Home

Masakra e Buzëmadhit në Kukës, 26.IX.1944

Në prag të hyrjes së partizanëve në Tiranë, duke lënë prapa gjak, plagë dhe kufoma, trevat e Veriut të vendit ende ishin nën ndikimin e nacionalistëve më në zë, dhe paria e këtyre anëve mbronte me fanatizëm traditën e mbijetesës së maleve. Imazhi i luftës partizane po fitonte terren me shumë vështirësi, dhe kjo po i bënte gjithnjë e më nervoz krerët e PKSH dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në verën e vitit 1944, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare urdhëroi depërtimin e brigadave partizane në Veri të vendit, ku rezistenca antikomuniste ishte ende mjaft e fortë dhe pozitat e krerëve nacionalistë thuajse të palëkundura. Një nga protagonistët e kësaj rezistence në Veri, Muharrem Bajraktari, iu pati shpëtuar forcave partizane, të cilat, për hakmarrje, në çdo fshat të Lumës pushkatuan nga 2-3 njerëz të pafajshëm. Bajraktari i Lumës dhe i krejt Veriut shqiptar shkonte e vinte nga Dibra në Mat, nga Kurbini e Mirdita në Kukës, duke koordinuar veprimet me krerët më në zë të nacionalizmit dhe duke u rrekur të organizonin së bashku rezistencën antikomuniste të maleve, siç dhe bënë në të vërtetë.

Buzëmadhi, një fshat i thyer malor në trevën e Kukësit, ishte një nga pikat e vendstrehimit dhe veprimtarisë së Muharrem Bajraktarit, ku njerëzit e tij kishin një veprimtari të spikatur politike e ushtarake në fshat, krahinë e më gjerë. Prandaj Buzëmadhi u projektua nga krerët e PKSH dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare si vendi i masakrës së radhës, për të terrorizuar të gjithë elementët që i shikonin si pengesë në rrugën e dhunës sistematike dhe terrorit shtetëror që po projektohej me ngut të madh.
Me 26 shtator 1944, ditën e dytë të Bajramit, një repart partizan në përbërje të Brigadës së Pestë Sulmuese të Shefqet Peçit, bujti në Buzëmadh, ku pavarësisht se fshatarët mendonin ndryshe nga partizanët për të fatet e vendit të tyre të përbashkët, u pritën me bujari nga malësorët fisnikë.

Të nesërmen, pa zbardhur ende dita, partizanët morën me vete të gjithë burrat e Buzëmadhit, se gjoja do të shkonin në vendin e quajtur Kroi i Bardhë ku, sipas tyre, do të mbahej një kuvend i madh. Rrugës, duke shfrytëzuar mirëbesimin e malësorëve, i çarmatosën lumjanët dhe i lidhën me litarë, duke i tërhequr deri te lëndina e Kroit të Bardhë, ku iu kërkuan t’u tregonin emrat e bashkëfshatarëve të tyre që kishin luftuar përkrah Muharrem Bajraktarit. Por të lidhurit pabesisht ishin njerëz të ndershëm e me karakter dhe jo vetëm që nuk e hapën gojën, por shprehën përbuzjen e tyre ndaj aktit të të bujturve të tyre të paburrëri. Kur e panë se nuk po nxirrnin gjë në dritë as nga kërcënimet, as nga grykët e armëve drejtuar nga të lidhurit, njëri nga drejtuesit partizanë nxori nga çanta një listë me 21 emra të shënuar me kryq të kuq dhe të firmosur nga Shefqet Peçi. Ishin emrat e masakrës së paralajmëruar, që do të mbetej e pashlyer deri në kufijtë e dhimbjes në sytë e lumjanëve, dëshmitarë okularë të një krimi makabër. Plumbat e armëve shtrinë përdhe buzëmadhasit që i pritën me respekt e bujari partizanët në kullat e tyre të besës. Ata ishin: Arif Lala, Tahir Lala, Mehdi Lala, Ramiz Lala, Nuri Lala, Salë Lala, Zenun Lala, Muharrem Lala, Raldp Lala, Cen Lala, Rexhep Lala, Sulejman Lala, Qazim Lala, Riza Hoda, Zylbehen Bresa, Jemin Bresa, Qamil Tola, Isak Bresa, Arif Mata.
Njëri nga të shënuarit në listën e zezë të Shefqet Peçit, Dan Lala, nuk u ekzekutua, u la i lirë që të shkonte në fshat dhe të çonte lajmin e gjëmës së madhe që kishte ndodhur në lëndinën e Kroit të Bardhë atë ditë të trishtë shtatori, në prag të mbarimit të luftës.

ANTOLOGJIA E KRIMIT KOMUNIST, 16-17.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s