Venezuela me barkun bosh: “Në radhë për mishin, për qumështin dhe ilaçet. Revolucioni na solli urinë”. Nata e gjatë e Karakasit: spitale pa barna dhe fëmijë të keq ushqyer. Në shkolla mësuesit janë të shqetësuar pasi fëmijëve u bie të fikët gjatë orëve të mësimit. Një krizë humanitare që qeveria e Maduros nuk do ta pranojë.
Imazhi i parë është një fëmijë dhjetëvjeçar me biçikletë. Mban një qese plastike me dy pako brenda. Ndalet: “Do një kile oriz? 4 500 bolivar”, thotë duke dëftuar qesen. Çmimi është dhjetë herë më i lartë nga ç’është shkruar mbi pako. Ai, Andrési i vogël, me flokë të kallinjtë qethur ballaboks, është një prej bakakerosit e shumtë që gëlojnë në Karakas. Bakaku në Venezuelë është një tip milingone e madhe, që sot në zinë e pafund, është kthyer në sinonimin e atyre që merren me tregtinë e zezë – të 85% të produkteve bazë – që nuk gjenden.
Sonia, mësuese në shkollën fillore, 35 vjeç, na shpjegon se në gjashtë muajt e fundit janë me qindra fëmijët që kanë braktisur mësimet për t’ju përkushtuar, së bashku me nënat e tyre, tregut të zi. “Në shkollë – na thotë –fëmijëve u binte të fikët nga uria, pasi për darkë kishin ngrënë vetëm një banane ndërsa në mëngjes asgjë. Duke qenë se tashmë në shumë shkolla botore të Karakasit nuk funksionojnë më mensat, për ta u bë e kotë ardhja në shkollë: më mirë të shesin te të pasurve mallrat që nuk gjenden më.” Tregu i zi është i organizuar në grupe të vogla, pesë apo dhjetë persona.
Si fillim ka nga ata që rrinë në radhë përpara supermarketeve, shpeshherë janë marrë vesh me ndonjë të punësuar, i cili me whatsapp i njofton kur vjen furnizimi, janë marrë vesh dhe me ushtarët që vigjilojnë hyrjet, dhe që falë ndonjë dhurate i lejojnë të marrin më shumë nga sa lejohet. Pastaj në lojë futen ata që bëjnë shpërndarjen. Në këtë mënyrë inflacioni ka fluturuar në 700%, nga 70% që ishte vetëm disa muaj më parë. Sheqerin, orizin, vajin, makaronat dhe të shumëkërkuarin miell misri (me të cilin përgatitet specialiteti tradicional, arepa – një lloj panine në formë disku) mund t’i gjesh vetëm te bakakerosit. Por edhe pelenat, pastën e dhëmbëve, sapunin, shampon dhe letrën higjienike. Disa prej bakakerosve, tashmë mallin ta sjellin në shtëpi, porosit me telefon dhe paguaj nëpërmjet bankës. Mjafton të kesh para.
Maria, një biologe me dy fëmijë të vegjël, jeton në Rosales, lagje e shtresës së mesme në Karakas, na thotë se prej muajsh, vetëm për të ngrënë, shpenzon trefishin e të gjitha fitimeve të saj dhe të bashkëshortit mësues. Një pagë mesatare nuk i kalon 35 000 bolivar (35 dollarë), dhe shpenzimet shkojnë gati 200 000, nëse çdo gjë shkon mirë. Maria thotë se po harxhojnë kursimet dhe kanë nisur të heqin dorë nga shumë gjëra. Si fillim nga mishi dhe pula. Nuk blejnë më veshje të reja, as lodra për fëmijët, të cilëve prej kohësh, nuk u japin më të holla dhe që dalin nga shtëpia vetëm për të shkuar në shkollë. Kanë hequr dorë nga sigurimi mjekësor dhe kanë pushuar nga puna vajzën që i ndihmonte në mirëmbajtjen e shtëpisë.
Sot është e shtunë dhe Maria, bashkë me qindra gra të tjera, është duke mbajtur radhën në një shkollë të Rosalesit. Shpërndajnë “clap”-ët, pako ushqimore me çmim të kontrolluar. Janë një ide e gjeneralit Wladimir Padrino, komandant i Forcave të Armatosura, emëruar nga Maduro si supershefi i përballimit të emergjencës ushqimore. Për të hyrë duhet të kesh emrin në listë. Listohen banesat dhe të gjitha familjet, çdo gjë në stil ushtarak. Pakua përmban një litër lëng portokalli, një litër qumësht (që nuk gjendet në vend tjetër) dhe dyqind gramë gjalpë. Radha mund të zgjasë edhe pesë-gjashtë orë por në fund mund të arrish edhe të blesh pak peshk dhe zarzavate. Bashkë me Marian është dhe Eguys-a, 70 vjeçe, pensioniste, e cila veç frigoriferit të zbrazët ka dhe një problem shumë më të rëndë. Nuk gjen dot ilaçet, sidomos ato të tensionit.
Në “Si në shtëpi”, një restorant i vendosur në Altamira, një tjetër lagje e, tashmë të shkatërruarës, shtresë e mesme, printojnë menytë dy herë në muaj, për të korrigjuar çmimet dhe për të hequr pjatat që nuk mund t’i gatuajnë më. Restoranti hap vetëm në orarin e drekës. Pas perëndimit të diellit në Karakas bie një lloj shtetrrethim vullnetar. Askush nuk del nga banesat. Kjo edhe për faj të kriminalitetit: gjatë vitit 2015 u regjistruan 28 000 të vrarë. Nuk dalin edhe sepse nuk kanë më të holla për të shpenzuar.
Gjashtë muaj më parë – thotë Sandra – nuk isha e kënaqur edhe kur i kisha raftet plot me ushqime. Sot jam e kënaqur edhe nëse kam vetëm një pjatë me “yuca”. Këtu e quajnë dieta e Maduros dhe nga të dyja kahet barrikadës politike, me cinizëm, arrijnë edhe të bëjnë shaka. “Ç’doni më, më mirë të mos hash mish, e thotë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë”, shkruante një faqe internet e çavistëve në pushtet. Kështu, ndërsa njerëzit dobësohet ditë pas dite, lind edhe dieta e përsosur, të cilës me urdhër të Presidentit i është nënshtruar gjithë vendi. Nuk përmban vaj, pra nuk ka yndyrë. Nuk përmban sheqer, pra nuk rrezikohet diabeti. Nuk përmban miell, pra shumë pak karbohidrate. Nuk përmban gjalpë, pra shpëton dhe nga dhjamosja. Frutat dhe perimet kushtojnë mjaft shtrenjtë, por të paktën gjenden.
Sandra, 45 vjeçe, jeton së bashku me të shoqin, në një ish bujtinë të zaptuar, në Quinto Crespo, një lagje e varfër por shumë afër qendrës së Karakasit. Kanë dy dhoma, larg njëra tjetrës. Gjithsej pak më shumë se 10m2. Njëra dhomë ka një shtrat dhe ngjitur furnelën dhe frigoriferin, tjetra është banjë dhe magazinë. Sandra është kuzhiniere, tani është me raport mjekësor pasi është operuar, nuk e ka idenë nëse do ta gjejë vendin e punës pasi të përfundojë raportin.
Carlos-i punon në një parkim automjetesh. Vite më parë kishte një vend pune të rregullt. Motorist në Kuvend. Pastaj e pushuan, gjatë një prej spastrimeve të shumta të administratës që bënte Hugo Chaves-i. E pushuan pasi nënshkroi një peticion kundër caudillo-s. “Në fund të fundit, nuk kisha rrugëdalje – thotë – punoja për një deputet të opozitës, që do më kishte pushuar nga puna nëse nuk nënshkruaja.”
Këtu, në një vend gjithmonë e më shumë nën kontrollin e Forcave të Armatosura, shërbimeve sekrete dhe forcave speciale, ka dhe një anë tjetër të gjendjes së emergjencës: njerëzit kanë frikë.
Patrizia drejton një klinikë private në Karakas. “Në spitale – na thotë – mungon çdo gjë, nga antibiotikët e deri te garzat. Për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit, nuk funksionojnë as aparatet e analizave. Është kthyer në makth të bësh një mamografi apo qoftë edhe thjesht analizat e gjakut. Mjekët u kërkojnë pacientëve ti blejnë vetë medikamentet, nëse arrijnë ti gjejnë. Gjatë lindjeve, na ndodh që mungon oksitocina për tkurrjen e mitrës dhe nëse familjarët nuk e gjejnë kontrabandë duhet të sajohemi. Por mungojnë edhe serumet, barnat për tumoret dhe diabetin, për Parkisonin, madje dhe ilaçet kundër depresionit apo kundër dhimbjeve.
Rastet e vdekjeve të të porsalindurve po rriten me progresion gjeometrik. Në vitin 2012 ishin 0.02%, në vitin 2015 kaluan në 2%, në gjashtëmujorin e parë të 2016 duket se janë dyfishuar. Larg Kryeqytetit gjendja është edhe më e rëndë, kanë vdekur fëmijë në inkubator për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Në korrik të 2016, vendi u mallëngjye për vdekje e të parës Miss Bota nga Venezuela (më 1955). Susana Dujim ishte 79 vjeçe dhe pësoi një iktus pasi kishte javë që nuk gjente barnat për të kontrolluar tensionin e gjakut.
Por, mbi krizën humanitare, është vendosur censura e qeverisë, që nuk e pranon dhe nuk pranon të kërkojë ndihmën e organizmave ndërshtetëror për furnizimin e vendit me ilaçet e nevojshme. “Pavarësia dhe sovraniteti socialist mbi të gjitha – thotë Maduro – këtu nuk hyn njeri, nuk kemi nevojë për ndihma”.
Luisi iku në Florida, për të pastruar pishinat. Daniela ka ikur në Skoci. Angeli në Spanjë, Claudia në Kili. Kush mundet merr me vete dhe familjarët. Që prej fillimit të aventurës çaviste, tashmë këtu e njëzet vite më parë, dy milionë e gjysmë njerëz kanë braktisur vendin. Nëse në fillim ikte borgjezia e pasur, tani kanë filluar të mbledhin plaçkat ata të shtresës së mesme të ulët. Diaspora rritet. Këtu flitet vetëm si të ikësh dhe për ata që kanë ikur. Në afërsisht 70% të biletave për në Shtetet e Bashkuara shfaqet “no show” në vend të datës së kthimit.
Luigi, 40 vjeç, italian, sipërmarrës që zotëron një fabrikë tekstilesh me 100 të punësuar: “Në gjashtë muajt e fundit kam ulur prodhimin me 60%, duke anuluar të gjitha kontratat fasone. Nëse vazhdojmë kështu, në dhjetor falimentoj. Gjysma e familjes time, fëmijët, vëllezërit, nipërit dhe kushërinjtë, tashmë janë larguar nga Venezuela”. Ky vend është si një makinë e fikur në malore.
Alfredo, kirurg, na thotë: “Në sallat e operacionit punojmë si në vitet dyzetë të shekullit të kaluar. Ju them asistentëve të mi të shikojnë Mash, filmin e Altmanit, ku tregohet për një spital lufte në Kore. Mbase mësojnë ndonjë gjë.”
Në vend nuk ka më sipërmarrje të huaja. Një nga të fundit ishte Kimberly Clark, që prodhonte shami letre, pelena dhe mbulesa letre, e cila u mbyll javën e kaluar dhe e shtetëzuan. Aeroporti i Maiquetía-s është si i braktisur. Lufthansa, Alitalia, Air Canada dhe shumë kompani fluturimi amerikane, e kanë fshirë Karakasin nga lista e tyre.
E fundit që ndërpreu fluturimet, këtë javë, ishte Latam, një prej kompanive më të rëndësishme të Amerikës jugore. Shkak ishin miliardat që qeveria venezuelase i kishte borxh. Prej vitesh qeveria detyronte kompanitë të vendosnin çmime tavan, duke ju premtuar se do paguante dëmshpërblim. Premtim që nuk e mbajti. Ishte një prej politikave populiste të Çavezit, të shtyra nga entuziazmi i çmimit të naftës mbi 100 USD për fuçi. Sot buxheti shtetëror nuk mjafton as të mbulojë gjysmat e shpenzimeve për të ushqyer popullsinë.
Të ndërrosh gomat e makinës kushton qimet e kokës dhe mos e dhëntë të prishet kondicioneri. Ka dalë nga qarkullimi dhe kirurgjia estetike, një prej fiksimet e venezuelasve. “Makthi i kësaj nate të gjatë – thotë ekonomistja Tamara Herrea – vetëm sa ka nisur”. Gjendja politike është shpërthyese. Opozita, që fitoi thellë zgjedhjet e dhjetorit 2015, tani kërkon një referendum për të rrëzuar Maduron, i cili po përdor të gjitha mjetet për të larguar ditën e gjykimit. Për momentin ka nënshkruar një dekret, në bazë të së cilit nëpunësit publik detyrohen të punojnë nëpër ara për të luftuar zinë e bukës.
Omero Ciai, La Repubblica (01.08.2016)
Përkthimi MVSK