Të analizosh nga pikëpamja e ngushtë e fakteve historike një fjalim i të cilin jo vetëm vitet që e pasuan por dhe vitet në të cilat u mbajt shfaqet i rremë (mjafton të kujtojmë që në një raport tepër sekret të Shtetit shqiptar përllogaritet që gjatë viteve 1944-48 në Jugosllavi janë vrarë, nga forcat titiste, mbi 40 000 shqiptarë), mund të duket i tepërt. Nuk vlen e njëjta për një analizë politike. Ky fjalim, si mjaft të ngjashëm, paraqet një orvatje për të shtruar në popullin e Republikës së Shqipërisë, udhën që politika tashmë kishte hapur: aneksimin e plotë të Shqipërisë nga ana e Federatës Jugosllave.
Për të përgatitur opinioni botor mbi ngjarjet që do të pasonin u zgjodh nga njëra anë ngritja e kultit të Titos (dhe mitizimi në përgjithësi i vetive të popujve sllavë) dhe nga ana tjetër krijimi i një të kaluare të përbashkët me Jugosllavinë. E kaluar që përmblidhej, duke përdorur fjalët e Hoxhës, në “komunitetin e vuajtjes”. Një e kaluar që ishte e përbashkët për shkak të pushtuesve të përbashkët (kuptohet që komunistët u kujdesën që nga lista e pushtuesve të Shqipërisë të hiqen ata sllavë dhe përmenden vetëm turqit, italianët dhe gjermanët). Problemi i armiqësisë shekullore sllavo-shqiptare për komunistët anashkalohej lehtësisht duke vendosur gishtin në radhë të parë mbi “shqiptaromëdhenjtë” dhe “shovinistët shqiptar” , mbi të gjithë Fishtën dhe Zogun (sic!) [qëndrim që riciklohet edhe në ditët që jetojmë nga ambientet neomarksiste].
Vlen të kujtojmë që qëllimet e aneksimit të plotë të Shqipërisë nuk u pezulluan për shkak të një “ndërgjegjësimi” të bolshevikëve në Tiranë (si pohuan në vitet në vijim, apo si pohojnë dhe sot) por për shkak të raporteve Moskë – Beograd. Raporte që u pasqyruan edhe në shtetet e tjera evropiane të zaptuara nga bolshevikët, si në rastin e Rumanisë.
(Shën. MVSK)
Pjesë nga artikulli i Enver Hoxhës: “Ç’kuptim ka ç’ka bërë direkt ose indirekt për LNÇ shqiptare Titoja dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e independencës shqiptare”
Populli shqiptar nuk është një popull prej origjine sllave, por një studim serioz i historisë së tij tregon në mënyrë të padiskutueshme se afinitete të mëdha e lidhin me sllavët e Jugut. Pozita gjeografike dhe ekonomike, natyra e vendit tonë me traditat dhe zakonet e veta, shpirtin liridashës dhe përparimtar, bujaria, karakteri luftarak dhe burrëror i popullit shqiptar janë aq të ngjashëm me të popujve jugosllavë sa që i shpjegojnë qartë prirjet e popullit tonë për një vëllazërim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me jugosllavët. Kundër këtyre prirjeve të natyrshme të të dy popujve punuan me zellin më të madh shovinistët e të dy vendeve tona dhe imperialistët shtypës dhe skllavëronjës.
Por populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë u rezistuan heroikisht valëve të tërbuara të invadorëve dhe agjentëve të tyre shqiptaro-jugosllavë; popujt tanë mbajtën gjallë e të pavdekshme ndjenjën e rezistencës me të ashpër që mund të kenë treguar popujt e vegjël që kërcënoheshin në ekzistencën e tyre si popuj dhe si kombe. Për të fituar lirinë dhe pavarësinë populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë me shpirt dhe me zemër ishin të lidhur kundër të njëjtëve armiq, turq, austrohungarezë, italianë, gjermanë etj. Në mes të intrigave të panumërta dhe të shumëllojshme të armiqëve të vendeve tona, shquante dhe qëndronte e fortë hallka që lidhte ndjenjat dhe aspiratat e popujve shqiptar dhe jugosllavë: lufta për liri, kundër të njëjtëve armiq. Ndër beteja të lashta kundër turqve, gjaku i njerëzve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë është përzier për të mbrojtur një ideal, të cilin e këndojnë këngët tona popullore me aq zjarr e krenari, sikundër që ishte lufta heroike e popujve tanë. Këto hallka të shëndosha që lidhin të dy popujt tanë nuk mund t’i këpuste as shpata e shtypësve tanë, as intrigat e imperialistëve, as vjershat e poetit të imperializmit dhe agjentit italian, shovinistit At Gjergj Fishtës dhe as shkrimet e serbomadhit Vlladan Georgeviçit. Ndjenjat e vëllazërimit dhe bashkëpunimit të popullit tonë dhe të popujve të Jugosllavisë ishin diçka tjetër më e lartë, ishte vullneti i popujve tanë të pathyeshëm, që kapërcyen çdo pengesë për të realizuar aspiratat e tyre shekullore të çlirimit të vendeve të tyre nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm dhe për të vendosur të tilla marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi, sikundër ekzistojnë sot në mes dy popujve tanë.
Malazezi Miladin Popoviç ishte nga ata studentë përparimtarë të Universitetit të Beogradit që demonstruan në rrugë dhe kërkuan armë për të ardhur në Shqipëri të luftonin krah për krah me popullin shqiptar që në ditët e para të invazionit tonë. Ai u hodh në luftë që në fillim të luftës NÇ Jugosllave, ai ishte një djalë i vendosur deri në vdekje për çlirimin e atdheut të tij. Atë që Miladin Popoviçi e kërkonte në demonstratën e Beogradit, rrethanat dhe peripecitë e luftës ia realizuan. I internuar prej fashistëve italianë në kampet e përqendrimit në Shqipëri, i çliruar nga guerilet tona, ai e lidhi fatin e tij me luftën e popullit vëlla shqiptar dhe luftoi në Shqipëri deri në vdekje. Miladin Popoviçi “Hero i Popullit” Jugosllav personifikon si duhet vëllazërimin e popujve tanë në luftë dhe në paqe, ai është i lidhur me luftën tonë, ashtu siç është i lidhur Qamal Stafa dhe Asim Zeneli me gjithë shokët e tyre.
* * *
Miladin Popoviçi më foli për herë të parë për Josif Brozin, udhëheqësin e lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë; për të, Josif Brozi personifikonte heroizmin, mençurinë, zotësinë luftarake, personifikonte fitoren e popujve të Jugosllavisë. Shërbimet e informacionit tonë partizan rrëmbyen një urdhër të Gestapos që i jepte shërbimit të SIM-it italian dhe ku thuhej tekstualisht: “Të ruhen rrugët, postoblloqet, të bëhen perkuizicione në të katër anët e Shqipërisë, pse revolucionari i madh Josif Broz Tito mund të ndodhet në Shqipëri. Koka e tij të vihet në çmim”. Ngjitur fotografia dhe sinjalimenti (1) i Titos. Frika e armikut ishte e dukshme. Titoja që personifikonte dhe udhëhiqte luftën e partizanëve jugosllavë, tmerronte Gestapon dhe SIM-in; këta e shihnin Titon kudo në Ballkan dhe kokën e tij e kishin vënë në çmim. Por agjentët e SIM-it dhe të Gestapos mund të lodheshin më kot së kërkuari Titon në Shqipëri. Titoja s’ishte as në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por ai ishte në zemrën e luftëtarëve të Shqipërisë dhe atje ishte zor i madh ta gjente dhe ta çrrënjoste SIM-i dhe Gestapoja. Emri i Titos mori dhenë në të katër anët e Shqipërisë, për të fliste me admirim populli shqiptar. Për ne emri i Titos u konfodua me atë të popujve të Jugosllavisë, me atë të Ushtrisë heroike Nacionalçlirimtare Jugosllave. Te Titoja ne shihnim mikun e madh të popullit shqiptar në luftë dhe në paqe, ashtu si shihnim te popujt e Jugosllavisë miqtë dhe vëllezërit e popullit tonë…
Në momentet më të rënda të luftërave tona nacionalçlirimtare, partizanët jugosllavë flisnin me njëri-tjetrin për luftën e popullit të vogël vëlla shqiptar. Partizanët tanë mburreshin me partizanët e Titos…
Më kot kuislingët dhe shovinistët shqiptarë u përpoqën të errësonin këtë vëllazërim me popujt e Jugosllavisë. Ata përdorën parullat e vjetra të përçarjes, duke i stërholluar metodat e Gebelsit dhe të Musolinit. Shovinistët dhe shqiptaromëdhenjtë më kot përdorën demagogjinë e tyre. Përralla e Oso Kukës s’pinte më ujë. Në Shkodër e në Liqen, atje ku përzihen ujërat e Shqipërisë dhe të Malit të Zia, ashtu sikundër përzihen edhe ndjenjat më t pastra të popujve tanë, u shkrua me gjakun e kulluar të malazezëve Vaso Strugar, Filip Popoviçit dhe të shqiptarit Vasil Shantos, epopeja e përbashkët nga më të lavdishmet e historisë së vendeve tona, epopeja e madhe e çlirimit. Populli shqiptar do ta ruajë kujtimin e pavdekshëm të patriotëve malazezë që ranë për Shqipërinë dhe njëkohësisht për kauzën e atdheut të tyre, Miladin Popoviçit, Vaso Strugarit, Filip Popoviçit.
Në male, pra na erdhi letra e parë e Titos (3) ku ai përshëndeste nga zemra popullin shqiptar që po luftonte për liri. Letrën e çmueshme të Titos, ku ky na tregonte luftën heroike të popujve të tij, ku na shfaqte besimin e patundur në fitoren e madhe mbi fashizmin, na i solli duke kaluar rreziqet më të mëdha, shoku i luftës i Titos Blazho Jovanoviçi. Atëherë i realizuam si duhej përpjekjet e mëdha të popujve të Jugosllavisë. Eksperienca e luftës partizane në Jugosllavi ishte një thesar i çmuar për ne. Letra e Titos shënon një datë historike në historinë e popullit tonë, pse eksperiencën e luftës partizane në Jugosllavi e shihnim tash më konkretisht dhe kjo na shërbeu pa masë në luftën tonë. Dhe kur nga peripecitë e luftës sonë të ashpër kundër fashizmit priteshin muaj dhe vjetë me radhë, lidhjet tona me partizanët jugosllavë, zëri i Radios “Jugosllavia e Lirë”(4) na sillte në malet tona të çliruara erën e freskët të maleve kreshnike të Jugosllavisë, ku luftonin me heroizmin e papërshkrueshëm partizanët jugosllavë të Josif Broz Titos.
* * *
I madh dhe i vogël e njeh Titon në Shqipëri (5), se ai përfaqëson popujt heroikë të Jugosllavisë, i madh e i vogël e do Titon në Shqipër.
Në male, na erdhi letra e parë e Titos (3) ku ai përshëndeste nga zemra popullin shqiptar që po luftonte për liri. Letrën e çmueshme të Titos, ku ky na tregonte luftën heroike të popujve të tij, ku na shfaqte besimin e patundur në fitoren e madhe mbi fashizmin, na i solli duke kaluar rreziqet më të mëdha, shoku i Titos Blazho Jovanoviçi. Atëherë i realizuam si duhej përpjekjet e mëdha të popujve të Jugosllavisë. Eksperienca e luftës partizane në Jugosllavi ishte një thesar i çmueshëm për ne. Letra e Titos shënon një datë historike në historinë e popullit tonë, pse eksperiencën e luftës partizane në Jugosllavi e shihnim tash më konkretisht dhe kjo na shërbeu pa masë në luftën tonë. Edhe kur nga peripecitë e luftës sonë të ashpër kundër fashizmit priteshin me muaj dhe vjetë me radhë, lidhjet tona me partizanët jugosllavë, zëri i Radios “Jugosllavia e Lirë” (4) na sillte në malet tona të çliruara erën e freskët të maleve kreshnike të Jugosllavisë, ku luftonin me heroizmin e papërshkrueshëm partizanët jugosllavë të Jozef Bros Titos.
* * *
I madh dhe i vogël e njeh Titon në Shqipëri (5), se ai përfaqëson popujt heroikë të Jugosllavisë, i madh e i vogël e do Titon në Shqipëri (6), pse ai përfaqëson luftën e lavdishme të popujve vëllezër jugosllavë, pse ai ka qenë zemra dhe koka e saj, pse ai i mësoi, i edukoi popujt e Jugosllavisë të rrojnë të bashkuar dhe të vëllazëruar me njëri-tjetrin, pse ai i bëri luftëtarë të lirisë dhe demokracisë, se ai i mësoi të duan popujt e tjerë si veten e tyre dhe në radhë të parë popullin e vogël shqiptar, të cilin e ndihmuan dhe e përkrahën si në kohën e luftës, ashtu dhe tash në kohën e paqes…
Titoja dhe Jugosllavia e re, vepra e pavdekshme e Marashalit Tito ishte për ne pasqyra dhe shembulli më i afërt i gjenialitetit të këtij njeriu të madh të popujve të Jugosllavisë, ishte dhe një mbështetje dhe ndihmë e çmueshme. Masat e gjera të popullit tonë nuk e shihnin dhe nuk mund ta kuptonin independencën, lirinë, përparimin, rindërtimin e vendit të tyre të shkëputur nga ajo e Jugosllavisë. Një popull i vogël, si i yni, nuk mund të rrojë dhe të ndërtojë një jetë të lumtur pa miqësi dhe përkrahjen e popujve të Jugosllavisë.
* * *
Me anën e popullit shqiptar, që në ditën e parë të çlirimit, Mareshali Tito u ndodh përkrah dhe ndihmoi popullin tonë me gjithë zemër, me të gjitha forcat e tij. Ai njohu qeverinë demokratike të Shqipërisë, ai dërgoi ambasadorin e vet i pari në Tiranë, ai e ndihmoi me shpejtësi popullin tonë që në ditët e para të çlirimit. Titoja e dinte sa vuajtje kishte në vendin e tij, por ai e ndau kafshatën e gojës së popullit të tij me popullin e vogël shqiptar. Titos i dhimbej populli ynë (7). Emri i Titos dhe i popujve të Jugosllavisë janë të lidhur ngushtë me mbrojtjen e lirisë dhe të independencës së vendit tonë të kërcënuar nga neofashistët grekë dhe përkrahësit e tyre. Qeveritë angleze dhe amerikane e kanë shikuar me sy të keq që në ditët e para ngritjen e demokracisë së re (8) në Shqipëri dhe janë përpjekur në çdo mënyrë ta pengojnë popullin tonë në rrugën e drejtë, që kish caktuar dhe ku ai ecën me vendosmërinë më të madhe.
* * *
Kudo ku ishte për të mbrojtur interesat e popullit tonë, shokët e Titos kanë luftuar me vendosmërinë më të madhe për popullin tonë. Kardeli dhe Mosha Pijade me rekuizitorët (9) e demaskuan çdo orvatje të monarkofashistëve grekë dhe të përkrahësve të tyre. “Shqipëria është aleatja jonë – tha Mosha Pijade në Konferencën e Parisit – dhe ne jemi të vendosur t’i mbajmë detyrimet që kemi karshi aleates tonë deri në fund”. Kështu e kupton Titoja aleancën me popullin shqiptar dhe populli shqiptar këtij miku të madh i përgjigjet po në atë mënyrë. Miqësia dhe aleanca jonë mbrohet dhe me sakrificën e fundit dhe me këtë mënyrë ne jo vetëm që mbrojmë interesat dhe ekzistencën e vendeve tona, por mbrojmë njëkohësisht paqen në Ballkan dhe në botë. Aleanca jonë me Jugosllavinë nuk u përngjet aleancave të zakonshme që firmosen prej diplomatëve dhe shlyhen sipas interesave të atyre njerëzve ose klikave që shtypin popujt, por aleanca jonë është shprehja më e gjallë e aspiratave të të dy popujve tanë, të cilët luftuan së bashku, punuan së bashku për të arritur në këtë rrugë.
Ashtu sikundër marrëveshja e bashkëpunimit dhe e ndihmës reciproke që ekziston në mes dy vendeve tona është një garanci për independencën dhe lirinë e vendit tonë, marrëveshjet ekonomike që ekzistojnë mes nesh e kompletojnë këtë aleancë dhe e bëjnë të pathyeshme. Zhdukja e barrierave doganore, unifikimi i planeve të shteteve tona dhe ndihma konkrete që qeveria jugosllave po i jep vendit tonë për t’u mëkëmbur, për t’u rindërtuar, janë bazat e shëndosha dhe siguria e një jete më të mirë për vendin tonë. Ata që s’i duan të mirën popullit tonë shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer duke thënë se “Shqipëria humbi independencën dhe pavarësinë e saj duke u lidhur kaq ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. Jo, Shqipëria përkundrazi e siguroi dhe e forcoi independencën dhe pavarësinë e saj duke u lidhur ngushtë me Jugosllavinë e re. Në bashkëpunimin e ngushtë dhe në vëllazërimin e kaq të sinqertë në mes dy popujsh që kanë marrë fuqinë në duart e veta dhe kanë vendosur në vendet e tyre demokracinë më të shëndoshë dhe më përparimtare, atje gjendet kuptimi më i lartë i respektit të të drejtave të njëri-tjetrit, atje merr kuptimin e vërtetë respekti i independencës, i lirisë dhe i sovranitetit të popujve.
Dora që ishte nderur kaq sinqerisht popullit shqiptar është dora e Titos, hero i popujve të Jugosllavisë, ndërtues i madh i Jugosllavisë së re. Këtë e di dhe çmon populli ynë dhe brohorit me gjithë zemër për Titon. Kam dëgjuar të rrahurat e zemrës të popullit shqiptar për Titon, kam dëgjuar gjithashtu ato të popujve të Jugosllavisë për udhëheqësin e tyre të madh me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi dhe mund të them se ato shkojnë paralel. Me rastin e udhëtimit tim në Beograd (10), Titoja më priti si shok lufte, si vëlla, ai më foli me zjarr dhe me dashuri për popullin tim. Shprehjet e tij për popullin shqiptar ishin të njëllojta me ato që qindra mijë njerëzish të popullit jugosllav, që më ndalonin e më flisnin për vendin tim me atë kujdes, me atë dhembshuri sikundër që flisnin për vendin e tyre. E ardhmja e popujve tanë është e siguruar dhe do ta ndërtojmë me mundim dhe me djersën tonë dhe kjo është e sigurt, pse ekzistojnë të tilla marrëdhënie në mes popujve tanë. Të dy popujt tanë po ecin në rrugën që ata vetë i kanë caktuar vetes dhe që është rruga e bashkëpunimit sa më të ngushtë dhe s’ka forcë që ta pengojë një zhvillim të tillë, shpëtimtar për vendet tona dhe paqësor për të gjithë botën.
Shënime të botuesit:
1) Singalement. Përshkrim i pamjes së jashtme i një njeriu për ta njohur (frëngj.).
2) Në të vërtetë, siç dëshmojnë dokumentet, në kohën e LIIB, emri i Titos në Shqipëri ishte shumë pak i dëgjuar. “Ai nuk mori aspak dhenë në të katër anët e Shqipërisë” sikundër thuhet në artikull, as ndodhej “në zemrën e luftëtarëve të Shqipërisë”.
3) Është fjala për letrën që Titoja i dërgonte KQ të PKSH me anë të Bllazho Jovanoviçit, i cili merrte pjesë në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH (mars 1943) si i deleguar i KQ të PKJ-së. Për letrën e Titos ishte në dijeni vetëm udhëheqja e PKSH-së. As komunistët, as partizanë, as populli nuk mësoi gjë për këtë letër.
4) Edhe Radion “Jugosllavia e Lirë” nuk e dëgjonte njeri në Shqipëri. Kryesisht dëgjohej “Radio Londra”.
5) Titoja u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas luftës kur shtypi zyrtar çdo ditë ishte i mbushur me lajme dhe artikuj për Jugosllavinë, për vëllazërimin me popujt jugosllavë e për Titon, kur E. Hoxha e udhëheqës të tjerë në çdo fjalim të tyre ngrinin në qiell emrin e Titos e të Jugosllavisë duke i detyruar njerëzit të brohorisnin për Titon e për vëllazërim e bashkim shqiptaro-jugosllav, kur nëpër rrugë e sheshe të qyteteve e fshatrave si edhe në çdo zyrë ndodheshin portretet e Titos e të E. Hoxhës së bashku.
6) Kjo “dashuri” për Titon është gënjeshtër.
7) Prapë gënjeshtër.
8) Jo demokraci, por diktaturë e egër.
9) Réquisitoire (fr.), qortime të rrepta.
10) Është fjala për vizitën e E. Hoxhës në Jugosllavi, në qershor 1946.
Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948, DPA, Tiranë 1996, f.