Brenda 8 vitesh, Çaushesku, diktatori komunist i Rumanisë, me goditje të përqendruar, “zgjidhi” problemin e borxhit. Rreth 12 miliardë dollarë amerikanë që u paguan përpara afateve dhe që pothuajse shteruan plotësisht rezervat e arit të Bankës Kombëtare rumune. Kur u shpall, kjo arritje u duartrokit fuqishëm, pas 9 muajsh populli e pushkatoi.
Nuk kuptohet mirë nga se u ndikua, nga ndjena praktike e një fshatari rumun, apo nga mosbesimi ideologjik, fakt është se në kundërshtim me të gjitha rregullat e financës së madhe ndërshtetërore, Çaushesku në vitin 1981 vendosi të mbyllte çështjen e borxhit. Bëhej fjalë për 12 miliardë USD dhe duke parë që qeveria komuniste nuk shtynte shtetasit të kursenin të hollat dhe nuk emetonte bono thesari, i gjithë borxhi ishte i jashtëm. Pjesa më e madhe e këtij borxhi ishte kundrejt vendeve perëndimore, në radhë të parë Shteteve të Bashkuara, që kishin mirëpritur një lloj ftohje të Bukureshtit me BRSS. Çaushesku dha urdhrin e prerë: borxhi duhej fshirë me çdo kusht.
Kështu filluan ditët e zeza për popullatën rumune. Menjëherë benzina u bë me racion, por të paktë ishin pronarët e makinave dhe kësisoj kursimi ishte i papërfillshëm. Atëherë nisi racionimi i energjisë elektrike dhe ngrohjes, edhe gjatë ditëve më të ftohta të dimrit të gjatë rumun. Çdo të hënë mbahej një mbledhje për të ndjekur ecurinë e shlyerjes së borxhit (u arrit deri në 400 milionë USD në javë). Në këto mbledhje merrnin pjesë diktatori kokëfortë, paçka aftësive të kufizuara në fushën ekonomike, guvernatori i Bankës Kombëtare Rumune, ministri i Financave dhe presidenti i Bankës Rumune për Tregtinë e Jashtme. Importet u ndaluan dhe pjesa më e madhe e të mirave prodhuar në Rumani (automobila, ushqime, produkte industriale) duhej të eksportoheshin për të mbushur arkat e shtetit.
Filloi racionimi i ushqimeve, fillimisht mishi, pastaj edhe buka, vaji e qumështi. Nisi epoka e radhëve pa fund. Deri në pesë orë në radhë për të vetmet gjëra që mund të gjendeshin: përgjithësisht thundra derri dhe koka qengjash, të cilat nuk kishin gjetur treg jashtë. Populli i etiketoi thundrat e derrit si “patriot”, pasi ishin të vetmet që nuk linin vendin. Kafeja u kthye në luks. Reuters në vitin 1988 do të shkruante: «një gazetar perëndimor duke intervistuar disa shoferë kamionësh mësoi se prostitutat mund t’i paguaje dhe me kafe. Tarifat? 250 gr. të bluar, për një natë».
Ta mendosh që periudha me borxhin publik më të lartë ishte dhe periudha e zhvillimit më të madh ekonomik. Veçanërisht dekada 1965-1975, shitoret ishin plot dhe pagat vijonin të rriteshin. Industrializimi i vendit kishte përmirësuar gjendjen e përgjithshme të popullatës. Falë huave nga jashtë kishte nisur ndërtimi i infrastrukturës, ndërtimi i një centrali bërthamor dhe hapja e kanalit Danub – Deti i Zi. Kostot e krahut të punës ishin të ulëta, për shkak të numrit të madh të të burgosurve politikë (kanali u pagëzua “i vdekjes”).
Më 31 mars të 1989, Çaushesku deklamoi shlyerjen e plotë të borxhit dhe u prit me duartrokitje. Po në atë rast, shpalli se investimet e sipërmarrjeve të huaja, që deri në atë ditë në bazë të ligjit nuk mund të kalonin 49% të aksioneve në sipërmarrjet rumune, nuk do të pranoheshin më. Më vonë u mësua se për shlyerjen e borxhit kishte shitur rreth 80 tonelata flori, në 100 që përbënin rezervat e arit të vendit. Florea Dumitrescu, që në atë kohë drejtonte Bankën Kombëtare, në vijim rrëfeu se diktatori donte ta shiste të gjithë sasinë e floririt në të njëjtën kohë, aq shumë ishte i fiksuar me idenë e borxhit. Me vështirësi e bindën se tregu ishte shumë i ndjeshëm dhe se shitja duhej bërë me faza nëse do të donin të mbanin një nivel të pranueshëm të çmimit.
Sforcimi për shlyerjen e borxhit ishte veçanërisht i panevojshëm dhe kundërprodhues. Bllokoi çdo novacion dhe dënoi me prapambetje industrinë rumune. Vendi u dënua me 15 vite sanksione nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për shkak të shlyerjeve përpara afatit. Në vitin 1987 BRI (Bank of International Settlements në Bazel, që rregullon investimet ndërshtetërore) i kërkoi Bukureshtit që 5 miliardët e mbetura të borxhit t’i përdorte për investime teknologjike. Me diktatorin nuk flitej. Ai i kërkoi popullit sakrifica të mëtejshme.
Pasi u shpall se vrapi i madh kishte përfunduar dhe se borxhi ishte shlyer plotësisht, punëtorët dhe fshatarët besuan se gjërat do të qetësoheshin, përkundrazi ju desh përsëri të shtrëngonin rripat. Pak ditë më vonë Çaushesku deklaroi se kursimi do të vazhdonin dhe pse disi më butë: «Me ligjet e reja çdo shtetas mund të mbajë ndezur në shtëpi një llapmë 40 watt, deri në 10 minuta më shumë, duke arritur deri në 3 orë gjatë gjithë ditës». Frigoriferët dhe pajisjet e tjera elektroshtëpiake vijuan të ishin të ndaluar. Uji i ngrohtë u lejua deri në 4 orë në ditë, kjo për ditët më të ftohta të vitit. Restorantet vijuan të mbylleshin në orën 21 ndërsa shitoret në 17:30. «Por», tha Çaushesku në një nga fjalime e tij të fundit, «synimi u arrit. Borxhi i jashtëm u shlye plotësisht dhe Rumania nuk do të ketë më borxh publik. Ju jap fjalën se, duke nisur nga viti 2000, socializmi do të krijojë kushte më të mira pune dhe jetese».
Paoli Stefanini, «Linkiesta»
Përkthimi MVSK