Që në çastin e parë, sa morën pushtetin në vendet e ndryshme, komunistët përcaktuan një varg grupimesh të cilat duheshin burgosur, dërguar për riedukim në kampe pune apo internim, ose edhe ekzekutuar menjëherë. U nis me “pastrimin nga kozakët” në Rusi dhe Ukrainë gjatë sundimit të Leninit dhe që më vonë u njoh si “pastrimi nga kulakët”, në po këto vende, gjatë periudhës së Stalinit. Ky këndvështrim, i njerëzve si vetëm përfaqësues të “interesave” të caktuar apo si anëtarë të klasave të caktuara, vazhdoi dhe në vendet baltike gjatë viteve ‘40, duke u shoqëruar me ekzekutime në masë, arrestime dhe shpërngulje të detyruara.
Gjatë pushtimit të parë sovjetik, në vitet 1940-1941, gjykatat popullore në Estoni dënuan me vdekje 179 njerëz dhe rreth 2 200 të tjerë u vranë në mënyra të tjera. Shumica u vra nga të ashtuquajturit batalionet e eliminimit, nga policia, nga NKVD-ja apo në burgjet në Tartu, Kuressaare, etj.
Në Tartu komunistët fshehën 190 kufoma në një pus në oborrin e komisariatit të policisë. Rreth dy dekada më vonë, qentë e kufirit mbaheshin në po të njëjtin oborr dhe përdoreshin kundër estonëve që kërkonin lirinë e vendit të tyre dhe fundin e terrorit komunist. Po aty afër gjendet edhe Sheshi i vjetër i Mishit, ku në janar të vitit 1918 komunistët vranë tetëmbëdhjetë të burgosur. Në Kuressaare, vrasjet bëheshin në oborrin e kështjellës mesjetare.
Gjatë periudhës sovjetike ishte e ndaluar të shkruaje apo të flisje për vrasjet, por në vjeshtën e vitit 1988, një gazetë në ishullin Saaremaa ja doli të botonte dëshminë okulare e një të mbijetuari.
“Me sa di unë, vetëm tre njerëz u pushkatuan, më pas trupat e tyre u gjendën në pus. Të tjerët u torturuan deri sa vdiqën. Ishin rreth njëqind. Askush nuk e di numrin e saktë. Mënyrat e torturimit ishin të shumta; një njeriu i prenë buzët, një tjetri hundën, gjuhën dhe veshët. Shumë njerëzve ju fusnin këmbët, një ose të dyja, në ujë të valuar. Kishte njerëz të cilëve ju rripej lëkura e trupit e që duart i kishin të lidhura pas shpine me tela me gjemba. Disave prej tyre ju nxorën dhe sytë. Një gruaje i prenë gjinjtë. Isha aty kur nxorën trupat nga qelitë. Gjatë ditës, mijëra njerëz vinin për të kërkuar të dashurit e tyre. Shumë i gjetën. Ishte një pamje e tmerrshme, një pamje që nuk do ta harroj kurrë.”
Terrori masiv i batalioneve sovjetik të eliminimit nuk u shkaktua, si pohojnë disa komunistë, nga rezistenca e armatosur e popujve baltik. Guerilja baltike kundër forcave pushtuese sovjetike – si më pas edhe kundër atyre naziste – ishte rrjedhojë e terrorit të pushtuesve ndaj civilëve. Nëpër fshatra këto batalione torturonin deri në vdekje çdo njeri që hasnin. Më i riu ishte vetëm dy muajsh, ndërsa më i moshuari 78 vjeç.
Që në vjeshtën e vitit 1939 – pra pothuajse një vit përpara pushtimit – Ivan Serov, shefi i sigurisë të shtetit sovjetik, kishte nënshkruar urdhrin për shpërnguljet në masë në vendet baltike. Sipas këtij urdhri, nr. 001223 të 11 tetorit 1939, një numër elementësh të dyshuar si antisovjetik do të dërgoheshin në kampet sovjetik. Në veçanti përmendeshin anëtarët e parive jo komuniste (duke nisur nga të djathtët e Social-Demokratëve dhe deri te Socialistët e Lirë), personat e përjashtuar nga organizatat komuniste, oficerë policie, gjykatës, prokurorë, sipërmarrës, pronarë vilash të mëdha apo hotelesh, të punësuar në filialet e kompanive të huaja, personat me kontakte të shpeshta me jashtë (duke përfshirë esperantistë, filatelistë dhe anëtarë të Kryqit të Kuq), klerikë dhe familjarë të njerëzve të arratisur në Perëndim.
Gjatë 24 orëve, 9 250 persona u shpërngulën nga Estonia, 15 081 nga Letonia dhe 13 600 nga Lituania. Afërsisht 38 000 persona të shpërngulur brenda 24 orëve.
Policia nuk jepte shpjegime përse këta njerëz merreshin në mes të natës. Të gjithë anëtarët e familjes duhet të shoqëronin personin – duke përfshirë të miturit, të moshuarit dhe të sëmurët. Shoqëroheshin me kamionë deri në stacionin më të afërt hekurudhor, ku gratë dhe fëmijët ndaheshin nga burrat, në shumë raste për t’u mos u parë kurrë më.
Shpesh kalonin ditë përpara se transporti për në kampet siberiane të niste. Në vagonët e mallrave nuk kishte shërbime higjienike dhe të qelbte era. Shumë fëmijë, të sëmurë dhe të moshuar vdiqën gjatë rrugëtimit të gjatë për në arkipelagun Gulag.
Sovjetikët dhe komunistë të tjerë e kanë mbrojtur në mënyra të ndryshme shpërnguljen masive nga vendet baltike. Është pohuar se vendet jo socialiste, në periudhën mes dy luftërave botërore, kishin persekutuar komunistët e për këtë ishte e drejtë, ose të paktën e kuptueshme dhe logjike, që regjimet komuniste të bënin të njëjtën gjë me kundërshtarët e tyre. Është një krahasim jo i goditur. Qeveritë jo socialiste, “borgjeze”, që në të vërtetë ndonjëherë drejtoheshin edhe nga kryeministra social-demokratë, në fakt arrestuan ndonjë komunist, që në bazë të urdhrave sovjetik, u përpoq të rrëzonte qeveritë e ligjshme dhe demokratike, si për shembull gjatë puçit komunist në Estoni në vitin 1924. Në Estoni, gjatë periudhës midis luftërave, u arrestuan gjithsej 258 persona me akuza që mund të cilësohen politike. Krahasojeni tani me faktin që komunistët, pas pushtimit të 1940, në vetëm dy muajt e parë arrestuan 7 043 njerëz, për faktin e vetëm që i përkisnin grupit “të gabuar” shoqëror. Komunistët në vetëm dy muaj arrestuan 27-fishin e personave që jo komunistët arrestuan në dy dekada – dhe që viktimat e komunizmit ishin të pafajshme.
Është thënë se shpërnguljet masive ishin një hap i nevojshëm për të pastruar vendin nga elementë antisovjetik, përpara sulmit nazist. Por ditën që shpërnguljet nisën, gazeta e partisë “Pravda”, botoi një njoftim të agjencisë TASS në të cilin “pohohej me forcë se zërat rreth një sulmi të mundshëm gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik janë vetëm provokime”. Për më shumë, 28.4% e personave të shpërngulur nga Estonia ishin nën moshën katërmbëdhjetëvjeçare dhe 17.3% ishin mbi moshën pesëdhjetëvjeçare, çka do të thotë që vështirë se mund t’ju shkaktonin ndonjë dëm komunistëve gjatë luftës. Vetëm 21.5% e njerëzve të shpërngulur ishin të moshës nga 20 deri në 49 vjeçare, që mund të cilësohet si e aftë për luftë. Në të vërtetë këto shpërngulje masive nuk shkaktuan gjë tjetër veçse ndjenja të flakta antikomuniste dhe antisovjetike. Që nga koha e baronëve gjermano-baltik, estonët dhe letonët i shikonin gjermanët si armiqtë historik, por pas goditjes që morën nga shpërnguljet në masë, gjermanët – fillimisht – u panë si çlirimtarë.
Mes të shpërngulurve ishin dhe afërsisht 400 çifutë. Si zakonisht, përndiqeshin më keq se grupet e tjera të popullatës. Sipas regjistrimit të popullatës ata përbënin 0.4% të popullatës në Estoni, por 4% i të shpërngulurve ishin çifutë. Në Letoni përbënin 1/12 e banorëve, por 1/5 e të arrestuarve dhe shpërngulurve gjatë pushtimit të parë sovjetik ishin çifutë.
Vala e parë e shpërnguljeve parashikohej të ndiqej edhe nga dy të tjera. Vala e dytë duhej të niste në korrik të 1941, por përparimi i ushtrive gjermane ishte aq i shpejtë sa batalionet e eliminimit nuk mundën të zbatonin valët e tjera të shpërnguljes, përveçse në ishullin Saaremaa, ku gjermanët arritën më vonë. Duke gjykuar nga sa ndodhi në atë ishull mund të thuhet se valët e tjera të shpërnguljeve do të kishin qenë shumë më të shtrira se e para. Sipas listave do të shpërnguleshin me forcë po aq njerëz sa në të fakt u shpërngulën gjatë kolektivizimit të Baltikut, në pranverën e vitit 1949.
Ndër të shpërngulurit me forcë ishte dhe një i ri, që mbajti një ditar, prej pranverës kur prindërit e tij i dërguan në Siberi, deri ditën kur në 1944 i mbaroi letra. Ai dhe ëma, si zakonisht, u ndanë nga babai, përpara se të dërgoheshin në gulag. Djali përshkruan çdo gjë që i ndodh në jetë, si shokët e tij vdiqën një e nga një për shkak të kequshqyerjes, si një të njohur e vërvitën në qeli pasi vodhi një patate për të shuar urinë, si ai dhe e ëma mbijetuan duke ngrënë supë hithrash, etj. Çdo tre-katër rreshta përfundojnë me pyetjen: “Babi, ku je? Pse nuk më merr? Të lutem, zot, dërgoji përqafimet e mia babit”. Kuptohet, ndërkohë i ati kishte vdekur. Nëse ndonjë botues perëndimor do të publikonte një libër të tillë, si një lloj “ditari të Ana Frankut” estonez, ndoshta njerëzit do të kuptonin më mirë vuajtjet e baltikëve.
Mes të shpërngulurve ishte dhe presidenti estonez Konstantin Pätz, i cili u dërgua andej në korrik të vitit 1940 por u arrestua zyrtarisht vetëm në qershor të vitit pasardhës. U mbaj i burgosur, në vende të ndryshme, deri sa vdiq në spitalin psikiatrik të Burachevo-s në Rusi, në janar të vitit 1956. Në qershor të vitit 1977, tre letra të shkruara nga ai gjatë periudhës së burgimit, me të gjitha gjasat gjatë vitit 1953, përfunduan në Perëndim. Të tria janë të nënshkruara me shenjën e gishtit të madh.
Presidenti i fundit i periudhës mes dy luftërave shkruan se ishte subjekt i çdo lloj poshtërimi dhe kërcënimi. Nuk i lejohej të përdorte emrin e vet, thërritej thjesht “Nr. 12”. Nuk i lejohesh t’i shkruante letra familjes apo të merrte ndihma prej tyre. Në një nga letrat, drejtuar opinionit publik botëror, kërkon që të ndihmohen popujt baltik:
“I drejtohem Kombeve të Bashkuara dhe gjithë botës iluministe me kërkesën për të ndihmuar popujt e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të cilët po shkojnë drejt zhdukjes për shkak të dhunës që po përdor pushtuesi rus. Deklaroj se aneksimi i shteteve baltike, në vitin 1940, ishte një krim i urryer ndaj ligjeve ndërshtetërore dhe një përfaqësim i rremë i vullnetit të vërtetë të të aneksuarve. Shpëtojini këta njerëz nga shfarosja e plotë dhe lejohuni të vendosin vetë për fatet e tyre. Vendosin një organ të OKB-së në shtetet e sipërpërmendura për të ndjekur një referendum në të cilin këta popuj mund të shprehin vullnetin e tyre të vërtetë. Le të jenë Estonia, Letonia dhe Lituania të lira dhe të pavarura!
K Päts (nënshkrimi) (shenjë gishti)”
Këto letra nuk shkaktuan ndonjë reagim as në OKB e as në politikanët e vendeve fqinje, si Suedia. Trupi i Presidentit Päts u gjet në vitin 1990 dhe u rivarros në Talin.
Mes të shpërngulurve, më tej të ekzekutuarve ishin dhe një numër i lartë oficerësh, ndër ta 79 gjeneralë dhe kolonelë estonez. Në Letoni, të gjithë ushtarakët madhorë u urdhëruan të shkonin në Moskë për “specializim”, ditën përpara se të nisnin shpërnguljet masive. Shumica e tyre u arrestuan sapo mbërritën e më tej u pushkatuan apo internuan. Komunistët u sollën në të njëjtën mënyrë edhe me vendet e tjera, si për shembull Poloninë, ku shumica e oficerëve që u kap u ekzekutuan. Rreth 4 500 në Katyn, një nga ato pak raste që tërhoqën vëmendjen e Perëndimit.
Sipas të dhënave, jo të plota të Kryqit të Kuq, në Letoni, përpara shpërnguljeve masive të vitit 1941, u arrestuan dhe dënuan 7 020 vendas, nga të cilët 980 u ekzekutuan dhe u varrosën në tetë varre masive. Pjesa tjetër u dërgua në kampet siberiane. Pastaj nisi shpërngulja e madhe:
“Tronditja e letonëve ishte e madhe. Pas 14 qershorit njerëzit kishin frikë të rinin në shtëpitë e tyre. Shumë e kalonin natën te të njohurit, në vende të largëta apo dhe në pyje. Dëshpërimi ishte ndjenja mbizotëruese. Mizore ishte edhe sjellja e autoriteteve të cilat shtireshin sikur nuk kishte ndodhur gjë, në gazeta nuk shkruhej për shpërnguljet, askush nuk kishte informacion mbi të zhdukurit, nuk kishte asnjë vend ku mund të përplaseshe për ndihmë. Bota heshtte.”
Përpara pushtimit të dytë sovjetik, në vjeshtën e vitit 1944, afërsisht 300 000 baltik u arratisën për në Perëndim. Shumica e estonëve, rreth 70 000 persona, zgjodhën të shkonin në rrugë detare në Suedi apo Finlandë, ndërsa letonët e lituanët zgjodhën Gjermaninë. Me mijëra vdiqën gjatë arratisë, rreth 4 000 u mbytën në fundosjen e anijeve “Moero” dhe “Nordstern”. Mijëra njerëz u riatdhesuan, fuqitë perëndimore i dërguan mbrapa në vendet e tyre të pushtuara. Rreth 30 000 u detyruan të ktheheshin në Estoni, nga të cilët sipas burimeve sovjetike, mbi 12 000 prej tyre ishin robër lufte ndërsa rreth 19 000 ishin civilë.
Suedia priti rreth 32 000 estonë (rreth 7 000 me origjinë suedeze), rreth 5 000 letonë dhe më shumë se 400 lituanë. Baltikët ishin grupi i parë i refugjatëve që shkuan dhe u vendosën në Suedi. Gjetën mikpritjen e popullit por jo të politikës. Kur mbërritën u përballën me të ashtuquajturin ndalim të propagandës, pra nuk u lejohej që në publik të flisnin rreth komunizmit dhe vuajtjeve që kishin pësuar. Patriotët e tyre, në vendlindje, do të vuanin për dekada dhunën dhe gjenocidin, rusifikimin dhe mungesën e lirisë, militarizimin dhe shkatërrimin ekologjik; e në asnjë rast bota përreth nuk u shqetësua për fatin e tyre.
Gjatë dekadës së parë të pushtimit të dytë sovjetik, prej vitit 1944 deri në 1953, afërsisht 20 000 eston u arrestuan me akuza politike, rreth 13 000 prej tyre u dërgua në kampet e punës ku dhe shumica e tyre vdiq. Sipas burimeve sovjetike, në Estoni u vranë rreth 1 500 luftëtarë të “vëllazërisë së pyllit”.
Guerilja antikomuniste në Lituani ishte më e gjata dhe më e shtrira në Evropën e pas luftë, paçka se jashtë Lituanisë pak njerëz ishin në dijeni. Nga pushteti sovjetik u vranë rreth 25 000 luftëtar lituanë dhe për ta mposhtur lëvizjen e qëndresës, në maj të vitit 1948, 41 158 lituanë u shpërngulën me forcë.
Natën përpara 25 marsit të vitit 1949, afërsisht 100 000 baltikë të tjerë, u morën nga shtëpitë dhe me vagonë mallrash u dërguan për në kampet siberiane. Shumica e tyre ishin fermerë të vegjël ose të afërm të njerëzve që ishin internuar më herët. Mes të shpërngulurve me forcë rreth 20 500 ishin estonë, 40 500 letonë dhe 33 500 lituanë.
Viktimat e shpërnguljeve në Estoni, mars 1949
Meshkuj: Planifikuar – 7 582 Shpërngulur – 4 507
Femra: Planifikuar – 9 935 Shpërngulur – 10 274
Fëmijë (deri 15 vjeç): Planifikuar – 22 326 Shpërngulur – 20 498
Totali: Planifikuar – 22 326 Shpërngulur – 20 498
Si del nga këto të dhëna, numri i të shpërngulurve ishte më i vogël nga sa parashikuar. Shumë burra u arratisën dhe u fshehën në pyje duke ju bashkuar lëvizjes së qëndresës së armatosur. Komunistëve ju desh të arrestonin më shumë gra dhe fëmijë nga sa kishin parashikuar. Një tjetër dështim në planifikimin e ekonomisë komuniste…
Numri i të shpërngulurve me forcë ndryshonte nga një krahinë në tjetrën, por në total, 7.6% e popullatës u internua. Sipas studiuesit Aigi Rahi, i cili ka kryer një studim të veçantë për zonën rreth qytetit universitar Tartu, shpërnguljet kishin në shënjestër fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Burrat në moshë pune përbënin vetëm 12% të të shpërngulurve.
Nga të shpërngulurit e vitit 1949, pothuajse 1/10 e tyre vdiq në Siberi. Atyre që mbijetuan dhe që u lejuan të ktheheshin në atdhe, nuk ju dha e drejta të ktheheshin në vendbanimet e origjinës apo të jetonin në qytete të mëdha dhe e patën shumë të vështirë të gjenin një punë. Rahi shkruan:
“Plagët e shkaktuara nga shpërngulja e marsit të vitit 1949 nuk mund të maten vetëm me shifra, me përqindje. Po flasim për mijëra vite pune të humbura, familje të shkatërruara, fëmijë të pa lindur, për mundësi edukimi që janë hequr. Ata që ishin fëmijë kur u dërguan në Siberi, nuk dinin rusisht dhe patën shumë vështirësi në shkollat ruse. Fëmijët e mësuan mirë rusishten dhe pasi u kthyen në Estoni u detyruan të vazhdonin të ndiqnin shkollat ruse. Shpërnguljet lehtësuan kolektivizimin e detyruar dhe fundin e prodhimit privat. Persekutimi i hapi rrugën frikës, urrejtjes dhe spiunimit… Pas 1949 dhe kolektivizimit me forcë, dëshpërimi dhe indiferenca u përhapën në mes të popullatës rurale. Kjo shfaqet në uljen e numrit të lindjeve dhe rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Shpërnguljet në masë krijuan dhe kushtet e përshtatshme për emigrimin dhe për një ndryshim rrënjësor të strukturës demografike.”
Në vitin 1950, 1 415 estonë dhe letonë të tjerë i shpërngulën nga ato zona që dikur i përkisnin Estonisë dhe Letonisë së pavarur e që në vitin 1945 ishin aneksuar nga Rusia.
Në vitet në vijim, qindra anëtarë të grupimeve fetare, në Estoni, u dërguan në kampet e Siberisë.
Në pranverën e vitit 1950, partitë komuniste baltike me urdhër të Moskës, miratuan ligje që ju mundësuan arrestimin e intelektualëve si mësues, shkrimtarë, artistë, muzikantë, avokatë dhe mjekë. Kësaj nuk i shpëtuan as krerët e komunistëve baltik, të cilët u akuzuan se i përkisnin “borgjezisë nacionaliste”, mes tyre Sekretari i Parë i partisë, kryetari i Presidiumit të Sovjetit Suprem eston dhe shumë prej “komunistëve të qershorit”, d.m.th. të atyre që erdhën në Estoni me pushtimin rus në vitin 1940. Nga fundi i asaj dekade, kryetari i Presidiumit të Sovjetit Suprem leton ishte spastruar bashkë me kryetarin e qeverisë, disa ministra, sekretarë partie, kryeredaktorë dhe udhëheqës të tjerë, për shkak të grupit të “komunistëve kombëtar”, të udhëhequr nga Eduards Berklavs i cili ja kishte dalë mbanë të marrte shumicën në Politbyro. Udhëheqësit komunistë kishin menduar se “fjalimi sekret” i Hrushovit në të cilin pohohej e drejta e popujve për të zgjedhur rrugën e tyre drejt socializmit, vlente dhe për letonët. E kishin gabim!
Edhe në Lituani ministri i Arsimit, Dekani dhe profesorë të Universitetit u shkarkuan me akuzën e “borgjezisë nacionaliste”.
Gjithsej rreth 139 700 njerëz u shpërngulën nga Letonia gjatë pushtetit të Stalinit. Gjatë gjithë regjimit komunist, 51 973 letonë u arrestuan dhe sipas të dhënave zyrtare 1 986 u ekzekutuan. Numri total i viktimave të njohura të komunizmit është afërsisht 191 673, që do të thotë rreth 15% e totalit të popullatës, sipas statistikave të vitit 1959. Numri i vërtetë mund të jetë edhe më lartë pasi jo të gjitha arrestimet, ekzekutimet apo shpërnguljet regjistroheshin apo arkivoheshin, nga ana tjetër shumë letonë u vranë në Rusi dhe askush nuk di numrin e tyre të saktë. Përpara Luftës II Botërore, rreth 70 000 letonë jetonin në Bashkimin Sovjetik dhe u bënë subjekt i terrorit të viteve 1937-1939. Llogaritet që 25 000 prej tyre të jenë vrarë.
Numri i viktimave në Lituani, përllogaritur me të njëjtën metodë, ishte afërsisht 360 000 njerëz, nga të cilët rreth 130 000 të shpërngulur (28 000 vdiqën në Siberi), rreth 200 000 të arrestuar (149 741 prej të cilëve u transferuan në kampet komuniste të përqendrimit), 25 000 veprimtarë të qëndresës së armatosur u vranë së bashku me 2 747 të burgosur të tjerë.
Në Estoni numrat janë si vijojnë: rreth 30 000 të shpërngulur, rreth 80 000 të arrestuar, afërsisht 2 000 të ekzekutuar dhe po aq civilë të vrarë gjatë bombardimeve komuniste dhe rreth 10 000 ushtarë të rënë duke luftuar përkrah rusëve. Në popullatë pati humbje dy apo tre herë më të larta, që do të thotë 70 000 refugjatë lufte, rreth 20 000 gjermanë baltik që u kthyen “në shtëpi” – para dhe gjatë luftës – rreth 80 000 njerëz që u evakuuan apo u mobilizuan dhe që u dërguan në Rusi, rreth 70 000 banorë të zonave që ju shkëputën Estonisë dhe u aneksuan nga Rusia, duhet t’i shtohen numrave të sipërpërmendur. Nëse përfshijmë të gjithë ata që u arrestuan, ekzekutuan, shpërngulën dhe në përgjithësi u persekutuan mund të themi se rreth gjysma e popullatës u godit nga përndjekja komuniste.
Ndërkaq që shumë baltik shpërnguleshin nga vendet e tyre, shumë rusë, rusë të bardhë, ukrainas dhe të tjerë u dërguan në shtetet baltike – shumë, me të gjitha gjasat, kundër vullnetit të tyre. Si pasojë e këtyre lëvizjeve numri i baltikëve në shtetet baltike ra në mënyrë të ndjeshme.
Sipas statistikave të vitit 1938, estonët përbënin pak më shumë se 93% të popullatës në Estoni. 50 vite më vonë numri i tyre kishte rënë në më pak se 60%. Asnjë vend tjetër në Evropë, gjatë dhe pas Luftës, nuk ka pësuar humbje të këtyre përmasave. Në vitet ’90 popullsia estone nuk kishin arritur numrin që kishte përpara luftës, pushtimit dhe shpërnguljeve me forcë.
“Pjesa tjetër e Evropës nuk ka parë ndryshime kaq dramatike në strukturën demografike dhe ndoshta nuk mund ti kuptojnë vuajtjet e estonëve” pohonte në vitet ’90 kineasti, shkrimtari dhe më vonë ministri i Jashtëm e Presidenti, Lennart Meri. “Nuk ka krahasim. Përpiquni të përfytyroni Moskën, me 15 milionë banorë, gjysma e të cilëve kinez. Përfytyroni policët e trafikut në Moskë që përdorin “të drejtat e vëllait të madh” dhe flasin kinezisht, përfytyroni që lugët e pirunët, në restorante, të zëvendësohen nga shkopinjtë.”
Në Letoni gjendja nuk ishte më e mirë, të paktën nga pikëpamja e letonëve. Në fillim të viteve ’90 ishin rreth 100 000 më pak se në fillim të luftës. Numri i letonëve në Letoni, për të njëjtën periudhë, ra nga 82% në 52%. Në kryeqytet jo më shumë se 1/3 ishin letonë, ndërsa në qytetin e dytë më të madh, në Daugavpils, vetëm 1 në 8 persona ishte leton.
Duke pasqyruar këto shifra në Suedi do të thotë se më shumë se një milion suedezë do të ishin arrestuar apo shpërngulur me forcë. Në bazë të përvojës estoneze rreth gjysma e popullsisë së Stokholmit do të ishte ruse – në bazë të përvojës letone, më shumë se 2/3 e Stokholmit do të ishin rusofone. Tabelat në rrugë do të ishin në dy gjuhë, por shumica e taksistëve, nëpunësve të postës, së bankave etj., do të flisnin vetëm në rusisht duke detyruar kështu suedezët të përpiqeshin të flisnin rusisht. Nëse dikush, në mënyrë reaksionare, do të pohonte gjëra të tipit “suedezëve u duhet lejuar të flasin suedisht”, do të damkohej menjëherë si “borgjez nacionalist” dhe “antikomunist” e për këtë duhet të bënte autokritikë apo të sqarohej në degën e brendshme.
Ata që – në gjendje të dehur, apo dhe esëll – do të këndonin të ndaluarin Himn suedez, apo do të shpalosnin në çatitë e banesave flamurin kombëtar, mund të dënoheshin me një vit punë të detyruar apo të mbylleshin në psikiatri. Ata që ëndërronin udhëtime jashtë shtetit apo që do të donin të kishin një makinë, thjesht mund ta harronin nëse kishin vërejtje në librezën e punës. Më keq do të ishte për ata që do të kishin familjarë të arratisur në Perëndim gjatë “çlirimit” komunist apo që kishin marrë “dënimin suedez”, që do të thoshte 25 vite punë të detyruar në minierat e Laponisë të pasuara nga 5 vite internim.
Gjatë periudhës komuniste, Estonia u detyruar të priste mbi 7 milionë emigrantë, pjesa më e madhe rusë, të cilët në shumicën e rasteve nuk hodhën rrënjë apo nuk e morën mundimin të mësonin gjuhën e vendit. Për Suedinë, kjo do të thoshte afërsisht 35 milionë emigrantë, 5 milionë prej të cilëve do të rrinin përfundimisht duke përfituar shumë privilegje.
Emigrimi në një shoqëri të lirë, ku vendasit nuk i nënshtrohen gjenocidit apo nuk e ndjejnë të ardhmen e tyre të kërcënuar, është një gjë. Emigrimi masiv kur autoritetet vendase janë plotësisht të pamundura të ushtrojnë ndikim dhe kur popullsia vendase diskriminohet ndërkaq që refugjatëve u jepet përparësi kur flitet për punën, banesën apo gjëra të tjera, është një gjë krejtësisht e ndryshme.
Andres Küng
Përkthimi: Red. MVSK