Ronaldas Racinskas*
Mund të pohojmë se njerëzimi disa ngjarje historike i njeh më mirë, pasi kanë marrë një kuptim universal. Kjo mund të thuhet si për ngjarjet pozitive ashtu edhe për ato negative, si krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës apo gjenocidet. Disa prej tyre, thua se janë më të rëndësishme, njihen më mirë dhe e kanë fituar atë kuptimin universal. Të tjera janë lënë në harresë, ose sepse nuk janë kuptuar si duhet ose sepse kështu është vendosur.
Fitorja mbi Gjermaninë naziste çoi në dënimin universal të asaj ideologjie, nga krahu tjetër, ideologjia e regjimeve komuniste nuk është vlerësuar në të njëjtën mënyrë. Nuk ka marrë pikërisht atë kuptim universal, paçka se nga një vëzhgim kujdesshëm del se objektivi dhe numri i viktimave, i krimeve të regjimeve komuniste janë më të shumta, zgjatën më gjatë dhe prekën më shumë njerëz.
Mbijetesa e totalitarizmit sovjetik për dekada pas Luftës së Dytë Botërore hoqi mundësinë për një gjykim mbi rolin e tij në nisjen e konfliktit më të përgjakshëm të historisë njerëzore dhe mbi shtypjen ndaj popullatës së vet dhe të shteteve që pushtoi. Shndërrimi dhe rënia e sistemit sovjetik, në një farë mënyre, u ndoq nga një amnezi vullnetare.
Por cilat janë arsyet për një këndvështrim kaq të ndryshëm mbi dy regjimet totalitare dhe krimet e tyre?
Së pari, arsye politike, pasi historia është politika e djeshme dhe politika e sotme është historia e së nesërmes. Historia gjithmonë është shkruar nga pushtuesit dhe fituesit. Ata i paraqesin ngjarjet historike si ju volit. Kjo ishte historia dhe kjo do të vazhdojë të jetë: një fushë manipulimi, vlerësimesh subjektive, interpretimesh. Edhe nëse ka mirëkuptim lidhur me faktet, gjithmonë do të ketë kundërshtim për interpretimin e tyre. Disa njerëz thonë: “mos ta politizojmë historinë, le t’ia lëmë në dorë historianëve profesionistë”. Jam shumë dakord, por problemi është se historia bashkëkohore e Evropës (sidomos pjesa që lidhet me arsyet dhe përfundimet e Luftës së Dytë Botërore dhe regjimet totalitare komuniste) është tashmë e politizuar… dhe vetëm nga një kah. Për këtë arsye duhet depolitizuar dhe të vendoset në vend e drejta historike.
Së dyti, ndryshimet në kujtesën e përbashkët, pasi ajo gjithmonë përfshin emocione dhe sepse ne e shohim botën nëpërmjet “syzeve me ngjyrë”. “Ngjyra” varet nga edukimi ynë, dituria, sistemi i vlerave, përkatësia sociale, etnike apo politike, varet nga kujtesa kolektive dhe diskutimet e grupeve të përkatësisë dhe gjithashtu edhe nga përvoja dhe besimet vetjake. Do të doja të prekja disa nga këto pikëpamje.
“Faktori rus”
Sot debati lidhur me arsyet dhe përfundimet e Luftës së Dytë Botërore, mbizotërohet nga pozicionet pro sovjetike (apo pro ruse). Ky lloj diskutimi (apo doktrine) bazuar mbi “një të keqe të vetme” mund të përmblidhet shkurtimisht në këtë formë: Në dekadën e katërt të shekullit të njëzetë, në Evropë u vendos regjimi totalitar nazist i prirë nga Hitleri; regjim i cili donte të pushte botën dhe shpërtheu luftën në Evropë, pastaj nga krahu tjetër erdhën Aleatët perëndimorë dhe Bashkimi Sovjetik që e çliruan Evropën nga nazistët. Duket se qëllimisht harrohet fakti se në 1939, sovjetikët e nisën luftën si aleatë të nazistëve. Një javë pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribbentrop, dy regjimet totalitare nisën luftën më të përgjakshme në historinë e njerëzimit.
Por në kujtesën e përbashkët të shumicës së evropianëve, fillimi i luftës lidhet vetëm me sulmin nazist ndaj Polonisë. Fakti i pakundërshtueshëm historik, që Ushtria e Kuqe vetëm disa javë më vonë sulmoi Poloninë, publikisht lihet në harresë, njësoj sikur të mos ishte vënë re. Mijëra oficerë polakë të vrarë në Katyn dhe në vende të tjera, janë harruar. Gjithashtu është harruar edhe fakti që në vjeshtën e vitit 1939, komandantët nazistë dhe komunistë ngritën kupat e shampanjës në Brest, për të festuar fitoren.
Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik, për pothuajse dy vite, luftuan si aletë – fakt delikat që zakonisht lihet mënjanë.
Në pjesën më të madhe të historiografisë, agresioni sovjetik ndaj shteteve baltike shihet si çështje e ndarë nga Lufta e Dytë Botërore, i palidhur me marrëveshjen mes dy agresorëve. Sulmi sovjetik ndaj Finlandës njihet si Fushata finlandeze (Finskaja kampanija), por pushtimi dhe aneksimi i Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, edhe sot trajtohet nga disa “ekspertë” si një bashkim i vullnetshëm i tyre me Bashkimin Sovjetik, ose të paktën si një çështje e ndarë nga Lufta e Dytë Botërore.
Tani le të flasim për një anë tjetër të mitit të “çlirimit të Evropës” nga sovjetikët. Po, Evropa u çlirua nga regjimi nazist, por në mënyra të ndryshme mes Perëndimit dhe Lindjes së saj. Pjesa Perëndimore mundi të shijonte lirinë dhe zhvillimin. Në pjesën Lindore, një regjim totalitar zëvendësoi një tjetër, një pushtim një tjetër, një lloj kampi u zëvendësua nga një tjetër lloj kampi përqendrimi. “Çlirimi” u pasua nga zhvatjet, dhuna, përdhunimet dhe masakrat. Gjysma e Evropës, miliona njerëz, u gjendën matanë Gardhit dhe vuajtën dekada të gjata shtypjeje. Parlamenti Evropian në “Rezolutë për gjashtëdhjetë vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 8 maj 1945” (miratuar më 12 maj 2005), thekson “se për disa kombe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nënkuptoi rinovimin e tiranisë, shkaktuar nga Bashkimi Sovjetik stalinist” dhe se kjo “u pasua nga vuajtje, padrejtësi dhe në terma afatgjatë degradimi social, politik dhe ekonomik të vendeve të shtypura që gjendeshin në anën lindore”. Por miti i ushtrisë sovjetike çlirimtare e Evropës është ende mjaft popullor dhe, në të gjitha mënyrat, forcohet nga Rusia – pasardhësja e BRSS-së. Për më shumë; Rusia e sotme gjithmonë e më tepër është e lidhur me të kaluarën sovjetike: ideja e “të shkuarës së lavdishme sovjetike” është kthyer në një faktor konsolidimi për shtetin e sotëm rus. Është kthyer në themel ideologjik për platformën e sotme politike të Kremlinit dhe të gjitha përpjekjet për hapjen e një dialogu dhe diskutimi mbi çështjen, pengohen nga Rusia.
Bukur, ne mund të kuptojmë arsyet politike pse kjo është e volitshme për Rusinë dhe udhëheqësit e saj autokrat, por nuk kuptojmë pse kjo doktrinë duket e pranueshme për demokracitë perëndimore? Pse udhëheqësit perëndimorë përkrahin Vladimir Putinin? Nuk e shohin dhe nuk e kuptojnë që zoti i tanishëm i Kremlinit (dhe ish funksionari i KGB-së) ka zgjedhur rrugën autokratike të qeverisjes dhe se identifikimi me “fitoret e lavdishme” të së kaluarës sovjetike janë kthyer në identitet për Rusinë? Është mjaft e vështirë t’ju japësh përgjigje këtyre pyetjeve, por besoj se ja vlen të meditosh pse doktrina e një të keqeje të vetme është kaq e pranueshme për botën demokratike perëndimore.
Standarde të dyfishta për dy regjimet totalitare.
Demokracitë perëndimore dhe qytetërimi perëndimor kanë ngritur themelet mbi parimet e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat dhe liritë e njeriut – i kanë ngritur mbi një sistem vlerash morale, por lidhur me regjimet totalitare qartësisht mund të vëmë re standarde të dyfishta. Për sa i përket Rusisë dhe krimeve të regjimit sovjetik këto parime nuk janë dhe aq të vlefshme. E ashtuquajtura “real politique” mbizotëron marrëdhëniet me Moskën dhe shpesh dëgjojmë të flitet për lëshime të “nevojshme”. Tipik është shembulli i festimit në Moskë i gjashtëdhjetë vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (vend në të cilin kjo luftë faktikisht nisi). Duke marrë pjesë në spektaklin e propagandës të Putinit, udhëheqësit e respektueshëm të botës shfaqën miratim për qëndrimet e Kremlinit, i cili poshtëron viktimat e regjimit totalitar sovjetik.
Ndoshta shtetet Perëndimore në njëfarë mënyre ndihen në siklet të pranojnë se fillimisht në Teheran, Jaltë e më pas në Potsdam, gjysmën e Evropës e lanë në duart e Stalinit dhe miliona njerëz në thertoret e regjimit komunist sovjetik. Në rastin e vendeve baltike, këto marrëveshje thjesht zbatuan dhe ligjëruan trashëgiminë e Paktit Molotov-Ribbentrop. Është e vërtetë që Evropa ishte e lodhur nga lufta dhe i nevojitej paqja me çdo çmim, gjithashtu edhe Stalinin nuk do të tërhiqej me dëshirën e vet nga territoret e pushtuara. Por pse ende sot është e vështirë të pranohet kjo? Kjo është një pyetje kyç për të vërtetën historike dhe një provë për themelet e demokracive perëndimore.
Kritika dhe vetë vlerësimi janë gurët e kilometrik të një sistemi demokratik. Kjo është provuar në mjaft raste të pranimit publik të gabimeve të së shkuarës apo të flakjes së parimeve jo më të pranueshme për një demokraci (si p.sh. skllavëria, dhuna ndaj indianëve të Amerikës apo politikat kolonialiste).
Unë besoj se një diskutim i hapur dhe objektiv i organizuar në nivel evropian, duke vlerësuar dhe dënuan krimet e regjimit totalitar sovjetik, krimet dhe ideologjinë e tij, duhet të jetë shembulli pozitiv i radhës i gjykimit kritik dhe që do të forcojnë themelet e demokracisë evropiane. “Rezoluta 1481” (2006) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe këto seanca janë hapat e parë në këtë drejtim.
Vendimet e marra mbi bazën e vlerave janë të një rëndësie shumë të madhe, por duket se udhëheqja politike evropiane nuk e kupton rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e Evropës. Disa sepse, ata dhe vendet e tyre, janë të lumtur që nuk e provuan tmerrin sovjetik dhe këto “çështje historike” thjesht nuk kanë vlerë për ta. Por disa, sidomos politikanët e majtë, përgjithësisht nuk e durojnë dot idenë e dënimit të sistemit komunist sovjetik për shkak të afërsisë ideologjike.
Afërsia politike e ideologjisë marksiste me ideologjinë e partive të majta të demokracive perëndimore është ajo që ka ndikuar më së shumti. Nga njëra anë dua të theksoj se ideologjia perëndimore social-demokrate dhe parimet e solidaritetit social dhe të shtetit të mirëqenies nuk kanë të bëjnë asgjë me ideologjinë pseudoshkencore të komunizmit dhe me praktikat antinjerëzore të shtetit totalitar sovjetik. Nga ana tjetër, afërsi teoriko-ideologjike ekzistojnë. Pra, duke folur me zë të ulët, qëndrimi skeptik i përfaqësuesve dhe udhëheqësve të partive të majta në organizatat dhe forumet ndërshtetërore, përpjekja e tyre për të ndaluar nismat për vlerësimin e ideologjisë së regjimit komunist dhe të krimeve të tij, na ka sjellë në këtë pikë.
Kësaj i shtohet edhe fakti që në shtetet ish komuniste, ideologjia dhe krimet e komunizmit nuk janë vlerësuar ende si duhet. Një pjesë e madhe e elitës politike dhe ekonomike të këtyre vendeve i kanë rrënjët në atë kohë dhe nuk janë shumë të interesuar në ngritjen e çështjeve të tilla.
Për më shumë, “demokracitë e reja të Evropës” nuk janë të pjekura – qartësisht nuk e kuptojnë rolin e tyre në këtë proces historik dhe vuajnë ndikime gjeopolitike; çështje të strategjive dhe vlerave afatgjata praktikisht nuk diskutohen në asnjë nivel; elitat e tyre janë më të shqetësuara për çështjet materiale – për zgjidhjen e problemeve ekonomike në terma afatshkurtër. Në fakt, çështjet bazuar mbi vlera janë të vështira dhe është pikërisht në këtë sferë që zhvillohet gara, madje dhe përleshja, mes mendjeve më të fuqishme të botës, komuniteteve, shteteve dhe rajoneve të tëra. Shtetet e pjekura perëndimore e kanë kuptuar me kohë këtë gjë dhe prandaj i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vlerave në politikat e tyre; dhjetëra institucione dhe “think tanks”, qindra ideologë në komisionet shtetërore janë duke punuar. Nëse vëzhgojmë politikat ruse, padyshim që mund të pohojmë se edhe ajo është e pozicionuar në këtë drejtim, duke i kushtuar vëmendje shumë të veçantë përdorimit të historisë në kontekstin gjeopolitik.
Duke përmbledhur këtë pjesë të prezantimit tim: Evropës po i mungon vendosmëria dhe udhëheqja politike mbi baza morale. Sipas pikëpamjes time, politikat që nuk mbështeten mbi gjykime morale, në fund të fundit, nuk janë politika aspak praktike.
* Racinskas është drejtori ekzekutiv i Komisionit Ndërshtetëror për Vlerësimet e Krimeve naziste dhe të regjimit pushtues sovjetik në Lituani.
Pjesë nga raporti i mbajtur në seancën dëgjimore “Krimet e regjimeve totalitare”, organizuar nga Presidenca sllovene e Këshillit të Bashkimit Evropian (2008).
Përkthimi: Red. MVSK.