Fituesja e fundit e Eurovizionit ishte Susana Jamaladinova (Jamala), me këngën “1944”, që i kushtohej stërgjyshes së saj, Nazalkhan-it, e cila ishte ndër ata që u dëbuan nga siujdhesa e Krimesë. Një tragjedi të cilën, prej vitit të kaluar, qeveria ukrainase e cilëson si gjenocid.
Në vitin 1944, e gjithë popullsia tartare e Krimesë, pas urdhrit të Stalinit, u dëbua me forcë. Më shumë se 8 000 tartarë, nga 194 155 që ishte totali i popullsisë së tyre në siujdhesë, vdiqën nga etja, uria dhe sëmundjet. E gjitha ndodhi gjatë javëve që, ngarkuar në vagonë mallrash, i dëbonin për në Urale, Siberi dhe Azinë Qendrore. Trenat bënin ndalesa vetëm për të zbritur të vdekurit dhe të sëmurët, mes tyre dhe vajzën e vetme të Nazalkhan-it. “Trupat hidheshin si të ishin mbeturina”, pohon Jamala.
Por javët e gjata të udhëtimit me tren, ishin vetëm fillimi i vuajtjeve për tartarët e Krimesë.
Dëbimi i tyre ishte një ndëshkim për “kolaboracionizmin me nazistët” që kishin pushtuar Krimenë, por gjithashtu lidhej dhe me objektivat e politikës së jashtme sovjetike në Lindjen e Mesme. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Stalini kishte plane për territoret turke dhe druhej se, në rast konflikti me Turqinë, tartarët nuk do të ishin besnikë ndaj BRSS-së. Në vetëm tre ditë, qeveria sovjetike shpërnguli me forcë, nga tokat e të parëve të tyre, të gjithë popullsinë tartare të Krimesë. Sot e kësaj dite mbetet një nga rastet e spastrimit etnik më të shpejtë në histori.
Tartarëve u lejua të ktheheshin në Krime vetëm në fundin e viteve 80 të shekullit të kaluar, por pa ju njohur të drejtën për dëmshpërblim. Rikthimi u shoqërua me tensione midis tyre, rusëve dhe ukrainasve që, ndërkohë, ishin vendos në Krime.
Historia e tyre duket se po përsëritet nën regjimin e Moskës. “Pas aneksimit rus të Krimesë në 2014, njerëzit thjesht kanë filluar të zhduken”, pohoi Mustafa Dzhemilev, ish kreu i Mejlis-it (organ politik përfaqësues i tartarëve të Krimesë) gjatë një takimi mbajtur në Universitetin Shtetëror të Kievit. Të paktën 22 tartarë janë zhdukur që kur Rusia aneksoi territoret ukrainase. Sipas Human Rights Watch, i pari tartar që u zhduk ishte 39 vjeçari Reshat Ametov, i cili më pas u gjend i vdekur. Përpara se të vdiste i kishte drejtuar disa peticione autoriteteve vendore lidhur me probleme lokale dhe gjithashtu, në rrjetet sociale, diskutonte shpesh për problemet e tartarëve të Krimesë dhe për të ardhmen e Krimesë. Së fundi, Gjykata e Lartë e Krimesë e ka cilësuar Mejlis-in si “organizatë ekstremiste”. Sot e kësaj dite, tartarët e Krimesë, janë të kërcënuar dhe të përndjekur nga autoritet ruse.
Kënga “1944” portretizon persekutimin e tartarëve të Krimesë, persekutim që duket se vijon edhe sot. “Kisha nevojë për atë këngë, kisha nevojë për tu çliruar nga kujtimi i stërgjyshes time, nga kujtimi i asaj vajze që nuk ka as varr, nga kujtimi i mijëra tartarëve të Krimesë, nga të cilët nuk mbeti gjë, as dhe ndonjë fotografi të paktën”, pohon Jamala.
Timea Kerekes
Përkthimi MVSK