Home

Shtypi i Tiranës publikoi, këto ditë, një lajm mjaft interesant që ndihmon për të hedhur dritë jo thjeshtë mbi botëkuptimin e të “zgjedhurve”(për të cilin, në të vërtetë, çdo formë kureshtjeje është zbehur) por dhe për respektin që këta shfaqin ndaj Shtetit dhe në thelb ndaj taksapaguesit.
Dy Komisione të Kuvendit, i Sigurisë dhe i Ligjeve, më 31.IX.2014, nuk u mblodhën për shkak se anëtarët nuk u paraqitën në punë. Këta zotërinj të “zgjedhur” ditën e martë gjendeshin në Fier për të përkujtuar themelimin e Brigadës partizane “Semani”. Ajo që tërheq vëmendjen nuk është thjesht mosparaqitja në punë por dhe një direktivë nga lartë, që raste të tilla të përsëriten. Shtypi raporton se ish ministri i brendshëm Ruçi “ka tërhequr vërejtjen që deputetët të mos neglizhojnë” aktivitete të tilla(1).
Themelimi i “Semanit” është një rast i mirë për të trajtuar fillesat e lëvizjes antifashiste nacional-çlirimtare në Fier.
Në këtë qytet aktiviteti i agjitacion-propagandës nis në 27 qershor të vitit 1941, kur nga Tirana dërgohet trakti i parë që denoncon sulmin ndaj BS-së. Në ditët në vijim u regjistrua një aktivitet i dendur agjitativ, me trakte dhe parulla që u shfaqën në rrugët e Fierit(2).
Ky trakt i nisur nga Tirana vjen pra vetëm pak ditë pasi kishte nisur operacioni Barbarossa; dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Pas nënshkrimit të paktit Molotov-Ribbentrop dhe sidomos pas 1 shtatorit politika moskovite ndryshoi drejtim. Më datë 8 shtator, një javë pas sulmit mbi Poloninë, Internacionalja e Tretë Komuniste braktisi “vijën antifashiste”. Dimitrov-i lëshoi direktiva për të gjitha partitë komuniste në Evropë që të korrigjonin politikat e deriatëhershme. Fakt ky që shkaktoi dhe krisje të mëdha në atë që ishte partia më e madhe komuniste në Perëndim, ajo franceze (3).
Me prishjen e paktit Molotov-Ribbentrop dhe rishikimi i këtyre direktivave. Tashmë Moskës i nevojitej një aktivitet i armatosur sa më i dendur në prapavijat e armikut. Kjo politikë e re pasqyrohet më së mirë dhe në lëvizjen komuniste në Shqipëri, e cila përpara sulmit ndaj BS-së dukej se nuk kishte arsye të forta për të qenë “çlirimtare”.
Jo vetëm “agjitacion-propaganda” në Fier lidhet ngushtë me interesat sllave, por dhe fillesat e veprimtarisë së armatosur.
Celula e parë e Partisë Komuniste në këtë qytet formohet në lagjen Shkozë, më 8 shkurt 1942. Aksioni i parë i armatosur kësaj celule rezulton të jetë çlirimi nga burgu i pesë antifashistëve jugosllavë(4).
Veprimtaria e PKSH-së lind dhe zhvillohet në funksion të interesave dhe orekseve sllave dhe Fieri është pasqyra më e mirë e këtij pohimi. Kjo është ajo që sot përkujtojnë të “zgjedhurit” tanë!

1) Panorama, 23.9.14, f. 4.
2) Nuri Plaku, Buletin, Bashkia Fier, nr 101, 2009, f. 4.
3) Fernando Orlandi, http://www.eastjournal.net/il-patto-molotov-ribbentrop-e-la-revisione-della-storia-nella-russia-di-putin/41498
4) Nuri Plaku, art. cit.

 

Agron Bardhi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s