famëshmi Kautzky. Mirë po statistikat provuan të kundërtën. Industria e vogël kudo dhe kurdoherë mundi të mbrojë vehten e vet dhe bile shumë bukur. Me një mënyrë të përgjithshme mund të themi se industria e madhe është vendosur kurdoherë pranë industris së vogël, kudo që ndodhej një industri e tillë. Industria e madhe është një çpikje e kohëravet të reja; është një burim i ri për pasurin kombëtare. Asgjëkundi nuk u zhdukën sipërmarjet e vogla. Pastaj ç’rëndësi ka për Ekonomin kombëtare të një populli në se industria është e madhe apo e vogël?
Puna qëndron gjetiu: Për Ekonominë kombëtare rëndësi më kryesore kanë prodhimet e makinavet, një punë kjo që mvaret jo nga kuadri formal i veprimit industrial, por nga disa kushte të veçanta, si bie fjala lloji dhe shkalla e organizimeve tregtare dhe teknike. Këto kushte ndryshojnë simbas kategoris s’industris. Kurse Filosofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e futur nën klishen e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska çpikur, të zbatohen njëlloj në tërë ngjarjet dhe çështjet.
Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjyrmimeve të bëra mbi zbatimin e Theorisë së Analogjis kanë mposhtur gjithë këto “zgjidhje shpëtimtare” të Marksismit si kërpudha të dobëta dhe t’ushqyera mangut të arës ideologjike të njerëzimit. Shifrat që do të shohim në paragrafin që vijon do të na mbushin kokën.

* * *

Ja edhe një tjetër pretendim marksist dhe bile një nga më themelorët:
– Fitimet e kapitalistëve shtohen gjithnjë, kurse mëditjet e punëtorëvet ulen.
Statistikat përgënjeshtruan edhe këtë avaz. Wutinski, një nga shkencëtarët më me rëndësi të kohës s’onë, llogarit dhe konstaton në këtë mënyrë mëditjet vjetore të thjeshtë të punëtorëve industrialë t’Amerikës:
Viti: 1879 1889 19.09 1919
Mëditjet: 661 831 1.112 2302
Ja se si e përmbledh edhe gjendjen e vitit 1932, Hekner-i, prapë një nga shkencëtarët me autoritet:
“Pretendimet se gjoja grumbullimi i kapitalit në njërën anë, shkakton shtimin e mizerjes s’anës tjetër”, është një gjë krejt absurde dhe bie në kundërshtim flagrant me ngjarjet e rjedhëshme. E vërteta është kjo. Sa më tepër përparon koncentrimi i kapitalit aq më tepër përmirësohet edhe gjendja e punëtoris.
Theorisienët që mbrojnë thezën marksiste thonë: “Një punëtor ka të drejtë të mendojë se nga puna e tij pasurohet vetëm kapitalisti dhe në qoftë se nuk shtohet edhe mëditja e tij analogjikisht me shtimin e fitimit të kapitalistit etj., e tjera.”Mirëpo gjithë kjo leteratyrë kryengritëse nuk bëri pothua asnjë efekt mbi shpirtin e punëtorit. Punëtori amerikan dhe europjan sot është në gjëndje të çmojë më mirë nga çdo kush tjetër gjëndjen dhe të drejtat e veta. Kur një punëtor ndjen se gjendja e vet ecën mirë nuk merr vesh asgjë nga kontrastet shoqërore që i përshkruan me ngjyra kaqë të tmerëshme theorisieni marksist dhe nuk ndjen asnjë dëshirë që të shkojë pas thirjeve kryengritëse të tij. Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjëndje mizerable, atëherë vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhi: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucjonare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirë po një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marksi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!…

* * *

Tani le të flasim pak mbi shëmbëllën e Rusis sovjetike. Rusia e kohës së Carëve ka qënë një vënd që ndodhej jashtë kuadrit europjan. Ronte ende në epokën feudale dhe despotike, epokë nga e cila Europa europjane kishte dalë dhe kishte shpëtuar të paktën dy shekuj. Prandaj një krahasim midis Rusis cariste dhe Rusis bolshevike s’ka asnjë vleftë për një kritikë rreth parimeve doktrinare të Marksismit. Marksismi lindi n’Europë bashk me një tokë theorirash të tjera, dhe fati i tij do të provohet prapë në vëndlerjen e vet.
Një shkrimtar frëng, Charles Louis Philippe, pritëka ardhjen e Barbarëve. Rrugat që kryqëzohen midis Petersburgut carist dhe Moskës bolshevike, si dhe stepet e pafundëshme që shtrihen në të dy anët e Uralëvet, janë grykat e kalimit nga ku shkuan tufa-tufa çeta aventurierësh që plaçkitnin çdo gjë që u delte përpara. Udhëtarët që sot kalojnë nëpër këto rruga s’kanë asgjë me vete që bie ndër mend fytyrën e shokëve të tyre të vjetër. Kohët ndryshuan. Ata që pritën dikur n’Europë ardhjen e Barbarëve mbetën gojëhapët. Nga asnjë anë nuk u dukën Barbarët. Përkundrazi nëpër stepet ruse u hapën rrugat, u shtruan vija hekuri, dhe këtej futën në thellësit e Azisë tej-për-tej çpikjet mekanike, tymet e fabrikave dhe bashk me to edhe karavane iderash të tëra që mbajnë me vete plaçkat e tepëruara, skartat, të superproduksionit ideologjik të popujvet t’Europës.
Drejtimi i rrugës shkon nga Perëndimi në Lindje. Nuk është Azia Perëndia e dheut që cakton typin e qytetërimit të Botës. Ndofta kështu ka qënë dikur. Në kohë shumë të lashta. Sot nuk është më. Siç duket këtu kanë për t’arritur më së fundi punët. Azia do të europianizohet – si b.f. janë duke u europianizuar, simbas temperamenteve të veçanta të popujve të tyre, Tyrqia, Persia, Kina, edhe… Rusia vet!
Sido kudo Bolshevizmi është një prodhim rus dhe s’mund të ketë veç se edhe një shvillim rus. Atje, kush e di, mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por Dhespotismi. Dhe gjer sa nuk do të çkulet nga vendi i tij ky armik i tmershëm i çdo përparimi dhe i së vërtetës, nuk do të jet’ e mundur të mësojmë diçka të sigurt mbi gjendjen e atij vendi. Atje çdo gjë është edhe një eksperiment dhe çdo eksperiment është një problem i s’ardhmes. E ardhmja! Ja gogoli bolshevik!
Thonë disa: “Qeveria bolshevike për hirë të lumturis së brezave t’ardhëshme sakrifikon jetën dhe lumturin e brezave të tanishëm”. Mirë po këta harrojnë se Marksistë kanë qënë prapë ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e parë që duallën në shesh pas revolucionit industrial n’Angli. Ç’faj kanë patur këta njerëz? Se nuk mundën atëherë të siguronin në favor të punëtorëve interesa që u siguruan kapitalistët e pastajshëm? S u sakrifikuan breza të tëra punëtorësh që të sigurojnë t’ardhmen e punëtorëve të sotshëm t’Anglisë?…
– “Nëpunsat e një Qeverije dhespotike, thonë Marksistët, kanë një zotësi teknike më të lartë dhe janë në gjëndje ta mendojnë më mirë jetën dhe lumturin e punëtorëve”.
Prallë! Qytetrimi i Europës ka 2000 vjet që provoi me fakte dhe argumenta që s’mund të rrëzohen se zotësia nuk është një vlerë e prerë. Është një vlerë shumë e veçantë dhe shumë relative. Qysh prej kohës së Sokratit mëndja njerëzore njeh se te një kapitan i një anije, te një mjek, te një makinist, gjenden veç e veç vlerat dhe zotësit e ndara dhe të ndryshme. Nëpunsat e shtetit janë vetëm nënpunsa të shtetit, dhe aq. Që të bëhesh një reformator i shkëlqyer, veç zotësive teknike të mëdha, duhet të kesh edhe fuqi imagjinate të vrullëshme shumë, por edhe diçka tjetër.
Zotësin që të mos rrëmbehesh shpejt e shpejt nga gjërat fantastike dhe nga ëndërimet sentimentale!…

* * *

Regjimi bolshevik paska si qëllim kryesor të zhdukë regjimin kapitalist t’Europës: Ëndër! Bolshevizmi rus s’është gjë tjetër veçse një mënyrë zbatimi ruse që ka si qëllim të futij në Rusi methodhat kapitaliste t’Europës. Ndryshimi në mes është në mënyrën me të cilën zhvillohet ky proces, i cili atje kërkon rrugat që të pajtohet me temperamentin e vëndit. Bolshevizmi që të vërë në dorë mjetet e punimit që përdor kapitalizmi europian dha gjer më sot viktima të tmershme dhe therorizoi me miliona frymë njerëzish. Në realitet Marksismi nuk mohon aspak vlerën e regjimit kapitalist. Vetëm pretendon se methodhat e tij shtojnë rrymën e papunësis. Pse? Regjimi kapitalist nuk paska qënë i zoti të sigurojë ekuilibrin midis prodhimit dhe nevojës; vetëm Marksismi qënka në gjendje të bëjë këtë gjë; në qoftë se në Rusi nuk u sigurua ende, do të sigurohet brënda 4, 5 ose 30 vjetëve me doemos! Ka kush që do të na kallzojë dikur prallën e këtyre profetirave: Historia.

* * *

A doni që t’ju thom edhe një gjë tjetër? Dëgjoni: Unë nuk e pranoj se gjithë faji dhe përgjegjësia e trubullimeve që sot kalon bota dhe gjithë krizat ekonomike, të mëdha e të vogla, është e drejtë t’i ngarkohet kurrizit të qytetërimit europian ose edhe vetëm regjimit kapitalist.
Të tilla trubullime ngjajnë edhe në prehrin e Natyrës së lirë dhe janë shumë më të rëndësishme. Jeta e shtazave t’egra është një luftë e pambaruar ndaj fuqive të Natyrës. Ndryshimet trubullonjëse, tronditjet, vuajtjet dhe krizat në historin e Europës nuk filluan të çfaqen vetëm atëhere kur doli në shesh sistemi i tanishëm, as edhe kur u dëgjua për herë të parë emëri “kapitalist”.
Kapitalismi arriti në kulmin e tij më të lartë brënda në këtë 150 vjeçarin e fundit. Periodat e mëparëshme, b.f. gjithë epoka mesjetare, kush mund të na thotë se kaluan pa trubullime?
Historia është e hapët dhe mjafton të krahasojmë ngjarjet: Në kohët mesjetare popujt e Europës pësuan një tok rrëzime dhe vuajtje dhe bile shumë më të tmerrëshme nga ato të sotëshmet. Gjithashtu edhe historia e popujve t’Azis ësht’ e mbushur krejt me një tok ndryshime, qoftë shkatërimtare qoftë ndërtonjëse, që u shkaktuan nga një varg të tërë kushtesh natyrale ose edhe temporale.
Qytetërimi europian, në krahasim me epokat e vjetra të qytetërimeve, mundi të gjejë mjete më të përsosura dhe të realizojë përparime kolosale më pemë-dhënëse për të luftuar me më tepër fitime këto rryma shkatërronjëse ose edh ndaj përfundimeve të këqija të këtyre trubullimeve. Këtu, rreth kësaj pike themelore, përmblidhet tërë rëndësia e problemit: Midis botëkuptimit europjan dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dy këta botëkuptime nuk ndahen vetëm në punën e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparëshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës.
Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brënda në shtet ose në se predikojnë se paskan zbuluar çelsin e çuditshëm të parrajsit t’ardhshëm, muamë duket se këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë veç se vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejt mënjanë pjesën më të madhe të faktorëve që shkaktojnë ose përfundojnë shvillimin e ngjarjevet njerëzore.
Ideali i Europës, methodhat e punimit t’Europës frymëzohen nga parimet e liris, të personalitetit të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i “ndarjes së punës shoqërore”. Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore europiane ose edhe e europianizuar, pa përjashtuar edhe problemin e ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklavitura që s’mund të zgjidhen menjëherë. Një filosof engles shkruante pak kohë më parë: “Në se kohët janë të këqija, në se njerëzit mbeten pa punë, në se djemt nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, Njerëzimi është sëmur. Emri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca”…
Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Europa ka disa shekuj që provoi në trupin e vet qënien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapi gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimorë gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të perëndimit shkaktoi një kthim – qoftë edhe të përkohshëm – në kohët mesjetare.
Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt midis tyre më lehtë nëse rryma demokratike e Europës do të kishte ndjekur rrugën e saj pa patur vështirësirat që duallnë mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaftë me rëndësi qëna jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Europë të çliruar prej iderave të huaja: Azia sot arriti të kuptojë se methodhat e punimit europian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe të përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methodha suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftuarshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita në të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që Kanti e quajti “Feja e Vërtetë”. Dhe ata nga bashkatdhetarët t’anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t’onë nga pellgu i varfëris mendore dhe i mizerjes mëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësit e zëmrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës të tmerëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

“Wer immer strebend sich bemtiht,
Den konnen wir erlosen!”

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t’ona. Toka e Europës u ngushtua shumë. Pë parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!

 

 

 

 

Botuar për herë të parë në “Përpjekja Shqiptare” 1937.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s