E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” është një produkt tipik i së majtës, në radhë të parë asaj internacionale dhe internacionaliste e më tej i kolaboracionistëve të saj vendas.
Pikat kyçe, që patën mirësinë të na bënin me dije, të kësaj “reforme” duket të jenë dy: e para ka të bëjë me të ashtuquajturat familje lgbt, ndërsa pika tjetër ka të bëjë me sistemin e emërimit të gjykatësve në RSH.
Kushtetuta e Shqipërisë, ndryshe nga sa pohojnë “të njëjtat fytyra” nuk përmban asnjë mundësi diskriminimi kundrejt shtetasve shqiptarë. Kushtetuta njeh të drejtën, për këdo, të krijimit të familjes, dhe është Kodi i Familjes që specifikon familjen. Ndryshimet e pretenduara nuk synojnë të prekin Kodin e Familjes, por vetë Kushtetutën, duke e bërë kështu të pothuajse të pamundur kthimin në normalitet, për shkak të vetë procedurës së ndërlikuar të modifikimit të saj. Në këtë pikë është mirë të vëmë në dukje se kërkesa për ndryshimin ligjor të familjes, nuk vjen në rrugët klasike të “thithjes së inputeve”, nuk është kërkesë organike e Sovranit dhe nuk ishte as pjesë e programeve elektorale apo e statuteve të partive që garuan në zgjedhjet e fundit. Asnjë parti, është mirë të theksojmë asnjë, nuk ka parashtruar në programin e saj, ndryshimin e brendësisë së familjes dhe për rrjedhim asnjë shtetas nuk ka votuar lidhur me argumentin . Kërkesa për këtë ka ardhur nga një grup tmerrësisht i vogël njerëzish, përbërë nga anëtarë të atij të ashtuquajturi komuniteti, nga diplomatë të huaj (të cilët janë shfaqur si sponsorizuesit e përhapjes së fenomeneve të ndryshme në shoqërinë shqiptare) dhe nga profesionistët e sektorit të OJQ-ve. Ajo që duhet të shqetësojë çdo shtetas, në të vërtetë nuk është madhësia e një grupimi që kërkon ndryshime ligjore, por mënyra dhe natyra e këtyre ndryshimeve. Gjatë viteve, ky komunitet dhe sponsorët e tyre, kanë shfaqur lehtësinë më të madhe për të kaluar çdo cak kushtetues në favor të “çështjes së tyre”. Kujtojmë vite më parë kur një funksionar i emëruar i Shtetit, pretendonte (në shkelje të Kushtetutës) të “bënte përgjegjës” për deklarata në ushtrim të detyrës një anëtarë të zgjedhur të Kuvendit, ndërsa sot, janë duke ushtruar shantazh dhe kërcënuar çdo shtetas ; kujtojmë fjalët monumentale të komisarëve evropianë: “nëse reforma nuk kalon procesi i integrimit të Shqipërisë vonohet me tre vite”. Gjë që në praktik përkthehet në humbje ekonomike për të gjithë ata që punojnë e investojnë në këtë sistem, që gjithsesi është i imponuar. Nesër e njëjta metodologji do të përdoret për çështje shumë të debatuar sociale, mjekësore dhe etike si adoptimi nga ana dysheve gay, “fetuset me qira”, ulja e moshës së konsensit, instalimi i kolonëve etj.
Pika e tjetër e kësaj “reforme” lidhet, si thamë, me sistemin e emërimit të gjyqtarëve. Projekti i përpiluar nga internacionalët parashikon një sistem të ndërlikuar emërimi, në krye të së cilit qëndron një i ashtuquajtur Operacion Ndërkombëtar Monitorimi, që do të ketë fjalën e fundit nëse një shtetas shqiptar do të mund të ushtrojë detyra në Shqipëri. I formuluar në këtë formë, praktikisht një prej atributeve të Shtetit Sovran, kalon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kontroll të huaj, pa asnjë mundësi ndikimi nga ana e shtetasve shqiptarë.
Drejtësia, ndryshe nga sa përpiqen të artikulojnë nuk është dhe nuk mund të jetë e depolitizuar. Në disa pikëpamje është forma më e lartë e politikës, pasi përcakton parimet bazë që udhëheqin një popull dhe thelbin e raporteve ekonomike dhe sociale të tij, pa harruar që përcakton dhe politikën e tij të jashtme. Depolitizimi që serviret sot në shtypin e Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse një banalizim i lidhur me mitën (që gjithsesi, në sistemin që përpiqen të vendosin, me të gjitha gjasat do të ndërrojë vetëm operator, ku rezultatet do të jenë edhe më të thella). Për të dhënë idenë e argumentit; imagjinoni një trup gjykatësish (në shembullin tonë, ata të Kushtetueses) të rrëzojnë një ratifikim kur karriera e tyre (ashtu si vijimi i saj), është rezultat i palës jo shqiptare. Kjo është politikë, dhe një politikë në të cilën shqiptarët nuk janë më të përfshirë.
E ashtuquajtura reformë në drejtësi është një prodhim i së majtës sepse tjetërson sipas modelit marksist dy anë thelbësore të jetës së organizuar: strukturën e popullsisë dhe raportet e saj.
Që prej Marksit duke kaluar dhe nga Hoxha, e majta ka synuar, në kuadër të shkatërrimit të strukturës sociale ekzistuese (Du passé faisons table rase…), eliminimin e familjes. Dikur pohohej se fëmijët nuk duhet të ishin më në kontrollin e familjes, sot është kaluar në një nivel tjetër: atë të zhdukjes së plotë të familjes, duke përkrahur dhe sponsorizuar modele jo organike, duke e katandisur familjen në një varg marrëdhëniesh ekonomike.
Nga pikëpamja e raporteve, kjo reformë paraqet përpjekjen e radhës për shkatërrimin e sovranitetit të shteteve kombëtare dhe nënrenditjen e tyre nga struktura dhe superstruktura internacionale, në të cilat fjala “demokraci” merr gjithmonë e më shumë kuptimin e asaj “popullore”.
Në të kaluarën jemi përballur, nën emra të ndryshëm, me këtë lloj agresioni të së majtës, bëjmë mirë të kujtojmë rezultatet.
Agron Bardhi