Home

Lexoni klasikët e marksizëm-leninizmit!*
Vite më parë rëndom shkoja për vizitë te disa miqtë e mi. Me ta, vajzën e tyre jetonte edhe gjyshja. Ishte një familje e dashur, e qetë, që bisedonte vazhdimisht për artin dhe pikturën. Njëherë i kapa duke debatuar ashpër. E gjithë familja, përfshirë edhe gjyshen, diskutonte për Leninin. Të gjithë kishin një ide të tyre rreth asaj që donte Lenini, gjërave që ai besonte dhe idealeve që predikonte. Gjëja më mbresëlënëse ishte që të gjithë citonin Leninin dhe të gjitha citimet ishin në kundërshtim me njëra-tjetrën. Nuk e prisja të kishin njohuri të atilla. Ata nuk e donin Leninin, ishin një familje besimtarësh dhe kurrë më parë nuk e kisha kuptuar se ju interesonin mendimet e Leninit. Të nesërmen shkova përsëri dhe për përsëri i gjeta duke u grindur për Leninin. Ç’dreqin kishin? Kjo gjë vazhdoi nja dy javë.

Fillova të humbisja toruan: çdo bisedë që hapej përfundonte te Lenini. Humba cepin ku mund të shtriqja nervat. Kape pak këtë Leninin, mendoja, njësoj si shejtani hyn mes njerëzve për t’i futur në sherr!

Pastaj papritur, si në një anekdotë, çdo që u qartësua. Për shkak të mungesës së letrës higjienike, kishin çuar në tualet veprën e plotë të Leninit. Kuptohet, secili prej tyre kishte parë faqe të ndryshme të veprave, shkrime të ndryshme, të periudhave të ndryshme, për këtë nuk kishin arritur të krijonin një ide të vetme mbi predikimet e tij. Në fakt, Lenini kështu është, ashtu është dhe dialektika e tij. Bëni një provë, jepuani veprat e tij personave të ndryshëm dhe pastaj kërkojuni një mendim: do të jesh me fat nëse dy në njëqind njerëz do të japin të njëjtin mendim. Prandaj nuk habit fakti që në botë ka me dhjetëra parti marksiste-leniniste dhe të gjitha autentike! Ai thjesht nuk kishte parime përtej një të vetmi: dhënia e një baze teorike për çdo vendim konkret. Kjo mungesë parimesh quhet, pikërisht, dialektikë leniniste. Një filozofi mjaft e volitshme për mashtruesit, por që kurrë nuk i ka shpëtuar nga ndëshkimi.

Tregohet se në Greqinë e lashtë, një pasues i Eraklitit, të parit që përdori dialektikën, i kishte borxh një fqinji një shumë të madhe të hollash dhe nuk pranonte ta shlyente. Gjatë gjyqit, duke cituar mjeshtrin e tij, ai deklaroi se tashmë kishte kaluar kohë dhe ai absolutisht nuk ishte më i njëjti person që kishte marrë borxh, madje dhe kreditori i tij kishte pësuar ndryshime dialektike, prandaj çështja tani shtrohej: a ishte më borxhli? Çdo gjë ecën përpara, çdo gjë ndryshon. Gjykatësi, edhe ai pasues i Eraklitit, e shpalli borxhliun të pafajshëm. Në atë pikë, kreditori i nxehur, merr një kopaçe dhe i rreh të dy për vdekje. U desh që dhe atë ta shpallnin të pafajshëm pasi tashmë ishte një njeri krejt i ndryshëm, madje dhe viktimat e tij me të gjitha gjasat ishin njerëz krejt të ndryshëm nga ata që hëngrën dajakun.

Mësova shumë nga leximi i veprave të Leninit. Pikësëpari, bëhet fjalë për historinë e krimeve bolshevike, atë histori që tani përpiqen në të gjitha mënyrat që ta fshehin.

Sot, bibliotekat as numrat e «Pravdës» së para njëzet viteve nuk u japin më shtetasve sovjetikë, paçka se aty gjendet i gjithë revolucioni, e gjithë lufta civile, madje dhe e shoqëruar nga shënimet e zjarrta të Leninit. Duke ditur si rrodhën ngjarjet është e lehtë të kuptosh nga nisi e gjitha.

Epiqendrën e të keqes e gjeta te logjika leniniste. Për shembull, ai thotë: «Nuk mund të jetosh në shoqëri dhe të jesh i lirë nga shoqëria.” Duket e drejtë: të gjithë në shoqëri janë të lidhur me njëri-tjetrin. Por përfundimi i tij, që këtë jo liri duhet ta fusësh qëllimisht, ta nxisësh, është i pashmangshëm. Të krijosh një lloj kodi të heshtjes mafioze: dhe ja ku dalim të gjithë kriminelë.
Gjithmonë sipas së njëjtës skemë: Shteti, pohon ai, është gjithmonë dhunë. Dhuna e një klase ndaj tjetrës. Diku më shumë, e diku më pak. Pra, të kryesh veprime të dhunshme, në rastin tonë, në emër të klasës së proletariatit është e justifikuar dhe e nevojshme. Ja ku keni pra justifikimin e terrorit.
Letërsia dhe arti gjithmonë kanë qenë klasorë, thotë, janë një armë e klasës mbizotëruese, kështu që do të jemi plotësisht në fushën e traditës kulturore nëse vendosim të krijojmë, në shtetin tonë të punëtorëve, vetëm art proletar. Ja dhe censura, e cila në kohën e Leninit u fut si “masë e përkohshme”, por pjella e saj, realizmi socialist, është bërë i përhershëm.
Prona private është vjedhje ndaj punëtorit, pra: rrëmbe atë që të kanë vjedhur! Duke logjikuar sipas mënyrës së Leninit, pse të mos justifikohet vrasja? Njeriu është vdekatar, pse mos ta vrasësh tani, në fund të fundit është i paracaktuar që të vdesë. Jo rastësisht e kishte katër notën në lëndën e logjikës [nota më e lartë ishte pesë].

E gjithë taktika e tij është e qartë: fillimisht, të gjithë bashkë për të ngrënë disa, më pas ata që mbeten për të ngrënë disa të tjerë, dhe kështu me radhë, deri sa në fund mbetesh përballë një kundërshtari të dobët. Por, kush është gjykatësi i lartë? Kush është i vetmi që njeh interesat e popullit? Vetëm ai, të gjithë të tjerët janë tradhtarë. Pse pra, ta kesh inatin me Stalinin? Ai ishte veçse një dishepull i bindur. Shikoni me sa rregullsi i hanë kokat njëri-tjetrit. Sot xhelatë, nesër viktimë. Bash kështu, deri te Stalini, që e hëngrën pas vdekjes.

Kështu pra, zotërinj, lexoni klasikët e marksizëm-leninizmit! Nëse nuk doni të humbisni kohë, lexojini në banjë po deshët, por lexojini, do të mësoni shumë.

 

*Titull i Redaksisë.

«Il vento va, e poi ritorna», Vladimir Bukovskij.
Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s