Home

Njeriu i ri*
Vladimir Bukovskij

Ja si lindi ky njeriu i së ardhmes sovjetike, njeriu i tipit të ri. Në fillim as nuk mund të cilësohet si disident. Nuk pretendon ndonjë lloj të veçantë lirie, nuk lexon libra të ndaluar, nuk kërkon të shkojë jashtë shtetit, nuk proteston kundër vendit dhe kohës ku ka lindur. Në të vërtetë ende nuk e di sa i detyrohet shtetit sovjetik dhe të dashurës parti. As nuk mund të ishte në atë karrocë e të thithte i qetë biberonin, nëse nuk do të kishte përkujdesjet e tyre të pafundme. Por, shumë shpejtë do ti kërkojnë ta lajë borxhin.
Prindërit, janë shumë të zënë, do ja besojnë në fillim çerdhes, pastaj kopshtit, e nëse fjalët e para që do të mësojë do të jenë MAMA dhe BABA, pasardhësja detyrimisht do të jetë LENIN. Kur kthehet në shtëpi, ditët e festave, do të habisë prindërit me aftësitë e tij duke recituar:

Dita 7 nëntor me të kuqe
shënuar në kalendar!
Nëse nga dritarja vështron
në rrugë çdo gjë e kuqe do të jetë.

Më tej, në shkollë, horizonti i tij do të zgjerohet edhe më. Hap pas hapi do të mësojë se Zoti nuk ekziston, nuk ka ekzistuar kurrë, do të mësojë që e gjithë historia e njerëzimit është një kalim nga errësira në dritë, nga padrejtësia e shtypja në liri dhe socializëm. Do të mësojë që njerëzit e çdo epoke ëndërronin të jetonin në një vend si ky i yni, për këtë arsye përgjatë mijëvjeçarëve ka pasur kryengritje, viktima, vuajtje dhe ekzekutime. Do të mësojë se në të kaluarën gjithë njerëzit e mëdhenj aspironin atë shoqëri që ne më në fund e ndërtuam, dhe pse jo gjithmonë ishin të vetëdijshëm për këtë fakt. Për shembull, çfarë është Tolstoi? Është pasqyra e revolucionit rus.
Do të mësojë që tani bota është e ndarë në dy pjesë: nga njëri krah, në vendin tonë forcat e dritës, lumturisë dhe progresit, nga krahu tjetër ato të reaksionit, kapitalizmit, imperializmit, ëndrra e të cilave është të zhdukin lumturinë tonë, të na skllavërojnë si kanë skllavëruar popujt në vendet e tyre. Që kjo të mos realizohet duhet të studiojmë me përgjegjësi dhe më pas të punojmë me entuziazëm.

Sa më shumë të shkosh përpara, në shkollë, e më pas në universitet, gjatë shërbimit ushtarak, në punë e ditë pas dite, aq më shumë e më imtësisht, asimilohen këto ide. Kjo bëhet haptazi në formën e mësimit të historisë së BRSS-së, të historisë së PKBS-së, të ekonomisë politike, të komunizmit shkencor, ateizmit shkencor, bazave të marksizëm-leninizmit, materializmit dialektik, të materializmit historik, etj., etj. Bëhet dhe fshehurazi, pothuajse me pëshpërima, si një hipnotizim, në kinema e në libra, në tablo dhe skulptura, në radio dhe në televizion, në gazeta, në konferenca, në manualet e matematikës, fizikës, logjikës, gjuhëve të huaja, në manifeste e reklama madje dhe në veprat e përkthyera nga gjuhët e tjera të botës.

Marrim rastin, nëse ju përktheni një tekst nga frëngjishtja, gjermanishtja apo anglishtja, ai tekst me siguri tregon se si jetojnë keq punëtorët në Francë, në Gjermaninë Perëndimore, në Angli apo në Shtetet e Bashkuara. Ose, anën tjetër, se si jetojnë mirë njerëzit nën diellin e socializmit. Ose teksti mund të rrëfejë ndodhi nga jeta e revolucionarëve të mëdhenj të së shkuarës, apo ndodhi të luftës së popujve kundër kapitalizmit. Nëse hapni një manual logjike, atëherë si shembull i së vërtetës objektive do t’ju citojnë: “Marksizëm-leninizmi është një doktrinë e pakundërshtueshme”.
Merrni rastin e lajmeve të gazetave apo kinoditarëve: përurimi i kabinave të reja për pushuesit në Bullgari; tifon në Japoni; punëtorët e Uraleve tejkaluan objektivat; grevë e madhe në Francë; korrje të begata në Ukrainë; statistika të frikshme lidhur me aksidentet rrugore në Amerikë; përfundon një kompleks i ri banimi në Taškent; shpërndahet me forcë një demonstratë studentore në Itali… Është e qartë që nga njëri krah ka vetëm fatkeqësi natyrore, katastrofa, demonstrata, greva, shkopinj gome, baraka të mjera dhe ulje të vazhdueshme të nivelit të jetesës, ndërsa nga ne ka vetëm kabina të reja plazhi, fabrika, korrje, fusha pamat, buzëqeshje të lumtura, banesa të reja dhe rritje të nivelit të jetesës. ATJE, forcat e errëta të reaksionit dhe të imperializmit shtypin popujt dhe na kërcënojnë me luftë. KËTU, forcat iluministe të progresit dhe të socializmit po ndërtojnë një të ardhme të ndritshme dhe luftojnë për një paqe të qëndrueshme. Dhe forcat e paqes, të socializmit e të progresit janë pashmangshmërisht të paracaktuara të fitojnë.

E gjitha kjo çdo ditë, çdo orë, në mijëra gazeta, libra, filma, koncerte, emisione radiofonike, këngë, vjersha, opera lirike, balete e tablo. Përballë asgjë, asgjë që mund ti kundërvihet. Madje edhe kur jeni në tren dhe shkarazi vështroni nga dritarja, syri juaj pa vetëdije rrëshqet mbi peizazhet që kalojnë me shpejtësi, por truri fikson parullat prej guri e tullash që janë vendosur përgjatë hekurudhës: “Paqe në botë!”, “Lenini është gjallë”, “Përpara, drejt fitores së komunizmit!”.
Në moshën tetë apo nëntë vjeçare të detyrojnë të futesh në organizatën e pionierëve, katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë në komsomol, d.m.th. në organizatat politike rinore, me një disiplinë të përshtatshme. Kjo do të thotë një pjesëmarrje vepruese në punën ideologjike: nuk të shpjegojnë më ty, por je ti që ju shpjegon të tjerëve doktrinën e pakundërshtueshme, ose t’ju kërkosh rezultate më të mira në shkollë apo rritjen e prodhimit në emër të së ardhmes së ndritur. Sepse të gjithë, për shkak të përkujdesjes që tregon, i kemi një borxh partisë dhe qeverisë.

Ç ‘duhet të bëjnë prindërit? Të përpiqen t’ju shpjegojnë fëmijëve që në fillim se po i mashtrojnë? Është e rrezikshme: fëmijët flasin me shokët, ata me prindërit dhe mësuesit. Ç ‘këshilla t’ju japin fëmijëve? Të flasin hapur për mospajtimin e tyre? Apo të heshtin, të fshehin mendimet e tyre, të jetojnë një jetë të dyfishtë? Pastaj, fëmijët do të besojnë më shumë prindërit apo atë që ju mësohet nga shkolla dhe propaganda? Nga ana tjetër kjo është një ideologji që përfshin të gjitha lëndët mësimore: historinë, letërsinë, botanikën, gjeografinë etj. etj., dhe nxënësi është i detyruar të mësojë dhe të përgjigjet ashtu si është e shkruar në libra. Shpesh herë, prindërit heqin dorë: eh, në djall të vejë, kur të rritet do kuptojë vetë.
Në fakt, herët a vonë do të kuptojë, sepse vjen një çast ku të gjithë, apo shumica e shtetasve sovjetikë, shohin qartë. Ka një barsoletë. Edukatorja në çerdhe, tregon hartën e botës dhe ju shpjegon fëmijëve: “Ja fëmijë të dashur, kjo është Amerika. Aty njerëzit jetojnë shumë keq. Nuk kanë para dhe prandaj nuk ju blejnë fëmijëve të tyre as çokollata dhe as akullore, nuk i çojnë as në kinema. Dhe ja fëmijë, ky është Bashkimi Sovjetik. Këtu njerëzit janë të lumtur, jetojnë mirë, çdo ditë ju blejnë fëmijëve akullore dhe çokollata, i çojnë edhe në kinema.” Papritur një vajzë e vogël fillon të qajë. “Tanja, pse po qan?” e pyet edukatorja. “Dua të iki të jetoj në Bashkimin Sovjetik”, përgjigjet me ngashërim fëmija.

Ky është vetëm impulsi i parë, moskuptimi i parë. Për një kohë të gjatë, përgjithësisht të gjithë ndjejnë krenarinë dhe lumturinë e të jetuarit në një vend kaq të mrekullueshëm dhe të veçantë. Në fakt është alamet fati të kesh lindur fiks këtu dhe fiks në këtë kohë! Të kishe lindur vetëm tremijë kilometra më në perëndim apo 50 vite më herë dhe sa fatkeqësi, dhimbje dhe shtypje do të të godisnin. Vetëm një gjë të shqetëson disi: pse gjithë kjo zhurmë? Në rregull, e dimë, e kemi dëgjuar, jemi të lumtur dhe të gëzuar, është vendi më i mirë, është vendi i parë, më i përparuari! Do ta fiksojmë, faleminderit, a mundet vallë ta harrojmë këtë gjë? Ka vallë mundësi që ndokush mos ta ketë ende përthithur?

Pak nga pak fillon të kuptosh se gjërat nuk venë vaj si shkruajnë gazetat. Të gjithë, me përjashtim të të mëdhenjve, jetojnë nga rroga në rrogë. Por, disa ditë përpara se të tërheqësh rrogën duhet të fillosh të shtrëngosh pak rripin, të vrasësh mendjen ku mund të marrësh ndonjë borxh. Mos të flasim që për të blerë tesha të reja, mobiliet apo televizorin duhet të gjesh ndonjë mënyrë, të kursesh apo të kesh të ardhura shtesë. Ka gjithmonë një gjë që nuk gjendet, njëherë mishi, pastaj gjalpi, patatet. Kudo ka radhë, as nuk e vë më re, thjesht rri me orë të tëra në këmbë.
Pastaj fillon e të bezdis mungesa e organizimit dhe irracionaliteti. Për shembull, poshtë dritares tuaj kanë lënë një grumbull trarësh apo tullash. I sollën me nxitim, i shkarkuan dhe ja që prej dy vjetësh kalben aty. Nuk i nevojiten ndokujt. Ose, krejt papritur kthejnë përmbys një rrugë: nuk mund të kalohet as në këmbë dhe as me mjet. Gjashtë muaj punime, ujësjellësi, thanë. Dhe me të vërtetë në shtëpi nuk ka ujë. Pasi përfundojnë punimet, më në fund, rregullojnë rrugën. Sjellin asfaltin dhe disa gra, përgjithësisht me forcën e krahëve, e shtrojnë. Pa u ftohur mirë kur prapë, për tre apo katër muaj, në rrugë nuk kalon dot as në këmbë e as me mjet. Rregullojnë tubacionet e gazit, thonë, dhe me të vërtetë në shtëpi nuk ka më gaz. Po pse nuk i rregulluan që në fillim, kur hapën kanalet në rrugë? Një tjetër shembull: çatia pikon. Një fatkeqësi e vërtetë, pasi është pothuajse e pamundur që të ta rregullojnë. Delegacione të tëra banorësh paraqiten te këshilli i lagjes, te këshilli popullor, te deputetët, përpilojnë ankesa, mbledhin firma, vijnë disa komisione, këqyrin çatinë dhe verifikojnë që me të vërtetë çatia pikon. Por nuk ka para për ta rregulluar, plani nuk e parashikonte. Ndonjëherë kjo gjë zgjat me vite. Ndërkaq banorët, mbledhin magje të vjetra, legenë, kazanë, i vendosin nën çati dhe me ankth shohin qiellin çdo mëngjes: do bjerë shi?

Një fakt, në pamje të parë, pothuajse i parëndësishëm, më ka ngelur në mendje që nga fëmijëria. Jo shumë larg prej shtëpisë tonë ishte një shitore, ku shpesh më duhej të shkoja me vrap për të blerë bukën apo sheqerin. Shitorja gjendej nga krahu tjetër i rrugës, rreth dyqind metra larg një kryqëzimi ku ishin dhe vijat e bardha për këmbësorët. Njerëzve, për të mos shkelur rregullat, ju duhej të përshkruanin dyqind metra deri te cepi dhe pastaj dyqind të tjera për arritur te shitorja. Kuptohet që shumica e njerëzve, për të shkuar te shitorja, përpiqeshin të kalonin rrugën në vijë të drejtë, pa bërë gjithë atë xhiro. Por aty, në pritë, ishte një polic që i gjobiste pa pyetur. E qartë që shteti kishte përfitim, pasi asnjë rrezik, as ai i gjobës e as ai i makinave, nuk mund t’i bindte njerëzit të përshkruanin ato katërqind metra të kota. Jo vetëm ne, çunat, por edhe të rriturit, madje edhe plakat me çizme shajaku dhe çanta inkeliti në krah, kalonin me vrap rrugën të shoqëruar nga fishkëllima e bilbilit të policit. E, po, gjëja është e thjeshtë: lëri njerëzit të kalojnë nëse për ta është me e volitshme. Jo, për dekada, sa mbaj mend unë, polici rrinte aty dhe vilte haraçin.
Vështirë të thuash se çfarë i shtynte autoritetet, përfitimi ekonomik apo dëshira për të mbrojtur prestigjin e vet, por kjo ndodhi më duket tipike. Për sa mbaj mend unë, urdhëresat e autoriteteve ishin gjithmonë të panatyrshme, binin ndesh me logjikën e shëndoshë dhe gjithmonë viheshin në jetë me kërcënimin e ndëshkimit. Nuk mund të thuhet që kjo ndryshonte psikologjinë e njerëzve apo i mësonte të bëheshin të bindur, por të gjithë ishin fajtorë përpara shtetit, çdokush mund të ndëshkohej. Pas gjithë kësaj qëndronte filozofia tipike e rregullit, e pushtetit shtetëror. Nëse i lejon njerëzit të bëjnë ç’të duan, ku do përfundojmë? Shtetit do të gjendet përballë trazirës së përhershme.

Të gjitha këto vogëlsira, duke u mbledhur njëra mbi tjetrën, natyrshëm zbehin, lumturinë e njeriut sovjetik, besimin e tij te e ardhmja e ndritur. Por mijëra zërat e korit të gazetave e revistave, të filmave e të emisioneve radiofonike, të konferencierëve dhe edukatorëve janë gati aty për ti shpjeguar çdo gjë:
– Shokë, të mos dalim në përfundime të shpejtuara! Dakord, aty-këtu ka mangësi të vogla dhe vështirësi të përkohshme. Shpesh autoritetet vendore nuk janë ende në nivelin e duhur. Ne i kritikojmë, i korrigjojmë. Nuk duhet harruar që ne, si të thuash, po ecim në një shteg të pashkelur më parë, jemi të parët që po ndërtojmë një shoqëri të re, askush nuk mund të na japë sugjerime, e për këtë ndonjëherë edhe mund të gabojmë. Por shikoni arritjet tona, sa shumë kemi ecur krahasuar me 1913! Natyrisht, në emër të shoqërisë të së ardhmes, që do të jetë gjithmonë e më e përsosur, duhet të bëjmë disa sakrifica. Nëse tani, për ne, jo gjithmonë është e lehtë, fëmijët tanë do të na falënderojnë. Edhe pse në raste të veçuara kemi gabuar, në kuadër të përgjithshëm jemi në drejtimin e duhur, idetë tona janë të qarta. Nuk duhet as të harrojmë bllokadën kapitaliste, që na dëmton dhe do të vazhdojë të na dëmtojë. Ata presin që ne të dobësohemi, të vëmë në dyshim bindjet tona. Armiku nuk fle! Dhe për ta luftuar me sukses, duhet të përballemi me disa sakrifica. (E kështu me radhë, etj. etj.)
E ç’mund të thuash në këtë pikë? Në fakt nuk është se mund të thuash se nëse pikon çatia, komunizmi nuk vlen, apo se nuk duhet ndërtuar. Apo se në rast se tani mungon mishi, nuk ishte e nevojshme të bëhej revolucioni.

Por vitet kalojnë, bëhen dekada, dhe njeriu sovjetik tashmë e di se gjëja më e qëndrueshme në jetën e tij janë vështirësitë e përkohshme. Nga ana tjetër, nëse në rrethin apo provincën time, apo dhe në vendin tim të punës, ka keqadministrim, mos organizim dhe mashtrim, kjo nuk tregon që kudo gjërat venë keq e që s’do të ketë përmirësime. Ja për shembull, dërgojmë njerëz në kozmos, trupa jonë e baletit shkon jashtë shtetit dhe ka sukses të madh, ndërtojmë fabrika gjigande, diga, kjo gjë që nuk do të thotë se kudo gjërat venë keq, për diçka jemi dhe ne të zotë. Ose të paktën nuk është aq keq sa atje tej, në Perëndim. Atje pothuajse çdo muaj ka një grevë. Me të gjitha gjasat, për sa kohë bëjnë këtë gjë, do të thotë që njerëzit jetojnë shumë keq. Nga ana tjetër, te ne nuk ka papunësi, nuk vdes njeri për bukë.
Por vitet rrjedhin e asgjë nuk ndryshon, e lind dyshimi: ore, po jemi duke e ndërtuar këtë komunizmin? Apo as nuk e kemi nisur? Nga viti 1917 deri në 1922, dihet shumë mirë, nuk kishte pushtet sovjetik, por luftë civile. Pastaj deri në vitet tridhjetë NEP-i, që, dihet, përfaqësoi një hap prapa. Pastaj deri më 1953, kulti i personit, edhe këtu nuk kishte pushtet sovjetik. Pastaj, prapë, deri në 1964 ishte Hrushovi, që mesa duket gaboi çdo gjë, por që u korrigjuan shpejtë dhe e hoqën. Nga kjo rrjedh që vetëm prej vitit 1965 kemi filluar të kemi një jetë të rregullt? Apo ndoshta duhet të presim dhe pak, ndoshta do e heqin edhe këtë e pas vdekjes së tij do të na shpjegojnë që çdo gjë u bë gabim.

Kjo gjendje e paqëndrueshme pasigurie shumë shpejt u zëvendësua nga bindja mbi falsitetin e plotë të propagandës. Paçka se është e vështirë të marrësh informacion, edhe ne nuk jemi plotësisht të izoluar. Merret vesh që në provincat apo distriktet e tjera nuk është më mirë, madje janë edhe më keq se te ne, që edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë është i njëjti lëmsh, që kozmosi është një trill, që këto fabrikat gjigande e digat i kanë ndërtuar të burgosurit për një racion bukë. Ja, vetëm për baletin nuk thuhet gjë, ore si ka mundësi që ky sektori i baletit qëndron në këmbë? Po në djall të vejë dhe baleti, nuk bahet shpirti gjallë me balet.
Për më shumë, lajmet që vijnë nga jashtë na thonë se edhe në Perëndim nuk është çdo gjë (çdo gjë nuk është) ashtu si na e kanë pikturuar. Duket se të papunët i paguajnë sepse nuk punojnë. Një gjë fantastike: te ne do i kishin dërguar në Siberi, atje i paguajnë. Të gjithë kanë makina, në shitore gjen sallam të të gjitha llojeve, dhe s’ka radhë, një parajsë, një përrallë. Dhe kështu mori fund besimi te e ardhmja e ndritur.
Një i njohuri im, në vitet pesëdhjetë bëri një eksperiment argëtues. Po mbante radhën për qumësht. Radha ishte pafund, shitësit punonin ngadalë, me përtesë. Njerëzit në radhë filluan të bëjnë llafe, si zakonisht, nuk kishte për të gjithë e punohej ngadalë. Në nj moment qetësie gjatë shpërthimeve të inatit popullor, i njohuri im shfryu duke thënë me zë të lartë:

– Shiko ça poshtërsie! Gjysmë dite në radhë. Tamam si në Amerikë!

Atëherë, mllefi popullor e goditi:

– Ç’thoni, qytetar, ç’Amerikë? Gjëra të tilla vetëm te ne bëjnë vaki!
Për një kohë të gjatë e vështruan me sy qortues dhe mishërues.

Sa më shumë ecte koha, aq më keq bëhej. Për shembull, filloi të ishte e qartë për të gjithë që ndërsa ne vuanim vështirësitë e përkohëshme, ata, në komitetet e rretheve, në komitetet e provincave, dhe në Kremlin, e kishin ndërtuar komunizmin prej kohësh. Në fshehtësi, merrnin havjar, sallam dhe gjithfarë prodhimesh importi. Kishin ndërtuar vila dhe i kishin rrethuar me mure të larta, kishin vendosur dhe roje që askush mos ti shikonte kur shqepeshin me këtë havjarin. Nuk ju kërcet për ne, edhe pse ne vdesim.

 

 

Titulli dhe përkthimi Red. MVSK.
Vladimir Bukovskij, “Il vento va e poi ritorna”

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s