Në këtë intervistë për Jonathan O’Callaghan, akademiku Richard Pipes, duke analizuar disa nga pikat kyçe, përpiqet të përfytyrojë si do të kishte rrjedhur historia nëse Revolucioni bolshevik do të kishte dështuar.
Po sikur bolshevikët të mos kishin ardhur në pushtet në Rusi?
Rebelimi bolshevik ishte një coup d’état, një puç. Masat nuk ishin absolutisht të përfshira, në fakt, opinioni publik nuk dinte se ç’po ndodhte. Nëse lexon gazetat e kohës do të mësosh se teatrot ishin hapur, mbaheshin koncerte dhe askush nuk dinte ç’po ndodhte. Ishte [thjesht] një marrje e pushtetit me dhunë. Për këtë mendoj se nëse bolshevikët nuk do të kishin marrë pushtetin në nëntor të vitit 1917, skenari më i mundshëm ishte ai i ushtarakëve – oficerëve – që do të rrëzonin Qeverinë e Përkohshme dhe me të gjitha gjasat do të vendosnin një tip diktature ushtarake, për një farë kohe, dhe eventualisht do të rikthenin në fron Car Nikollën II. Ky mendoj se do të ishte skenari më mundshëm.
Mund të ndalej rebelimi bolshevik?
Mendoj se nëse Qeveria e Përkohshme që u rrëzua [nga bolshevikët] do të kishte qenë më efikase, po, rebelimi mund të ndalej. Problemi ishte se kryeministri [Alexander Kerensky] ishte një udhëheqës i dobët që nuk diti të përballej me bolshevikët. Pra, është e mundur që nëse do të kishte një udhëheqës i fortë, bolshevikët do të mund të ndaleshin. Por udhëheqja ishte e dobët dhe Rusia nuk kishte përvojë qeverisjeje, për shkak të viteve të gjata nën autokraci nuk kishin zhvilluar një sistem qeverisës efikas. Kerensky, të cilin rastësisht munda edhe ta njoh personalisht, nuk dinte si të qëndronte përballë Leninit.
Kishte një pikë kthimi ku rrjedha e ngjarjeve mund të merrte një tjetër drejtim?
Qeveria e Përkohshme mund të kishte riorganizuar ushtrinë [për të shuar rebelimin]. Në gusht të vitit 1917 ishte një gjeneral [Lavr Kornilov] – një njeri mjaft i aftë dhe popullor – që u përpoq të shpëtonte Qeverinë e Përkohshme [duke riorganizuar ushtrinë].
Por Kerensky e çarmatosi ushtrinë [nga frika e një grushti shteti nga ana e Kornilov-it] dhe armatosi bolshevikët [për të luftuar ushtrinë], kështu që kur nisi rebelimi, në nëntor, nuk ishte më askush që mund ta ndihmonte Kerensky-in. Ai e menaxhoi vërtetë shumë keq të gjithë situatën.
Pati ushtarakë që e kuptuan rrezikun bolshevik dhe donin ta ndihmonin Qeverinë e Përkohshme, por [Kerensky] nuk e pranoi këtë ndihmë, madje i çarmatosi. Kornilov-i dërgoi trupa në Petergrad, që ishte kryeqyteti në atë kohë, por ato u çarmatosën dhe Qeveria armatosi kundërshtarët e vet. Kështu, kur erdhi nëntori, ushtria thjesht pa, nuk ndërhyri.
Mundet që Rusia të ishte bërë vend komunist edhe pa rebelimin bolshevik?
Oh jo, padyshim që jo. E vetmja përkrahje që bolshevikët merrnin ishte për shkak se ata donin paqe [nga Lufta e Parë Botërore]. Vendi ishte i lodhur nga ajo luftë që nuk po jepte asnjë rezultat dhe bolshevikët ishin e vetmja lëvizje që kërkonte paqen. Kjo ju solli një farë mbështetjeje, atyre por jo komunizmit [si ideologji]. Komunizmi asnjëherë nuk ishte një çështje e rëndësishme [për popullin rus].
Si mendoni se do të ishte Rusia pa komunizmin?
Me të gjitha gjasat do të ishte zhvilluar ashtu si është sot – një farë qeverisjeje gjysmë autokratike dhe gjysmë demokratike. Në bazë të sondazheve të opinionit publik, rusët nuk e pëlqejnë demokracinë. E barazojnë me krimin, anarkinë dhe kështu me radhë. Rusët parapëlqejnë dorën e fortë – një udhëheqës të fortë. Kështu që me të gjitha mundësitë do të kishim një regjim autokrat, që respekton disa nga të drejtat e njeriut dhe me shumë mundësi do të kishte sipërmarrje private. Me shumë mundësi, në këtë sistem gjysmë autokrat gjysmë demokratik, do të kishin restauruar monarkinë. Mendoj se do të kishte dhe një parlament, ashtu si përpara luftës, përpara revolucionit, i cili do të kishte fuqi të kufizuara, do të mund të miratonte ligjet por monarkia do të ishte mjaft e fortë.
Si do të ishin marrëdhëniet me Perëndimin, pa komunizmin?
Mendoj se do të ishin më të mira nga sa ishin gjatë komunizmit. Monarkia ruse ishte mjaft miqësore me perëndimorët dhe mësuan shumë prej tyre. Nuk ishte aspak anti-Perëndimore [në të vërtetë Car Nikolla dhe Mbreti Gjergji V i Mbretërisë së Bashkuar, ishin kushërinj]. Strategjitë dhe taktikat anti-Perëndim u sollën nga komunistët, pasi donin të komunistizonin gjithë botën, përfshirë edhe Perëndimin.
Pa një Rusi komuniste, shtetet e tjera si Kina, do të kishin ndjekur shembullin?
Jo, nuk mendoj. Rusia ofroi një model dhe gjithashtu ofroi dhe ndihmë – kështu, për shembull, Kina nuk do të bëhej komuniste nëse Rusia nuk ishte komuniste. Përgjithësisht komunizmi u importua nga Rusia dhe unë nuk shoh ndokund ndonjë parti të përngjashme komuniste [përpara ndikimit Rus].
Ishte komunizmi i rëndësishëm për Rusinë? Ndihmoi, në ndonjë mënyrë, zhvillimin e vendit?
Ishte një katastrofë e vërtetë nga të gjitha pikëpamjet. Dhjetëra miliona njerëz humbën jetën. Është e vërtetë që ngritën industrinë, por pjesa më e madhe e kësaj industrie ishte për qëllime ushtarake. Si mund ta vini re, edhe sot pas gjithë këtyre viteve nga rënia e komunizmit, Rusia nuk mund të eksportojë gjë tjetër veçse lëndë të parë. Nuk mund të gjesh të mira konsumi ruse; të gjitha produktet e konsumit importohen nga Kina dhe jo nga Rusia. [Përpara rebelimit bolshevik] Rusia po zhvillohej me shpejtësi si një shtet industrial. Në vitin 1890 Rusia kishte një rol të dorës së parë në industrinë botërore dhe mendoj se Rusia do të mund të bëhej një vend i industrializuar pa komunizmin. Komunistët e industrializuan nga pikëpamja ushtarake. Gjatë regjimit të tyre, afërsisht 25% e PBB-së, shkonte për shpenzime ushtarake.
Gjithsesi do të kishte luftë civile në vitin 1918 dhe a do të hynte Rusia në Luftën e Dytë Botërore?
Nuk do të kishte luftë civile dhe mendoj se pa komunizmin nuk do të kishte as Luftë të Dytë Botërore, pasi ky [konflikt] shpërtheu vetëm për shkak se komunistët në gjermani ndihmuan Hitlerin të arrinte në pushtet. Gjithashtu ishte Rusia që i dha “kartë të bardhë” për të nisur luftën kundër Polonisë, Francës dhe Anglisë. Nuk mund të them [që s’do të kishte luftë], por duhet të kuptoni që Rusia, pa dyshim, ndihmoi në ardhjen në pushtet të Hitlerit. Në vitin 1933, nëse komunistët [në Gjermani] do të kishin lidhur aleancë me social-demokratët, me të gjitha gjasat do të fitonin zgjedhjet, por Stalini urdhëroi komunistët që të mos bashkëpunonin me social-demokratët kështu që opozita u përça dhe Hitleri fitoi.
Pa komunizmin, do të kishte Rusia, figura si Stalini dhe Lenini?
Nuk do të kishte diktatura të atilla [dhe rrjedhimisht as diktatorë të atillë]. Përpara revolucionit Rusia ishte një vend gjysmë kushtetues, por nuk ishte diktaturë. Ligjet zbatoheshin dhe Kuvendi kishte të drejtën e vetos mbi ligjet. Nuk ka krahasim me gjendjen përpara revolucionit dhe me atë pas tij.
Nëse Rusia nuk do të ishte duke humbur luftën me Gjermaninë, në Luftën e Parë Botërore, do të mund bolshevikët të merrnin pushtetin me dhunë?
Bolshevikët morën pushtetin jo sepse njerëzit donin komunizmin, por sepse ata donin përfundimin e luftës dhe nëse [Rusia] do të fitonte luftën mendoj se komunizmi nuk do të kishte asnjë shans. E sollën komunizmin bazuar në një platformë kundër luftës. Fillimisht, kur morri pushtetin, Lenini u tregua mjaft i kujdesshëm për të mos propaganduar komunizmin, fliste vetëm për paqe dhe kur arriti paqen me gjermanët, pak muaj pas marrjes së pushtetit, ai u bë shumë popullor. Por, duhet ta dini, se në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që u mbajtën në nëntor të vitit 1917, kur bolshevikët ishin tashmë në pushtet, fituan vetëm një të katërtat e votave. Nuk kishin mbështetje të përhapur në të gjithë vendin, për ta arritur këtë ju desh të bazoheshin mbi platformën e paqes dhe jo të komunizmit. Shumica [e njerëzve] ishin për socializëm – për parti të rregullta social-demokrate, të cilat nuk ishin [përkrahëse] të diktaturës apo të ndalimit të pronës private dhe kështu me radhë. [Socialistët] fituan shumicën në zgjedhjet e përgjithshme.
Pra, ju thoni se komunizmi u imponua me forcë, si në Rusi ashtu edhe në pjesën tjetër të botës?
Lenini e kishte shumë të qartë qëllimin, por e dinte se nuk mund të vendoste komunizmin në Rusi pa e shpërndarë në të gjithë botën, kështu që ideja e tij ishte ta përhapte fillimisht nëpër Evropë dhe më tej në pjesën tjetër të botës, ai gjithashtu e dinte se i shtrirë vetëm në Rusi komunizmi nuk mund të funksiononte. Mao, në Kinë, kopjoi si Leninin ashtu edhe Stalinin dhe kështu komunizmi u përhap në Korenë e Veriut, Kubë, etj., por pa arritur të bëhej një fenomen që të përfshinte të gjithë globin.
Lufta e Ftohtë, me Amerikën, do të kishte filluar gjithsesi?
Jo, nuk do të kishte luftë të ftohtë. Lufta e Ftohtë nisi si pasojë e orekseve komuniste për ta përhapur komunizmin në të gjithë globin – dhe veçanërisht për të mposhtur Shtetet e Bashkuara, që i shihnin si rivalin kryesor. E kam fjalën, përpara Revolucionit bolshevik, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Amerikës ishin pothuajse miqësore. Mendoj se pa Revolucionin do të vazhdonin të ishin të paktën po aq të mira sa ato të nisura në shekullin XVIII.
Sipas jush, në përgjithësi, Rusia në atë kohë do të kishte qenë një vend më i mirë pa komunizmin?
Mendoj se përpara Luftës së Parë Botërore, Rusia po zhvillohej mirë. Kishte probleme, kuptohet, – [si për shembull] kishte shumë fshatarë por jo mjaftueshëm tokë, por këto probleme mund të zgjidheshin. Kur bolshevikët morën pushtetin, këto probleme përgjithësisht i theksuan, në vend që ti zgjidhnin.
Po sot, Rusia do të ishte një vend më i mirë nëse rebelimi bolshevik nuk do të kishte ndodhur?
Për mendimin tim do të ishte një vend shumë më i mirë – mentaliteti i njerëzve do të ishte i ndryshëm. Mendoj se sot rusët janë të paqartë lidhur me përkatësinë e tyre. Ndjejnë se nuk i përkasin Perëndimit, por nuk i përkasin as Lindjes, kështu që janë të izoluar.
Pa Revolucionin Bolshevik që për 70 vite u tha se ishin të veçantë dhe se ishin e ardhmja, mendoj se do të ishin më në gjendje për të gjetur vendin e tyre në botë.
«All About History», 3-2013.
Përkthimi Red. MVSK.