Home

Partia Komuniste i “vodhi” edhe dëshmorin Ballit Kombëtar

E ashtuquajtura “luftë nacionalçlirimtare” është ndoshta mashtrimi më i madh i historiografi së së kaluar. Një gënjeshtër e madhe, e ngelur e tillë me kontributin e çmuar kinematografi k të “Shqipërisë së re” si dhe të propagandës së përhershme të persekutorëve komunistë, në pjesë më të madhe “veteranë të luftës”.
Kontributin e shqiptarëve në qëndresën mbi fashizmin, këta e njohin vetëm nëse ata të kenë qenë komunistë. Jo vetëm që lëvizjen komuniste e drejtuan jugosllavët, por edhe formatin e saj e përcaktuan ata. Në Francë, Itali, e gjetkë nuk ka lëvizje “nacionalçlirimtare”, ka vetëm qëndresë. Lëvizja jonë “nacionalçlirimtare” ishte e njëjtë me simotrën e saj në Jugosllavi e padyshim, modeli i partizanit jugosllav është pikë për pikë partizani i Shqipërisë. Por gjithsesi, ideali i vetëm i asaj lufte për komunistët ishte marrja e pushtetit dhe masakrimi e vjedhja e klasave që gjykoheshin prej tyre si “reaksionare”. Megjithatë, ky shkrim ka në thelb të tij një rast të rrallë. Ndodhte që Partia Komuniste, si parti terroriste e drejtuar nga jugosllavët Mugosha dhe Popoviç të vidhte edhe dëshmorët antifashistë. Këta dëshmorë kishin vlerë vetëm nëse ishin komunistë. Në rast se nuk ishin, nuk trajtoheshin ndryshe veçse si “tradhtarë”, apo në rastin më të mirë nuk do përmendeshin. Sjellim sot në vëmendje një rast që ka ndodhur me dëshmorin Jashar Cakrani.

Ai ra në betejën e zhvilluar në Ruzhdije të Mallakastrës më 13 mars 1943 kundër forcave fashiste italiane. Kjo betejë u zhvillua në kushtet kur u arrit një lloj koalicioni midis ballistëve dhe komunistëve. Këta të fundit përbënin rreth 1/3 e koalicionit, por në betejën e zhvilluar braktisën frontin dhe u dhanë mundësi forcave italiane të qëndronin gjatë në luftë. Në këtë luftë u vra Jashar Cakrani. Është një rast që tregon më së miri se me komunistët nuk mund të bëhej asnjë lloj koalicioni pasi drejtuesit jugosllavë të kësaj force e kishin ndarë mendjen për drejtimin që i kishin dhënë partisë komuniste. Por, nisur nga fakti se kjo betejë njihej në histori, historiografët komunistë, bënë gjënë më të papërfytyrueshme, i vodhën dëshmorin Ballit Kombëtar dhe e bënë komunist. Komunistët janë të njohur si rrjepacakë, hajdutë parash, florinjsh, kriminelë e pashoq,etj, por që të ishin edhe vjedhës dëshmorësh, kjo ishte krejt e rrallë.

Libri “Yje të pashuar”

Gjithë vitet e 50 vjeçarit komunist, përveçse një mallkim e kohë e keqe për kotë vend, ishin edhe një lloj agjitacioni negativ e propagandistik, ku përditë shkruhej e veprohej për vitet e “lavdishme” të luftës e asaj që erdhi pas saj. U përpiluan volume të tëra librash propagande, u bënë fi lma, dokumentarë, etj, etj. u mendua që edhe për dëshmorët, që pretendohej se ishin 28 mijë, të bëhen disa volume librash. Kësisoj u bë libri “Yje të pashuar” me të cilin u mor Ministria e Mbrojtjes Popullore. Në librin “Yje të pashuar” (volumi III), Tiranë 1976, botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullor, libër i cili mezi mblodhi disa biografi , por duke ndenjur gjithnjë në një numër simbolik të tyre, në faqet 52 – 55 ka të dhëna edhe për Jashar Cakranin. Te ky rast nuk ka ndonjë foto me yll të kuq të tij. Shkrimi kushtuar atij hapet me një shpallje të përgjithshme të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, në të cilin emri i tij është përdorur përgjithësisht pa i dhënë ngjyrë partie. Pastaj vijohet me një biografi shumë të shkurtër, për të dalë te njohja e tij me Memo Meton në Mifol të Vlorës ku këtë të fundit e kishin sjellë si “të padëshiruar”. Natyrisht nuk thuhet se Memo Meto kishte qenë kryetar komune gjatë regjimit fashist. Natyrisht asnjë fjalë e këtij lloji.
Biografët vijojnë të shkruajnë një version folklorik, ose më mirë të themi katunar (si shumica e librave të këtij lloji) duke shkruar se këta të dy “këndonin këngë patriotike dhe diskutonin me njëri – tjetrin për luftën”. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, kënga amatore as është ndonjë gjë e jashtëzakonshme dhe as biseda që paskan bërë nuk është ndonjë gjë e hatashme apo e rrallë.Në libër midis të tjerash thuhet: “Marsi i vitit 1943 e gjeti më të fortë lëvizjen partizane. Forcat fashiste qenë vënë nën goditjet e dendura e të forta të çetave. Aksionet vinin varg njëri pas tjetrit. Kodrat e Mallakastër zienin nga lufta për liri. Ato u bënë shesh betejash të ashpra. Bashkë me pushtuesit italianë merrnin pjesë në këto luftime edhe forcat mercenare të Isa Toskës. Në Ruzhdije (fshat i Mallkastrës – shënim) italianët u thyen dhe u tërhoqën në Margëlliç. Por me ardhjen në ndihmë të forcave të reja, fashistët u hodhën në kundërsulm. Çeta ku bënte pjesë Jashari kishte zënë pozicione në Ruzhdije. Armiku që kishte epërsi në njerëz, e në armatim, vuri në përdorim edhe aviacionin. Por më kot. Çeta sulmoi për të zënë pozicionet më të përshtatshme, por edhe fashistët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë. Jashari e kuptoi se çeta po rrezikohej. Doli nga pozicioni dhe u fut midis armiqve, duke i asgjësuar me bomba dore. Kur iu mbaruan këto, luftoi me ta trup më trup. Ai vrau me thikë një mitraljer italian, u armatos me një automatik dhe nisi të qëllojë përsëri mbi fashistët. Kur ia kish drejtuar tytën e automatikut, një mitraljeri tjetër, Jashar Cakranin e merr në kraharor një breshëri plumbash. Ai ra në shesh të luftës, duke rreshtuar emrin e tij midis dëshmorëve të parë të Mallakastrës. “ne do të luftojmë – pat thënë dikur – Edhe mund të vritemi. Por luftën tonë do ta shpiem deri në fund burrërisht”E ëma e gjeti trupin e Jasharit në Cakra, në mes të shokëve partizanë, të mbuluar me flamur kuq e zi.“Nëna nuk të qa, – i tha ajo – sepse ti re ashtu siç deshe vetë, ashtu siç thoje dendur: ja vdekje – ja liri” Pas fjalës së lamtumirës, mbajtur nga një partizan, jehoi shkrepave të Mallakastrës një breshëri armësh, në kujtim të dëshmorit Jashar Cakrani”.

Trakti i Ballit Kombëtar

Përshkrimi në librin “Yje të pashuar” nuk përmban shumë informacione. Madje nuk ka të regjistruar as datën e zhvillimit të betejës së Ruzhdijes, e cila rezulton të jetë data 13 mars 1943. Po ashtu nuk thuhet as në çfarë formacioni luftarak bënte pjesë Jashari. E vërteta e kësaj ngjarjeje merret vesh në një trakt të Ballit Kombëtar në njëvjetorin e rënies së Jashar Cakranit. Në këtë njoftim thuhej se më 11 mars 1943 çeta e Ballit Kombëtar po bënte propagandë në zonën e Mallakastrës kur ishte dhënë alarmi se një fuqi 500 – 600 ushtarësh italianë (me të cilat ishte edhe Isa Toska) po sulmonte katundet Siqecë, Gjinoqar e Ruzhdije. Çeta e Ballit Kombëtar përbëhej prej vetë 55 vetash. Ajo luftoi me sukses me italianët dhe vrau 5 prej tyre e plagosi 7 të tjerë. Në përfundim zuri një sasi materiali.Më 12 mars 1943 çetat e Ballit Kombëtar sulmuan Luarin “fshatin tradhëtor” dogjën shtëpitë e Isa Toskës dhe çarmatosën popullsinë e dyshimtë. Më 13 mars 1943, në kundërpërgjigje të humbjes së datës 11 mars, një fuqi fashiste prej 2 mijë ushtarësh sulmoi përsëri. Forca e Ballit Kombëtar u rrit në numër, por gjithsesi jo më shumë se 120 veta. Çeta e Ballit Kombëtar kishte marrë në mbrojtje perëndimin dhe veriun, ndërsa verilindjen ia kishte lënë për ruajtje një çete partizane komuniste. Lufta qe shumë e ashpër dhe italianët përdorën artileri e aeroplanë. Lufta u zhvillua nga mëngjesi e deri në orën 13.30. Për fat të keq, çeta komuniste braktisi frontin e luftës, duke lejuar fashistët që t’u binin forcave të Ballit Kombëtar pa krahëve. Referuar traktit të Ballit Kombëtar, italianët humbën në këtë betejë 185 ushtarë ndërsa 97 të tjerë u
plagosën. U zu një sasi e madhe materiali ushtarak. “Nga ana jonë mbeti në fushën e nderit Jashar Cakrani, një nga të rinjtë nacionalistë revolucionarë, i cili i ishte përgjigjur ndër të parët zërit të atdheut dhe kishte hyrë në çetat e Ballit Kombëtar” – shkruante trakti i Ballit Kombëtar.
Nga kjo betejë ishin plagosur 6 ballistë dhe atyre iu ishin djegur 21 shtëpi. Midis të tjerash, në trakt thuhej: “Më 13 të marsit të kaluar, mëma e Jashar Cakranit humbi dritën e syve, djalin e vetmë, fi lizin e bukur të shqiptarizmës. Ishte edhe është e lumtur nëna, sepse djali që rriti me aq mundime e përdhelje, i vleu dhe i shpërbleu të gjitha duke u bërë therror, jo për nënën e një djali, por për nënën e të gjithë djemve e vajzave, e të gjithë burrave e grave, e të gjithë pleqve e plakave, duke u bërë therror për Shqipërinë tonë të dashur e të shtrenjtë që përveç nesh, askush tjetër nuk e don e nuk e mbron”.

Kastriot Dervishi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s