Home

Ishin ditët e fundit të nazifashizmit në Shqipëri. Në tokën e shqiponjave, repartet e “çlirimtarëve”, ishin të bindur se, në luftën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht për interesa të klaneve kriminale, kishin përballë kundërshtarë që i kishin dhënë vendit të tyre vlerat e një klase fisnike politikanësh dhe administratorësh kurajozë. Ata bënin llogari të eleminonin sa më shumë prej tyre, me anë spastrimesh të përgjakta, të cilat kishin nisur gjatë luftës civile. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha ishin krijuar njësi speciale partizane që, me lista “armiqsh” në duar, hartuar me ngut dhe nën efektin e psikozave përjashtuese e genocidale, po vepronin duke terrorizuar banorët e Tiranës, me marrje peng, vrasje në rrugë e para syve të familjarëve, zhdukje të personave, etj. Masakra dhe terrori i kuq nisën kështu udhën para se “çlirimtarët” të hynin triumfalisht në Tiranë dhe të nisnin rrugën e bëmave të tyre kriminale.
Të ndaluarit i grumbullonin në periferi të kryeqytetit, ku bëhej seleksionimi; disa ekzekutoheshin me ngut në vende të fshehta dhe, nën tisin e errësirës së thellë, të tjerët të lidhur niseshin nëpër katundet: Surel, Shpal, Brar, Zall-Herr, si dhe në fshatra të tjerë në periferi të Tiranës, duke i kthyer një numër të konsiderueshëm të shtëpive të fshatarëve në burgje. Numri i të arrestuarve dhe të keqtrajtuarve nga njësitë speciale partizane arrinte në njëmijë persona.
Lidhur me numrin e të pushkatuarve pa gjyq, vështirë se ndonjëherë do të mësohet numri i tyre i saktë, për shkak se në Tiranë u ekzekutuan dhe banorë të zonave të tjera, sjellë me përdhunë pas arrestimit në qytete të ndryshme të vendit.
Gjatë periudhës 28 nëntor – 16 nëntor të vitit 1944, njësitë speciale vërtiteshin rrugëve të kryeqytetit duke projektuar ditët e masakrës më të madhe e më kobzezë ndaj një pjese tjetër të njerëzve që kishin të njëjtin atdhe me ta, vetëm se mendonin ndryshe. Ndërkohë që trupat gjermane po tërhiqeshin nga territori grek drejt veriut, në Tiranë kishin mbetur vetëm disa njësi të vogla gjermane, në pritje të pjesës tjetër të ushtarëve që do të vinin nga Greqia, për të marrë rrugën drejt vendit të tyre, tërë ankth, të mundur e të dëshpëruar. Pati luftime sidomos në Qafën e Krrabës, ku bombarduesit anglo-amerikanë iu shkaktuan gjermanëve dëme të shumta në njerëz e materiale, jo vetëm përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan. Këto bombardime vazhduan me ngulm derisa gjermanët u tërhoqën tërësisht drejt Malit të Zi.
Në fund të tetorit, forcat partizane u futën në pjesën veriore të qytetit, duke e ndarë Tiranën gjatë 20 ditëve të ardhshme në dy pjesë: vija e demarkacionit ishte rruga Dëshmorët e Kombit deri te stacioni hekurudhor. Një situatë e tillë vazhdoi deri me 16 nëntor, një ditë para se të zhvillohej “beteja për çlirimin e Tiranës”.
Po çfarë ndodhi gjatë këtyre 20 ditëve?
Diktatori Enver Hoxha nga Berati udhëzonte: “Asgjësoni të gjithë ata që nuk janë me ne, të cilët janë pengesë për të vënë në jetë vendimet e partisë sonë heroike. Veproni pa mëshirë!”. Hoxha nuk ngurronte që të zbatonte me rigorozitet udhëzimet e ustallarëve të tij serbë Dushan Mugosha e Miladin Papoviçi, të cilëve iu referohej në të gjithë urdhrat dhe udhëzimet e tij për vrasjen dhe linçimin e shqiptarëve që nuk mendonin si ai dhe PKSH që ai drejtonte.
Sapo binte muzgu dhe derisa zbardhte dita, skuadrat e vdekjes me lista në duar, vërtiteshin tutje-tëhu kryeqytetit, hynin me dhunë në shtëpitë e të shënuarve, i lidhnin me hekura e litarë dhe i shpinin para shtabit partizan, tek i plotfuqishmi Kristo Themelko (Shuli). Sa e sa të pafajshëm janë pushkatuar rrugëve dhe kalldrëmeve të Tiranës pa vajtur ende në shtabin partizan, të tjerë janë ekzekutuar para syve të nënave e grave, duke i tërhequr zvarrë dhe groposur në gropa anonime, ku familjarët, në mjaft raste, nuk kanë gjetur ende eshtrat e tyre që të mund t’i vendosin në një varr!
Masakra e Tiranës e fundvitit 1944 është dëshmia më e saktë e atij kalvari që pagëzoi me gjak, dhunë e terror pemën e pretenduar të lirisë së shqiptarëve, e cila, përgjatë një gjysmë shekulli të çmendur, do të rezultonte se ishte pema e genocidit ndaj shtresës elitare të shoqërisë shqiptare që ndër kohëra pati treguar se ishte një shtresë fisnike në sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare.
Sipas dëshmive të personave okularë, numri i të ekzekutuarve pa gjyq gjatë asaj periudhe në qytetin e Tiranës i kalon të njëqind vetët. Vetëm në ish-hotel Brisol, që ndodhej në qendër të Tiranës, u gjetën një mbrëmje 12 kufoma të masakruara, midis të cilave dhe kufoma e një gruaje.
Ndër të pushkatuarit e atyre ditëve tragjike janë evidentuar 38 martirë: Abdulla Saraçi, Akil Sakiqi, Azis Blloshmi, Anton Fekeçi, Aleks Mavraqi, Ali Panariti, Bajram Cuka, Boris Belevski, Faik Shkupi, Ismail Petrela, Isuf Allamani, Jorgji Mema, Hamit Greblleshi, Hasan Dine, Jakup Deliallisi, Lluka Xhumara, Muharrem Liku, Muharrem Lleshi, Muntaz Ivokolari, Mehmet Dado, Minella Kathoçi, Nazmi Uruçi, Nebil Çika, Ndue Pali, Petraq Pekmezi, Rifat Tërshana, Rakip Kalenja, Selim Kelmendi, Selim Braja, Syrja Kokalari, Selman Alikorça, Selman Shtjefni, Subi Topalli, Shefqet Deliallasi, Vesim Kokolari.
Ata që i shpëtuan plumbave ishin të burgosurit e parë për të cilët u hapën dyert e burgut të vjetër dhe burgut të ri, si dhe qelitë e hetuesive. Natyrisht dhe këta do të merrnin dënimin, dikush me vdekje dhe dikush me burgim.

G .A., Antologjia krimit komunist, Tiranë, 2006.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s