«Në ishull ishte një roje që quhej Kostja Venikov. Ishte i ri dhe i vinte vërdallë një vajze të bukur, që ishte e internuar aty. E mbronte. Një ditë, ju desh të largohej dhe i tha një shoku: Ruaje ti, por me gjithë ata njerëz përreth, nuk mundi të bënte gjë… dikush e mori dhe e lidhi pas një plepi: i prenë kraharorin, muskujt, çdo gjë që mund të hahej. Kur Kostja u kthye, vajza ishte ende gjallë. Donte ta shpëtonte por ajo kishte humbur shumë gjak dhe vdiq. Këto gjëra ishin të zakonshme».
Kjo ngjarje nuk është shkëputur nga një tregim i Stephen King-ut. Më rëndë: nga raporti i një komisioni hetimor i partisë komuniste ruse. Ky raport tregon për disa shpërngulje në Siberi dhe mban datën 1933. Sigurisht bëri bujë sepse jo vetëm që na shfaq dramën tronditëse të shfarosjes dhe të shpërnguljeve masive të kulakëve dhe të kundërshtarëve politikë, por na paraqet dhe një plan pervers dhe çnjerëzor: zhvendosjen e detyruar në Siberi për mijëra «element të rrezikshëm për shoqërinë», me qëllim ngritjen e ngulimeve njerëzore në pafundësinë e lindjes së largët ruse dhe mbi të gjitha, verifikimin e aftësive për t’u përshtatur të qenieve njerëzore. Ngjarja mbeti e groposur për 60 vjet në mjegullat e murit të hekurt. Studiuesi Nicolas Werth, një prej autorëve të Librit të zi të komunizmit, e rindërton këtë histori në “Ishulli i kanibalëve”.
Projekti, fillimisht i ideuar nga Stalini ishte mjaft ambicioz. Sipas dokumenteve bëhej fjalë për «ngulimin e dy milion “mbeturinash njerëzore” në territoret e virgjëra, qindra kilometra larg nga hekurudha më e afërt». Që në krye të herës, kostot financiare nuk lejuan zbatimin e plotë të programit, por ishulli i vogël siberian Nazino, do të bëhej teatër i heshtur i një prej episodeve më drithëruese të metodave staliniane. Jo më kot, popullsitë vendase e quajnë «Ishulli i Vdekjes» apo «Ishulli i Kanibalëve».
Odiseja e mijëra të shpërngulurve nisi në Tomsk, një «kamp shpërndarjeje», 900 km. larg nga vendmbërritja e tyre. Parregullsitë në grumbullimin e njerëzve ishin aq të dukshme sa dhe ndonjë prej kriminelëve më mizor komunist i cilësonte si të pajustifikuara. Raporti i një drejtuesi të Zyrës Politike denoncon, psh., shpërnguljen edhe të burrave mbi 100 vjeçar, fëmijëve jetim nga të dy prindërit dhe të aparatçikëve besnik ndaj ungjillit të Leninit. Një ndër ta ishte dhe Pëtr Cal, një rrobaqepës bije e të cilit ishte «anëtare e Partisë dhe punonte në shërbimin diplomatik, u internua sepse ishte pronar i banesës në të cilën jetonte».
Për 5 000 nga të shpërngulurit me forcë – numri i përgjithshëm ishte shumë më i lartë – qëndrimi në kampin e Tomsk-ut nuk zgjati shumë: në mesin e muajit maj të 1933, erdhi urdhri, i papritur dhe parakohshëm, për transferimin në ishullin Nazino. Urdhri i zbatua më 15 maj (të shpërngulurit, të ngjeshur si bagëti për thertore në tre lundra, mbërritën në ishull tre ditë më vonë). Pamjet përpara syve të funksionarëve rusë me shërbim në «Ishullin e Vdekjes» ishin tronditëse: nga pesëmijë, të paktën një e treta ishin kockë e lëkurë. Disa kishin vdekur gjatë rrugës. Racionet ushqimore ishin të pamjaftueshme: mbërriti vetëm një e treta e atyre që parashikoheshin. Mungonte çdo lloj infrastrukture. Të vdekurit nga uria rriteshin ditë pas dite: më 23 maj ishin mbi 70.
«5 ndër ta – shkruajnë mjekët oficerë – u ishin hequr mëlçia, zemra dhe copa mishi të butë (gjoksi dhe pulpat). Njërës prej kufomave i ishin prerë koka, testikujt dhe një pjesë e lëkurës. Ditën e sotme, vetë të internuarit, na dorëzuan tre njerëz që kishin duart me gjak dhe kishin me vete copa mëlçie njerëzore».
Tetë ditë më vonë vërtetohet rasti i parë i kanibalizmit. Justifikimi i autoriteteve ishte i pabesueshëm: sipas mjekëve, individët që kanë kryer aktet e antropofagjisë, nuk ishin as të dobët dhe as të uritur. Kryenin ato akte nga zakoni pasi «ishin prej kohësh kanibalë». Moskokëçarës autoritetet vazhduan të dërgonin njerëz në Nazino, deri sa Rober Ejche «padroni i Siberisë perëndimore», vendosi ta mbyllte atë çështje. Më 12 qershor ishulli i braktis dhe të mbijetuarit i dërguan në zona të afërta. Bilanci ishte mbi 4 000 të vdekur. Megjithëse faktet e «Ishullit të Vdekjes» përbëjnë një nga faqet më mizore dhe të marra të diktaturës ruse, nga ana statistikore përbëjnë vetëm një pikë ujë në detin e tmerreve staliniane. Këto viktima, bashkë me dhjetëra miliona të tjera, duhet të presin 60 vite që historia e tyre të shfaqet nëpër cekëtinat një ideologjie të çmendur dhe çnjerëzore.
Filipo Maria Battaglia, “Il Giornale”, 11-VI-2007.