Home

Nemesis (mallkim)
Arshi Pipa

Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun shungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga,
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipërinë e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.

E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fé,
ata qi deri dje mbashin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lyp
qeshin e na pështyjnë.

Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na venë jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjete.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plum na nderojnë.

Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fotore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirt dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakon tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç nji natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdatet
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqëzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.

Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qis yt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.

Shkruar në burg, 1946-1948.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s