Trifon Xhagjika lindi në Peshtan (Tepelenë) në vitin 1932. Pas studimeve ushtarake u gradua Kapiten. Arrestohet në vitin 1963. Fjalët e tij të fundit në gjyq ishin “Më jepni një top të qëlloj sistemin!”. 18 dhjetor 1963 pushkatohet. Varri nuk është gjendur ende.
Cili është i munduri?
Doja, o jetë
të puthja melodinë tënde,
por jam i humbur,
nuk kthehem dot të të puth,
ashtu si s’kthehem dot në fëmininë time.
Ishim dy shokë,
si vëllezër gjaku
dorën ja shtrinim njëri-tjetrit.
Tani njëri
“Kufomën” e tjetrit heq pas vetes,
është “kufoma” ime.
Falmë o shok,
por edhe “kufomë”.
Rrugët i kemi të ndryshme.
Ti shko në rrugën e lavdisë,
të amëshimit.
Unë… drejt “së panjohurës”.
Kënga e verbër
(Trakt)
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh zotërve,
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin,
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelik!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë.
(me emrin tënd të vjedhin jetën).
Sa do të doja
që ballin e ftohtë,
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje.
Ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Mes tmerrit duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani
t’ju rrëfej të vërtetën,
që ndrit.
Ta dinë udhëheqësit lartë
dhe e larta Republikë,
se ne nuk jemi
as të verbër,
as shurdhë në politikë.
Eh, Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristjan Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’të di kush je!
Tek ti jam,
por më ndjekin.
Tek ti jam
i lirë pa liri,
i gjallë i pajetuar
i vdekur i pavarrosur.
O vendi im!
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çuditën ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimit i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time!
Nga nata ilegale,
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e së ardhmes,
të ngre Flamurin e besimit tim.
Aty të shkruar e kamë biografinë,
të pastër e pa njolla;
Dhe ti, o Republikë,
e gjora Republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Por tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të këndoj më
trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën më përshkon.
Por tërbimin tënd nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e dua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
Lavire e zotërve gjakprishur!”
Mburacaku i Rodit
Mbi Atdheun e arnuar
kullosin zemra të prishura.
Si duken bijtë e Atdheut,
të zbehtë,
të trembur!
I lëshojnë hapat ngadalë
për të mbytur orët e mërzisë.
Një pinjoll gruaje
i ka mësuar të mbyllin gojën
e të shtrijnë qafën.
Rreth tij rrotullohen sy,
lëvizin buzë automatike.
Prapa tij përkulet lavdia
shuhet guximi.
Ai ka mendim, kundërmendim
fjalë, kundërfjalë
dëshirë, kundërdëshirë.
Dhe zemrën e Atdheut
mund ta thyejë në kupë të gjurit.
Ai thotë:
– Unë kam kërcyer malin e së ardhmes
ndezur me zjarre bengalësh.
Por e vërteta,
O pinjoll gruaje,
mbetet e pavdirë,
Ku e bëre kërcimin
në malin e Rodit?
“Këtu është Rodi, këtu kërce!”