Masakra e Kuçit në Kurvelesh, ku mbi varrin e freskët të komisarit politik Memo Meto u masakruan 15 burra e gra kuçiote, do të mbahet mend gjatë nga bashkëfshatarët e tyre si një akt tipik banditesk e terrorist i atyre që erdhën me premtimet e një Shqipërie të re dhe mbollën për një gjysëm shekulli varre e dhimbje në tokën shqiptare.
Memo Meto, në emër të të cilit u bënë “kurban” 15 njerëz të pafajshëm, ishte një nga emrat më simbolikë të PKSH në zonën e Labërisë, zullumet e të cilit ndaj njerëzve të pambrojtur, për të cilët partia e tij trumbetonte idetë e një platforme të tërë politike, kishin shkuar në shkallën e tyre më të epërme. Vrasjet, përdhunimet dhe grabitjet e tij kishin lënë pas pirgje dhimbjeje e dëshpërimi, por dhe një urrejtje që mezi priste të shpërthente konturet e shpirtërave të trazuar.
Në një nga aksionet e tij banditeske, Memo Meto i kishte vrarë babanë një djali të ri 15 vjeçar të quajtur Arap Lilo, i kishte marrë shtëpinë e gjënë e gjallë, duke e përndjekur fshatrave e maleve të Labërisë, aq sa mezi iu kishte shpëtuar thonjve të vdekjes. Djali bridhte tutje-tëhu për t’i shpëtuar përndjekësit të tij, por ndërkohë, në shpirtin e tij të njomë, projektohej ideja e hakmarrjes. Kujtimi i babait, ashtu me ballin të shpuar nga plumbit e komisarit komunist, i rrinte në sy si çengel dhimbjeje. Vendosi të merrte hakun e të atit. Mori një pushkë e vezmen me fishekë dhe zbriti në Kuç, ku i fshehur qëndroi në pritë tre ditë e tre netë në pritje të Meto Metos. Kur ky i fundit i doli përpara, mori nishan dhe me plumbin e parë e la të vdekur në vend.
Në Vlorë, buja e vrasjes së komisarit u shoqërua me dufin e zemërimit të komunistëve, për të cilët Memo Meto, pavarësisht nga zullumet e tij të panumërta, ishte një emblemë e fesë së re që po përhapej me shpejtësi në tokën e shqiponjave. Por Arap Lilo u kishte lënë pendët, dhe ata më kot e kërkonin për ta gjetur. Për të shfryrë dufin e hakmarrjes, komisari Qazim Kondi, ish kapiten i milicisë fashiste që, siç thotë një historian, “mbi këmishën e zezë kishte veshur këmishën e kuqe”, urdhëroi që varri i Memo Metos të vaditej me gjakun e bashkëfshatarëve të tij.
Operacioni i “kuq” filloi me ngut; u morën burra e gra kuçiote nga shtrati, nën ulërimat e fëmijëve të pambrojtur, dhe u rreshtuan para varrit të Memo Metos. Krismat e armëve shpuan qiellin e shurdhët të asaj dite pranvere, duke lënë të shtrirë përjetë në tokën e tyre 15 burra e gra, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me vrasjen e Memo Metos.
Emrat e tyre janë: Arshi Nena, Memo Sadikaj, Et’hem Sadikaj, Lame Sadikaj, Isan Sadikaj, Mujo Imeraj, Merxhane Sadikaj, Kostë Lapa, Rustem Thomaraj, Shahin Imeraj, Imer Imeraj, Sherif Nena, Hamit Ago, Bajram Haruni, Kafaze Haruni.
Edhe pse kanë kaluar kaq kohë nga ajo ditë e trishtë, dëshmitarët okularë të ngjarjes kobzezë ende sikur dëgjojnë britmat e fëmijëve për nënat dhe baballarët e vrarë nga plumbat e “çlirimtarëve”.
ANTOLOGJIA E KRIMIT KOMUNIST, 19-20