Kur mori pushtetin, në vitin 1985, Michail Gorbaciov-i nisi politikat e perstrojkës (reforma ekonomike) dhe të glasnostit (transparenca). Në qershor të 1988 deklaroi parimin e lirisë së zgjedhjes për qeveritë e bllokut lindor dhe hoqi dorë nga përdorimi i forcës ushtarake sovjetike për të mbështetur ato qeveri. Pa mbështetjen sovjetike, që shtypte protestën popullore, si kishte ndodhur me revoltën e punëtorëve të 1953 në Berlin, në Hungari më 1956 dhe në Pragë më 1968, regjimi i RDGJ-së nuk mund të mbijetonte. Dy ishin mundësitë: ndryshim ose luftë civile.
Krahasuar me vendet e tjera të bllokut komunist, në Gjermaninë Lindore, kultura e kundërshtimit nuk kishte gjetur kurrë shtrirje të gjerë. Kjo ndoshta për shkak të nivelit më të lartë të jetesës, ndoshta për shkak të Stasit të kudondodhur – apo, si pohon dikush, për shkak të prirjes gjermane për t’ju nënshtruar autoritetit. Në fakt, në pjesën më të madhe, kjo ka ndodhur pasi Gjermania Lindore, e vetmja ndër vendet e bllokut, kishte ku ti shkarkonte ata që ngrinin zërini: në Gjermaninë Perëndimore. I burgoste dhe pastaj i shiste në valutë të fortë. Numri i disidentëve, deri në vitin 1989 kur ndryshimet në Bashkimin Sovjetik ju dhanë njerëzve kurajën të dilnin në shesh, nuk mundi të arrinte asnjëherë pikën kritike.
Ata që qeverisnin RDGJ-në ishin të mumifikuar. Nuk ju interesonin reformat, madje, deri në vitin 1988, për të parandaluar përhapjen e ideve e reja ndalonin edhe filmat apo revistat që vinin nga Bashkimi Sovjetik. Nisin një valë të re dëbimesh të “armiqve-negativë” për në Gjermaninë Perëndimore. Por kuptohet që ishte e pamundur ti dëbonin të gjithë, madje do të ishte edhe më keq, pasi do t’ju jepnin njerëzve atë që donin, lirinë. Kështu që pleqtë përpiluan një plan tjetër: do ti kontrollonin disidentët aty, në vend.
Dokumentet e zbuluara pas rënies së Murit paraqesin plane të hollësishëm, gjatë gjithë viteve ’80, për mbikëqyrjen, arrestimin dhe burgosjen e 85 939 gjermano-lindorëve. “Ditën X” (pra ditën kur do shpallej kriza) agjentët e Stasit, të shpërndarë në dyqindenjëmbëdhjetë degë lokale, do të hapnin zarfet e dyllosur, që përmbanin emrat e personave që duheshin arrestuar.
Arrestimet duheshin kryer me shpejtësi – 840 persona në orë. Planet përmbanin direktiva të sakta për përdorimin e të gjitha burgjeve dhe kampeve që kishin, dhe më tej, pasi këto të mbusheshin, për shndërrimin e strukturave të tjera: ish kampe përqendrimi naziste, shkolla, spitale dhe bujtina punëtorësh. Çdo gjë ishte e parishikuar deri në detajin më të vogël, duke nisur që nga pozicionin i ziles në derën e atij që do të arrestohej, te sasia e telit me gjemba që nevojitej dhe deri te veshja dhe etiketat për kampet: fashat e krahut, “e gjelbër, dy cm. gjerësia” për më të moshuarin e kapanonit, “e gjelbër, tre shirita nga dy cm.” për më të moshuarin e kampit, “e verdhë me shkronjat CT, të zeza”, që duhej mbajtur në krahun e majtë nga shefi i turnit. Kishte udhëzime të sakta për veshmbathjet që do ti dorëzoheshin të burgosurit në çastin e arrestimit:
Çorape copë 2
Peshqirë 2
Shami 2
Mbathje 2
Bluzë leshi 1
Pastë dhe furçë dhëmbësh 1
Bojë këpucësh 1
Gratë:
Shtesë, peceta higjienike
Do i burgosnin pa arsye dhe pa afat, por do të kishin këpucët e lustruara dhe veshmbathje e dhëmbë të pastër.
Në mesin e 1989, manifestimet pas lutjeve të së hënës në Lajpcig, filluan të përhapen në të gjithë vendin, në Erfut, Halle, Drezden e Rostok. Njerëzit protestonin kundër kufizimit të lëvizjes, mungesës së produkteve bazë dhe falsifikimit të rezultateve zgjedhore. Protestat mbaheshin përpara zyrave që më shumë përfaqësonin regjimin: jo ato të Partisë, por të Stasit. Hidhnin parullat: “Demokraci, tani o kurrë!”, “Jashtë Stasi!”, dhe “SED*. Më dëmton!”
Në gusht hungarezët prenë telat me gjemba në kufirin me Austrinë, duke hapur të çarën e parë në bllokun lindor. U turrën me mijëra gjermano-lindor. Me lot dhe inat kaluan kufirin. Mijëra të tjerë u futën në ambasadat e RFGJ-së në Pragë e Varshavë, duke shkaktuar incidente në marrëdhëniet diplomatike gjermano-gjermane.
Në fund regjimi pranoi që ti linte të shkonin, me kusht që trenat që do i shpinin në Gjermaninë Perëndimore, duhet të kalonin nëpërmjet RDGJ-së. Honecker synonte të poshtëronte të “dëbuarit”, duke ju sekuestruar mjetet e identifikimit. Gjithashtu donte t’ju shtinte frikën (si në fakt ndodhi) se mos ndalonte trenat dhe i arrestonte.
Planet u kthyen kundër Honecker-it. Ata në trena filluan të grisnin, me lot hareje në sy, letërnjoftimet. Mijëra njerëz të tjerë shkuan nëpër stacione me shpresën mos hipnin dhe ata në trena, apo për të festuar së bashku me patriotët e tyre.
Në tetor gjendja në Lajpcig nuk mbante më. Të punësuarit në benzinate nuk pranonin të furnizonin makinat e policisë; fëmijët e ushtarakëve përjashtoheshin nga kopshtet. Spitalet kërkonin gjak dhe njerëzit shkruanin testamentin apo jepnin amanetet përpara se të dilnin në protesta. Qarkullonin zëra për mbërritjen e tankeve, helikopterëve, kamionëve me ujë të policisë, por vinin edhe kartolina nga miqtë që tashmë kishin kaluar në Perëndim. Njerëzit dilnin në shesh.
Honecker-i urdhëroi “spastrimin” e “kundërrevolucionarëve” të Lajpcigut. “Asgjë”, thoshte, “nuk mund ta ndal përparimin e socializmit”. Në 8 tetor, Mielke** nisi zbatimin e planeve për “Ditën X”, duke urdhëruar degët e Stasit të hapnin zarfet me emra, por gjërat tashmë kishin shkuar përtej. Agjentët e Stasit, në vend të kryenin arrestimet u mbyllën në zyrat e tyre. Nëpër degët lokale gjendeshin 60 000 pistoleta, mbi 30 000 automatikë, bomba dore, snajperë, kundërtanke dhe gaz lotsjellës. Ekzistonte frika e linçimit. Policëve në Lajpcig ju tregonin fotografinë e një polici kinez në mes të turmës në Tien-An-Men, dhe i paralajmëronin “O ju, o ata”. Por kishin urdhër të shtinin apo përdornin dhunë vetëm nëse sulmoheshin.
Më 7 tetor 1989, RDGJ-ja, me parada të bujshme, festoi 40 vjetorin e krijimit. Një det me famuj të kuq, pishtarë të ndezur dhe tanke. Pleqtë nëpër podiume kishin veshur kostume gri e hapur dhe feksnin nga dekoratat. Gorbaciov-i ishte në podium përkrah Honecker-it, por dukej në siklet mes atyre gjermanëve shumë më të moshuar. Kishte ardhur për të thënë se çdo gjë kishte mbaruar, për të bindur udhëheqjen të niste reformat e tij. Kishte folur pa dorashka për rrezikun e “mos përgjigjes ndaj realitetit”. Në Politbyro kishte thënë hapur se “jeta dënon të vonuarit”. Honecker-i dhe Mielke nuk ja vunë veshin, si nuk ja vunë veshin turmës kur thërriste “Gorby, na ndihmo! Gorby na ndihmo!”
Në Lajpcig trimëria e jashtëzakonshme e popullsisë nuk u lëkund e as nuk degjeneroi. Në 9 tetor, 70 000 manifestues dolën natën, të mbuluar me pallto të rënda dhe me qirinj. U mblodhën përpara Runden Ecke*** dhe hodhën kërkesat e tyre. “Duam emrat e informatorëve të Stasit!”; “Nuk jemi agjitatorë, jemi populli!” dhe apeli i pandalshëm “Jo dhunës!”. Që prej asaj nate, manifestimet vetëm u zgjeruan. Filmimet e realizuara në Lajpcig kaluan kontrabandë në Perëndimi dhe ai u njoh si “Qyteti i Heronjve”.
Tashmë protestat përpara degëve të Stasit u shtrinë në të gjithë vendin. Por, edhe në qytezat më të vogla, Stasi kryente detyrën duke informuar me besnikëri Berlinin, për parullat e demonstruesve: “Ata të Stasit të çohen në fabrika!”, “Paratë tuaja mund ti fitojmë ne”; “I keni ditët e numëruara!”. Në Lajpcig filluan të hidhen parullat “Të marrim zyrat e Stasit” dhe “Këtej nuk lëvizim!”.
Partia u përpoq, me vonesë, të ndryshonte imazhin e saj. Më 17 tetor Honecker-i u zëvendësua nga ndihmësi i tij, Egon Krenz, i cili vërtet ishte më i ri por jo më pak i urryer. Më 8 nëntor nisi procedura gjyqësore kundër Honecker-it me akuzën e abuzimit me detyrën dhe korrupsionit.
Në datën 9 nëntor, duke menduar se do të zgjidhte krizën, Politbyroja u mblodh dhe vendosi lehtësimin e masave të lëvizjes së lirë për qytetarët. Njerëzit do të mund të lëviznin lirshëm dhe ndalimi për largimin nga vendi do të aplikohej vetëm në “rrethana të jashtëzakonshme”. Mbledhja vazhdoi deri natën vonë. Në atë kohë regjimi kishte filluar të mbante konferenca të rregullta me shtypin ndërshtetëror. Atë natë duhet të dilte anëtari i Politbyrosë, Günter Schabowski. Ai nuk kishte marrë pjesë në mbledhje dhe vendimi ju dorëzua me nxitim, që të mund ta lexonte gjatë konferencës për shtyp.
Pasi mbaroi, nuk u duk se pati ndonjë reagim mes gazetarëve në sallë, stilolapsat dhe mikrofonat ishin gati. Më në fund nga salla dikush pyeti: «Kur hyn në fuqi ky ligj?». Schabowski, në siklet, pa dhe njëherë letrën. E ktheu nga të dyja anët, por nuk gjeti përgjigje. Tha: «Do të hyjë në fuqi… me sa di unë, menjëherë».
Në të vërtetë do të duhej të hynte në fuqi ditën pasardhëse, pasi kufitarët të ishin njoftuar. Por që në çastin kur Schabowski u përgjigj, ishe tepër vonë. Vetëm pak orë pas gafës së tij, 10 000 persona, në këmbë apo me Trabant-ët e tyre, gjendeshin në pikën e kalimit të urës Bornholmer. Projektorët ndriçonin avujt e frymëmarrjes dhe shkarkimin e gazrave të automjeteve. Një simfoni borie makinash. Rojet mbanin në shënjestër të pushkëve njerëzit, por urdhrat nuk po vinin. Në fund përgjegjësi vendosi ti lejonte të kalonin, por me një kusht. Rojet do të vulosnin daljen në të majtë të fotografive të pasaportave të njerëzve që ishin të parët në radhë, kështu do të mund ti identifikonin dhe ti ndalonin të ktheheshin mbrapa. Njerëzit nuk e dinin dhe as nuk ju bëhej vonë. Mësynë në masë Berlini Perëndimor. Rojet u përpoqën tëndalonin të parët që u kthyen, e që mbanin në duar birra perëndimore për të treguar se ku kishin qenë, por ishte shumë vonë, çdo gjë kishte mbaruar, njerëzit nga lindja e perëndimi kacavirreshin, qanin e kërcenin mbi Mur.
* SED – Sozialistische Einheitspartei Deutschland, Partia komunise në RDGJ.
** Erich Mielke – Kreu i Stasit.
*** Runden Ecke – Referuar Degës së Stasit në Lajpcig.
Anna Funder, «Stasiland»
Përkthimi MVSK