Home

Qëndresa antisovjetike në Estoni, 1944 – 1955

Duke nisur nga fundi i vitit 1944, por më shumë midis viteve 1945 dhe 1946, në vende të ndryshme të Evropës Lindore, të liruara nga zgjedha naziste, filloi të zhvillohej një qëndresë antisovjetike dhe, më përgjithësisht, antikomuniste. Të trembur nga qëndrimi armiqësor dhe nga politika shtypëse e forcave të armatosura dhe policisë sovjetike, që zëvendësoi atë gjermane, shumë (ndoshta shifra e plotë është rreth gjysmë milioni) shtetas të vendeve baltike (50 000 estonez, 60 000 letonez dhe 120 000 lituanez), por dhe shumë ukrainas, polak, hungarez, rumunë, etj. kaluan në ilegalitet për të luftuar me armë në dorë regjimet e reja që Moska ngriti në Evropën Lindore.
Për këtë lëvizje të gjerë, ndërshtetërore, u shkrua pak deri në hapjen e arkivave sekrete sovjetike, gjatë qeverisjes së Gorbaçiovit. Qeveritë e Paktit të Varshavës historikisht kishin zvogëluar përmasat e këtij fenomeni, duke mos lëshuar asnjë të dhënë për shtypin. Por edhe në vendet Perëndimore, ku njihej ky fakt, asgjë, ose pothuajse asgjë, nuk u tha, raportua apo denoncua, kjo mbi të gjithë për të mënjanuar mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Pas mësymjes së madhe të verës së 1944, Ushtria e Kuqe pushtoi Estonin e cila në maj të 1945 u aneksua plotësisht dhe u shndërrua, bashkë me dy vendet e tjera baltike, në republikë socialiste e varur nga Moska. Pushtimi u shoqërua me një valë të dhunshme shtypjesh policore, kjo edhe sepse gjatë verës së 1941 dhe asaj të 1944, mijëra estonez kishin pranuar të rekrutoheshin në Ushtrinë gjermane, për të luftuar kundër sovjetikëve (1). Jo rastësisht, operacioni i parë, i mirë studiuar dhe në shkallë të gjerë, i “spastrimit” etnik dhe politik, u ndërmor midis fundit të vitit 1944 dhe fillimit të 1945. Bastisjet e para, të urdhëruara nga Stalini dhe zbatuar nga NKVD-ja, KGB-ja dhe MVD-ja (ministria e Brendshme), shkaktuan arrestimin dhe internimin në Siberi të jo më pak se 50 000 estonezëve. Shtypja në vend të shkaktonte përuljen e popullsisë nuk bëri gjë tjetër veçse përforcoi ndjenjat kundrejt pushtuesve.
Pas një përpjekjeje të parë, në vjeshtën e 1944 (pra njëkohësisht me tërheqjen e forcave gjermane), për rikrijimin e Republikës së Estonisë, shumë njerëz besuan se në përfundim të luftës, Fuqitë Perëndimore (BM, SHBA dhe Franca) do të ndërhynin, në një farë mënyre, për të mbrojtur mëvetësinë e rigjetur të baltikëve. Shpresë e kotë, sepse Uashingtoni dhe Londra e lejuan Stalinin të shtrinte tentakulat mbi të gjitha kombet e Evropës jug-lindore, qendër-lindore dhe veri-lindore.
Duke nisur nga fundit i 1944, rreth 20 – 25 000 ish ushtarakë (mjaft prej të cilëve kishin shërbyer në Ushtrinë gjermane) dhe civilë estonez vendosën të kalonin në ilegalitet, duke u fshehur në pyje. Shpejt dhe në mënyrë të vetvetishme lindën grupet e para partizane, antisovjetike, të quajtur Vëllezërit e Pyllit. Mes krerëve të kësaj lëvizje nacionaliste dhe antikomuniste ishte dhe Ülo Altermann, një udhëheqës i lindur dhe i pajisur me aftësi të larta organizative. Nën drejtimin e tij bandat (në disa prej të cilave u përfshinë edhe disa oficerë gjermanë që kishin mbetur pas tërheqjes) nisën të grumbullonin të gjitha armët dhe municionet që kishte lënë pas Wehrmacht-i, duke arritur kështu të formojë disa batalione të cilat numëronin rreth 250 – 300 burra. Nga marsi i 1945, partizanët kryen një goditjet e para kundër kolonave të motorizuara dhe postëkomandave të vogla ruse.
Megjithëkëtë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi ushtarak sovjetik, i shtrirë edhe në Letoni dhe Lituani, u përforcua edhe më. Pasi kuptuan që asnjë shtet perëndimor nuk do të rrezikonte për të ndihmuar Vëllezërit e Pyllit, autoritetet ushtarake dhe policore ruse ju përkushtuan operacioneve të kundër gueriljes, por edhe atyre policore të cilat preknin familjarët dhe bashkëpunëtorët e partizanëve estonez. Nga Moska u sollën mijëra ushtarë të trupave speciale dhe qindra agjentë të NKVD-së të cilët, duke përdorur sistemin e kanosjes, kërcënimet me armë dhe torturat mbi civilët, ja dolën të vilnin të dhënat e nevojshme për të zbuluar, kapur, burgosur dhe internuar mijëra estonez të akuzuar për mbështetje ose thjesht për lidhje farefisnore me partizanët. Njëkohësisht, forcat speciale të Ushtrisë së Kuqe, ndihmuar edhe nga qindra “milicë” komunist estonez, shpeshtuan kontrollet nëpër pyje duke identifikuar disa celula nacionalistësh të armatosur. Nëpër fshatra, trupat sovjetike u morën me fshatarët, kategoria sociale që më shumë mbështeste rebelët, duke djegur banesat dhe pushkatuar, apo varur jo më pak se 1 000 veta. (2)
Në verën e 1945, Vëllezërit e Pyllit shpërthyen në një varg sulmesh kundër autokolonave dhe kazermave ruse. Sigurisht, objektiv i rebelëve ishin njësitë armike më të izoluara, sovjetët e fshatrave dhe këshillat ekzekutiv të komunave, formuar nga bashkëpatriot që kishin kaluar me komunistët. Gjatë këtyre sulmeve, partizanët kapën rob dhjetëra funksionarë, taksambledhës dhe policë të cilët u gjykuan (dhe shpesh dënuan me vdekje) nga Gjykatat e Pyllit. Gjithmonë gjatë këtyre sulmeve, rebelët hapën dhjetëra depo të Rezervave të shtetit që mbanin grurë, produkte ushqimore, pajisje bujqësore dhe veshmbathje. Është për t’u theksuar se shumë rrallë partizanët sulmonin pasuritë, e pakta, të fshatarëve apo të qytetarëve të thjeshtë. (3)
Gjatë vitit 1945 NKVD-ja regjistroi 340 sulme nga ana e të ashtuquajturve “banditë fashistë”, duke pranuar humbjen e qindra efektivëve të Ushtrisë së Kuqe. Gjithmonë sipas arkivave të NKVD-së, gjatë të njëjtës periudhë formacionet klandestine realizuan 136 “sulme të drejtpërdrejta kundër kazermave, postëkomandave dhe depove të Ushtrisë së Kuqe”. Një pjesë e këtyre aksioneve, të kryer nga grupe të përbëra nga jo më shumë se 10 burrash, u planifikuan dhe kryen nën drejtimin e Arnold Lindermann-it. Thellësisht i bezdisur nga raportet e Policisë Sekrete dhe të Ushtrisë, Stalini në fillim të 1946 urdhëroi forcimin e veprimtarisë jo vetëm kundër grupeve të veçanta, por kundër të gjithë popullsisë së atyre zonave që rusët, me të drejtë apo jo, i cilësonin si mbështetës të Vëllezërve të Pyllit. Si paralajmërim Stalini dërgoi në republikën baltike 15 – 20 000 ushtarë të tjerë, të mbështetur nga tanke, autoblinda dhe avionë zbulues. Veç këtyre, Komanda Sovjetike e Talinit vendosi shpërblime të shumta mbi kokën e krerëve partizanë, duke kërcënuar me kundërmasa të rrepta “shtetasit estonez që nuk pranonin të bashkëpunonin, edhe nëpërmjet spiunimeve, në kapjen e rebelëve fashistë”. Me gjithë kërcënimet, pjesa më e madhe e popullsisë estoneze, mbi të gjithë ata të zonave rurale, që tashmë kishte humbur pasuritë e veta si pasojë e kolektivizimit të detyruar, vazhdoi të mbështeste ose të paktën të ishte në anën e Vëllezërve të Pyllit. Kështu vazhdoi edhe për nja dy vjet; formacionet partizane ja dolën të përballonin Ushtrinë e Kuqe.
Kthesa ndodhi nga fundi i vitit 1948, kur Stalini i xhindosur nga një tjetër sulm i suksesshëm ndaj një depoje të madhe të ushtrisë, urdhëroi për hakmarrje burgosjen e 2 000 shtetasve, krejtësisht të pafajshëm, estonez. Vijuan dhjetëra operacione të ngjashme, të gjitha ndaj personave plotësisht të pa lidhur me qëndresën, sekuestrime banesash dhe pronash dhe burgosje “individësh të dyshimtë në bindjet marksiste”. Qëllimi ishte krijimi i një klime terrori dhe ngjallja e antipatisë së opinionit publik për Vëllezërit e Pyllit. Gjatë dimrit 1948 – 1949, sovjetikët arritën deri aty sa ulën tej mase furnizimet me produkte ushqimore dhe lëndë djegëse për popullsinë, për ta shtyrë të mohonte dhe të ndahej nga lëvizja nacionaliste. Me shpërnguljet masive të marsit 1949 (gjatë të cilave rreth 100 000 shtetas estonez u zhdukën në tokat e largëta lindore të Bashkimit Sovjetik), gjendja e Vëllezërve të Pyllit u bë dramatike. Ishte një goditje e rëndë për Qëndresën. Shumë partizanë nisën të dyshonin mbi dobinë e vazhdimit të luftës. U regjistruan disa dezertime, por fal vendosmërisë dhe karakterit të disa prej krerëve, pjesa më e madhe e luftëtarëve vendosi të mos tërhiqej. Plotësisht të harruar nga Perëndimi (në fakt duket se në fillim të viteve pesëdhjetë, anglo-amerikanët u përpoqën – shumë pak herë – të furnizonin guerilët estonez në rrugë ajrore, duke u nisur nga baza daneze në ishullin Bornholm), rreth 5 000 rebelë vazhduan të luftonin; paçka internimit të familjarëve dhe eliminimit të mbështetësve të tyre. Nga 1945 deri në 1959, 75 000 estones u burgosën dhe 19 000 u pushkatuan apo varën në litar. Në vitin 1953 autoritetet sovjetike, që numëronin jo më pak se 75 000 ushtarë dhe policë, nisën mësymjen e përgjithshme, duke krehur të gjithë pyjet e vendit dhe duke kapur, internuar ose dënuar me vdekje rreth 3 000 rebelë. Ishte fillimi i fundit. Njëra pas tjetrës, të gjitha celulat e qëndresës u identifikuan dhe u eliminuan. Sipas përllogaritjeve të Policisë Sekrete sovjetike, në vitin 1955, të armatosur dhe të fshehur nëpër pyjet më të dendur, nuk ishin më shumë se 900 Vëllezër të Pyllit, në një total prej 50 000 luftëtarësh aktiv dhe mbështetësish. Në të vërtetë duhet të kalojë ende kohë që të deklarohet plotësisht i shuar rebelimi estonez. Sipas arkivave të NKVD-së, grupimi i fundit partizan, nën urdhrat e Oskar Lillenurm-it, u rrethua dhe eliminua në vitin 1975. Lillenurm-i – i cili arriti t’i shpëtonte masakrës – u gjet i vdekur, në rrethana të dyshimta, në pranverën e vitit 1980, në një pyll të kontesë së Läänemaa-s.

(1) Duke nisur nga korriku i 1941, një numër i madh estonezësh dhe letonësh (popullsitë baltike historikisht kishin mbajtur marrëdhëniet më të forta me botën gjermane) u rekrutuan në Ushtrinë gjermane, për të luftuar kundër sovjetikëve. Për t’u shënuar se në 1944, pra kur fatet e luftës dukeshin të shënuara, njësitë e estonëve dhe të letonëve, mes të cilave Divizioni 20° Waffen SS, vazhduan të luftonin me vendosmëri të madhe duke u shkaktuar rusëve humbje shumë të rënda. Kur gjermanët u detyruan të largoheshin nga vendet baltike, lanë prapa disa reparte të vogla vullnetarësh ekspertë për të organizuar gueriljen në prapavijat e armikut. Edhe nga këto grupe, më pas, do të lindnin Vëllezërit e Pyllit.
(2) Në periudhën 1944 – 47, në Estoni, sovjetikët nisën reformën agrare. Në zonat ku u shpronësuan fshatarët dhe pronarët e vegjë dhe të mesëm, u ngritën fermat dhe ndërmarrjet bujqësore shtetërore (sovkhoz). Fillimisht rusët nuk krijuan kolkhoz-et. Qëllimi i reformës ishte ngjallja e grindjeve mes shtresave të ndryshme të popullsisë rurale dhe fitimi i mbështetjes për regjimin kukull të Talinit. Moska rihapi minierat estoneze duke i dhënë një shtysë përpara prodhimit të energjisë elektrike, por që pothuajse e gjitha dërgohej në zonën e Leningradit. Në kuadër të procesit të rusifikimit, Stalini dërgoi dhjetëra mijëra punëtorë dhe fshatarë me prejardhje nga të gjitha anët e Bashkimit Sovjetik (nga 1945 deri në 1950, në Estoni mbërritën 170 000 emigrantë). Qëllimi ishte krijimi i një “kolonie” ruse. Njëkohësisht vendasit u zhveshën nga shumë prej të drejtave themelore. U ndalua e drejta e organizimit, shtypit dhe e zhvendosjes brenda për brenda shtetit. Banorët e një vendi të caktuar e kishin të ndaluar të dilnin nga ai vend dhe, sipas nevojave, duhet të punonin “vullnetarisht” për realizimin e çdo nisme prodhuese të ndërmarrë nga Moska, me përfitimin e plotë dhe të vetëm të Bashkimit Sovjetik. Mijëra estonez u përdorën në minierat e uranit, ku dhe vdiqën. Një pjesë e këtij urani përpunohej në stabilimentet e Sillamäe-s, ku si duket u ndërtuan dhe bombat e para bërthamore ruse.
(3) Në vendet baltike, po ashtu dhe në Ukrainë apo në vende të tjera të Lindjes, në të cilat pati revolta antikomuniste, Moska ngriti një sistem të fuqishëm shtypës. Bënin pjesë trupat e brendshme të NKVD-së; trupat speciale të NKVD-së (“spetsgrupy”), shumë të aftë në operacionet kundër gueriljes; repartet e NKGB-së; forcat e SMERSH-it, grupim vrasësish të specializuar në eliminimin fizik të kundërshtarëve politik, edhe jashtë vendit; agjentët e GRU-s (Glavnoe Razveedjvatelnoe Upravliene); shërbimet sekrete ushtarake; milicinë komuniste vendase e cila ishte e përbërë edhe nga njësi Istrebitelnnye Bataliony “Strybki”, që kishin për detyrë kërkimin dhe shkatërrimin e gueriljes.

Alberto Rosselli
Përkthim Red. MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s