Masakra e Dunicës në Korçë, 4 mars 1944
Pas operacionit të dimrit, forcat partizane gjysmë të shpartalluara dhe me moral të rënë, nisën të grumbullohen rishtas, në një përpjekje të mundimshme për t’u riorganizuar.
Në fillim të marsit 1944, disa mbeturina të Brigadës së Parë Sulmuese dhe të Grupit Partizan të qarkut të Korçës, nën komandën e Tuk Jakovës, Misto Treskës e Tele Baçit, arritën në afërsi të katundit Dunicë, në pritje të furnizimeve angleze nga ajri. Prisnin të furnizoheshin me para, municione e veshmbathje që, në fakt, nuk iu kishin munguar për asnjë çast gjatë gjithë periudhës së luftës.
Natën vonë, në mbrëmjen e 4 marsit 1944, një njësi balliste prej 120 vetësh, e drejtuar nga komandanti nacionalist Haki Blloshmi, u strehua në shtëpitë e fshatit Dunicë. Një informator komunist që i kishte vëzhguar, mbërrin me shpejtësi në vendqëndrimin e njësive partizane dhe iu raporton udhëheqësve komunistë për vendbujtjen e Haki Blloshmit dhe luftëtarëve të tij.
Me ngut të madh u dha alarmi dhe u rrethua fshati Dunicë, i cili u fut në një unazë zjarri, pasi partizanët ishin disa herë më të shumtë në numër nga forcat nacionaliste.
Të kapur në befasi, ballistët as nuk patën kohë të rezistonin, ndaj qysh në orët e para të agimit të asaj dite të fillimit të marsit mbetën të vrarë Sabri Blloshmi, Ah Bezhtogu, Isuf Façja, Shaban Leka, Nel BUoshmi, Tafil Belba dhe Istref Belba.
Ballistëve të tjerë iu bënë thirrje që të dorëzoheshin, pasi do t’i linin të lirë që të shkonin në shtëpitë e tyre. Në pamundësi për të vepruar, duke mos patur asnjë mundësi tjetër, ballistët u dorëzuan, por menjëherë u lidhën me litarë dhe i dërguan për tek shkëmbi ku luftonte pa u dorëzuar Haki Blloshmi. Menjëherë komunistët vunë në përdorim strategjinë e tyre djallëzore: i bënë thirrje Haki Blloshmit që të dorëzohej menjëherë dhe ata do të lironin ballistët të shkonin në punë të tyre, përndryshe 60 burrat e lidhur do të ekzekutoheshin sakaq.
Komandanti balliist, edhe pse e dinte se partizanët nuk do ta mbanin fjalën, nuk mund të lejonte që të vriteshin 60 burra, ndaj u dorëzua. Menjëherë partizanët masakruan 7 shokët e tij: Refat Belba, Shefqet BUoshmi, Sadik Trebinja, Bajram Trebinja, Adem Kapri, Dervish Çela, Bajram BUoshmi.
Pas këtyre ekzekutimeve, 60 burrat e lidhur u vunë në rresht dhe i ekzekutuan, duke i hedhur në një gropë të madhe, të hapur nga partizanët.
Kështu Dunica e largët, në prehër të maleve të Korçës, u kthye në një simbol pabesie dhe masakre të përgjakur.
G. A., Antologjia e Krimit Komunist, Tiranë, 2006.