Dokumenti i mëposhtëm është një trakt në të cilin pasqyrohet natyra e pansllaviste e lëvizjes bolshevike dhe vendosja e interesave ruse mbi çdo interes tjetër. Kujtojmë që në të njëjtën periudhë kur është lëshuar trakti i mëposhtëm celula të Partisë Komuniste kishin nisur një veprimtari të armatosur në mbrojtje të misioneve sllave në Shqipëri.
Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohisë, puntorë, katundarë, qytetarë
Lufta që po bajnë popujt kreshnikë të Bashkimit Sovjetik kundra fashizmit gjakësor po e habitë botën mbarë. Prej ma se nandë muej orditë e bishës fashiste mbasi shkretnuen, grabitën dhe skllavnuen pjesën ma të madhe t’Europës, të dejun me fitime të lehta kthyen armët e tyne të përgjakuna kundra Bashkimit Sovjetik – vendit të begatshëm dhe paqedashës, atdheut të puntorve e të katundarve sovjetik.
Hitleri bashkë me hyzmeqarët e vet kujtuen se do të gjejshin nji ushtri të ligë dhe di t’i mrrinin kollaj qëllimet e tyne grabitqare. Por ata u gabuen pse gjetën përpara vendit popujt e lumtun të U.R.S.S.-it të prijmë prej Partis Komuniste dhe shokut të madh Stalin, të ngritun si nji trup i vetëm kundra egërsinës fashiste, gjetën ushtrin e kuqe plot lavd, që si një kala e pathyeshme i dha grusht vdekjeje fashizmit grabitqarë.
Asht i katërti muej që ushtrija fashiste por tërhiqet nga msymja e fortë e Ushtrisë së Kuqe. Ushtrija hitlerjane po humbë njerz dhe materjal, po e humb moralin, po e humb besimin dhe shpresën për fitorjen, pse para vedit shef fuqin heroike dhe të pathyeshme t’Ushtris së Kuqe, sheh bashkimin e popujve sovjetik, që janë vue si nji trup i vetëm për të mprojtë atë që kanë ndërtue për njizet e katër vjet, për të mprojt Atdheun Sovietik dhe lirin e vet. Ushtrija e Kuqe i ka dhënë dhe po i jep grushta vdekjeje fashizmit barbarë dhe gjaksorë e s’asht larg dita e shkatërrimit të tij të plotë.
Tue luftue kundra fashizmit gjaksuer ata s’luftojnë vetëm për lirin e vet, por edhe për lirin e të gjithë popujve të robnuem t’Europës. Në kët luftë t’anë gjindja e kulturueme asht n’anën e Bashkimit Sovjetik për të çfarosë fashizmin prej faqes së dheut. Popujt e vegjël t’Europës së robnueme janë çue në luftë kundër zaptuesit që ndezi luftën. Po bajnë heroizma të mëdhaja në këtë luftë çlirimtare. Popujt e robnuem të Ballkanit kanë rrokë armët kundra fashizmit barbar.
Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohisë
Ju, bashkë me ju gjithë popujt e shtypun të Jugosllavis kini vuejt ditët e zeza në zgjedhën e qeverive kundra-popullore jugosllave. Me ardhjen e fashizmit ju kujtuet se erdh dita e shlirimit t’uej.
Fashizmi gjakësor mundohet me ju rrejt se gjoja me armët e tij të përgjakuna u shliroj dhe u bashkoj me «Shqipnin e Madhe». Mjerisht, siç e shihni edhe vet, keni hye në nji zgjedhë bile shumë ma të randë. Fashizmi i pruni pra në fuqi beglerët e agallarët tradhtarë si Ferhat Gragën, Iljaz Agushin e të tjerë njerzë që kanë qenë në shërbim të Jugosllavis e që janë mësue me u shitë në çdo qeveri, me përfitue prej mundit t’uej, njerz që shesin çdo gja të shejtë për me i mbushë xhepat e tyne.
Hyzmeqari i fashizmit në Shqipnin, tradhtari Mustafa Kruja po mundohet me ja forcue zingjirët e robnis popullit shqiptarë, po ja grabitë pasunin, po ja merre bereqetin dhe gjanë e gjallë për me i yshqye anmiqt e popullit: fashistat. Përveç mundit, tradhtari Mustafa Kruja po i ep si bakshish anmikut edhe gjakun e djemve të popullit t’onë. Po mundohet me ja u mbushë menden se duhet të rrokni armët dhe të luftoni për hesapin e tyne, mundohen me ju përdorë si mashë për qëllimet e tyne t’errta: për me shtypë luftën nacional-shlirimtare të popujve kojshi. Duen me ju çue në luftë kundra partizanve kombtarë që po luftojnë jo vetëm për lirin e tyne, por edhe për lirin t’onë, për lirin e tanë popullit. Në kët luftë shlirimtare, ku luhet fati i tanë popujve, duhet edhe ne të marrim pjesë me armë në dorë për të shpëtue nji herë e mirë prej robnis. Në kët luftë shlirimtare nuk kemi me kenë vetëm. Popujt puntorë e trima të Bashkimit Sovjetik që po luftojnë si dragoj kundra fashizmit – anmikut të betuem të njerzimit – na siguronë lirin t’onë dhe të gjithë popujve, të ciliët mandej mund t’a zgjedhin vet mënyrën e qeverimit dhe nuk do të jenë ma të shkelun e të përbuzun prej qeverive jo popullore.
Popujt liridashës dhe popujt e robnuem nga thundra e flliqtë fashiste po bashkojnë tanë forcat e veta për t’u shlirue nga zgjedha dhe për të zhdukun anmikun fashist nga faqja e dheut. Sigurija e jonë në fitorjen asht e plotë.
Shqiptarë të Kosovës dhe të Metohisë
Mos u besoni rrenave të tradhtarvet. Mos e ndihmoni anmikun tue i çue bijt t’uej për me luftue për hesapin e tij, por pengoni luftën e fashizmit tue mos i dhanë asnji kokërr gruni, asnji gotë uj. Ngrihuni të tanë kundër zaptuesit fashist. Lidhnie luftën e juej e vllaznive t’uej në Shqipni dhe me ata të vendeve kojshi , të Malit të Zi, të Serbis e të Greqis që janë çue kundra fashizmit. Lidhuni ngusht me të tanë të ndershmit Sllavë në Kosovë e Metohi, të cilët janë gadi me dëbue zaptuesin fashist dhe me zhdukë të tanë ata të cilët e dojnë këthimin e kohës së moçme: për me mujt mandej me e instalue qeverin e vërtetë popullore. Armët që keni marrë këtheni kundër zaptuesit dhe hyzmeqarve të tij, kundra spionve, çetnikve serb e malazez e milicve shqiptar që armatosen prej zaptuesit për me luftue kundra partizanve kombtarë që janë miqt e popullit të robnuem shqiptarë. Formoni çetat t’ueja partizane dhe bashkëpunoni me ato të partizanve jugosllav. Të bashkuem e të vllaznuem me partizanë në luftën shlirimtare, formoni sa më shpejt frontin e përbashkët kundër gjith anmiqve, se vetëm kjo asht rruga e drejtë për të fitue lirin t’uej.
Në luftë pra, në të mramën luftë, se ka ra ora e fundit!
Rrnoftë vllaznimi dhe bashkimi i popujve ballkanikë në luftën nacional-shlirimtare!
Rrnoftë e pa-thyeshmja ushtri e kuqe e puntorve dhe katundarve!
Rrnoftë fronit i pa-thyeshëm shlirimtar i të gjitha forcave patriotike të popujve shqiptar e jugosllav kundër zaptuesit fashist!
Rrnofshin partizanët t’onë trima-shlirimtarë e popullit!
Rrnoftë shoku i madh Stalin, udhëheqësi dhe organizatori i fitorjeve të kalueme, të tashme e t’ardhshme!
Rrnoftë Partija Komuniste e Shqipnis!
Rrnoftë Partija Komuniste e Jugosllavis!
Rrnoftë Partija Komuniste (Bolshevike) e U.R.S.S.-it!
Rrnoftë Internacionalia Komuniste!
Përpara në luftë kundra zaptuesit fashist për liri e nji t’ardhme ma të bukur të popujve.
Vdekje Fashizmit – Liri Popullit
25-III-1942.
Komiteti Central i Partis Komuniste të Shqipnis
Komiteti Qarkor i Partis Komuniste të Jugoslavis për Kosovë e Metohi
Burimi: AQSH F. ,V. 1942 D. 76 fl. 1-3.