Marksizmi dhe populli: historia e një dashurie të pa lindur.
Në fillim ishte Marksi. Në gjysmën e shekullit XIX erëra revolucionare përshkruanin kontinentin evropian, rendi i restauruara në Kongresin e Vjenës lëkundej dhe tashmë fundi i tij ishte i afërt. Është viti 1848, një vit që hyri në histori jo vetëm për daljen në skenën politike të nacionalizmit, por edhe për teorizimin e parë shkencor të socializmit: Manifesti i Partisë Komuniste. Në të vërtetë, Marksi nuk ishte teoricieni i parë i socializmit në kuptimin e gjerë të fjalës, rrënjët e tij shtrihen thellë në histori, por ndryshe nga paraardhësit e tij, të etiketuar disi me shpërfillje si “utopistë”, Marksi kundërsulmonte me një metodë revolucionare të tejngopur me racionalizëm të tipit iluminist.
Ku qëndron risia më e madhe e marksizmit? Në konceptimin e klasave, në mënyrë të veçantë asaj proletare, bijë e një shoqërie të lindur nga triumfi i borgjezisë ndaj regjimit të vjetër dhe që do bëhej motori i revolucionit. Që në fillim Marksi përcakton “proletariatin” si subjektin par excellence të revolucionit, si mjetin nëpërmjet të cilit do të çmontohet sistemi i prodhimit kapitalist dhe bashkë me të edhe vlerat tradicionale “borgjeze” (familja, feja, patriotizmi, etj.). Duhet nënvizuar se ky subjekt revolucionar, në këndvështrimin e Marksit, përjashton pjesën më të madhe të vetë popullit: në fakt Marksi kur flet për proletariat nënkupton vetëm mëditësit, ose më mirë të themi, klasën punëtore. Kjo sepse punëtorët cilësohen si të vetmit në gjendje të zhvillojnë një vetëdije klasore dhe një organizatë sindikale të aftë për të përmbysur sistemin. Me këtë temë thelbësore – veç polemikës anarkiste lidhur me refuzimin e diktaturës së proletariatit që shikohej si një tjetër formë e shtypjes shtetërore – lidhet dhe dështimi i internacionales së parë të punëtorëve. Nga njëri krah anarkisti Bakunin bëhej zëdhënësi i nënproletariatit (tipik për vendet më të varfra si Italia dhe Spanja) dhe nga krahu tjetër Marksi nuk hoqi kurrë dorë nga ideja se revolucioni do të niste vetëm në vendet më të industrializuara që kishin proletariat.
Përtej gabimit trashanik të Marksit, që cilësonte traditat si një element strukturor të kulturës borgjeze, ndërkohë që janë vetë shpirti i një populli, kjo karakteristikë klasike e marksizmit do të ketë një peshë të rëndësishme në zhvillimet e socializmit evropian. Shembull tipik është Gjermania e Vajmarit, që kishte dy partitë më të rëndësishme socialiste të Evropës (SPD dhe KPD), të cilat asnjëherë nuk denjuan të dëgjonin nevojat e asaj pjese të stërmadhe të popullsisë që ishte e papunë, duke i cilësuar si të paaftë për t’u organizuar dhe duke i kaluar kështu, në plan të dytë. Për të papunët do të kujdeseshin nacional-socialistët, të cilët refuzonin këndvështrimin klasor të shoqërisë duke e quajtur të mundur bashkimin e interesave të sipërmarrësve dhe të rrogëtarëve, duke u bazuar te përkatësia e përbashkët gjermanike, në të cilën të papunët bënin pjesë me të drejta të plota. Rritja elektorale e nacional-socialistëve mund të interpretohet edhe me këtë këndvështrim, pra me aftësinë për të tejkaluar ndarjen klasore të shoqërisë.
Trashëgimia e kësaj kulture mbijeton ende sot në të majtën post-marksiste: frika atavike për atë popull të cilësuar pak injorant dhe viktimë e pasioneve më të ulëta, pasqyrohet në thirrjet e vazhdueshme për rrezikun “populist”. U arrit kështu në paradoks, një e majtë plotësisht e paaftë për të kuptuar nevojat e vërteta të popullit. E përhumbur në një botë të shkëputur nga realiteti, e majta po kryen (përsëri) më klasikun e gabimeve të veta: po harron se ç’është në të vërtetë populli dhe duket se populli i shëmtuar dhe i keq i periferive, tashmë e ka kuptuar këtë gjë.
Daniele Frisio
Përkthimi MVSK