Home

Pedofili në Arktik*

 

 
Sapo Stalini dhe Sverdllovi ishin vendosur te Tarasevët, gjeorgjianit i ra në sy vajza e vogël e jetimëve Perepringë. Ishin pesë vëllezër dhe dy motra – Natalia dhe Lidia. Nuk e dimë saktësisht se si rrodhën ngjarjet, por nga fillimi i vitit 1914, Stalini në atë kohë tridhjetë e katër vjeçar, nisi një lidhje me Lidian, e cila ishte vetëm trembëdhjetë vjeçe.
Mund t’i imagjinojmë Stalinin dhe Lidian nga një darkë në tjetrën sepse kemi kujtimet e kësaj të fundit. “Në kohën e tij të lirë, Stalinit i pëlqente të shkonte nëpër mbrëmje vallëzimi – dhe atje tregohej shumë zbavitës. Adhuronte të këndonte dhe të kërcente. Në mënyrë të veçantë i pëlqente kënga: “Unë ruaj arin, arin… Unë gropos arin, gropos arin. Gjeje se ku, o vashë e dëlirë flokartë”… Merrte pjesë shpesh edhe në darka ditëlindjesh.” Kujtimet e të dashurës shumë të re të Stalinit u transkriptuan njëzet vjet pas kulmimit të diktaturës ndërkohë që ajo kishte mbetur një shtëpiake e thjeshtë siberiane. Funksionari që transkriptoi kujtimet e saj, nuk do të kishte guxuar kurrë të përmende episodin e joshjes, gjithsesi këto kujtime përshkohen nga një vërtetësi e madhe. “I pëlqente shpesh të shkonte t’i takonte disa njerëz,” thotë Lidia duke folur për veten e saj, “por edhe pinte gjithashtu.” E joshte ai apo jo? Në vende të tilla si Kureika, vajzat piqen shpejt – dhe Lidia nuk të lë përshtypjen të ketë qenë nga ato që trembeshin lehtë.
Ka të ngjarë që Sverdllovi ta ketë kundërshtuar joshjen ndaj kësaj vajze të vogël trembëdhjetëvjeçare pre Stalinit – e fundit në listën e gjatë të adoleshenteve të joshura nga gjeorgjiani tridhjetë vjeçar. Ndoshta Stalini e ka përzënë Sverdllovin jashtë që të mund të rrinte me të dashurën e tij të re. Por skandali nuk kishte përfunduar me kaq.
Dy bolshevikët që tashmë e shpërfillnin njëri-tjetrin, vëzhgoheshin me shumë kujdes nga xhandarët e tyre – Leletini dhe Popovi, detyra e vetme e të cilëve ishte t’i pengonin të arratiseshin. Në raste afërsie shumë të madhe, policët bëhen ose shokët të të internuarve, ndonjëherë edhe shërbëtorë të tyre, ose armiq të betuar. Ivan Laletini, tip sanguin me mjekër të kuqe, shumë shpjet u bë armiku personal i Stalinit.
Një ditë, ndërsa po nisej për gjah i armatosur me karabinën e tij, Stalini u ndalua nga xhandari. Ai kishte të drejtë të mbante një armë me autorizim, por refuzoi t’ia jepte karabinën policit. Gjatë zënkës që pasoi, “Laletini u hodh mbi Stalinin dhe u përpoq ta çarmatoste”. Atëherë nisi një përleshje. Xhandari “nxori kordhën dhe arriti ta plagosë Stalinin në dorë”. Ky i fundit vuri në dijeni për incidentin kapitenin Kibirov.
Në fillim të verës, sado e fshehtë të ketë qenë dashuriçka, të gjithë dihet ta kishin marrë veshë për dashnoren e Stalinit. Xhandari – Laletini – gjeti rastin për ta mbërthyer gjeorgjianin e pacipë. “Një ditë,” kujton Fjodor Tarasevi, i vetmi fshatar që pati guximin ta tregonte historinë “Stalini ishte duke punuar në dhomë dhe nuk po dilte nga shtëpia. Xhandari filloi të dyshonte dhe vendosi ta verifikonte. Pa i rënë derës, u turr drejt e në dhomë.”
Tarasevi deklaron me kujdes se Stalini thjesht “po punonte” ndërkohë që policit kjo iu duk çuditërisht “e dyshimtë”. Dhe Stalini u tërbua ngaqë e ndërprenë. Kujtimet e tij e vënë theksin unanimisht tek qetësia e tij gjatë kontrollit policor; mos vallë kjo përbënte ndonjë gjë të pazakonte? Në fund të fundit, polici me vetëdije kishte dashur ta zinte në befasi duke hyrë “pa trokitur”. Ka shumë të ngjarë që polici t’i ketë zënë Stalinin dhe Lidian në flagrancë.
Stalini e sulmoi. Xhandari nxori përsëri kordhën. Gjatë përleshjes, Stalini u plagos në qafë – gjë që ia shtoi tërbimin aq sa ai “e flaku batakçiun jashtë!”
“Ne ishim të pranishëm në këtë skenë,” thotë Tarasevi. “Xhandari po largohej drejt lumit Jenisei duke tundur paturpësisht kordhën para tij kurse shoku Stalin, me grushtet e shtrënguar, e ndiqte nga pas i tërbuar sa s’bëhet.”
Nëse historia ishte mbajtur sekret deri në atë kohë, tashmë ajo nuk ishte e tillë. Megjithëse traditat krahinore nuk i përkrahnin lidhjet dashurore me të internuarit, vajzat e reja nuk mund të mos tërhiqeshin nga këta revolucionarë mondanë dhe të shkolluar që jetonin ngjitur me ta. Dhunimi i kësaj të miture nuk ishte aspak një dhunim me forcë, por një joshje sipas mënyrës së vjetër, sepse sipas hetimeve të mëvonshme të Ivan Serovit, drejtorit të KGB-së, “J. V. Stalini filloi të jetonte me të”. Ajo me siguri banonte me të në dhomë; kjo gjë shpjegon faktin se përse polici i kishte zënë së bashku. Në raportin e tij për Nikita Krushovin dhe Byronë Politike në vitin 1956, i cili do të mbetej sekret deri në shekullin XXI, gjenerali Serov linte të kuptohej se fakti i të jetuarit së bashku ishte po aq skandaloz sa joshja.
Stalini u vendos në izbën e Perepriginëve. Ajo përbëhej nga dy dhoma dhe një stallë për të strehuar bagëtitë e imta në dimër. Shtatë vëllezërit dhe motrat jetonin grumbull në një dhomë plotë tym dhe e ndotur nga bajga lope: Stalini mori me qira dhomën e dytë të ndotur, tek e cila mund të hyhej vetëm duke kaluar nga stalla dhe nga dhoma e përbashkët. Ajo kishte vetëm “një tavolinë të mbuluar me gazeta, një krevat të bërë me rripa lëkure dhe një përzierje rrjetash peshkimi dhe gjahu, grepa dhe pajisje peshkimi – të gjitha të bëra nga vetë Stalinin.” Gjithçka ishte e ndotur nga bloza e oxhakut pre llamarine në mes të dhomës.
Xhamat ishin thyer dhe Stalini i mbushi të çarat me gazeta të vjetra dhe dritaret i bllokoi me dërrasa. I vetmi ndriçim në këtë errësirë arktike ku nata shpesh zgjaste gjithë ditën, ishte një llambë, por jo shpesh edhe vajguri mungonte. Banja ishte jashtë. Perepriginët jetonin në skamje të plotë, “hanin një ditë shtchi [lëng lakrash] dhe të nesërmen një Shpirt të Shenjtë [domethënë asgjë], por kishin një lopë.”
Në darkë Lidia futej pa u vënë re në dhomën e tij, tregon Esat Beu, biografi i parë i Stalinit, që kishte folur me të tjerë shokë të internimit. Pa dyshim, që nuk e vriste aspak ndërgjegjja, kur fliste për të brendshmet që atij i pëlqente të vishte. “Mbante të brendshme të bardha dhe një bluzë marinari me vija”, i pohon ajo intervistuesit të saj më 1952, kohë në të cilën Stalini konsiderohej si gjysmë perëndi. Kjo histori dashuri nuk u pëlqente aspak vëllezërve. Disponojmë disa gjurmë të kundërshtimit të tyre: Stalini vazhdoi të merrte ushqim dhe bukë nga ish-qiradhënësja e tij dhe jo nga Perepriginët, megjithëse Lidia e shpjegon këtë me faktin se “vajzat ishin ende të vogla për të gatuar”. Ndërkohë jetimet kishin filluar me kohë të gatuanin për vëllezërit. Ka shumë të ngjarë që Stalini dhe shoqja e tij të kenë qenë përzënë nga tryeza familjare.
Çështja do të kishte mundur të mbetej në kufijtë e të tolerueshmes, por më e keqja do të vinte më vonë: Lidia mbeti me barrë me Stalinin. Kjo i xhindosi vëllezërit e saj, megjithëse në komunitetet e largëta të rrethit arktik ku vajzat martoheshin dhe kishin fëmijë që në adoleshencën e tyre të hershme, nuk kishte ndonjë rregull në lidhje me dhënien e pëlqimit nga të dyja palët. Sipas gjeneralit Serov, Laletini, xhandari që ia kishte mbathur para tërbimit të Stalinit, e kërcënoi gjithsesi se “do ta padiste për bashkëjetesë me një të mitur”. J. V. Stalini i premtoi xhandarit se do të martohej me perepreginën sapo të mbushte moshën. Kështu pra, edhe njëherë tjetër Stalini u gjend i fejuar dhe familja, me hir a me pahir, e pranoi lidhjen. Si shpërblim, Stalini, si një pjesëtar i vërtetë i familjes, “e ndau peshkun e zënë” me jetimët. Në fakt, ai e trajtonte Lidian si nusen e tij të re ose diçka të përafërt. Kur mikesha e tij, e moshuara Elizaveta Taraseve u shkonte për vizitë, Stalini jepte urdhër: “Lidia, Lidia, po vjen babushka për të ngrënë. Ushqeje mirë.”
Ndërhyrja e xhandarit e mbushi kupën. Stalini iu ankua kapitenit Kibirov, i cili mbante anën e patriotit të tij gjeorgjian. Stalini kishte me vete një fshat të tërë që e kishte parë xhandarin e paudhë të ngrinte kordhën kundër të internuarit dhe ndjekjen poshtëruese në skarpatin e lumit. Mirëpo, Stalini që kishte lënë me barrë një të mitur, duhet të kishte këllqe për të ngritur padi ndaj xhandarit. Dhe ashtu siç ndodhte shpesh, fitoi hipokrizia e tij e nëpërkëmbur.
Në këtë verë të vitit 1914, aty nga qershori, Kibirovi pranoi ta zëvendësonte Laletinin dhe i tha zëvendësuesit të tij: “Shumë mirë, le të dërgojmë Merzliakovin në Kureika. Meqenëse Xhugashvili e ka shumë për zemër që ta zëvendësojmë inspektorin e tij, le ta nxjerrim nga halli.” Me ndërrimin e roleve, xhandari Laletin e kishte frikë të burgosurin e tij dhe jo pa arsye. Zëvendësuesi i tij Mikail Merzliakovi, mbërriti shumë shpejt. Stalini përnjëherë filloi të luajë rolin e mjeshtrit gati aristokrat, ndërkohë që xhandari u kthye në një lloj shërbëtori, ordinance dhe truproje gjatë gjithë kohës së mbetur të dënimit.
Stalini vazhdonte studimin e tij mbi çështjen e nacionaliteteve, si edhe mësimin e anglishtes dhe gjermanishtes. “I dashur mik”, i shkroi një Stalin më i gëzuar Zinovievit, “pranoni përshëndetjet e mia më të ngrohta… Po pres librat… Po ju kërkoj gjithashtu të më dërgoni ca revista angleze – një numër të vjetër a të ri, pak rëndësi ka – sa për të lexuar sepse këtu nuk ka asgjë në anglisht dhe kam frikë se mos i humbas pa praktikë të gjitha aftësitë e mija në anglisht…”
Fejesa e Sosos [një nga pseudonimet e Stalinit. Shën. MVSK] me Lidian, në fakt vetë lidhja, ishte një argëtim kalimtar që do të braktisej në mes të rrugës gjatë misionit të tij revolucionar. Shtatzënia e Lidias (që do të kishte edhe të tjera) ishte me sa duket burim irritomi. Ndërkohë që vendasit pohojnë se ajo ishte e dashuruar me Stalinin.

 

 
* Titulli i redaksisë MVSK.

Simon Sebag Montefiore, Stalini i ri, “55”, Tiranë 2010, f. 381 – 386.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s