Pozicioni i disa intelektualëve të famshëm “progresist” kundrejt Revolucionit të Tetorit dhe regjimeve komuniste.
Për shumë, tej mase shumë dekadash, lavdërimi i pakushtëzuar i mitit të Revolucionit Rus të 1917 dhe të sistemeve komuniste në përgjithësi, është bërë pjesë, nëse kështu mund të thuhet, e ndërgjegjes kolektive të miliona personave, të bindur rreth drejtësisë së “luftës së klasave” marksiste dhe të metodave të përdorura në shumë vende. Kjo ethe masive, që për rreth 70 vjet, nga viti 1917 deri më 1989, është përhapur në Evropë dhe në botë e ndihmuar dhe rënduar nga sjellja e një pjese të madhe të intelektualëve të cilët nëpërmjet veprave dhe pohimeve të tyre morën pjesë në mbajtjen gjallë të mitit më tragjik dhe të eksperimentit kulturor, politik dhe socio-ekonomik më të dështuar të epokës bashkëkohore.
Pas kaq vitesh është interesante të rilexojmë ç’kanë shkruar dhe deklaruar njerëz të njohur të mendimit, duke mbështetur dhe thurur elozhe për sistemet marksiste, duke u nisur në radhë të parë nga ai moskovit. Që në vitin 1919, Albert Matheiz historian i Revolucionit francez, justifikoi regjimin e terrorit të instaluar në Rusi, duke e krahasuar (nëse ky mund të quhet kompliment) Lenin me Robespierin. Një tjetër francez në vitin 1931, poeti Luis Aragon (1879 – 1982) në “Prélude au temps des cerises” i përkushtoi vargje rrëngjethëse GPU-së (e pamëshirshmja polici politike bolshevike): “Kërkoj nj GPU për të përgatitur fundin e botës / Rroftë GPU-ja kundër papës dhe morrave / Rroftë GPU-ja kundër nënshtrimit ndaj bankave / Rroftë GPU-ja kundër familjes”… dhe kështu me radhë. Përtej oqeanit ishte shkrimtari Epton Sinclair që lidhur me kolektivizimet sovjetike në bujqësi shkruante: “Në Rusi bolshevikët përzënë fshatarët e pasur nga tokat dhe i dënojnë me punë të detyrueshme… Gjithë kjo do të shkaktojë ndoshta një milion të vdekur, ndoshta pesë milionë… Por në fund të fundit në historinë e njerëzimit nuk është regjistruar asnjë ndryshim i rëndësishëm social pa të vdekur”. Ndjeshmëri të veçantë dhe shpirt humanitar shfaqi edhe shkrimtari me zë Maksim Gorki (1869 – 1936), i cili nuk pati skrupuj kur lëshoi thirrjen e tij patriotike “Shfaroseni pa mëshirë armikun”; thirrje që faktikisht do të shënonte vërshimin e spastrimeve staliniste.
Lista e të mëdhenjve dhe të urtëve, apologjetë të komunizmit vijon me filozofin Maurice Merleau-Ponty që në vitin 1947, duke polemizuar me shkrimtarin Koestler, justifikoi Terrorin e Madh stalinian si “parakusht i nevojshëm për ndërtimin e një shoqërie të re proletare”. Por duhet të mbërrijmë te Bertolt Brecht-i (1898 – 1956) për të parë të shprehur, ndoshta, në formën më të plotë shpirtin politik të intelektualëve marksistë apo filomarksitë të perëndimit. Regjisori i famshëm në mars të 1953 e vajtoi vdekjen e Stalinit me fjalët: “Të shtypurit e të pesë kontinenteve ndjenë një shtrëngim në zemër kur mësuan lajmin e vdekjes së Stalinit. Ai ishte mishërimi i shpresave të tyre dhe tona”. Nuk mbaron këtu. Në qershor të 1953, me rastin e revoltave të punëtorëve të Berlinit, që u shtypën nga tanket ruse, Brecht-i i shkroi presidentit të RDGJ-së, Ulbricht, për ta përgëzuar dhe për të ripohuar vlerësimin ndaj regjimit komunist në gjermani. “Elementë fashistë të shtyrë nga Perëndimi – theksoi intelektuali – u përpoqën të shfrytëzonin pakënaqësinë e popullit (lapsus që të bënë të mendosh se bash populli gjerman në lindje nuk është se po e shtynte dhe aq mirë nën regjimin komunist) për të arritur qëllimet e tyre të ulëta dhe gjakatare… Por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të përpiktë të trupave sovjetike kjo përpjekje u eliminua. Sigurisht, forcat e armatosura ruse nuk u morën me punëtorët, por me këtë turmë fashistësh luftënxitës të përbërë bashibozuk të rinj që kishin pushtuar Berlinin”. Nga deliret tragjikomike brehtaniane kalojmë te një tjetër personazh të nderuar të plejadës së intelektualëve marksist, hungarezi György Lukacs (1885 – 1971). Në një intervistë për New Left Review të korrik-gusht 1971, Lukacs pa mëdyshje (dhe ndjesi të qesharakes) pohoi se: “më i keqi i regjimeve komuniste është gjithmonë më mirë se më i miri i regjimeve kapitaliste”. Nuk i shpëtoi groteskut as komediografi irlandez George Bernard Shaw (1856 – 1950), i cili në vitin 1931, gjatë një udhëtimi në BRSS, “admiroi realizmin e Stalinit”, duke pohuar se “Rusia nuk kishte asnjë problem ushqimor… dhe se kishte një sistem burgjesh model”. Duke shtuar: “në Angli një shkelës i ligjit hyn në burg si njeri normal dhe del kriminel, ndërsa në Rusi ai hyn që tashmë është kriminel dhe del i rilindur… Deri në atë pikë sa shumë të burgosur, për të përmirësuar vetveten, zgjasin vullnetarisht dënimin”. Sikur mos t’i mjaftonte, Shaw, e mbyllte kështu: “Stalini i ka mbajtur të gjitha premtimet; krijoi një shoqëri të drejtë dhe për rrjedhojë heq kapelën para tij”. Më të përmbajtura duken vëzhgimet e shkrimtarit H. G. Wells, lidhur me “parajsën e punëtorëve”. Në vitin 1931, pas një takimi me Stalinin, pranoi me një siklet shqetësues “mungesën e qenësishme të lirisë në BRSS”, por duke e justifikuar me “përpjekjet e Sovjetit për të krijuar një shoqëri racionale”. Në 1935 mbeti i dashuruar me marksizmin dhe filozofi dhe matematikani Ludwig Wittgenstein. Vizitoi BRSS dhe për disa vite rresht mendonte të transferohej aty, i bindur se ai vend paraqiste një alternativë të vlefshme dhe të nevojshme kundrejt dekadencës së Perëndimit. “Tirania komuniste – pohonte me një sintetizëm matematikor – nuk më indinjon… BRSS-ja është një vend i ashpër por i drejtë”. Në fillim të viteve ’30 ekonomisti John Maynard Keynes studioi sistemin e bujqësisë sovjetike, duke vënë re zitë e frikshme të bukës shkaktuar nga planet pesëvjeçare. Gjithsesi për hir të dashurisë së idealeve, parapëlqeu të heshte.
Një kapitull të veçantë meritojnë deklaratat dhe shkrimet e të mbivlerësuarit filozof ekzistencialist Jean-Paul Sartre (1905 -1980), i cili pasi qetësisht punoi dhe deri diku u pasurua, në vitet 1940 – 44, nën regjimin kolaboracionist të Vichy-s, ju fut me kokë çështjes komuniste. Ndërmjet viteve 1947 – 1951, ai u kthye në një stalinist të flaktë, deri sa prishi marrëdhëniet me më kritikët dhe të kujdesshmit si Raymond Aron, Arthur Koestler dhe Maurice Merleau-Ponty. “Nuk pranoj – polemizoi i neveritur Sartre – të ndjek ish miqtë e mi në dënimin e stalinizmit”. Në vitin 1952, Satre u prish edhe me Albert Camus, i cili kritikonte metodat shtypëse dhe gjakatare të Stalinit (“Duke mos qenë ne anëtarë të Partisë, nuk ishte detyra jonë të flisnim për kampet e punës sovjetike”, shpjegoi babi i ekzistencializmit , duke dhënë prova të larta dialektiko-akrobacie). Në vitin 1952, filozofi mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes për Paqe organizuar nga komunistët në Vjenë dhe në vitin 1954, pas një udhëtimi në Rusi, me një seri artikujsh për Libération i thuri lavde, pa mëdyshje, gjithë sistemit marksist: “Në BRSS – pohoi Sartre – liria e kritikës është e plotë… Qytetarët sovjetik kritikojnë qeverinë e tyre më haptas dhe në mënyrë më efikase se sa ne. Gjendja social-ekonomike e popullit sovjetik është në përmirësim të vazhdueshëm… Të gjithë janë të ushqyer dhe strehuar në mënyrë të admirueshme… Ata nuk dalin jashtë shtetit jo sepse nuk e lejon qeveria, por sepse nuk kanë asnjë dëshirë për të dalë… Në sistemin sovjetik interesi i individit dhe i shoqërisë përputhen plotësisht… BRSS marshon drejt së ardhmes”. Në vitin 1956, filozofi francez arriti të mos pranonte raportin sekret të Kruscev-it mbi masakrat e Stalinit, duke deklaruar: “Është e papranueshme ekzistenca e kampeve të përqendrimit, por edhe trajtimi që shtypi borgjez i bën është i papranueshëm… Kruscev-i e denoncoi Stalinin pa dhënë shpjegime të mjaftueshme, pa kryer analizë historike, shkujdesur”.
Lidhur me gjyqet e shumta të Moskës dhe torturat ndaj të burgosurve, shkrimtari francez André Malraux (1901 – 1976) lozi me analogji të papranueshme historike: “Ashtu si Inkuizicioni nuk shkatërroi dinjitetin themelor të krishterimit, ashtu edhe gjyqet e Moskës nuk kanë zbehu dinjitetin themelor të komunizmit”. Denoncimet e vazhdueshme lidhur me ekzistencën e “gulagëve” nuk prekën aspak besimin e shumë intelektualëve “progresist” perëndimor. I vetmi përjashtim është André Gide, i cili në vitin 1939 vizitoi BRSS-në duke ngelur i neveritur. Me t’u kthyer në Francë, Gide guxoi të fliste për shtypjen staliniste, por menjëherë u izolua. Nga ana e vet, filozofi Roger Garaudy i ironizoi “zërat lidhur me gulagët” dhe fituesi i çmimit Nobel Frédéric Juliot-Curie dëshmoi “se rusët janë një popull i lumtur që mbështet regjimin e vet”. Nuk mbaron këtu. Në vitin 1972 Pablo Neruda (1904 – 1973) – fitues i Nobelit për letërsinë në 1971, por dhe fitues i çmimit grotesk për Paqen “Lenin” – problemet e Aleksandr Solgenistsyn-it dhe të intelektualëve të tjerë të shquar rusë të internuar në gulag, i vlerësoi “plotësisht personale” duke shpjeguar: “se nuk kishte dëshirë të kthehej në vegël të propagandës antisovjetike”. Në vitet ’70 u bë përsëri i gjallë Sartre, i cili pasi bekoi lëvizjet studentore të ’68, nisi sulmin duke lartësuar veprimet e grupeve terroriste italiane, gjermane dhe palestineze. “Terrorizmi është arma legjitime e të vobektit”, pohoi, duke justifikuar masakrën e Munihut, kryer nga terroristë palestinezë gjatë Olimpiadës. Asgjë e çuditshme. Që në vitet ’60 ai kishte bërë apologjinë e sjelljes së dhunshme “antiborgjeze dhe antiimperialiste”. Në parathënien e Të mallkuarve të botës (1961) të Franz Fanon, filozofi ekzistencialist kishte nënvijëzuar: “të vrasës një evropiano-perëndimor do të thotë të arrish njëkohësisht dy qëllime: eliminimin e shtypësit dhe të njeriut që është fryt i kësaj shtypjeje”. Në vitin 1968, nga mikrofoni i Radio Luksemburgut, në këtë mënyrë Sartre e justifikoi revoltën studentore dhe dhunën si një reagim të drejtë: “Dhuna është e vetmja gjë që ju ka ngelur studentëve që ende nuk kanë hyrë në sistemin e krijuar nga etërit e tyre… Në vendet tona të lodhura perëndimore, studentët përbëjnë të vetmen forcë proteste të majtë… E përkryera qëndron në vendet marksiste dhe veçanërisht në Kinë dhe në Kubë”. Në pranverën e 1970, Sartre pranon të bëhet pjesë e grupit maoist “E majta proletare”, duke u bërë dhe drejtor përgjegjës i gazetës La Cause du Peuple (organ në faqet e të cilit u bëhej thirrje militantëve të merrnin peng dhe ti kyçnin në “burgjet e popullit” drejtorët e fabrikave dhe të linçonin deputetë e ministra).
Mbyllim paradën e intelektualëve perëndimorë, të marrosur me komunizmin, me Noam Chomsky, i cili në fund të viteve ’70, përveç se thurte lavde për sistemin maoist, përkrahu me entuziazëm çështjen e khmerve të kuq kamboxhian, duke mohuar masakrat e frikshme të miliona njerëzve, kryer nga lideri i tyre Pol Pot. Në vitin 1977, gjuhëtari amerikan i cilësoi mizoritë e khmerve dhe të vietkongëve si“histori të shpikura nga reaksionarët perëndimor” ndërsa dëshmitë e refugjatëve kamboxhian dhe vietnamez (të ashtuquajturit boat people), që i kishin shpëtuar persekutimit të “xha” Ho Chi Minh-it, si “absolutisht të pabesueshme”. Përfundojmë këtë parakalim tronditës me liderin e vjetër radikal, amerikanin Scott Nearing (apologjet i BRSS-së në vitet ’30) që në 1982 himnizonte “të ndriturin” Pol Pot dhe satrapin komunist shqiptar Enver Hoxha: “Bëhet fjalë për dy gjeni të vërtetë të politikës revolucionare; dy njerëz që bën gjithçka për të bërë të lumtur popujt e tyre”.
No coment.
Alberto Rosselli