Home

Veç dy ligjeve për gjykatat ushtarake, pas ardhjes në pushtet filloi nxjerrja e ligjeve me karakter ekonomik, politik, financiar e shoqëror, që do të shërbenin njëherazi për realizimin e qëllimeve politike dhe të politikës ekonomike të komunistëve. Me kategorinë e fundit do të realizohej përqendrimi i ekonomisë në duart e shtetit, e cila nga njëra anë do të sillte “përmbysjen e klasave të vjetra sunduese”, nga ana tjetër “marrëdhëniet e vjetra kapitaliste do të zëvendësoheshin me marrëdhëniet e reja socialiste”. Të gjitha ndryshimet pagëzoheshin me parullën e përgjithshme “shndërrime revolucionare” (1).

Më 15 dhjetor 1944 u miratuan një sërë ligjesh:
– Kontrolli i shtetit mbi industrinë dhe shoqëritë shqiptare. – Ndalimi i eksportit të metaleve me vleftë (ar, argjend, platin dhe gurë të çmuar) në çdo trajtë, duke përfshirë stolitë, dhe ndalimi i eksportit të prodhimeve bujqësore e industriale, ligj që mund të konsiderohet si fillimi i vendosjes së kontrollit të shtetit mbi tregtinë e jashtme. – Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit. – Rekuizimi i prodhimeve ushqimore (grurë, misër, thekër, elb, sheqer, oriz, etj.), përveç ushqimit familjar dhe të farës, i prodhimeve farmaceutike dhe ndërtesave, dhe bllokimi e rekuizimi i mjeteve të transportit tokësor (kuaj, mushka, qé, karro, biçikleta, motoçikleta, automobila dhe vegla shkëmbimi, goma), të transportit ujor (lundra dhe anije të çdo lloji deti ose liqeni, etj.), të lëndëve të ndërtimit (çimento, hekurishte, lëndë druri, gëlqere, etj.), të vajrave lubrifikante dhe “të çdo sendi e mjeti tjetër të domosdoshëm për ushtrinë dhe rindërtimin e vendit”. Rekuizimi do bëhej “kundrejt një shpërblimi të arsyeshëm”, por me vendim të Këshillit të Ministrave “përjashtoheshin [nga shpërblimi] sendet e domosdoshme për bujqësinë dhe për funksionimin e zyrave dhe shërbimeve publike”. – Konfiskimi i pasurisë së tundshme e të patundshme të arratisurve politikë. – Mobilizim civil i specialistëve (2).

Për kontrollin e shtetit mbi industrinë dhe shoqëritë shqiptare e të huaja, u vendosën pranë tyre komisarët. Ky person, që ishte “përfaqësues i pushtetit revolucionar”, mbante lidhje të drejtpërdrejta me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Llogaria rrjedhëse e ndërmarrjeve dhe shoqërive nuk mund të përdorej lirisht nga pronari. Depozitimet në bankë nuk mund të përdoreshin jashtë prodhimit; pa miratimin e komisarit degët e bankës nuk shlyenin asnjë pagesë. U hoq fshehtësia tregtare si dhe tjetërsimi i pasurisë. Sabotuesit ndëshkoheshin në bazë të ligjit të famshëm të 15 dhjetorit 1944 mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit, si dhe të dispozitave të tjera ligjore dhe nënligjore (3).
Më 13 janar 1945 u miratuan dy kategori ligjesh: – Mbi konfiskimin e pasurive shtetërore italiane dhe gjermane që ndodheshin në Shqipëri dhe mbi marrjen nën kontroll të pasurive të shtetasve të tyre (4). – Tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës.
Të nesërmen dolën dy ligje të tjera: – Dispozita të përgjithshme mbi konfiskimin e pasurisë private (5). – Anulimi i konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj dhe krijimi i Bankës së Shtetit Shqiptar (6), e cila u hap më 17 janar 1945 dhe po atë ditë u bë njoftimi i parë zyrtar për kursin e këmbimit të monedhave prej ari (7). Më 23 shtator vendosi një kurs shkëmbimi kartëmonedhash. – Në gusht u suprimua dhe u likuidua Banka Kombëtare e Punës, kurse në nëntor Banka e Napolit në Shqipëri, të dyja banka italiane (8).
Më 18 maj doli ligji që ndalonte tregtinë e arit (9) i cili nga njëra anë ishte i detyruar për kushtet që u krijuan, nga ana tjetër shërbeu për konfiskimin e tij. Këmbimi i arit do të bëhej nën monopolin e Bankës së Shtetit. Kështu lindi tregu i zi për këmbimin privat të arit. Kundërvajtësit dënoheshin rëndë, deri me vdekje, kurse kallëzuesi shpërblehej me 25% të arit të sekuestruar.
Në fillim të qershorit 1945 Ministria e Financave urdhëroi ndalimin e eksport-importit të bankënotave shqiptare si dhe shitblerjen e valutave të huaja (10). Një vendim i 4 shkurtit 1946 (i ndryshuar më 4 dhjetor) i Këshillit të Ministrave urdhëronte denoncimin brenda 21 ditësh të valutave dhe divizave të huaja (11). U ngrit një valë sekuestrimesh në tërë vendin (12).
Me qëllim zhvleftësimin e bankënotave e çekmonedhave false si dhe të atyre që ndodheshin jashtë Shqipërisë, BSHSH-ja urdhëroi vërtetimin (i quajtur “syrshazim”) e tyre që u bë me anë të një vulosjeje, me afat 29 qershori deri më 8 korrik 1945 (13). Në qendrat e vulosjes mund të paraqitej vetëm një person për çdo familje, zakonisht kryefamiljari. Me këtë rast kontrollohej çdo familje për shumat e parave që dispononte si bankënota (14). Bankënotat që nuk u paraqitën për vulosje kapën vlerën pre 101.005.000 fr.sh. – shumë që doli jashtë qarkullimit monetar, gjë që, sipas pushtetarëve uli inflacionin – kundrejt sasisë prej 286.100.000 të monedhës në qarkullim në fund të vitit 1945 (15). Pjesa më e madhe e bankënotave që nuk u paraqitën për vulosje u takonte shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ku përfshiheshin edhe ata në Jugosllavi.
Po në korrik doli ligji mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve të huaj që ndodheshin pa leje jashtë Shqipërisë. Kurse në gusht Ministria e Financave nxori një urdhëresë që detyronte të gjithë banorët të denonconin pasuritë që kishin jashtë shtetit (16).
Në dhjetor Ministria e Ekonomisë nxori një urdhëresë me penalitet, mbi «Ushtrimin e tregtisë me shumicë dhe me pakicë», me të cilën edhe tregtia e brendshme private vihej praktikisht nën kontrollin e shtetit. Ndërmjet të tjerash, tregtarët nuk mund të bënin shitje me shumicë pa autorizim të komitetit ekzekutiv të prefekturës. Ky komitet caktonte edhe çmimet e mjaft sendeve të nevojës së parë (17). Taksat ishin progresive, me tendencë të theksuar për të rënduar të kamurit.

1) Historia e Partisë, 194.
2) GZ, 23 dhjetor 1944. / Shtesë në GZ, 25 prill 1945.
3) Fishta – Toçi, 104, 105,106.
4) GZ, 23 janar 1945. / Për zhvillimet shih: Saraçi, 145-76.
5) Po aty.
6) Bashkimi, 17 janar 1945. / Fisher, 206.
7) Bashkimi, 17 janar 1945. / GZ, 1 shkurt 1945.
8) Përkatësisht: GZ, 2 gusht 1945. / GZ, 13 nëntor 1945.
9) GZ, 22 maj 1945.
10) GZ, 9 qershor 1945.
11) Përkatësisht: GZ, 12 shkurt 1946. / GZ, 19 dhjetor 1946.
12) Saraçi, 365.
13) GZ, 28 qershor 1945. / Vula, në formë drejtkëndëshi, mbante përbrenda një shqiponjë me yll dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar” [Bashkimi, 1 korrik 1948], megjithëse me Kushtetutë ylli u vu mbi shqiponjën në mars 1946.
14) Kur dyshohej për vërtetësinë e pronësisë, shumat mbi 10.000 fr.sh. depozitoheshin në bankë për hetim të mëtejshëm, kundrejt një dëftese [AQSH, F. BSHSH, v. 1945, d. 30. Në: Fishta-Toçi, 166-7].
15) AQSH, përkatësisht F. BSHSH, v. 1946, d. 26. / v. 1948, d. 32. Në Fishta-Toçi, 196, 170.
16) Përkatësisht: GZ, 24 korrik 1945. / GZ, 17 gusht 1945.
17) GZ, 24 dhjetor 1945.

Luan Dode, Sundim pa pushtim – Shqipëri 1945-1948, Instituti i Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë 2014, f 132-135

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s