Home

Është mishërimi i figurës së tiranit komunist; ai i kamur dhe bol ndërsa populli në mjerim.

Në moshën 33 vjeçare, diktatori i Koresë së Veriut, i dhuroi vetes “bombën”. Kim Jong-un, kryetari i shtetit më i ri në botë, me fytyrë derrkuci, feston nesër, 8 janar, ditëlindjen.
Deri sa vdiq i ati, tiran dhe ai si gjyshi, pak njerëz e njihnin Kim Jong-un, njeriun që u shpall «pasardhësi i madh» në vendin aziatik që ka ngecur në formën më të egër të stalinizmit. Kimi i ri njihej vetëm nga një fotografi, bardh e zi, shkrepur kur ishte 11 vjeç dhe i veshur me uniformën e ushtrisë së kuqe koreane. Që nga ajo moshë, asgjë tjetër. Njerëzit kishin filluar ta quanin «biri pa fytyrë» i «liderit të dashur» Kim Jong-il. Dy vëllezërit e tij ishin vetë shkualifikuar nga gara për trashëgiminë. I madhi, Kim Jong Nam, që tashmë jeton gjysmë i dëbuar në Makao, ra nga vakti në vitin 2001, kur e kapën në përpjekje për tu futur në Japoni me pasaportë false. Nuk bëhej fjalë për ndonjë mision sekret, thjesht donte të bënte një xhiro në Diznejlendin e Tokios. Të njëjtin fat pari edhe vëllai tjetër, Kim Jong Chul, që në Singapor, po me identitet të rremë, ndoqi një koncert të Eric Clapton-it.
«Pasardhësin e madh» e dërguan për studime në Zvicër, në Shkollën ndërkombëtare të Bernës, me emrin fals Pak Chol. Kuzhinieri i familjes, që më vonë u arratis në Japoni, tregon se Kim Jong-un flet anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Shokët e shkollës kujtojnë pasionin e tij për basketbollin. Idhulli i tij ishte Michael Jordan dhe ai ende vazhdon të ndjek në televizion ndeshjet e NBA-së. Në vitin 2013, kur kishin kaluar dy vjet nga ardhja në pushtet, ftoi basketbollistin Dennis Rodman dhe të dy pozuan për aparatet fotografikë gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Pyongyang. Gjatë studimeve në Zvicër, tirani i ardhshëm, pëlqente të bënte ski, por edhe të vizatonte novela grafike dhe adhuronte të Jean-Claude Van Damme-in, aktorin e fortë të arteve marciale. Me tu kthyer në atdhe, mori dy diploma universitare dhe një vit përpara vdekjes së të atit, nga kapiten i ushtrisë u gradua në gjeneral.
Kur hipi në pushtet të gjithë e cilësuan si një «diktator fëmijë», por shumë shpejt u tregua mizor dhe i fiksuar me bombën atomike. Jang Song-Thaek, ungji i vet, që u përpoq ta kontrollonte u dënua me vdekje si «jashtëqitje e partisë». Me urdhër të nipit e mbyllën në një kafaz dhe u shqye nga dhjetëra qenë të egërsuar. Vitin e kaluar, Ministri i mbrojtjes, Hyon Yong-chol, fajtor për dremitje gjatë një mbledhje ushtarake dhe që për të disatën herë guxoi ta kundërshtonte u ekzekutua me armë të rënda. Gjatë vitit 2015, të paktën 15 funksionarë të lartë të regjimit përfunduan përpara skuadrës së ekzekutimit.
I gjatë një e 75, qartësisht mbi peshë, diktatori bullafiq, duket se vuan nga diabeti por, edhe ai si i ati, nuk e braktis shishen. Veç bombës atomike shquhet edhe për ligje marra apo të çuditshme. Ligje që qëndrojnë mes legjendës dhe realitetit. Më qesharaku është urdhri që të gjithë nënshtetasit e mbretërisë së tij duhet të mbajnë flokët jo më të gjatë se dy centimetra, përfshirë edhe gratë, të cilave, ama u lejoheshin të mbanin kapele. Shembulli i liderit i tillë ishte, por kohët e fundit ka nisur t’i zgjasë flokët. Ndoshta ngaqë vuan nga mbipesha, ka ndaluar importimin e ëmbëlsirave nga Koreja e Jugut, kuptohet për të mbajtur popullin në formë. Kim Jong-un ka vendosur dhe «orën e Pyongyang-ut». Akrepat në Kore të Veriut janë gjysmë ore mbrapa, për të qëndruar në mes të Pekinit dhe Seul-Tokios. Koreano veriorët kanë shpikur edhe një ilaç të hatashëm, Kumdang-2, që sipas njoftimit të agjencisë shtetërore, kuron Sidën, Ebolën dhe kancerin. Pasardhësi i madh, për të pestën herë radhazi, është zgjedhur njeriu më elegant i Koresë së Veriut, paçka se vesh pothuajse gjithmonë të njëjtë xhaketë maoiste. Propaganda e kultit të individit është mbytëse, por me teknika të kopjuar në Perëndim. Në vitin 2012 deklaroi martesën, gjë që në kohën e të atit dhe të gjyshit ishte sekret shteti, me balerinën dhe këngëtaren Ri Sol-ju. Çifti mesa duket ka dhe një vajzë, por ende jo një trashëgimtar mashkull.
Kim Jong-un ka qejf të fotografohet gjithandej, që nga qendra e komandës për lëshimin e raketave, teksa nënshkruan urdhrin për të shpërthyer bombën e djeshme atomike dhe deri te fabrikat e biskotave apo dyqanet e trikotazhit. Paradoksi është që ndërsa në shumë fotografi ai buzëqesh, ushtaret, publiku apo dhe fëmijët rreth e rrotull të madhit qajnë, mesa duket nga gëzimi.
Nga gjeneral, i dha vetes, gradën e Mareshalit, duke u bërë komandanti suprem i ushtrisë prej 1 milion ushtarësh dhe një shpure oficerësh të moshuar që buzëqeshin nga halli, por që nuk e durojnë dot diktatorin e ri. Sa herë që lëviz, në mënyrë qesharake është i rrethuar nga ushtarakë, që me servilizëm dhe frikë marrin shënim çdo fjalë që ai thotë. Ndonjëherë makina e propagandës gufohet, si në rastin e qarkullimit të fotografisë ku tirani gjatë një stërvitje ushtarake, vështron horizontin me një palë dylbi të kthyera nga e kundërta. Kim Jong-un, ngre dhe zërin me të vetmit aleatë, kinezët, që në të vërtetë nuk e kanë ftuar ndonjëherë në Pekin. Dhjetorin e kaluar, në formën e një «shpulle diplometike», tërhoqi në atdhe bandën muzikore shtetërore e cila duhej të luante në Kinë.
Thirrjet për holokaust bërthamor janë të vazhdueshme, në fjalimin me rastin e fund vitit diktatori deklaroi përpara popullit se ishte gati për luftë, nëse do ta provokonin. Gjashtë ditë më vonë, shpërtheu një bombë bërthamore.

Fausto Biloslavo, «Il Giornale», 07.I.2016
Përkthimi Red. MVSK.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s