As kam besuar dhe as që do të besonj kurrë në atë filosofi të butë e të mëshirëshme që na mëson se njerëzit janë një soj dhe se ajo q’i bën të duken të ndryshmë është gjendja shoqërore, influenca që ka mbi ‘ta vendi dhe shoqëria në të cilën jetojnë njerëzit.
Njeriu lind dishka. Konditat e ambjentit në të cilin lind, mund t’a lehtësojnë ose t’a pengojnë zhvillimin e tij. Po njeriu lind; ashtu siç lind me sy të kaltërtë ose të zes të cilët mbasandej nuk ndryshojnë me bojë, ashtu edhe gjëndërat e tij endokrinale, temperamenti i tij, formacioni i trurit të tij kanë disa karakteristika të caktuara qysh në fillim. Njeriu do të ngjasë në dikënd’ në fis të vet. Njeriu nuk ësht, në lindje, një dërrasë e pa shkruar. Njërëzit janë të ndryshëm qysh në lindje. Këjo është bindja ime e pa tundur.
Ajo që ka shtyjtur shumë njerës të besojnë se njerëzit janë një soj është fenomeni i përditshëm që kemi parasysh: Turma. Një mijë çinezë, një mijë indjanë, një mijë amerikanë ose çfarë do popull, të shikuar en groupe duken një lloj. Në realitet turma e njerëzve nuk paraqet në sy asnjë varietet. Ca sepse njerëzit e turmës me të vërtetë janë tepër të njëlloshëm me njeri-tjetrin por ca sepse kur shikohet një grumbull njerëzish nuk shihen kurrë detajet por vërehet e gjitha, si kur vërejmë një kuadro së cilës i kërkojmë përnjëherësh ekspresionin e saj synthetik-tërësor dhe jo detajet e bojërave me të cilat është bërë ajo kuadro. Se në fund edhe njërërzit që përbëjnë turmën kanë ndryshime të mbëdha. Ata që idolatrizojnë turmën si një qenie më vet-he të saj, janë ata q’e përkëdhelin për interesa të ndryshme, janë demagogët: Ata që gënjejnë popullin.
* * *
Njerëzit e letrave thonë: Poeti lind e nuk bëhet. Njerëzit e shkencave thonë: Shkencëtari lind, ka instinktin e gjyrmimit qysh në vogli (Edisoni). Ushtarët thonë: Komandanti lind me vullnet dhe me fuqin e Vullnetit (Napoleoni). Kështu flitet në të gjitha rastet kur flitet për njerës që kanë arrijtur maja të larta në çdo degë.
Edhe gjithë këjo forcon bindjen se njerëzit s’janë një soj por që kur lindin janë dishka dhe zhvillimi ose jo, i keq ose i mirë, i kësaj dishka-je i detyrohet rrethanave (ambientit).
Borealis (Ismet Toto)
Minerva, Nr. 37, 1936, f.