Një shprehje popullore thotë “qeni nuk e ha qenin”, dhe është e vërtetë, por ka kafshë shumë të egra se qeni, për shembull peshkaqenët dhe komunistët, si të parët ashtu dhe të dytët janë shumë më të rrezikshëm se qeni dhe me zhdërvjelltësi praktikojnë kanibalizmin dhe autofaginë, thënë ndryshe hanë njeri-tjetrin; një peshkaqen i eksituar nga era e gjakut, i nxitur nga impulset nëse e ka barkun e shqyer mund të arrijë të hajë të brendshmet e veta; njësoj si në proceset staliniane ku të pandehurit rrëfenin, vetvetiu, krime që nuk i kishin kryer kurrë, të bindur se në këtë mënyrë po ndihmonin “çështjen”, “çështje” që në fund të fundit përkiste me humorin e gjakatarit të Kremlinit, vrasësit më të madh të historisë njerëzore. Peshkaqeni ha peshkaqenin, komunisti shqyen komunistin.
Kush ishte njeriu që ka vrarë më shumë komunistë gjatë shekullit XX? Musolini, Hitleri, Pinoçeti? Sigurisht jo; ishte i paarritshmi Stalin që masakroi me dhjetëra miliona (vend i parë që mund të synohet edhe nga Mao Ce Duni, nëse llogarisim vrasjet e tij para dhe sidomos gjatë të ashtuquajturit “revolucion kulturor”).
Të gjitha këto dihen, dihen prej kohësh dhe nuk përfaqësojnë ndonjë risi, por historia e komunizmit është një pus pa fund, sa më shumë të gërmosh aq më shumë tmerre do të dalin në dritë. Me këtë rast do të doja të nënvizoja një tmerr me një kuptim të veçantë edhe për kanibalizmin me drapër e çekan (d.m.th. të komunistëve masakruar nga komunistët), e cila historikisht shfaqet si një episod anësor në kasaphanën shumë më të gjerë kryer nga xhelatët me yll të kuq.
Përpara se të vazhdojmë, duhet të bëj një parantezë. Duket se sot po jetojmë në kohët e revizionizmit. Një revizionizëm i çuditshëm, skizofrenik, në të cilin trashëgimtarët e komunizmit kryejnë homazhe të vonuara te viktimat e etërve të tyre. Në Itali këtë modë të re e revizioniste e çeli në 2005 Walter Veltroni [ish Kryetar i Bashkisë Romë dhe ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Italiane. Shën. MVSK] që erdhi në Trieste për të qarë në foiben e Basovicës; më tej ishte Masssimo D’Alema [ish Kryeministër i Italisë dhe ish Sekretar i Federatës Rinore Komuniste Italiane. Shën. MVSK] që shkoi në Hungari për të bërë homazhe për të rënët e kryengritjes së viti 1956; në fund doli dhe presidenti Napolitano [Giorgo Napolitano ish President i Italisë dhe ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Italiane. Shën. MVSK] që foli për foibet. E gjitha kjo është e papranueshme: këta zotërinj anashkalojnë faktin që për 60 vjet kanë heshtur, gënjyer dhe më keq akoma kanë sulmuar të gjithë ata që guxonin të thoshin të vërtetën. Nëse do të kërkonin seriozisht falje për krimet e anës së tyre politike do të duhet të silleshin në mënyrë krejt të ndryshme: duhet të braktisnin arenën politike. Në mënyrën si e dhanë mesazhin e tyre, kuptimi tingëllon kundërthënës dhe hipokrit: “Ju gënjyem për gjashtëdhjetë vite, pra vazhdoni të keni besim te ne!”
Për më shumë, këta që deklarojnë se më në fund i kuptuan tmerret e totalitarizmit “të kuq”, vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie shumë të mira me regjimet kineze dhe kubane, ku këto tmerre janë realiteti i përditshëm. Regjime që vërtetojnë se ai lloj sistemi nuk është dhe nuk do të jetë kurrë në përputhshmëri me të drejtat e njeriut. Ky është një shembull i shkëlqyer ai atij që Jean François Revel do të quante “dija e panevojshme” apo që Orwelli do e klasifikonte si mendimi i dyfishtë e që ne mund ta quajmë “të mendosh me dhoma të ndara”.
Kjo sjellje e mirë, pra ky hidhërim i tyre, ndoshta është mistifikimi i fundit, i mirë menduar; nëse këta janë “të mirë”, ja që tmerret e krahut të tyre politik automatikisht zbresin në “gabime”. Ne mund të pyesim veten nëse ky është homazhi i vonuar ndaj viktimave të komunizmit, apo ofendimi i fundit.
Nuk mund të flitet për gabime të komunizmit, pasi komunizmi ishte dhe, për fat të keq të disa vendeve, është nga vetë natyra e tij në makineri totalitare njeri-thërrmuese. Në këtë kontekst, historia komunistëve viktima të komunizmit, pra të atyre që u gëlltitën nga përbindëshi kanibal pjesë e të cilit ishin, sigurisht nuk është ajo që ngjall më shumë dhimbje (“vetë e kërkuan” mund të thoshte dikush), por me të gjitha gjasat është shembulli më i mirë për natyrën e vërtetë të asaj ideologjie gjakatare dhe të çmendur që u përpuq të siguronte “lugën e florinjtë” mbi një mal kufomash.
Duhet të kemi mirë parasysh kuadrin historik: në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të kapitullimit të Boshtit, komunistët, domethënë Stalini dhe çiraku i tij jugosllav, Titua, nisën një operacion me shtrirje të gjerë, padyshim të planifikuar prej kohësh, për të përparuar botën sllave në drejtim të perëndimit, kuptohet në kurriz të italianëve dhe gjermanëve. Operacion që synonte fshirjen e gjermanëve nga krahu lindor i lumit Oder dhe të italianëve nga bregu lindor i Adriatikut. Kjo donte të thoshte masakrimin me gjakftohtësi të mijëra, qindra mijëra dhe miliona njerëzve, civilë dhe në shumicën e tyre gra, të moshuar dhe fëmijë, duke i shtyrë të braktisnin shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokën.
Përpara vitit 1940 në tokat gjermane në lindje të Oderit jetonin 15 milionë njerëz. Pas lufte u numëruan 12 milionë refugjatë nga ato zona; 3 milion të tjerët, ku përfunduan? Në shkurt të 1945, gjermanët rimorën përkohësisht Gumbinnen në Prusinë lindore dhe u gjetën përpara skenave që tronditën dhe luftëtarët më të sprovuar: kufoma pleqsh që ishin djegur pasi i kishin kryqëzuar në dyert e shtëpive të tyre dhe trupa grash që i kishin lënë të vdisnin me barkun e shqyer pasi i kishin përdhunuar shumë herë. Mjekët e ushtrisë gjermane gjetën shenja përdhunimi edhe në trupat e vajzave të mitura; me pak fjalë esenca e pastër e komunizmit.
Në tokat italiane tmerri mori emrin e atyre shpellave natyrale që njihen si foibe. Vrasësit jugosllavë me yll të kuq në ballë, çonin viktimat, faji i vetëm i të cilave ishte kombësia e tyre italiane, në buzë të këtyre gropave natyrale, pasi i lidhnin në rresht për një, zakonisht me tela me gjemba, i shtinin të parit të rreshti që duke rënë merrte me vete dhe të tjerët. Në këtë mënyrë kurseheshin plumbat. Shumë prej viktimave qëndronin, me kockat e thyera, në fund të gropave për orë apo ditë të tëra, deri sa jepnin shpirt.
Sa italianë u masakruan në foibet? Numri i tyre është shumë i rëndësishëm pasi komunistët dhe “e majta”, jo vetëm jugosllave por edhe italiane (e kjo është gjëja që ta shpif më shumë), duke parë që ekzistenca e foibeve nuk mund të mohohet, përpiqen t’i zhvlerësojnë, të ulin numrin e viktimave dhe ti cilësojnë si një seri hakmarrjesh vetjake që janë të kuptueshme, edhe pse jo të justifikueshme, për shkak të luftës. E gjitha kjo nuk është e vërtetë, bëhej fjalë për zhdukjen e planifikuar të etnisë italiane nga bregu lindor i Adriatikut, me pak fjalë gjenocid.
Disa vite më parë Sllovenia publikoi një listë me rreth 3 000 emra viktimash të foibeve në provincën e Gorizia-s, duke pretenduar në mënyrë qesharake se ajo listë përfshinte të gjitha viktimat e bandave titiste. Për të përgënjeshtruar, këtyre që ju lejua të hynin në Bashkimin Evropian pa bërë llogaritë e të kaluarës së tyre e pa respektuar kujtimin viktimave të tyre, do të mjaftonin deklaratat e ish krahut të djathtë të Titos, e më vonë disidentit Milovan Gilas, që përllogariste viktimat e foibeve në rreth 30 000, duke shtuar me një çiltërsi të habitshme: “I vrisnim jo se ishin fashistë, por sepse ishin italianë”.
Duke qenë se bëhet fjalë për pranimin nga ana e një përgjegjësi të fajit, mund të dyshojmë se shifra është më e ulët nga realiteti (sigurisht jo më e lartë). Numrat, thjesht numrat, thonë tjetër gjë: sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1921 në Istria dhe në Venezi-Giulia-n e kohës, jetoni 500 000 italianë, që praktikisht përbënin 70% të të gjithë popullatës së asaj zone. Për fat të keq nga vitet 1921 deri 1940 nuk u kryen regjistrime popullate, por është logjike të supozosh se në këtë hark kohor numri i popullsisë është rritur dhe jo zvogëluar. Pas luftës, në Itali u regjistruan 350 000 refugjatë lufte nga zonat që aneksoi Jugosllavia. Po 150 000 që mungojnë? Një pjesë shumë e vogël, ajo që sot përbën minoritetin italian në Slloveni e Kroaci, mundi të shpëtonte: ishin ata që u shtirën si sllovenë e kroatë; të tjerët humbën jetën për shkak të luftës, por sipas një vlerësimi të kujdesshëm viktimat e foibeve nuk mund të jenë më pak se 70 – 80 000, ndërsa numri i vërtetë duhet të jetë mbi 100 000 të vrarë.
Për konceptin e “për shkak të luftës” duhet të biem dakord, p.sh. Zara nga viti 1943 dhe mesi i vitit 1945, pësoi 37 bombardime, nga ato që ndryshojnë edhe topografinë e peizazhit, megjithëse aty nuk gjendeshin as baza ushtarake dhe as njësi industriale. “Faji” i Zarës ishte fakti që përfaqësonte qytetin më të rëndësishëm italian në Dalmaci, prania italiane në Dalmaci duhej zhdukur, edhe për faktin që përfaqësonte një të vërtetë të zorshme për “aleatët” perëndimor, që me paqen e Parisit të 1919, paqe që krijoi premisat për Luftën e Dytë Botërore, i mohuan Italisë, Dalmacinë dhe Fiumen. E vërteta është që “aleatët” perëndimor u bënë bashkëfajtor me komunistët për krime të njëjta me ato që dënuan në Nuremberg. Bombardimet terroriste mbi popullsinë civile nuk mund të vlerësohen ndryshe nga “spastrimi etnik”, nga gjenocidi.
Bukur, ky është kuadri historik; tani të shikojmë rrethanat që çuan në përpilimin e dokumentit që po diskutojmë.
Pendesa dhe revizionizmi që shfaqin sot “shokët”, lidhur me këtë temë, është një risi e papritur; deri pak kohë më parë, qëndrimi i tyre ishte mohimi dhe etiketimi si “fashist” i të gjithë atyre që kishin guxim të thoshin të vërtetën. Më kujtohet shumë mirë një komunikatë e 2004 e sindikatës CGIL [një nga sindikatat më të mëdha në Itali, krijuar pas marrëveshjes midis socialistëve dhe komunistëve. Shën. MVSK] të shkollave, në të cilën manifestimet për 50 vjetorin e bashkimit të Triestes me shtetin amë, e cilësoi si “nacionalizëm të pa tolerueshëm”.
Viktima e parë dhe e fundit e komunizmit dhe e përdorimit të shfarosjes në masë si një mjet të zakonshëm “politik”, është gjithmonë e vërteta. Orwell-i shpjegon me qartësi dhe saktësi mekanizmat e brendshëm të sistemit komunist. Totalitarizmi merr jetë nga mashtrimi dhe rishkrimi i historisë. Mashtrimi është mënyra e zakonshme e “edukimit” të brezave të rinj sllovenë e kroatë, ku shovinizmi nacionalist thjesht ka zëvendësuar ideologjinë komuniste, duke mbajtur të njëjtën furi vrastare. Të rinjve slloven dhe kroat u mësohet se në tokat, që etërit e tyre i grabitën me dhunë kafshërore e që ishin pjesë përbërëse e qytetërimit venedikas, italianët erdhën jo më herët se viti 1919 dhe kishat e kambanoret veneciane, nga të cilat kanë shkulur luanin e Shën Markut, i quajnë “art kroat”. Nuk mjafton vetëm kjo, viktimat duhen bindur për “drejtësinë” e abuzimit të vuajtur, si mënyrë për shlyer të supozuarat “krime fashiste” dhe nuk duhet të turbullojnë “bashkëjetesën demokratike” me pretendime apo qoftë edhe duke këmbëngulur te mos harrimi i fakteve.
Periudha që nis nga dekada e fundit e shekullit të kaluar, ishte më e vështira. Vdekja e natyrshme të dëshmitarëve okularë, përfaqësonte çastin ideal për nisjen e “rishkrimit oruellian” të historisë. Kësaj ju bashkëngjit dhe justifikimi i “daljes nga komunizmi”, duke krijuar kushtet për të mbyllur njëherë e mirë mundësinë për të kërkuar llogari për mizoritë e kryera.
Në këtë klimë, në të cilën demokracia në fakt kthehej një trashëgimtare me të drejta të plota e komunizmit dhe që pretendonte të ngrinte të ardhmen mbi të njëjtat themele mashtrimi, lindi në vitin 1991, “komisioni i përbashkët” italo-jugosllav e që më do të bëhej italo-slloven. Ky komision historianësh, apo të pretenduarish të tillë, duhej të saktësonte një herë e mirë të “vërtetën historike”, me anë të procedure në stil “ministria e të vërtetës” oruelliane, në mënyrë që t’i pritej rruga çdo studimi të mëtejshëm.
Në “dokumentin” i miratuar, kuptohet gjithmonë për të mos penguar zhvillimin e demokracisë në Slloveni, “historianët” italianë përqafuan plotësisht tezën e kundër palës duke bërë që të mos dallohet më ku nis e mbaron propaganda titiste. U zvogëlua përmasa e dhunës dhe e masakrave duke i paraqitur si “reagim i kuptueshëm” ndaj një dhune të supozuar “fashiste”, e cila nuk u specifikua në asnjë rast. Gjithashtu u ul dhe numri i vërtetë i italianëve në tokat e aneksuara dhe madje ju dha zë pretendimeve territoriale sllave. E gjitha mbyllet me një shënim që do të quhej komik nëse nuk do të ishim duke folur për një tragjedi kolosale: eksodi i italianëve të Istrias u shpjegua si efekt i bumit ekonomik italian, që do verifikohej vetëm një dekadë më vonë.
“Punimet” e këtij komisioni vazhduan afërsisht 10 vjet dhe në fund dokumenti u qit, ose më mirë u jashtëqit, në gazetën “Piccolo” të Triestes, në prill të 2001. Duke parë volumin e këtij dokumenti mund të thuhet që komisioni nuk ka përpiluar më shumë se një apo dy faqe në vit.
Ky dokumenti pati një kundërpërgjigje të menjëhershme nga IRCI (Instituti Rajonal për Kulturën në Istria-Fiume-Dalmaci), i cili botoi libërthin “Dhjetë vite për një dokument” të Piero Delbello. Ky botim, shumë më serioz se fshirologjia propagandistike, jo vetëm hedh dritë në anë pak të qarta të financimeve publike, lidhur institute të supozuara kërkimore që në fakt shërbenin vetëm për pagesën e rrogave të profesorëve komunistë; por zbulon dhe anë të harruara të atyre viteve të tmerrshme. Askush në këto institute nuk kishte folur se ç’ju ndodhi formacioneve partizane të komunistëve italianë të rreshtuar në Korpusin IX titist; një histori për të cilën nuk vlen të derdhësh një pikë loti por që është domethënëse për vetë natyrën e komunizmit.
Megjithëse si duket nuk ekzistojnë dokumente, çdo gjë të lë të kuptosh se midis komunistëve italianë dhe atyre jugosllavë, pra mes Togliatti-t dhe Titos ka pasur një marrëveshje; mbështetja ndaj pretendimeve territoriale jugosllave në shkëmbim të ndihmës për të bërë “revolucionin socialist” edhe në Itali; vetëm kështu mund të shpjegohet pse aradhet partizane italiane të Venezi Gulia-s dhe Friulit kaluan nën urdhrat e Korpusit IX jugosllav. Brigada partizane por jo komuniste Osoppo, për shkak se nuk pranoi këtë vendim u masakrua e gjitha nga partizanët komunistë të brigadës Garibaldi.
Fati që patën këto formacione partizane ishte i ndryshëm: ata që qëndruan në territoret që (jo për meritë të tyre) i mbetën Italisë, u cilësuan si heronj (të një lufte që kishin luftuar vetëm kundër civilëve), ndërsa mbi ngjarjet më të ndyra, si masakra e Porzus, ra një vello heshtjeje.
Fati i atyre që u gjendën në territoret që u morën në kontroll nga jugosllavët, ishte shumë më i ndryshëm. Ata megjithëse ishin partizanë komunistë, në fund të fundit ishin italianë, pra për ta nuk kishte vend në Jugosllavinë e re që po ndërtohej. Titua zbatoi parimin se toka e huaj mund të asimilohet, por gjaku jo, gjaku i huaj duhet zbuar ose fshirë.
Mashtrimi më shumë se një mjet i domosdoshëm për vendosjen e komunizmit, mund të themi se është vetë thelbi i komunizmit. Fshirja e të vërtetës dhe shtypja e lirisë shkojnë përkrahu. Mashtrimi, skllavërimi, eliminimi i të drejtave të njeriut, fshirja e opozitarëve apo çdokujt që nuk njëjësohet, qoftë edhe për motive etnike – ky është komunizmi, ky ka qenë dhe është kudo ku ka ekzistuar.
Sot “shokët” na shfaqen të penduar për gabimet e të kaluarës dhe të rrethuar nga tis mirësie. Më lejoni të jem dyshues: nga peshkaqeni lindin vetëm peshkaqenë.
Fabio Calabrese
Përkthimi MVSK