Home

Shpërnguljet masive në Estoni, qershor-korrik 1941*

Realizimi praktik i shpërnguljeve të detyruara ju besua komisioneve të përbëra nga tre elementë – trojkat – krijuar me urdhër nga Moska. Për Estonin trojka e ngarkuar me këtë detyrë përbëhej nga komisari i popullit për Sigurinë e Shtetit, Kumm, nga komisari i popullit i Punëve të Brendshme, Andrei Musso dhe nga sekretari i parë i PK(b)E-së, Säre. Pjesa më e madhe e trojkave vendore ishin të përbëra nga përfaqësuese të po këtyre organeve. Në fillim të vitit 1941, në bazë të dokumentacionit të mbledhur, përpiloi listat përfundimtare të atyre që do të shpërnguleshin. Gjatë fazës përgatitore, partia komuniste luajti një rol drejtues, më tej lëshoi dhe urdhrin e zbatimit.
Sipas burimeve Perëndimore, 23% e popullatës në territoret e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik, bënte pjesë në ato lista. Në të vërtetë, ky numër ishte më i lartë pasi shpesh trojkat ndryshonin, sipas dëshirës, listat e atyre që do të shpërnguleshin me forcë.
Urdhri për nisjen e procedurave të arrestimit dhe të shpërnguljes së detyruar paraqitet në direktivën tepër sekrete të PK(b)BS-së dhe të qeverisë sovjetike, të datë 14 maj 1941, për «përjashtimin e elementëve socialisht të huaj në RSS baltike, Ukrainë, Bjellorusinë perëndimore dhe Moldavi». Më 14 qershor Beria e pohoi direktivën në linjë telefonike. Shumë dokumente lidhur me hollësirat teknike të shpërnguljes së detyruar u kumtuan dhe nënshkruan më 11 qershor.
Veprimtaria e shpërnguljes së detyruar, apo si cilësohet në dokumentet zyrtarë «evakuim i detyrueshëm», u zhvillua të premten datë 14 dhe të shtunën datë 15 qershor. Familjet të cilat ishin urdhëruar për shpërngulje u zgjuan në mes të natës dhe ju lexua urdhëresa sipas të cilës, pa asnjë proces gjyqësor, arrestoheshin dhe dëboheshin nga vendi i tyre. Disa orë pasi kishin nisur veprimet, mjetet në të cilat ishin ngarkuar të shpërngulurit mbërritën pranl vagonëve të trenave që i prisnin. Gjithsej ishin 490 vagonë. Në Talin të shpërngulurit u çuan në port, në stacionin e Kopli-t dhe në Pääsküla; vendnisje të tjera ishin Haapsala, Kaila, Tamsalu, Narva, Petseri, Valga, Tartu dhe Jõgeva.
Vagonët mbusheshin me shpejtësi. Ata të shënuar me shkronjën A – që tregonin «të arrestuarit» – mbartën pjesën më të madhe të burrave, ndërsa vagonët me shkronjën B, gratë dhe fëmijët. Për shumë nga gratë dhe fëmijët ajo ishte hera e fundit që panë bashkëshortët apo etërit. Bastisja përfundoi në pasditen e 16 qershorit. Sipas urdhrave të Moskës duhet të shpërnguleshin 11.200 persona, por jo të gjithë u arrestuan.
Më datë 17 qershor trenat u nisën dhe lanë Estoninë duke kaluar nga Narva në veri-lindje dhe nga Irboska në jug-lindje. Sipas udhëzime në vagonë nuk duhet të kishte më shumë se 30 persona, në të vërtetë në disa raste kishte më shumë se 50. Pjesa më e madhe e të shpërngulurve fillimisht u transferua në kampet e Starobel’sk-ut dhe Babino-s, vetëm një pjesë e vogël u dërgua direkt në kampet e provincës së Kirov-it, në pjesën lindore të Rusisë evropiane. Por kampet e Starobel’sk-ut dhe Babino-s shumë shpejtë u gjendën nën trysninë e përparimit të trupave gjermane, për këtë arsye të burgosurit u dërguan në Siberi, aty ku pjesa më e madhe e të shpërngulurve vdiq gjatë dimrit të parë për shkak të të ftohtit, mungesës së ushqimit dhe kushteve të punës së detyruar. Në pranverën e vitit 1942 në rreth 3500 persona, vetëm pak qindra ishin ende të gjallë.
Në fundin e vitit 1941 nëpër kampe mbërritën komisione hetuesish të cilët merrnin në pyetje dhe jepnin vendime në bazë të së cilave shumë prej të burgosurve u dënuan me vdekje.
Gratë dhe fëmijët që u dërguan në zonat më të largëta, në provincat e Kirovi-t dhe Novosibirsk-ut, nuk qenë më me fat. Shumë prej tyre vdiqën nga uria, të ftohtit dhe stërmundimi.
Sakaq që kolonat po mbërrinin në vendet e paracaktuara, me siguri ishte duke u përgatitur një valë e re shpërnguljesh të detyruara, por sulmi gjerman i prishi këto plane. Fronti përparoi me një shpejtësi të tillë sa shpërngulja e dytë u realizua vetëm në ishullin e Saaramaa-s, në fillim të korrikut 1941. Në këtë valë vetëm burrat mbërritën në Siberi, gratë dhe fëmijët, që po transferoheshin në rrugë tokësore, u çliruan nga trupat gjermane dhe nga luftëtarët estonezë në Põllküla, në rajonin e Läänemaa-s.
Bilanci i shpërnguljeve të qershor-korrikut të vitit 1941, nuk është saktësuar ndonjëherë. Një «raport përfundimtar», përpiluar në fund të vitit 1941 nga komisari i popullit për Sigurinë e Shtetit, Merkulov, dhe dërguar Stalinit, Berias dhe Molotovit, fliste për 3173 të arrestuar, 9146 të shpërngulur së bashku me familjet përkatëse dhe për mbi 12.422 ushtarë estonezë të arrestuar. Gjatë pushtimit gjerman Qendra për kërkimin dhe riatdhesimin e të shpërngulurve (ZEV, sipas inicialeve në gjermanisht) u përpoq për identifikimin e viktimave të pushtimit sovjetik. Kjo qendër nisi funksionimin që në 4 shtator të vitit 1941. Në vitin 1943, në bazë të kërkimeve ishte përpiluar një listë me 9632 emra të shpërngulurish. Studime më të vona e çojnë në mbi 10.000** numrin e viktimave të shpërnguljes.

Mart Laar (historian dhe Kryeministër i Estonis në vitet 1992-1994 dhe 1999-2002), Estonia dhe komunizmi në Libri i zi i komunizmit evropian.

*) Titulli dhe përkthimi i Redaksisë MVSK.
**) Si në dukje autori, në bazë të numrit të popullatës përpara luftës, proporcionalisht 1% e estonezëve (pra 10.000 persona) korrespondon me 1.300.000 amerikanë të së njëjtës periudhë, apo me 800.000 gjermanë dhe 420.000 italian apo francezë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s