“Çështja Nazino” është një eksperiment social mbijetese i kryer nga autoritetet sovjetike në vitin 1933 në ishullin Nazino, rreth 800 km. në veri të Tomsk-it, në distriktin Alexandrovsky në Oblast Toms. Ky eksperiment përfshiu, sipas burimeve të ndryshme, nga 6 000 deri në 13 000 persona, nga të cilët për shkak të urisë apo kanibalizmit, në verën e 1933 humbën jetën 4 000 prej tyre.
Për të realizuar këtë projekt, autoritetet përkatëse, shpërngulën disa mijëra persona që bënin pjesë në kategoritë e cilësuara si “të deklasuar dhe të dëmshëm për shoqërinë”. Personat internoheshin në hapësirat e shkreta të Siberisë, si psh. në Nazino, për të vërtetuar besueshmërinë e tyre në raportet shoqërore dhe njëkohësisht me qëllim ngritjen e kolonive.
Një raport mbi eksperimentin u përpilua dhe ju dorëzua Stalinit nga Arsenievich Velichko, më tej për anëtarët e Politbyrosë e shpërndau Lazar Kaganovic. Ky raport u ruajt në arkivat e Novisibirsk-ut. Sipas tij, në fund të majit të vitit 1933 në ishull gjendeshin 6 114 persona, pjesa më e madhe e të cilëve vinin nga Moska dhe Leningradi. Ata ishin transportuar, fillimisht me linjën hekurudhore të Tomsk-ut dhe në fund, në ishull, me lundra lumore. Gjatë lundrimit kishin vdekur 27 persona, 295 të tjerë humbën jetën, për shkak të kushteve meteorologjike (dëborë dhe stuhi), natën e parë në ishull. Gjendja u përkeqësua edhe më pasi në katër ditët që pasuan zbarkimin nuk u shpërndanë ushqime. Në vitet që vijuan Nazino, në Bashkimin Sovjetik, u bë i njohur si ishulli i kanibalëve, për shkak të episodeve të kanibalizmit që ndodhën midis të internuarve, të cilët autoritetet i lanë pa ushqime që ditën e parë të zbarkimit.
Kjo çështje u bë e njohur për opinionin publik ndërshtetëror vetëm pas rënies së regjimit sovjetik dhe hapjes së arkivave qeveritare.
Materiali historik i mbledhur nga studiuesit u përdor për të rrëfyer dhe kuptuar më mirë eksperimentin dhe pasojat e tij. Një ndër ta është dhe Nicolas Werth i cili ka shkruar librin-hetim “Ishulli i kanibalëve” i cili përqendrohet mbi këtë dhe eksperimente të ngjashme të realizuar nga autoritet sovjetike përgjatë viteve.
Në shkurt të vitit 1933, Genrich Grigorevic Jagoda, shefi i GPU-së, dhe Metvei Berman, përgjegjësi i Gulagëve, i paraqitën Stalinit (tekstualisht) “projektin madhështor” i cili parashikonte vendosjen me forcë të rreth 2 milionë njerëzve në Siberi dhe Kazakistan.
Kolonët, brenda rreth dy viteve, duke krijuar komunitete të vetëmjaftueshme, do të mund t’i siguronin Bashkimit Sovjetik shfrytëzimin e një milion hektarëve tokë të virgjër. “Kandidatët” për shpërngulje, numri i të cilëve u zbrit në një milion, ishin fshatarë, kulakë, qytetarë të padëshiruar në qytetet e Rusisë perëndimore dhe kriminelë. Përzgjedhja e tyre, si edhe në rastet e tjera, lehtësohej nga sistemi i pasaportizimit sovjetik. Teorikisht projekti Yagoda-Berman, bazohej në suksesin e internimit të rreth dy milionë kulakëve gjatë trevjeçarit të kaluar, por gjendja e vendit këtë herë ishte më delikate. Zija e bukës (1932-33) shkaktuar nga kolektivizimi dhe eliminimi i kulakëve, të cilët historikisht ishin klasa prodhuese bujqësore e perandorisë ruse, kishte dobësuar mundësitë logjistike të qeverisë së Moskës. Në maj të 1933, Stalini e tërhoqi autorizimin për nisjen e eksperimentit, por me vonesë, të internuarit ishin nisur.
Plani Yagoda-Berman parashikonte zhvendosjen e të internuarve përgjatë vijës Tomsk-Omsk-Achinsk. Kampi më i madh i përqendrimit ishte në Tomsk, i cili në atë kohë po rindërtohej dhe parashikohej që brenda datës 1 maj të priste 15 000 të burgosur. Nga Tomsk-u, vendmbërritja përfundimtare do të arrihej duke kaluar lumenjtë Ob’ dhe Tom’, të cilët deri në fund të majit do të ishin të bllokuar nga dëbora. Në prill, 25 000 të shpërngulur, pjesa më e madhe e të cilëve kulakë dhe banorë të Rusisë jugore, “të sëmurë dhe të uritur”, kishin zbritur në stacionin hekurudhor të Tomsk-ut. Dy kolona, një nga Leningradi dhe tjetri nga Moska, u nisën për Tomsk, përkatësisht në datat 29 dhe 30 prill, duke arritur të dy në datën 10 maj. Gjatë udhëtimit, racioni i përditshëm ushqimor ishte 300 gr. bukë. Grupet e kriminelëve në mënyrë të rregullt u rrëmbenin teshat dhe ushqimet të burgosurve politikë apo fshatarëve. Duke pranuar pamundësinë e për të drejtuar një numër aq të lartë “të shpërngulurish të rrezikshëm”, autoritetet e Tomsk-ut vendosën t’i dërgojnë në kampin e punës më të izoluar.
Në datën 3 maj, të internuarit protestuan për ujë të pijshëm dhe u furnizuan nga kavaleria. Në datën 5 maj autoritetet e Komandës Alexandro-Vakhovskaja, që zyrtarisht ishin përgjegjëse për kampin e punës, u njoftuan rreth prezencës së të shpërngulurve. Njoftim, gjithsesi, i kot për faktin se Komanda nuk drejtonte të shpërngulurit me qëllim kolonizimin e detyruar dhe që nuk kishte me se t’i ushqente apo vishte. Në datën 14 maj, 5 000 kolonë, pa pajisje apo ushqime, u hipën në katër lundra lumore që përdoreshin për transportin e lëndës drusore. Me vete kishin racion ushqimor ditor prej 200 gr. bukë. Një e treta e tyre ishin kriminelë ndërsa rreth 2 000 ishin të deklasuar që vinin nga Moska dhe Leningradi.
Shërbimi i rojeve sigurohej nga dy komanda dhe 50 rekrutë, të armatosur po pa këpucë dhe uniforma. Në lundra gjendeshin dhe 20 ton miell që do të shërbenin për të ushqyer të internuarit gjatë ditëve të para. Mesatarisht përkonte me rreth 4 kg. miell për çdo të internuar. Vendmbërritja ishte ishulli Nazino, një rrip toke 3 km. i gjatë dhe në pikën me shtrirjen më të madhe, 600 m. i gjerë.
Në 18 maj nga lundrat zbarkuan 322 gra, 4556 burra dhe 27 kufoma. Pas zbarkimit, një e treta e tyre nuk ishte në gjendje as të rrinte në këmbë. Më 27 maj, 1 200 të internuar të tjerë ju bashkuan grupit të parë.
Menjëherë sapo mielli u shkarkua nga lundrat (më 22 maj), nisën përleshje të furishme, të cilat u mbyllën me të shtënat e rojeve. Ngarkesa ushqimore i zhvendos në plazhin përkundër atij të zbarkimit dhe shpërndarja e ushqimeve u caktua të bëhej në mëngjesin e nesërm. Atë mëngjes pati përsëri përleshje dhe një numër të lartë ekzekutimesh. Për të përfunduar punën rojet vendosën të vepronin me sistemin e brigadierëve. Një brigadier ngarkohej për të tërhequr miellin për gjithë brigadën e tij, që përbëhej nga 150 njerëz. Pjesa më e madhe e brigadierëve ishin kriminelë që abuzuan me detyrën që ju dha. Të pa pajisur me furra për të pjekur bukën, të internuarit filluan të hanin miellin duke e përzier me ujë lumi, gjë që shkaktoi një epidemi dizenterie. Disa u përpoqën të arratiseshin me lundra që ndërtuan vetë, pjesa më e madhe e tyre u mbytën dhe trupat dolën në plazhet e ishullit. Ata pak që mundën të arratiseshin, gjithsesi, u cilësuan si të vdekur: kushtet e jetesës në tajgë dhe mungesa e plotë e vendbanimeve veç atij të Tomsk-ut justifikonin cilësimin. Rojet, nga ana tjetër, u treguan mjaft të zellshëm në ndjekjen e çdo të arratisuri.
Në 21 maj, tre mjekë oficerë të trupës së rojës, numëruan 70 kufoma të reja, duke identifikuar pesë rastet e para të kanibalizmit. Gjatë qershorit, 50 të internuar u arrestuan me akuzën e kanibalizmit. Me përjashtim të 157 individëve, të cilët nuk mund të lëviznin për arsye shëndetësore, të mbijetuarit (2 856 persona) u transferuan në lokalitete të tjera përgjatë lumit. Disa qindra prej tyre vdiqën gjatë transportit. Të mbijetuarit, gjithmonë të pa pajisur dhe të goditur nga një epidemi tifoje, nuk pranuan të punonin në lokalitetin e ri. Në korrik, autoritet sovjetike, ngritën lokalitete të reja duke shfrytëzuar punën e personave që nuk ishin subjekt internimi. Vetëm 250 kolonë të Nazinos u transferuan në këto lokalitete. Lokalitete të cilat pritën dërgesat e reja nga Tomsk-u, rreth 4 200 të internuar të tjerë. Sipas raportit që Velichko i dërgoi Stalinit, më 2 gusht të vitit 1933, vetëm 2 200 persona gjendeshin në Tomsk, nga 6 700 që ishin dërguar.
Në tetorin pasardhës, komisioni i ngarkuar për vlerësimin e raportit Velichko, doli në përfundimin se nga të mbijetuarit, vetëm 200-300 ishin ende duke punuar.