Trakti pa datë është një kopje e daktilografuar, pjesë e dosjes hetimore e organizatës Bashkimi Demokratik. Përmbajtja e traktit, është një thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.
Shqiptar […]
Koha e zgjedhjeve afroi kur kombi i jonë do të hyjë fell nden kthetrat e Komunistave.
Popull Shqiptar: Krenët e sotshëm tradhëtuan gjakun e dëshmorve harron sakrificat e bame prej teje, shkelën idealin për të cillin u ba lufta, sot nderme po sundon diktatura e hukurt e nji klike që ngrohu kolltuqet në Tiranë mbi njeriun t’and dhe harroi vendimin që është.
Popull Shqiptar: A nuk e shef me syt e tuej dallaveret e ndryshme që po luhen mbi kurrizin t’and të këputun dhe mizoriet e shumëta që kanë kapllue nden maskën e kësaj demokracije të ndytë?
Popull shqiptar: Ku e ke sot nderin t’and, gjanë ma të shtrejtë dhe ma të vlefshëme, për të cillën dikur ishte kryelart?
Ushtar: E bijtë e vendit, pas ardhësit e Skënder-Beut, të Naimit, të Vretos, të Vaso Pashës, lufta juaj pes vjeçare për Shqipërinë, Demokratike u shkel. Shokët t’uej të malit ato që fliteshin dhe shajshin burokracinë e teprueme, luksin, shpenzimet të të bame në kurriz të popullit, sot që zunë kolltuqet ju harruan, juve që me gjakun t’uej e vaditët ç’do anë të Shqipërisë.
Ndërsa paraj derdhet kot ndër qejfe dhe vallzime, ndërsa pallatet ku mbretënon lluksi dhe rehatija kalohen në gëzime, populli i djegun, katundar pa shtëpi e votër, fëmija pa buk, juve ju kanë strukun ndër gazerma me nji copë bukë të thatë.
Ku është Drejtësia, ku është fjala e dhanun, ku është miqësija me Aleatët e Mëdhej.
Po bahen konferenca, mbledhje ku ato goditen.
Mbahen fjalime se neve do të luftojmë kundra Anglo-Amerikanëve. Ato që tradhëtuan së pari popullin, së dyti duen me tradhëtue miqtë e Kombit t’onë flamurtarët e Demokracive së vërteta.Ku është Kosova Shqiptare? Kosova e Bajram Currit? Ajo ju shit Titos, dhe burrat e dheut u masakruan dhe sot prej frike e tmerri po jetojn ndër male, luftojnë për liri. Karta e Atllantikut u shkel.
Koha e zgjedhjeve afroi. Sabotoni. Bani Apozita. Mos votoni ku për njerëzit e frontit të ekzistencës e Shqipërisë është në rrezik, si tha radio Londra.
Ushtarë: Sot që populli vuen prej urije, sot që ndihmat arrijnë e nuk shpërndahen*, sot që burgjet që përveç fajtorëve janë mbushë edhe me të pa fajshëm.
Sot më shumë se kurrë
Asnji për votime
Asnji për Qeveri Komuniste
Asnji kundra Atdheut
Të gjithë për Liri Fjale, mendimi, opozitë. Për Demokraci.Vllazën Shqiptar: Sa do që të thonë Komunistat se qeverija u njo[f]të, kjo në pikëpamje politike të tyre nuk luen asnji rrol, mbassi kjo njoftje nga Aleatët t’onë është bamë me qëllim se njifet Shqipërija dhe jo Regjimi e me këtë rast është njoftë administrata Provizore, kjo gja aspak nuk na dëshpëron por na gëzon se njifet para botës Atdheu i ynë, se ndryshe copëtohet prej Grekëve dhe Serbëve. Mos tuteni aspak kundrejt pallavrave të tyre pse nuk munden me detyrue popullin me votue për këta.
Sot Nacionalizmi është më të naltë dhe është përforcue ma shumë se kurrë, pse bota është me ne dhe jo me rrebelat.
Trakti i mëposhtëm është shtypur e shpërndarë në 2 dhjetor, ditën e zgjedhjeve caktuar nga Qeveria e Përkohshme. Ky tekst trakti i atribuuar në gjyq Hasan Kalasë, në daktiloshkrim është arkivuar në dosjen hetimore të Talat Drinit.
Me Apstenue më 2 Dhjetor D.M.TH. me qenë besnik i popullit shqiptar
Rr. Shqipëria Nacionaliste.VËLLAZËN SHQIPTARË. 28 NANDUR 1945
Sot në këtë ditë të shëjtë ka ardh koha që të gjithë të bashkohemi dhe t’ja heqim maskën armiqve të kombit, që na kanë pushtue vatrat t’ona, dhe po na çojnë në greminë.
Partija Komuniste që sot është në fuqi me teror siç e dini të gjithë nuk është gjë tjetër përveç se një vegël e verbër e Imperjalizmit Sllav. Këjo parit që mbretëron sot në Shqipni, sikundër e shiti Kosovën, ka me ja dorëzu Titos shumë shpejt edhe krejt Shqipnin.
Na përket ne popullit dhe patriotëve të vërtetë që e dashurojmë këtë vënd me sinqeritet të duhur, që t’a shpëtojmë Atdheun nga këjo fatkeqësi e madhe që ka qënë sot.
Me qënë se këtu po trumbetohet se gjoja ka shum kohë se ka liri fjale dhe propagandë, ju njoftojm që të gjithë së bashku të drejtohemi në misionet Aleate dhe të kërkojmë prej tyre ndërhymjen për shtymjen e zgjedhjeve, për me i tregue botës mbarë se këtu ka një Opozitë të fortë që është në gjëndje të përmbledhë rreth saj shumicën dërmuese të popullit shqiptar, dhe ka me formue për këtë qëllim Koalicionin e partive me tendenca Demokratike. (Partia Monarkiste, Socialiste Demokrate dhe ajo e Rezistencës).
Leka Ndoja, Bashkimi Demokrat Shqiptar – 1946, ISKK, Tiranë 2015, f. 400-404
* Leigh White, i cili vizitoi Shqipërinë në vjeshtën e vitit 1945, pohon se ndihma e UNRRA-s përllogaritej në 28 milionë USD dhe se një pjesë të tyre, komunistët në Shqipëri, në mënyrë të jashtëligjshme, i kalonin në Jugosllavi dhe Rusi. Për më shumë Leigh White, Balkan Ceasar, Charles Scribners’s Son, New York 1951, f. 159 dhe vazhdim. [Shënim MVSK]