Home

Racizmi i Marksit dhe i Engelsit dhe përçmimi i tyre për qytetërimet dhe popujt para industrial: teoria e gjenocidit si praktikë revolucionare e “komunizmit shkencor”

Marksi (1818-1883) dhe Engelsi (1820-1895), bashkautorët e të famshmit Manifest i Partisë Komuniste (1848), njihen botërisht si etërit e social-komunizmit modern apo si dëshironin vetë ta cilësonin “socializmit shkencor”, për ta dalluar nga socializmi “idealist-utopik”, duke pretenduar se kishin zbuluar “ligje shkencore” historiko-ekonomiko-sociale që, sipas tyre, pashmangshmërisht dhe nën një këndvështrim materialist, evolucionist e determinist të historisë (forca lëvizëse e të cilës cilësohej lufta e klasave ndërmjet zotëruesve të mjeteve të prodhimit dhe punëtorëve), përtej çdo idealizmi e utopie, do të çonte gjithë njerëzimin, fillimisht drejt kapitalizmit, pra drejt revolucionit punëtor socialist botëror dhe në fund drejt shoqërisë komuniste pa klasa, që cilësohej si qëllimi përfundimtar dhe i pakthyeshëm i gjithë historisë së njerëzimit.
Në pikëpamjen marksisto-engelsiane ishte i nevojshëm mbizotërimi botëror i borgjezisë industrialiste dhe i kapitalizmit, që do të shpërndanin gjithandej industrinë, shkencën e teknikën, të cilësuara si të vetmet themele të “qytetërimit” dhe të “zhvillimit” njerëzor, rrjedhimisht do të linde kudo një proletariat industrial, i cili “natyrshëm” do të ishte revolucionar për shkak cilësisë së jetesës, shfrytëzimit dhe depersonalizmit. Sipas doktrinës marksisto-engelsiane fshatarët ishin “natyrshëm” kundërrevolucionar, pra “reaksionar”, pasi ishin të lidhur shpirtërisht me tokën dhe me traditat kombëtare, familjare, sociale dhe fetare; vetëm proletariati industrial, për shkak të karakterit të tij anonim dhe të depersonalizuar, ishte “natyrshëm” revolucionar, prandaj Marksi dhe Engelsi shpresonin që me të gjitha mjetet (edhe ato të dhunshmet) të arrihej në shndërrimin e masave fshatare në masa proletare. Sipas tyre, në një çast të caktuar kapitalizmi, i shtrirë në të gjithë botën, nuk do të vazhdonte më të prodhonte pasuri e zhvillim dhe do të hynte në krizë për shkak të strukturës së tij që prodhonte si luftëra shkatërrimtare ndërmjet shteteve kapitaliste në garë për tregjet ashtu dhe për shkak të luftës së klasës ndërmjet zotëruesve të mjeteve të prodhimit dhe punëtorëve; në atë pikë proletariati, jo për idealizëm por i detyruar nga shfrytëzimi kapitalist – ndërkohë gjithmonë i drejtuar dhe i “ndriçuar” në formimin “vetëdijes klasore” nga intelektualët revolucionar të mbrujtur me “socializmin shkencor” – do të duhej të hiqte qafe, me revolucion të armatosur, borgjezinë dhe të gjithë kundërrevolucionarët, kategori që përfshin antikomunistët (apo “reaksionarët”) por edhe “socialistët borgjezë” apo “socialistët reaksionar” (si etiketoheshin të gjithë ata që kishin përqafuar teoritë socialiste “idealiste” e “borgjeze” që binin ndesh me “socializmin shkencor” marksisto-engelsian); pra duke kaluar në “diktaturën e proletariatit” dhe të shtetit autoritar socialist, do të mund, në fund, të arrihej abrogimi i çdo forme shteti dhe klase sociale. Për më shumë, në perceptimin plotësisht materialist dhe tekniko-shkencor të “qytetërimit” dhe të së ardhmes komuniste të njerëzimit, doktrina marksisto-engelsiane nuk linte asnjë hapësirë për çfarëdo lloj metafizike apo forme besimi fetar, përkundrazi duke i cilësuar si pengesa që do të duhet të zhdukeshin ca nga dhuna revolucionare e ca nga zhvillimi i vazhdueshëm shkencor, tekniko-industrial dhe social-ekonomik, që do ta bënin njeriun të harronte çdo mendim të “përtejshëm” (sic!). Sipas Marksit dhe Engelsit (dhe për marksistë të tjerë që pasuan, si rusi Lenin) edhe familja tradicionale, e cila që prej kohëve më të largëta botërisht është mbështetur mbi dallimin mes roleve, mbi identitetin e paraardhësit dhe mbi vlera të shenjta, e fetare, do të ndalohej pasi nuk vlerësohej si një fakt parësor e natyral e aq më pak me karakter të shenjtë dhe shpirtëror, por si një rrjedhojë e formave social-ekonomike dhe të raporteve të prodhimit të konsoliduar në kohë, pra një institucion tipik reaksionar (sic!) dhe një vegël e klasës sociale mbizotëruese, njëkohësisht dhe një institucion që mban dhe përçon vlera dhe mënyra jetese kundërrevolucionare, dhe si e tillë duhet eliminuar dhe zëvendësuar me një familje të tipit kolektiv dhe barazimtar pa identitet dalluese mes farefisesh.
Kjo do të përbënte “çlirimin” përfundimtar të njeriut nga shfrytëzimi, nga çdo rol e dallim social, duke krijuar kështu «parajsën mbi tokë», ashtu si Marksi dhe Englesi quanin shoqërinë e ardhshme, komuniste të lumtur, ku çdo qenie njerëzore do të vepronte sipas mundësive (mesa duket as shoqëria e ardhshme komuniste nuk do të mund të zhdukte dallimet e inteligjencës dhe të aftësive të njerëzve, pasi ato nuk varen nga faktorët social-ekonomik e për këtë nuk mund të zhduken apo barazohen…) dhe gjithsecilit do t’i jepej në bazë të nevojave vetjake.

Bazuar në këndvështrimin e tyre, Marksi dhe Englesi nuk mund të mos përçmonin popujt para industrial dhe të lidhur fortë me traditat e tyre kombëtare, sociale, familjare e fetare, kundrejt të cilave ushqenin ndenja të theksuara raciste, duke i njollosur si «popuj kundërrevolucionar», pasi duke penguar përparimin e industrisë, shkencës e teknologjisë të popujve “të qytetëruar” dhe “të evoluar”, ata vonin në këtë mënyrë edhe revolucionin proletar komunist, i cili për etërit e “socializmit shkencor” kishte funksion të vërtetë “shpëtues”, “katarsisi” dhe “rigjenerimi” universal. Popujt para industrial, ishin refraktar ndaj modernizmit industrial, ashtu si dhe masat fshatare, që me thjesht ekzistencën e tyre pengonin ardhjen “qytetëruese” të kapitalizmit dhe të fazës pasardhëse të tij, revolucionin “shpëtimtar” komunist, thënë ndryshe të së ardhmes pashmangshmërisht “të shkëlqyer” të njerëzimit: të «parajsës mbi tokë», pra të shoqërisë komuniste. Për Marksin dhe Englesin fati i këtyre popujve ishte i shënuar: duhet të zhdukeshin nga faqja e dheut nën peshën e përparimit të pandalshëm e të dhunshëm të kapitalizmit, i cili me luftërat e tij për shtrirjen e tregjeve, që dhe komunistët e punëtorët duhet ta mbështesin fuqishëm këtë gjë që shihej si “progres” nga etërit e “socializmit shkencor”. Bëhej fjalë, pra jo për një racizëm biologjik, por për një racizëm të tipit social-ekonomik, kulturor e gjeopolitik, me idenë e eliminimit të plotë fizik të atyre popujve.
Racizmi i Marksit e Engelsit ndjek me përpikëri këndvështrimin e tyre të njëanshëm dhe perëndimor-centrik të “qytetërimit” dhe të historisë. Etërit e “socializmit shkencor” gjithmonë kanë shfaqur admirim të madh për anglezët, holandezët dhe për pasardhësit e tyre amerikano verior si përhapës të fuqishëm të kapitalizmit, e nga ana tjetër kishin një përçmim të dhunshëm për rusët pasi i konsideronin «popull kundërrevolucionar», për shkak të gjendjes social-ekonomike gjysmë feudale dhe mentalitetit para modernist, por që gjithsesi ju njihnin një të ardhme për shkak të historisë së tyre të gjatë (për ironi, pikërisht në Rusinë gjysmë feudale, kundër parashikimeve shkencore të Marksit dhe të Englesit, do të ngrihet regjimi i parë marksist në botë), e ardhme u njihej, por pjesërisht edhe të përçmueshmëve sllavë që ishin ende nën Perandorinë Osmane, serbëve qendër-jugor, shqiptarëve, bullgarëve etj., por aspak të urryerve sllavë të Perandorisë Austro-Hungareze, pra çekëve, sllovakëve, bohemëve, moravëve, sllovenëve, dalmatëve, kroatëve, serbëve verior etj., pasi i cilësonin popuj barbar dhe antimodern, apo si i pëlqente Engelsit t’i quante, njerëz «pa histori dhe të ardhme», «kombëz të mpirë», «popuj kundërrevolucionar» me prirje dhe mentalitet atavik të shkaktuar nga një fat social-ekonomik dhe gjeopolitik, që disa studiues në këndvështrimin e tyre e kanë përcaktuar si “determinizëm gjeo-etnik”; ndërkaq lavdëronin polakët (popull sllav) dhe maxharo-hungarezët (popull lindor dhe jo sllav por ugro-finik), të cilët i cilësonin si popuj të qytetëruar pasi nga pikëpamja kulturore ishin perëndimizuar (të parët nga katolicizmi, pra nga krishterimi romano-latin, dhe nga bota e afërt gjermane, të dytët nga katolicizmi dhe Perandoria Austro-Hungareze, pjesë e të cilës ishin) dhe sepse, për shkak të karakteristikave të tyre dhe të pozicionit gjeografik, historikisht ishin anti rusë.
Marksi, me përçmim i përshkruante rusët si «lakra ngrënës» (1), ndërsa çekët dhe ballkanasit si «mbeturina etnike» (2). Në vitet 1848 dhe 1849, në revistën “Neue Rheinische Zeitung” të drejtuar nga ai dhe të financuar nga Englesi, Marksi shkruante për «plebenjtë sllavë» ku përfshinte rusët, çekët dhe kroatët. Sipas atit të komunizmit modernë, këto «raca prapanike» kishin si «detyrë urgjente» dhe të vetmin fat «të zhdukeshin në stuhinë revolucionare botërore», duke theksuar se «lufta e ardhshme botërore do të eliminonte nga faqja e botës jo vetëm klasat reaksionare dhe dinastitë e tyre, por edhe popuj të tërë reaksionarë. Ky do të jetë një përparim», dhe që «vetë emri i tyre do të zhduket» (3). Engelsi ishte dakord: «Lufta e ardhshme botërore do të jetë shkaku i zhdukjes së shumë popujve reaksionarë. Edhe ky është progres». (4)
Englesi në shkrimin e tij Pansllavizmi demokratik, të vitit 1849 (5), duke polemizuar fuqishëm me drejtuesit e lëvizjeve socialiste pansllaviste, sidomos me rusët, që mbështesnin pretendimet kombëtare të popujve sllavë të Evropës qendrore dhe të sllavëve të Ballkanit nën Perandorinë Austro-Hungareze për të ndërtuar një shtet të madh sllav (mes tyre ishte edhe socialisti anarkist Bakunin, i cili si anarkist hidhte poshtë doktrinën e Marksit dhe të Engelsit mbi shtetin komunist diktatorial – dhe drejtimin gjerman e hungarez që ata mendonin t’i jepnin revolucionit komunist, por që ndante plotësisht me ta filozofinë ateo-materialiste, teorinë e luftës së klasave revolucionare e të dhunshme dhe urrejtjen me gjithë shpirte ndaj feve), përgjigjej se ata popuj ishin vetëm «kombëza të mpirë, të pafuqishëm, anemik» dhe që «nuk kanë vitalitet të tyrin», që «nuk mund të arrijnë kurrë një mëvetësi të vërtetë» dhe që nëse Perandoria Austro-Hungareze do të shpërbëhej, ashtu si shpresonin pansllavistët, do të përballeshin «me terrorizmin revolucionar të gjermanëve dhe hungarezëve», gjithashtu shpallte «se urrejtja për rusët ishte dhe është pasioni i parë revolucionar i gjermanëve» ashtu si «urrejtja për çekët e kroatët» prandaj «së bashku me polakët e hungarezët, ne [gjermanët] mund të përforcojmë themelet e revolucionit vetëm duke ushtruar kundrejt këtyre popujve terrorizmin më të hekurt», deri në «shfarosje», e gjitha kjo «në interesin e përgjithshëm të revolucionit». Në të njëjtin shkrim shpallte hapur se «në histori, pa forcë, pa një mizori të çeliktë, nuk arrihet gjë», konceptet etiko-moral të drejtësisë, sjellja njerëzore, liria, barazia, vëllazëria dhe pavarësia e popujve, duhet të sakrifikohen në emër të «interesit ekskluziv të qytetërimit». Këtyre ideve ju bashkohej plotësisht dhe Marksi, madje disa historianë të marksizmit pohojnë se shkrimin në fjalë, u nënshkrua vetëm nga Englesi, por në të vërtetë u përpilua nga të dy. Në të njëjtat faqe ngrihet lartë veprimtaria kolonizuese dhe “qytetëruese» e të bardhëve, jenkit amerikano verior, të cilët admirohesh tej mase nga Marksi dhe Englesi, ndërkaq që cilësonin si “apatik”, “të paaftë” dhe “prapanik” lëkurëkuqtë dhe meksikanët.

Të zinjtë, as ata, nuk i shpëtonin përçmimit racial të Marksit, që i etiketonte si “idiotë” dhe në letërkëmbimet e tij private shpesh përdorte formën ofenduese anglo-amerikane nigger (negër). Për shembull, rivalin e tij, teoricienin dhe drejtuesin revolucionar hebreun gjerman Ferdinand Lassalle, e apostrofonte si «the jewish nigger» (negri çifut), duke ripohuar dhe përçmimin për hebrenjtë (edhe pse Marksi vetë ishte me origjinë hebraike), përçimin që e kishte theksuar që në pamfletin Çështja hebraike (1843-44) – për të cilin do flasim më poshtë – po ashtu si del qartë në një letër drejtuar Engelsit në vitin 1862: «Më duket absolutisht e qartë, si tregon sa forma e kokës së tij [e Lassalle-it, shën. red.] aq edhe struktura e flokëve të tij, se rrjedh nga negrit që morën pjesë në arratinë e Mojsiut nga Egjipti (ose nëna apo gjyshja e tij, nga ana atërore, janë shartuar me ndonjë negër) […] mënyra e pakujdesshme me të cilën vepron është tipike e negrove. Negri i keq çifut, një çifut i yndyrshëm që maskohet duke krehur flokët me xhel e duke u stolisur me çikërrima kinkalerie. Tani kjo përzierje çifute me gjerman, me një sfond negrish duhet të japë një rezultat të çuditshëm!» (letër e Marskit drejtuar Engelsit e 30 korrikut 1862) (6). Lidhur me çështjen e gjendjes së mjeruar të skllevërve në Amerikën e veriut, Marksi ju përgjigje atyre që ishin për lirimin e tyre se: «Pa skllavërinë, Amerika e veriut, vendi me zhvillimin më të madh, do të kthehej në një vend patriarkal. Fshije Amerikën e veriut nga harta e botës dhe do të shkaktosh anarkinë: dekadencën e plotë të tregtisë dhe të qytetërimit modern. Ndaloje skllavërinë dhe do të kesh fshirë Amerikën nga harta e shteteve të botës» (7). Ky vlerësim i “shkencëtarit ekonomist” u përgënjeshtrua nga fakti se ishte borgjezia industriale jenki që rrëzoi skllavërinë në SHBA, pasi pengonte “tregun e lirë”, pra lëvizjen dhe shfrytëzimin lirshëm të krahut të punës ndërkaq që skllavizmi e mbante të lidhur me tokën. Gjithsesi është interesant që Marksi filo-skllavist, në mënyrë të pashpjegueshme, shihet nga marksistët si teoricieni i “çlirimit të popujve”.
Ideja që Marksi dhe Englesi kishin për “qytetërimin”, në thelb ishte e njëjtë me atë të kapitalistëve: tekniko-industriale dhe shkencoro-pozitiviste, me ndryshimin se ndërsa shumë kapitalistë (evropianë dhe amerikanë) e quanin veten të veshur me “mision hyjnor” për të përhapur industrinë dhe shkencën moderne në të gjithë botën, në një vizion që ishte (dhe është) faktikisht, përkundër bindjeve të tyre fetare, materialist, te Marksi dhe Engelsi admirimi për progresin shkencor e tekniko-industrial inkuadrohej në një këndvështrim filozofik ultra racionalist, evolucionist, anti-metafizik dhe thellësisht antifetar, e kuptohet revolucionar për kalimin e kapitalizmit në komunizëm. Përtej këtyre dallimeve, për etërit e komunizmit shkencor, borgjezia industrialiste moderne ishte një motor i fuqishëm i “progresit” botëror e si e tillë duhej mbështetur në imperializmin e saj “qytetërues”.
Në fund të fundit si Manifesti i Partisë Komuniste i Marksit dhe Engelsit ashtu dhe Kapitali i Marksit përbëjnë në të njëjtën kohë si aktin e akuzës më të madh por dhe lavdërimin më të madh të borgjezisë kapitalist. Në këto dy tekste, dhe në të tjera, veç theksimit të karakterit shfrytëzues të kapitalizmit e borgjezisë kundrejt klasës punëtore, vërshojnë edhe lavdërimet thuajse mistike rreth funksionit të saj të pretenduar si qytetëruese e botës, duke cilësuar borgjezinë kapitaliste si «klasa më revolucionare e historisë» deri në atë kohë; madje dy etërit e komunizmit modern revolucionin komunist e quanin të mundshëm vetëm në një vend me borgjezi kapitaliste të zhvilluar dhe jo në vende para industriale, duke këmbëngulur në faktin që punëtorët dhe partitë komuniste duhej të bashkëpunonin me borgjezinë kapitaliste për të shkatërruar, edhe me dhunë, shoqëritë para industriale dhe duke u pajtuar, kështu plotësisht, me imperializmin kolonial botëror të Britanisë dhe ekspansionizmin e të bardhëve në Amerikën e veriut, cilësuar si prurës të industrisë kapitaliste moderne, nga krahu tjetër dënonin imperializmin spanjoll pasi ishte latifondist, feudal, para industrial dhe pengesë për kapitalizmin modern.
Për sa i përket Spanjës, nuk bëhej pra fjalë për një dënim moral të imperializmit të saj kolonial (që në shekujt XVI-XVII kishte shkaktuar në të dy Amerikat një gjenocid njerëzor e kulturor), por thjesht një dënim social-ekonomik e ideologjik: duke penguar kapitalizmin modern, pengohej formimi i një klase punëtore moderne pra pengohej revolucioni komunist, që ishte, për Marksin dhe Englesin, një rrjedhojë matematikore e kundërshtive të brendshme të kapitalizmit. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe përçmimi i plotë që Marksi e Engelsi kishin për shumicën e sllavëve, që cilësonin si barbarë dhe kundërrevolucionar, ku përjashtim bënin vetëm polakët pasi i shikonin si anti rusë dhe në orbitën kulturore perëndimore (si theksuam edhe më lartë, kjo për shkak të katolicizmit romano-katolik që e ndante dukshëm Poloninë nga shumica e Evropës Lindore që ishte sllavo-ortodokse).

Për Engelsin, veç atyre pakicave etnike sllave të Perandorisë Austro-Hungareze, të përmendura më lartë si popuj «pa histori e të ardhme», «kombëza të mpirë, të pafuqishëm e anemik», «popuj kundërrevolucionar», duhet të zhdukeshin edhe baskët, bretonët dhe skocezët (8). Sipas mendimit tonë, arsyeja e këtij urimi të kobshëm qëndronte te fakti që këto ishin pakica etnike tepër krenare. Ato cilësoheshin nga Engelsi si relikte etno-historike, të lidhura ende me jetën para industriale dhe mbi të gjitha të lidhura fortë me identitetin e tyre etno-gjuhësoro-kulturor dhe me kërkesat e tyre autonomiste rrezikonin njëjësinë shtetërore të Spanjës, Francës dhe Britanisë së Madhe (pikëpamja komuniste marksisto-engelsiane e Shtetit, si mjet i përkohshëm dhe i nevojshëm për të realizuar “parajsën” komuniste pa klasa e pa shtet, është ultra autoritare, diktatoriale dhe për rrjedhim një shtet unitar, i centralizuar dhe njëjtësues, ashtu si ishin të gjithë regjimet komunist në histori); për këto arsye ai uronte zhdukjen e tyre.
Nga sa më lartë, del qartë që Marksi dhe Englesi nuk ju njihnin të gjithë popujve dinjitet, të drejta dhe liri për vetëvendosje të barabarta: vetëm popujt e zhvilluar nga pikëpamja industriale kishin të drejtën historike të quheshin “kombe” dhe të synoni lirinë, gjithashtu të kishin edhe të drejtën të pushtonin, të shtypnin e të “qytetëronin” popujt më pak të “evoluar”, e në fund të drejtën, madje detyrën, t’i zhduknin nëse bëheshin pengesë për “progresin” social-ekonomik dhe për “evolucionin” historik.
Ata teorizonin gjenocidin si detyrë frutdhënëse për praktikën revolucionare të “komunizmit shkencor”.

1) Bertrand Wolfe, Marxism – One hundred Years in the Life of a Doctrine, New York, The Dial Press, 1965, p. 32, cit. in Richard Wurmbrand, L’altra faccia di Carlo Marx, Editrice Uomini Nuovi, 1984, 2008, cap. 6.

2) Karl Marx & Friedrich Engels, The Russian Menace to Europe, Glence, The Free Press, 1952, f. 63, cit. në Richard Wurmbrand, L’altra faccia di Carlo Marx, Editrice Uomini Nuovi, 1984, 2008, kap. 6.

3) Bertrand Wolfe, Marxism – One hundred Years in the Life of a Doctrine, New York, The Dial Press, 1965, cit.në Richard Wurmbrand, L’altra faccia di Carlo Marx, Editrice Uomini Nuovi, 1984, 2008, kap. 6;George Watson, The Lost Literature of Socialism, James Clarke & Co Ltd, 1998.

4) Marx-Engels-Werke (MEW), SED, Berlin, volumi VI, p. 176, cit. në Richard Wurmbrand, L’altra faccia di Carlo Marx, Editrice Uomini Nuovi, 1984, 2008, kap. 6.

5) Friederich Engels, Pansallvismo demokratiko, në: Domenico Settembrini, Il Labirinto Marxista, Edizioni BUR, 1982, f. 246-248.

6) Nathaniel Weyl, Karl Marx Racist, Arlington House; George Watson, The Lost
Literature of Socialism, James Clarke & Co Ltd, 1998.

7) Nathaniel Weyl, Karl Marx Racist, Arlington House, cit. në Richard Wurmbrand,
L’altra faccia di Carlo Marx, Editrice Uomini Nuovi, 1984, 2008, kap. 6.

8) George Watson, The Lost Literature of Socialism,James Clarke & Co Ltd, 1998.

 
Diego Costantino
International Review of Scientific Synthesis,Vol. 124, 28.II.2013
Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s