Tani Putkini dëshiron atë që ka pas bërë Stalini, duke shpresuar se do t’i ecë që të rimëkëmbë “parimet” e zonave të influencës, të cilat dokumentet e reja i kanë damkosur me vulën e turpit. N. Baciu i ka paraqitur në librin e tij “Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes”. Këto të ashtuquajtura “zona të influencës”, si pazarllëqe në dëm të kombeve të vegjël, nga forca agresive. Ëndërron të bëhet rishtazi një superfuqi. Po i ngjan Tartarinit të Taraskonit të Alfons Dodé-së.
Por komunistët e Putkinit janë katandisur si i plotfuqishmi i dikurshëm, Ellxhër Hisi, që i tralliste trutë Ruzveltit, duke përfituar edhe nga sëmundja e presidentit, por që u dënua, më vonë, me vite burgimi! Edhe Bashkimi Europian, po i përforcon radhët që Putkini, tepër larg nga Kosova, të mos i vërë kthetrat e tij aty ku nuk i takon, me ndërmjetësinë e Serbisë, vasales së tij sllave. Ky vend, që ka ardhur nga Uralet dhe nga Karpatet në sh. VII pas Krishtit, atje ku shqiptarët ishin autoktonë që para Krishtit, kërkon ta kërcënojë fqinjin e tij me luftë, duke harruar se e humbi luftën kundër NATO-s, që i doli në mbrojtje Kosovës së martirizuar. Na kujton Sadam Hyseinin, që e humbi – së pari – luftën, kur deshi të gllabërojë Kuvajtin dhe nuk iu druajt fare një lufte të re të mëvonshme. Por dihet si përfundoi.
Vërtet që Nikolas Baciu është kundër “kapitullimit pa kushte”, por amà kundrejt agresorëve qe duan të zgjerojnë kufijtë e tyre. Rumania nuk e kishte me hak kapitullimin pa kushte, sipas autorit të librit “Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes” . Se Rumania ishte viktimë e agresorit, me argumentin historik se ia ktheu armët Gjermanisë hitleriane. Porse Sadami, po të kishte kapitulluar pa kushte që në luftën e parë të Gjirit, demokracia do të kishte përfitim dhe mungesë energjish.
Bandat e Car Llazarit duhet t’i kenë parasysh këto vringëllime armësh, që mund të bëhen bumerang për ta!
Kanibalizmi i mirëfilltë i mbuluar nga propaganda verbuese
Stalini krijoi një perandori të pamasë komuniste, duke vënë nën skllavëri popuj të tërë. Jetësoi dhe tejkaloi ëndrrën e Pjetrit të Madh, dëshmi e një deliri shovinist të paparë në të gjithë historinë e njerëzimit. Testamenti i famshëm i Carit të Rusisë, Pjetrit, pëmban 13 pika dhe është nënshkruar në vitin 1724 në Moskë.Në librin e dokumentuar përmes arkivave të bllokuara prej më shumë se katër dhjetëvjeçarëve por, së fundi, të zhbllokuara, qëmtuesi rumun Nikolas Baciu, në librin e tij që i dha një pamje të re historiografisë së pasluftës, “ Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes”, porosit të gjithë politikanët e botës që të shqyrtojnë një për një dokumentet që ai i shpalos në librin e tij, për të kuptuar sesi u vu gjysma e njerëzimit në një diktaturë mizore, që e çoi prapa ecurinë e rruzullit, për shekuj të tërë.
Ky libër po bëhet si një busull e re orientimi për ndërgjegjësim ndaj një katastrofe me përmasa të përbotshme, pas Luftës II Botërore, pasojat e së cilës ndihen edhe sot, rëndshëm e dhimbshëm, në fatet e shprishura të një pjese të madhe të njerëzimit. Sepse u përftua një virus i ri, një kolerë e re e kuqe, kërcënuese për t’i kundërvënë një bote të re demokratike lëngatën e diktaturës. Nuk mjaftoi tragjedia e viteve 1917- ’39, me urinë e gjithmbarshme, në kolkozet dhe në qytetet. Pas Luftës II Botëore, Maoizmi (pjellë e Ruzveltit dhe e Çëçillit, sado e çuditshme që të duket, por e dokumentuar nga faktet e reja të N. Baciut), mbolli një fatkeqësi të madhe me viktima të panumërta, në kontinente të tjera përveç, Azisë (veçanërisht në Afrikë), tamam në kohën kur Kina e shumë populluar ra në një varfëri katastrofike, si kolkozet e mjeruara të Stalinit, ku kanibalizmi u bë një dukuri e përbindshme në Bashkimin Sovjetik, (dhe në Kinë) për të lehtësuar sadopak urinë vdekjeprurëse.
Janë fakte tragjike, këto, të vërtetuara në libra të papërgënjeshtrueshëm. Njëri ndër këta libra, nga më mbresëlënësit, është ai i polakut Rikard Kapuçinskit, që cilësohet si në majën e lëvruesve më të spikatur të reportazhit politik. Xhon le Carré, duke e krahasuar këtë gazetar të jashtëzakonshëm që ka qenë në më shumë se në 100 vende të botës dhe e ka parë me sytë e vet mjerimin komunist, vëren se “ në qoftë se Gabriel Garcia Markuezi është magjistari i realizmit magjik, Kapuçinski, në të njëjtën shkallë, është çudibërësi i reportazhit politik”. Libri i tij “Imperium” është përkthyer në shqip në vitin 2000 (ribotuar në vitin 2005). Në faqen 92 të këtij libri bëhet fjalë për dhjetëra mijëra kufoma njerëzish të vdekur rrugëve “ndërsa (citoj) nuk ishin të rralla rastet kur nëna të luajtura mendsh nga uria, të pandërgjegjshme për veprimet e tyre, shkëmbenin fëmijët për t’i ngrënë,. Vdisnin në Ukrainë, në Povollzh, në Siberi, në Ural, në Detin e Bardhë… “. E njëjta gjë është shkruar edhe për fëmijët kinezë që flijoheshin në kohën e Maos. E pabesueshme? Në një libër të dokumentuar të historianit nga më të mëdhenjtë e sh. XX, Alan Bullock-ut, që Time e përcakton si një kryevepër saktësie dhe parashikimi, gjendet një foto nga më të rrallat që i kanë shpëtuar censurës, me të vdekurit nga uria nëpër trotuaret e kolkozeve.
Propaganda komuniste në orvatjen për të mbuluar mjerimin
E, ndërkaq, propaganda komuniste shurdhon dynjanë për epërsinë e sistemit socialist! Nën peshën e kësaj propagande mashtruese kanë rënë edhe njerëz të shquar. Gjarpri me zile e hipnotizon viktimën, me lëkurën shumëngjyrëshe, përpara se ta asgjësojë. Veçse krimet e komunizmit janë trajtuar në mënyrë të mbuluar, të zbehtë, të pa thelluar, në krahasim me krimet naziste, të cilat patën edhe një Gjyq Ndërkombëtar në Nuremberg. „Nurembergu komunist“ nuk ekziston endé dhe kjo ka peshën e vet në absurdin e mungesës së gjenocidit (!) në sistemin komunist. Shqipëria është, mbase, në krye të listës, ku jo vetëm u rehabilituan keqbërësit, por u quajt edhe si një e drejtë historike që komunizmi enverist t’i nxjerrë dhëmbët me portretet e diktaturës nëpër institucionet shtetërore dhe me zyrtarizimin e partive enveriste, në kundërshtim me kriteret që ka caktuar ministria e Drejtësisë për njohjen e partive të tilla. Majtizmi europian ka mëkatet e tij në këto dallime. Sipas historianëve seriozë, që pranojnë dallimet e kësaj natyre, shkaku kryesor është se BRSS është ndër shtetet fituese të Luftës II Botërore. Vea victis (mjerë të mundurit)! Drejtpeshimi historik e humbi objektivitetin. Megjithatë majtizmi shqiptar është i pangjashëm me atë europian, që ka ndëshkuar krimet e Stalinit. Le të gjendet një majtist fanatik shqiptar, i shquar ose jo, që të ketë bërë qoftë edhe një artikull të vetëm, kundër Stalinit, qoftë edhe pas 1990-s. As Nexhmija s’e ka bërë këtë. Do të ndëshkohej, tërthorazi, Enver Hoxha! Ai i cili e mbajti gojën squk për antishqiptarizmin e Stalinit (Historia e ‘Gëlltitjes’). Gabimet më të mëdha të shumë shkrimtarëve perëndimorë, kanë qenë udhëtimet e tyre për të parë diktaturat e për t’u thurur, pastaj, lavde diktatorëve. Në këto kurthe kanë rënë, sidomos, admirues të diktaturës staliniste. Kritiku Sevilias ka shkruar: „Ndërsa propaganda dhe kritika letrare e ka përnjollosur rëndshëm kolaboracionizmin, është lënë disi e zbutur dhe në një lloj harrese të qëllimtë, ana tjetër e medaljes. Është fakt se kujtesa e epokës sonë është më e heshtur dhe më zemërbutë me ata që u komprometuan me faqen tjetër të totalitarizmit. Komunizmi, si edhe nazizmi, kanë shkaktuar miliona viktima (Komunizmi: 100 milionë. Nazizmi 25 milionë ). Megjithatë komunizmi i dalldisi në ëndrra shumë gjenerata shkrimtarësh” .
Zhan-Pol Sartri dhe Simona dë Bovuari, u dalldisën pas Kubës dhe u bënë ithtarë të Mao Ce Dunit. Por Sevillia bën këtë diçiturë, nën foton me Maon: „Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit. Në Rusi, në Pekin apo në Havanë, në ëndrrat e ëndërrimtarëve, është fshehur ferri“. Do të shtoja se komunistët tanë shqiptarë kanë përfituar nga kjo psikozë majtiste e mostrajtimit objektiv dhe të paanshëm të krimeve të komunizmit. Kështu vërejmë shkrime historike me doktrinarizmin e dikurshëm, me prirjen për ta bërë historinë vijimisht sipas shabloneve komuniste, me etjen për të zhbërë krimet e enverizmit, me guximin për ta rehabilituar enverizmin në shtyp dhe në mediat, si edhe me falsitetin se majtistët tanë janë properëndimorë dhe proamerikanë!
Qysh në vitin 1920, kur ekzistonin gulagët në BS, Pierre Paskali, një ish-student i shkollës së lartë për arsim i vendosur në Moskë, përshëndet sistemin që të burgosurit sovjetikë i nënshtroheshin një „Regjimi të shëndetshëm të punës dhe të edukimit“ (!). Akademicieni i ardhshëm, Zhorzh Dyhamel, duket si i magjepsur nga revolucioni rus ( „Udhëtim në Rusi, 1928 ). Në kohën kur në Ukrainë bënte kërdinë uria, kryetari i bashkisë së Lionit, Eduard Herriot (Heriò) boton në “Orient” kujtimet e udhëtimit, në të cilat mahnitet për „perimoret
kolkoziane, të ujitura e të kultivuara në mënyrë të admirueshme“.
Në vitin 1935 e ka radhën Romain Roland-i pë t’u takuar me Stalinin. Udhëtimi i tij, si edhe ai i Hanri Barbusse-it (Barbysit), që kishte botuar në vitin 1935 një haxhiografi (biografi përkëdhelore), kishte udhëtuar me bollëk me shpenzimet sovjetike. Njëherë me Andre Zhidin. Por Zhidi erdhi shpejt në realitetin e gjërave. „Ç’do të thuhet për ne, që e kemi deklaruar BRSS-në si një atdhe të zgjedhur, si një shembull, si një udhërrëfyes?- shkruan ai, i trishtuar, duke e dënuar, tanimë, regjimin stalinist. (Zhidi i ishte larguar vizitës kolektive të një kolkozi-farsë dhe kishte vajtur në një kolkoz jashtë reklame, nga i cili kishte ikur i lemerisur!) Edhe Luí Aragoni përfitoi shumë herë nga mikpritja sovjetike. Por pas vitit 1956, Raporti i Krushovit për krimet e Stalinit zgjoi emocione të forta. Zhgënjimi u bë edhe më tronditës nga revolta e hungarezëve dhe shtypja mizore e kësaj kryengritjeje.
Megjithatë disa intelektualë iu drejtuan Kubës, për ta gjetur atje parajsën tokësore.Në vitin 1960 Zhan – Pol Sartri dhe Simona dë Bovuari përurojnë modën e udhëtimeve për në Havanë. Në kohën kur kubanët ishin zhytur në mjerim dhe në shtypje, Hanri Alegu bënte një bilanc idiliak të kastrizmit në librin e tij „Kuba fitimtare”.Ja, pra, ferri, i fshehur në halucinacionet e këtyre njerëzve të artit, për të cilët duhet rikujtuar thënia e Marcel Aymé-së që i krahason me hajvanët, kur merren me politikë (des bêtes!). Pas revolucionit kulturor të ‘66-s, një best-seller i komunistes italiane, Maria-Antonieta Macciocchi (Maçòki), me titullin „Mbi Kinën“, shkruante: „Mao Ce Duni është thelbësisht antidogmatik dhe antiautoritar“ (!).
Dështimi i pangjirikëve
Vetëm se, përveç Maria Maçokit, as komunistët shqiptarë s’ia pranojnë këto ditirambe udhëheqësit të lavdishëm. Jo sepse ai i meritonte apo s’i meritonte; por sepse E. Hoxha, pasi e ngriti në qiell diellin Mao, më shumë se e përçartura Marie, në fund s’la gjë pa thënë kundër tij e kinezërive të tij! Me fitoren e rëndësishme të së djathtës në Europë pas destalinizimit këto ekzaltime të njerëzve me peshë në botën e letërsisë dhe të artit, po flashkeshin. Ata emra, disa prej të cilëve u rreshtuan më sipër, kanë vlerën e tyre të padyshimtë, por nuk do t’i shohim më në mënyrë të njëanshme. Siç e pamë, kritiku i shquar Marcel Aymé, edhe njerëzit e mëdhenj i krahason me hajvanët, kur merren me politikë fanatike. Një pjesë e asaj fjale fshikulluese ( ‘des bêtes’ ) i takon edhe Zhan – Pol Sartrit. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes të Sartrit, që u programua të festohej para mjaft vitesh, organizatorët u zhgënjyen për mungesën e madhe të pjesëmarrjes në ceremoninë përkujtimore. Sartri nuk u zu më në gojë për “politikën” e tij. Destalinizimi ua kishte hequr përfundimisht aureolën shumë njerëzve të shquar të kulturës të cilët, megjithatë, për vlera të tjera të qenësishme, nuk mund të hidhen poshtë. Por, amà, me mirëdashje mund të quhen naivë.E keqja e madhe qëndron në atë se u trallisën edhe protagonistë të mëdhenj të politikës, gjatë Luftës II Botërore. “Ruzvelti dhe Çërçilli kishin vendosur vetë, në mënyrë të fshehtë, për fatet e botës”- shkruhet në f. 13 të librit “Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes”. Kjo përbën befasinë e këtij libri. Dhe që Ruzvelti dhe Çëçilli të cilësohen kaq ashpërsisht, është një përgjegjësi e madhe profesionale, që kërkon argumentime të pakontestueshme. Kësaj ia ka arritur plotësisht autori Nikolas Baciu, përmes faktesh që janë zgjuar nga një letargji e gjatë 40-vjeçare. “Në vijim të faqeve që vijnë, ne do të shohim sesi Ruzvelti, i magjepsur nga Stalini, pranoi t’i jepte këtij gjithçka që ky dëshironte” – shkruan autori, pas një faqeje. Dhe më tej: “Të gjitha protestat anglo-amerikane të njerëzve të sinqertë kundër vendosjes së qeverive komuniste në Europën Lindore, e gjejnë pamjen e tyre të vërtetë në lëshimet e turpshme që iu bënë Stalinit”. Për Jaltën, autori shkruan: “Marrëveshjet e vërteta të Jaltës nuk u bënë në Krime, në shkurt të 1945-s. Ato ishin përfundimi i traktativave të fshehta të panumërta, me gojë apo me shkrim, që bëheshin gjatë të gjithë kohës prej vitit 1941 gjer në shkurt të vitit 1945”.
Testamenti i Pjetrit të Madh
Në f. 34 të “Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes”, do të lexojmë: “Ç’ naivitet dhe ç’ injorancë e presidentit amerikan i cili, në vitin 1943, u thoshte atyre që donin ta dëgjonin, se ai kishte bindjen që “Stalini nuk ishte imperialist!”. Ç’ mungesë e kulturës politike e një njeriu, që ishte presidenti i vendit më të fuqishëm të tokës! Një president që nuk kishte lexuar as historinë e Rusisë, as Testamentin e Pjetrit të Madh, as Karl Marksin, as Leninin!
Ky njeri, së paku, duhet të kishte kuptuar që kjo ishte dhe do të ishte gjithmonë e frymëzuar nga një synim i madh politik. Ky projekt ekspansionist është ai i Testamentit të Pjetrit të Madh dhe mjetet e tij të shprehjes janë herë pansllavizmi, herë komunizmi. Do të ishte mirë që të fiksojmë në kujtesë Testamentin e Pjetrit të Madh, siç ishte botuar nga Teodor Kodresku më 10 gusht 1892, sipas edicionit francez të shkurtit të vitit 1843, botuar në gazetën L’Écho Français (Jehona Franceze):
1. Pjetri i Madh, duke zbuluar një përrua, e shndërroi atë në lumë; pasardhësit e tij duhet ta bëjnë një oqean të madh, që do të mbulojë të gjithë Europën.
2. Pasardhësit e tij duhet të jenë në gjendje lufte të përhershme me Europën dhe të përfitojnë nga çdo rast që të hapin luftë.
3. Duhet të përfitojmë në maksimum nga zbulimet dhe mësimet që vijnë nga jashtë, gjithmonë duke ruajtur identitetin tonë.
4. Të mbjellim grindjet në Poloni.
5. Të zgjerojmë trojet tona sa më shumë në dëm të Suedisë.
6. Të bashkohemi në lidhje martesash me princeshat gjermane.
7. Të nxisim tregtinë tonë me Anglinë.
8. Të fitojmë pa reshtur troje drejt Veriut, drejt brigjeve Baltike dhe drejt Jugut, në drejtim të Detit të Zi.
9. T’i afrohemi sa më shumë që të jetë e mundur Konstantinopojës dhe Indisë.
10. T’u hapim luftë Turqisë dhe Persisë, me qëllim që t’i pushtojmë dhe të arrijmë në Gjirin Persik
11. Le të bëjmë Greqinë, Hungarinë, Poloninë…etj. një kolonë të pestë për Rusinë.
12. Pas vënies në dorë të Suedisë, të Persisë, të Polonisë, të Turqisë, Rusia duhet të merret vesh përpjesëtimin e botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t’i përplasim njërën me tjetrën, pastaj t’i shkatërrojmë.
13. Të gjitha këto janë të mundshme. Europa duhet shkatërruar.
Shkruar në vitin 1724 në Moskë
Nënshkruar: Pietri i Madh.
Komenti u autorit:
“Ja se ç’ duhet të lexojë çdo politikan para se të futet në studimin e Punëve të jashtme. Ja se çfarë duhet të dinte një kandidat për Shtëpinë e Bardhë, para se të bëhet njëri ndër instrumentet e fateve të njerëzimit. Në qoftë se Ruzvelti do të ishte paksa i paqartë për këto apo do t’i kishte njohuritë sipërfaqësore për këto probleme ai, duke i sjellë edhe njëherë në kujtesë, do të kuptonte më mirë se ç’ kërkonte Stalini me rastin e vizitës së Idenit në Moskë, në dhjetor të vitit 1941”. Demokrati i sinqertë, kreu i diplomacisë amerikane, Kordell Halli, u mënjanua nga Ruzvelti Cenimi i Kartës së Atlantikut , me dredhitë e Stalinit, ishte i padurueshëm nga ministri i Jashtëm i Ruzveltit, Kordell Halli. Anglezët – shkruhet në libër, – ishin të prirur t’i pranonin marrëveshjet e fshehta dhe të nënshkruanin traktatet sekrete me Stalinin. Veçse, amerikanët – më saktësisht Departamenti i Shtetit në personin e Kordell Hall-it – ishin kategorikisht kundër për çdo diskutim për këto çështje para përfundimit fitimtar të Luftës Le të citojmë disa pasazhe nga “Kujtimet” e Kordell Hall-it, mjaft të qarta për këtë çështje: “Njëri ndër shqetësimet e mia më të mëdha dhe telashi më i madh i presidentit gjatë gjysmës së parë të vitit 1942, ishin ambiciet tokësore të Rusisë në Europë … dhe sidomos këmbëngulja e Stalinit për të bindur aleatët perëndimorë për nevojën që të garantoheshin përparësitë ruse, me shkrim të menjëhershëm.”. (Vëll 2 i “Kujtimeve”, f. 1165). Me qëllim që të kuptojmë më mirë gabimet e Ruzveltit për Ballkanin duhet që, qysh në fillim, të nënvizojmë faktin që Departamenti i Shtetit, si edhe një komision dy partish (formuar nga demokratë dhe republikanë), kishte formuluar një plan paqeje, të mbështetur në Kartën e Atlantikut, plan që përjashtonte çdo aneksim tokësor dhe zona të influencës”.
Kordell Hall-i ia kishte shprehur qartësisht vullnetin e tij Idenit, para vizitës për në Moskë, në një telegram, më 5 dhjetor 1941, drejtuar ambasadorit të tij Winant. “Për sa u përket problemeve që do të shtrohen pas luftës, ne kemi treguar se ato ishin përcaktuar qartësisht në Kartën e Atlantikut. “Ne kishim arritur në përfundimin” – vazhdon Hall-i “ se do të ishte tragjike që njëra nga të tri qeveritë të shprehte dëshirën që të bënte marrëveshje individuale. Halli nuk pati mirëkuptimin e duhur. Dhe dha dorëheqjen…
Putkini dhe ëndrra e tij për rivendosjen e Perandorisë
Kosova në rrezikun e Zonave të Influencës
Dokumentet e panjohura që tani kanë dalë në dritë, i vënë politikanët përpara një pëgjegjësie të re: të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. Njëri pas tjetrit historianët e çindoktrinuar po vënë në dukje gabime të cilat i quajnë fatale për fatet e popujve. Autori ynë është nga të parët me librin e tij shumë të çmuar “Si u tradhtua dhe u shit Europa e Lindjes”. Tani Putkini ushqen iluzionet se do të mund të përsëritet historia e zonave të influencës, duke i bërë apel kolonës së pestë të tij që të çorientojë Europën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Synimi, për çka na intereson, është që ta bëjë Kosovën, me popullsi tërësisht shqiptare, koloni të Serbisë aleate, tërësisht sllave. Nuk mundi dot të dalë në Adriatik përmes Malit të Zi, i cili nuk e pranoi zgjedhën serbe; dhe këtë zgjedhë u dashka ta pranojë, tani, Kosova, pas lumenjve të gjakut që pësoi nga vandalizmi serb i kriminelit të Hagës, Sllobodan Millosheviçit, përmes babëzisë së Koshtunicës, e të tjerëve si ai, pasardhës shpirtërorë të paramilitarëve gjakësorë të tipit të Arkanit, që Serbia po i ruan të paprekur dhe të fshehur në qarqet shoviniste serbe.. Komunizmi në shkallë botërore ra dhe Stalinit i doli boja në kryeqytetin e tij, Moskën, në Kongresin XX të P.K.(b) të BRSS-së ku mori fill, së pari, ajo dukuria historike me emërtimin destalinizim. Rënia e komunizmit në vigjiljen e viteve Nëntëdhjetë ka karakter ekonomik: Vendet e socializmit real, nuk i bënë dot ballë kompeticionit me ekonominë perëndimore. Rënia e komunizmit preku edhe Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Por regjimi i ri, pas atij të Titos e të Rankoviçit, tashmë nën drejtimin e Millosheviçit, me Partinë e tij Socialiste, të drejtuar nga bashkëshortja e tij, mbeti me po ato mendësí komuniste, si e regjimit paraardhës. Dhe kështu Federata Jugosllave u shkërmoq dhe mbeti e reduktuar vetëm në Serbinë, së cilës, më së fundi, iu shkëput edhe Mali i Zi. Putini e qau dhimbshëm atë kriterin kobzi të zonave të influencës, për daljen në Adriatik. Mbetet absurdi që Kosova t’i blatohet me çdo kusht Serbisë, me “premtimin” e autonomisë substanciale! Autonomi e cila është bërë një sinonim i kolonizimit anakronik, të zhdukur që në shekullin e mëparshëm! Autonomi, me bandat e Arkanit, tanimë të zëvendësuara me hordhitë e Car Llazarit, me thikën nëpër dhëmbë, të nxitura nga pseudodemokratët e qeverisjes së Kushtenicës, që e varrosën Millosheviçin me nderime të mëdha. Sllavët, që kishin ardhur nga Uralet dhe nga Karpatet në sh. VII pas Krishtit, atje ku shqiptarët ishin autoktonë që para Krishtit, duket se kanë harruar se e humbën luftën kundër NATO-s, që i doli në mbrojtje Kosovës së martirizuar. Këta anakronikë na sjellin në kujtesë Sadam Hyseinin, që e humbi – së pari – luftën dhe nuk iu druajt fare një lufte të re të mëvonshme. Por dihet si përfundoi Sadami. Historia mund të vonojë por nuk harron…
Kostaq Xoxa