Aleksandr Solzenicyn lindi në vitin 1918, jetim nga i ati, i diplomuar për matematikë dhe për një kohë të gjatë ishte marksist dhe leninist i bindur (më vonë do të thoshte, një përzierje «midis një marksisti dhe një demokrati»). Aleksandr Solzenicyn ishte kapiten i Ushtrisë së Kuqe kur në shkurt të vitit 1945 u arrestua nga policia sovjetike. E mbërthyen kur ishte i strukur në baltën e përzier me dëborë nga e cila shtinte kundër gjermanëve.
«Organet» kishin përgjuar letrat që oficeri njëzetegjashtë vjeçar kishte shkëmbyer me një mikun e tij. Letra në të cilat nuk ishin treguar shumë të sjellshëm ndaj «kapobandës» , domethënë Stalinit. Për më shumë, dy miqtë projektonin krijimin e një «organizate» ku të mblidheshin të gjithë ata që mendonin për të këqijat e komunizmit të vërtetë në vendin e tyre. Sipas nenit 58 të Kodit Penal sovjetik ky nuk ishte faj, ishte krim. Dhjetë vite në kamp përqendrimi i haje edhe për shumë më pak. Gjatë viteve tridhjetë, një hidraulik, në dhomën e vet, fikte gjithmonë radion kur spikeri lexonte gjithë patos letrat që adhuruesit i dërgonin Stalinit. U padit nga një fqinj dhe i dhanë tetë vite. Këto, në shumicën e rasteve ishin dënime që jepeshin nga një Gjykatë administrative, në të cilat nuk kishin nevojë as për seanca, as për dëshmitarë dhe as për paraqitjen e të akuzuarit, gjithsesi vendimet ishin të paapelueshme.
Pas shpinës së gjykatësit paraprak, që filloi të merrte në pyetje Solzenicyn-in gjendej një portret i figurës së plotë të Stalinit, katër metra i lartë. Ndërmjet gjykatësit dhe të paditurit nuk kishte vend për shumë diskutime, duhej vetëm nënshkruar një letër në të cilën i akuzuari pranonte se nuk ishte rob zoti. Nga oficer i Ushtrisë së Kuqe u kthye në Zek, domethënë «i burgosur» dhe i tillë do të mbetet për njëmbëdhjetë vite, deri sa u rehabilitua në vitin 1957. Njëmbëdhjetë vite të kaluara fillimisht në kamp përqendrimi dhe më pas në internim. Në qeli herë me një e herë me 150 të dënuar të tjerë. Nga kjo përvojë lindi një shkrimtar simbol i shekullit XX. Përpara se të arrestohej kishte mbushur katër blloqe shënimesh në të cilat kishte shënuar të gjitha ato që kishte parë me sytë e tij në tre vite e gjysmë luftë kundër gjermanëve. Luftë në vijën e parë. Shënimet i sekuestruan që çastin e parë por nuk i lexuan kurrë. Përfunduan në një sobë me dru. Çdo gjë që përbën Solzenicyn-in dhe që mban plagët e tij lind gjatë hetimit përballë gjykatësit me uniformë, i cili nuk ka as interesin më të vogël për të zbuluar të vërtetën, qoftë i fajshëm apo jo i pandehuri. Interesi i tij i vetëm është të shtojë radhët e fajtorëve që regjimi përtyp që prej lindjes së tij në tetorin e 1917. Që në krye të herës Vladimir Ulianovic Lenin kishte kërcënuar se do të shtypte të gjithë «insektet» që do të guxonin t’i kundërviheshin kontrollit absolut të bolshevikëve. Nuk ka as “para” dhe as “pas” në historinë e fitores politike të bolshevizmit, ajo fitore që nga çasti i parë mori format shkatërrimit të çdo përbërësi të shoqërisë dhe të mungesës së lirive më bazike. Quhet komunizëm, or mik. Është i vetmi komunizëm i mundshëm. Nuk ka pasur të tjerë në faqen e kësaj bote.
Nuk është as e vërtetë që një dhunë dhe një epsh shkatërrues i tillë t’i përkasin gjenetikisht një vendi të prapambetur dhe të egër si BRSS. Në atë BRSS të shekullit të njëzetë, ku po festohej me bujë njëqind vjetori i vdekjes së Alexandr Pukin-it, shkruan Solzenicyn-i, pra në kohën e kinemasë me zë, të radios dhe të avionëve në fluturim, dhjetëra mijëra bisha të stërvitura nga besimi komunist filluan të ushtronin një lloj torture dhe dhune ndaj disidentëve dhe të burgosurve politikë, që nuk ishte më e mundur në Rusi që prej kohës së Katerinës II. Kush njohu dhe burgjet cariste dhe ato staliniane nuk ka dyshime se kush ishte më çnjerëzori. Një grua, e detyronin të rrinte ulur mbi një stol, në korridor, për gjashtë ditë e gjashtë netë: nuk mund as të çohej dhe as të rrëzohej. «Provoheni një herë vetë të rrini ashtu» shkruan Solzenicyn-i. Kishte raste të tjera kur një të akuzuari i jepnin, me forcë, të pinte ujë të kripur dhe pastaj i mohonin ujin për një rresht. Normal që pas një jave kështu robi pranonte se kishte qenë një agjent antibolshevik që kur ishte në shpërgënj. Problemi është që përgjatë viteve tridhjetë dhe deri në gjysmën e viteve pesëdhjetë, në Perëndim kishte shumë ju besonin atyre rrëfimeve dhe nuk flitet vetëm për militantë komunistë, si aktori dhe këngëtari francez Yves Montand (që më vonë pendohet).
Nuk ishte dhuratë
Përgjatë rrugëtimit si lexues, secili prej nesh ka libra për të cilët është penduar që nuk i ka lexuar. Deri në korrikun e kaluar unë ende nuk e kisha lexuar Arkipelagun Gulag, veprën monumentale për të cilën Solzenicyn kishte punuar dhjetë vite. Dhe më vinte turp. Deri sa nuk gjeta në librari një botim të përditësuar. Pak më pak se 1400 faqe, tre kilogram pesha. Botimi i parë ishte rusisht dhe u realizua në Francë në vitin 1973. Një libër dorëshkrimi i të cilit kishte mbërritur në Perëndim fshehurazi, njësoj si Doktor Zhivago i Pastërnakut dhe Jeta dhe Fati i autorit Vasilij Grossman. Nëse ka një libër që ka ndryshuar hartën e ndjeshmërisë së përbashkët perëndimore, pa dyshim që ai është Arkipelagu Gulag. Çdo gjë ishte e padëgjuar më parë dhe moralisht e zhurmshme, duke filluar nga shtrirja dhe tmerri i një universi përqendrimi në vendin që për dyzetë vite cilësohej si «fanari i socializmit». Ai libër ishte fitili që hapi pista të tjera dhe një tjetër gjuhë në historinë kulturore evropiane, duke filluar nga shfaqja e “nouveaux philosophes” në Francë. Sa nga ne që kishin lexuar që në gjimnaz rreth kampeve naziste, dinin të ekzistonte rrjeta e kampeve siberianë të Kolyma-s, që shtriheshin në një sipërfaqe tokësore më të madhe se Franca? Për më shumë që ai libër i fortë dhe tmerrues na drejtohej, mbi të gjitha, neve, lexuesve perëndimor. Nuk ishte një dhuratë, ishte një shpullë turinjve. Ishte gjesti shpërfillës i njërit që nuk na e falte faktin që nuk donim dhe nuk ditëm të shikonim kampet staliniane të viteve tridhjetë dhe dyzetë, dhimbjen prerëse të miliona e miliona rusëve, trenat që gjezdisnin të mbushur me të internuar në grahmat e fundit, bodrumet e Lubiankës ku njerëzit vriteshin natën me nëntë gram plumb të shtënë pas kokës, faktin që ata të cilët kishin «rrotulluar manivelën e grirëses së mishit» në 1937 vazhdonin të jetonin pa u bezdisur nga ndokush në BRSS-në e viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë. (Solzenicyn shkruan se deri në vitin 1966 kishte gjykuar 86 mijë kriminelë nazistë. Në të njëjtën periudhë, për krimet e kohës së Stalinit, në BRSS ishin gjykuar gjithsej 30 vetë.)
Për ne që në një mënyrë apo tjetrën ishim përfshirë në tisin e së majtë, ne që kishim raftet e mbushur me librat e Leninit apo Trockit dhe që gjithsesi admirues të «dhjetë ditëve që tronditën botën», na u shfaq hënore hija e këtij njeriu që moskokëçarjen e Perëndimit e kishte vath në vesh, rrenat e tij, verbimet e tij kolosale diktuar nga “Ideologjia”, jetesa e tij e qetë përballë xhelatëve dhe vrasësve më të pamëshirshëm të shekullit. Libri i parë i Solzenicyn-it “Dita e Ivan Denisovit” kaloi. Ishte një tregim i botuar në 1962 në BRSS, që në thelb kishte vlera letrare, një tregim i shkurtër dhe një dëshmi, një vepër e gëlltitshme për ata që besonin se komunizmi sovjetik ishte forma më e lartë e shoqërisë njerëzore. Tjetër gjë ishte Arkipelagu, ishte një grusht turinjve, për më shumë në një vend [si Italia] ku italkomunizmi ishte një realitet i përhapur dhe i thellë, që kishte prekur shpirtin e shumë njerëzve. Ajo që Solzenicyn-i thoshte për botën, vlente mbi të gjitha për Italinë: «Ndërsa ju merreshit me misteret e padëmshme të bërthamës atomike, studionit ndikimet e Heidegger-it mbi Sartre-n dhe koleksiononit riprodhime të veprave të Pikasos apo me trena të rehatshëm niseshit për pushime, furgonat e policisë nuk ndaleshin dhe sigurimsat trokisnin në dyert tona. » Jo, Arkipelagu nuk përtypej për një pjesë të madhe të publikut italian, të majtë apo ish të majtë. Kjo sepse shpaloste në themel bindje dhe identitete shumë të përhapura. Gian Carlo Pajetta [politikan komunist italian. Shën. MVSK] rrëfeu se nuk do ta lexonte kurrë. Kurrë. Solzenicyn ishte personazh hënor për ne perëndimorët dhe i tillë mbeti gjithmonë. I thoshe “po” me kokë, por “jo” me zemër. Në vitet e emigrimit Perëndimi e priti, por nuk e deshi. As ai nuk ishte i gatshëm për kurrfarë “marrëveshjeje”. Për të gulagu ishte e Keqja Absolute e shekullit XX, koha kur dita u bë natë, dhe për këtë shkroi mbi 1 300 faqe. Faqe të tëra duke treguar në mënyrë të detajuar faktet, emrat dhe skenografitë e kampeve dhe burgjeve që ishin ndërtuar për të pritur 3 mijë të burgosur dhe që në raste të caktuara kishin 40 mijë të tillë, si ishin vrarë viktimat e pafajshme. Rrëfime të ushqyera nga dëshmitë e 270 bashkëqytetarëve të tij, që kishin kaluar dhe ta në gulag.
Ushtria e Vlasov-it
I përjashtuar nga BRSS-ja në vitin 1974 (do të rikthehej në 1994, ku dhe vdiq nga infarkti në 2 gusht të vitit 2008), konflikti i Solzenicyn-it me Perëndimin është radikal, pa rrugëdalje. Gjykimi i tij nis që nga rezultati i Luftës së Dytë Botërore, nga verbëria e politikës anglo-amerikane kundrejt përparimit në zemër të Evropës së Ushtrisë së Kuqe, e cila po pushtonte një e nga një shtetet për mbrojtjen e të cilave nisi lufta: «Perëndimi mbrojti lirinë e vet dhe e mbrojti për vete duke na vërvitur (ne dhe Evropën lindore) në një skllavëri dyfish më të rëndë.»
Solzenicyn rrëfen mallkimin e të qenit rus në shekullin e njëzetë dhe e bën nëpërmjet historisë së një prej personazheve më tragjik të Luftës. Lindur më 1900 në një familje fshatare, anëtar i Partisë komuniste bolshevike që prej 1930, Andrej Vlasov ishte komandanti më i vlefshëm sovjetik në dy vitet e para të LIIB-së. Komandant Armate, ishte një ndër të paktët që arriti të dilte nga “thesi” i Kievit, në të cilin në nëntor të 1941 gjermanët kishin futur gjysmë milioni ushtarë sovjetik. Më tej Stalini i kishte besuar komandën e një operacioni të dëshpëruar që do të duhej të lironte darën naziste mbi Moskën. Operacion që rezultoi një vetëvrasje. Vlasov ishte një ndër të paktët që shpëtuan gjallë. Në 12 korrik 1942 ra rob në duart naziste. I përkëdhelur nga ata oficerë gjermanë që bëni dallimin e qartë midis Rusisë dhe regjimit komunist, oficerë që nuk pranonin politikën hitleriane që kthente sllavët në kafshë pune, Vlasov pranoi propozimin e tyre për të krijuar një njësi luftarake, përbërë nga ushtarë rusë që do të bashkoheshin me gjermanët për të rrëzuar Stalinin. Shpresa e Vlasov-it, në të vërtetë një çmenduri politike, ishte se nga këto njësi në përfundim të luftës do të linte në Rusia i pavarur dhe antikomuniste. Ishte plot iluzione dhe udhëtonte në BRSS-në e pushtuar duke thënë se tjetër gjë ishte mbijetesa e komunizmit dhe plotësisht tjetër gjë ishte mbijetesa e një Rusie demokratike. E gjitha kjo ndërsa rrethet hitleriane nuk kishin besim te ai (te një që nuk e shikonte “çështjen hebraike” njësoj si nazistët) dhe e kontrollonin nga afër. Në të vërtetë deri në përfundim të luftës pak herë i nxori në betejë njerëzit e tij (të cilët në pjesën më të madhe ishin mjaft të rinj në moshë) për luftuar përkrah nazistëve. Si oficer sovjetik Solzenicyn-i i pati përballë vetëm në nja dy raste dhe kujton se luftonin si luanë. Në një mënyrë apo në tjetrën “vlasovianët” e rekrutuar ishin disa qindra mijëra, deri në 800 mijë sipas vlerësimeve të një studiuesi amerikan. Operacionin ushtarak më të arrirë e realizuan në Pragë, më 7 maj të 1945, ku u rreshtuan përkrah kryengritësve çekosllovakë që po dëbonin nazistët. Kur lufta po shkonte drejt fundit, Vlasov-i dhe njerëzit e tij ju përgjëruan anglo-amerikanëve që të dorëzoheshin në duart e tyre dhe jo te rusët. Ai u shpreh i gatshëm të përballej me një gjykatë ndërshtetërore për veprimtarinë e tij. Anglo-amerikanët shkelën fjalën e dhënë, i dorëzuan të gjithë te Stalini, thënë ndryshe te torturat dhe te vdekja e sigurt. Vlasov dhe oficerët e tij më të besuar, u varën në mëngjesin e 1 gushtit të 1946. Një tragjedi brenda tragjedisë, shkruan Solzenicyn-i në Arkipelag, në tragjedi që nuk e kujton kush, një tragjedi për të cilën asnjë udhëheqës perëndimor nuk ka shfaqur kurrë pendim apo keqardhje. Mallkimi i të qenit rus në shekullin e Stalinit dhe Hitlerit, Një tragjedi për të cilën Solzenicyn-i shkruan: «Fjala “vlasovian” më tingëllon “e qelbët”, më duket sikur ndot gojën vetëm duke e shqiptuar [] Por historia nuk shkruhet kështu. Tani, çerek shekull më pas, tani që shumica e atyre njerëzve kanë vdekur në kampe dhe të mbijetuarit presin të vdesin në Veriun e largët, do të doja që me këto rreshta të kujtoja që për historinë botërore ky ishte një fenomen i pazakontë: disa qindra mijëra të rinj, nga mosha njëzet deri në tridhjetë vjeç, rrokin armët kundër Atdheut duke ju bashkuar armikut të betuar. Ndoshta duhet të vrasim pak mendjen: kush ka më shumë faj, ata të rinj apo Atdheu i tyre mustaqexhi. Nuk mund të shpjegohet me një tradhti “biologjike”, duhet të ketë pasur edhe shkaqe të tjera sociale. Si thotë një shprehje e vjetër, kuajt nuk i largohen tagjisë. Duhet t’i imagjinojmë kështu: një lëndinë dhe në këtë lëndinë enden të braktisur në vetvete, kuaj të uritur, të lajthitur». Tetori i 1917 e ktheu Rusinë në kavien për eksperimentin më gjakatar të shekullit XX. Për të treguar tmerrin, thotë Solzenicyn-i, do të mjaftonte të botonim albume me fotografitë e miliona të pafajshmëve që u pushkatuan. Në 5 mars të çdo viti, çdo përvjetor të vdekjes së Kryevrasësit, Solzenicyn-i dhe të tjerë të mbijetuar, mblidheshin në një banesë ku ishin ekspozuar dhjetëra fotografi të pushkatuarish. Në një atmosferë midis kishës dhe muzeut, të gjithë rrinin në heshtje ose pëshpëritnin. Në sfond muzikë mortore.
Giampiero Mughini