Home

Kohë më parë Vladimir Bukovskij thoshte se nuk mund të ekzistonte një komunist që të ishte inteligjent dhe njëkohësisht të ishte në mirëbesim: nëse është në mirëbesim, është një idiot, nëse është inteligjent do të thotë që ka interesa vetjake mjaftueshëm të pista. Disidenti i madh rus nuk ishte në dijeni të një mundësie të tretë.
Kjo mundësi u paraqit në vitin 1996 nga profesor Raffaele Vizioli, pedagog i Neurologjisë në Universitetin “La Sapienza” [të Romës] dhe zëvendës kryetar i Shoqatës italiane të Psikiatrisë biologjike, në studimin “Psikopatologjia e komunizmit” [Psicopatologia del comunismo]. Përtej hollësive didaktike dhe duke vlerësuar vetëm sjelljen verbale dhe jo verbale të komiteteve të ndryshme antifashiste apo pacifiste, mund të arrihet, me një siguri të kënaqshme, në diagnozën e “psikozës paranojake”.
Mendimi komunist është i organizuar mbi një skemë ekskluzivisht emocionale që mohon çdo parametër të realitetit dhe që vepron mbi shtresat impulsive dhe parake të trungut të trurit.
Mekanizmi psikopatologjik mund të kuptohet fare lehtë me disa shembuj. “Komunizmi ka luftuar gjithmonë për demokracinë, lirinë dhe mirëqenien e njeriut”. Tani, ka ndonjë që mund t’a dokumentojë këtë pohim, në cilindo vend të botës – që prej Revolucionit të tetorit e deri më sot? Ka ndonjë popull që mund të dëshmojë begatinë e arritur dhe liritë vetjake të fituara në një sistem komunist? Asnjë!

Apologjetët e shkretë do të përgjigjeshin se ai nuk ishte komunizmi “i vërtetë”, që komunizmi “i vërtetë” është tjetër gjë dhe në tjetër vend. “Komunizmi është mbrojtësi i pakicave dhe i bindjeve vetjake” Ku? Në Itali, për shembull, homoseksuali Pasolini u përjashtua nga Partia komuniste si i padenjë moralisht. Spanja njohu eliminimin më të përgjakshëm të aleatëve anarkistë, nga ana e komunistëve.
“Komunizmi është për paqen mes popujve”. Është pak e vështirë që kjo tezë të mbështetet nga një ideologji që ka shkaktuar mbi njëqind milionë të vdekur, në rast se për paqe nuk nënkuptohet ajo e përhershmja e varreve të të gjithë kundërshtarëve dhe të disidentëve që mbushën kampet e përqendrimit dhe burgjet.
Shembujt mund të vazhdojnë, por një pyetje lind vetvetiu: nëse kjo është një sëmundje, cila mund të jetë kura? Këtu çështja bëhet delikate.
Problemi klinik është aq i rëndë sa hyn në kategorinë e shqetësimeve që cilësohen jo vetëm si të pa shërueshme, por si të pa trajtueshme. Komunisti tipik është një narcizist që është mbërthyer aq keq në identitetin e tij të rremë sa që nuk mund të tolerojë një ballafaqim me realitetin.
Mekanizmat e tij mbrojtës janë ata parakët: mohimi, që largon çdo përgjegjësi dhe ndërgjegjësim; dhe pasqyrimi që ju vesh të tjerëve shkaqet e dështimeve dhe frustimeve. Ndërsa nga njëra anë kemi në pavetëdije një perceptim të dështimit vetjak dhe politik, i cili është i papranueshëm në mënyrë racionale, nga ana tjetër kemi një ndërhyrje patologjike kompensuese për të përballuar ndjesinë e pafuqisë dhe të zhgënjimit.
Dobësia e tij, inkompetenca dhe fatkeqësia shkaktojnë reagime të tepruara që në fund kthehen në një paraqitje mendore dhe në një strukturë të karakterit.

Komunisti nuk pranon pasigurinë, pra dialektikën e logjikuar, por jeton dhe vihet në marrëdhënie me tjetrin dhe me botën që e rrethon vetëm nëpërmjet filtrit të dyshimit dhe të mosbesimit, sepse mbrojtjet e tij psikike – thelbësore për të ruajtur një imazh të idealizuar të vetvetes, qoftë dhe ky edhe i deformuar – e pengojnë të ballafaqohet me pikëpamjet e të tjerëve, të pranojë një nivel besimi dhe të pranojë hipoteza dhe parashikime.
Bota komuniste është një “pseudokomunitet paranojak”, domethënë një sistem imagjinar brenda të cilit qëndron e vërteta dhe drejtësia, ndërsa jashtë tij mbizotëron një aparat përndjekës dhe i keq.
Kjo gjendje psikike pashmangshmërisht shkakton një ndjenjë të vetme: urrejtjen. Me fjalë të tjera, nëse çdo gjë interpretohet kundër tij, çdo gjë është armike, pra e urryer dhe për t’u shkatërruar. Brenda kësaj logjike perverse dhe regresive, kundërshtimet nuk mund të tolerohen dhe i vetmi veprim i mundshëm është të bësh të heshtë cilindo që mund të paraqitet si rrezik për identitetin e tij të sëmurë.
Përmbysja e realitetit, mohimi i tij dhe mburrja për një të vërtetë absolute e cila duhet të vendoset me çdo mjet, kjo është dinamika paranojake dhe komuniste. Trocki thoshte se, përballë një projekti të parealizueshëm, Lenini t’i jetë përgjigjur: “Nëse plani im bie ndesh me realitetin, aq më keq për realitetin”. Lenini dështoi, komunizmi u mbyll në mjerim, e vetmja gjë e sigurt tani – përtej pamundësisë së dialogut – është se këto relikte të mbetura do të vdesin të çmendur.

Adriano Segatori

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s