Home

Carlos Franqui, arratisur nga Kuba në vitin 1968, në rini ishte “revolucionar” ndërsa më tej disident i regjimit kastrist, në këtë intervistë për shtypin italian flet për raportet e të majtës evropiane me krimet komuniste në Kubë.

 
Përse braktisët ishullin?

Sepse nuk mund të isha i lirë, nuk mund të shkruaja dhe të publikoja ato që doja. Në Kubë je i vdekur nëse s’je në një mendje me Fidelin. Nuk mund të punosh, vdes urie. Fillimisht më shkarkuan nga drejtimi i gazetës «Revoluciòn», e më vonë edhe nga drejtimi i Muzeut të Artit modern.
Pse ju shkarkuan nga drejtimi i gazetës?

Botova komunikatën e agjencisë France Press që njoftonte vendimin e Hrushovit për të tërhequr nga Kuba shtratin për lëshimin e raketave. Fideli nuk e dinte ende këtë gjë, sovjetikët nuk e kishin njoftuar. Kështu, një ditë më vonë më gjykuan pasi kisha thënë të vërtetën. Përjetova një situatë kafkiane, ku përfundova fajtor për një vendim të Hrushovit.
Në ato vite shkuat në Itali...

U përpoqa të tregoja ç’po ndodhte në Kubë, të paralajmëroja të majtën. Të shpjegoja sektarizmin me të cilin qeveriste partia komuniste kubane. Gjyqet ndaj disidentëve dhe pushkatimet. Kam tridhjetepesë vite që luftojë për të bërë të njohura krimet e përbindshme të regjimit kastrist, por në Itali nuk ma vuri njeri veshin. Fillimisht më trajtuan si një gjynahqar që kishte mbetur pa punë e që duhej mbajtur me bukë. Kështu, sa për të treguar pak solidaritet njerëzor, pastaj më trajtuan si një mushkonjë, një gjë e bezdisshme që duhet ndjekur.
Por ju ftuan në Biennalen e Venecias.

Po, ishte një çast shumë i rëndësishëm, por në ato vite ishte shumë e vështirë të shpjegoje, në Itali askush nuk donte të dëgjonte kritika për Kubën. Pata dhe një proces kundër Gianni Minà [gazetar i majtë italian]. E padita për të gjitha gënjeshtrat që Fideli thoshte për mua në librin-intervistë që ai botoi.
Si përfundoi?

Barazim. Minà më kërkoi ndjesë dhe unë e tërhoqa padinë.
Një pjesë e së majtës italiane gjithmonë e ka mbrojtur regjimin kastrist, duke pohuar se të gjitha problemet, vështirësitë, uria, prostitucioni apo mungesa e barnave shkaktoheshin nga embargoja e Shteteve të Bashkuara.

Është një gjethe fiku. Embargo kanë vendosur vetëm Shtetet e Bashkuara, pjesa tjetër e botës jo. Pyeteni veten: përse Fideli nuk i blen barnat në Meksikë?
E vërteta është që sistemi i tij është një dështim i plotë, politika e tij ekonomike ka shkatërruar burimet e ishullit. Kuba nuk është e varfër për shkak të embargos amerikane, por është e varfër pasi qeveriset nga një diktator që ndalon nismën private.
Shumë gjëra i janë falur Kastros, edhe për Guevarën.

Guevara iku nga Kuba, për të shkuar në Angola dhe më pas në Bolivi, pasi u prish me Fidel Kastron. U bë armik dhe ai. Synimi i Kastros ishte të hiqte qafe Che-në, dhe në fakt jo vetëm që nuk bëri gjë për ta ndihmuar por madje e pengoi.
Përse ishte e aq e vështirë të bindje të mëdhenjtë e së majtës italiane?

Besoj për shkak të antiamerikanizmit dhe mitit të Botës së Tretë, të revolucionit. Dashuria për regjimin kuban ishte e lidhur me urrejtjen për Shtetet e Bashkuara, për vendin e kapitalizmit. Askujt nuk i interesonte e vërteta, u nevojitej vetëm propaganda.
Pse udhëheqësi kuban zgjodhi rrugën e shtypjes, pas vizitës së Papës dukej sikur regjimi do të parapëlqente tolerancën?

Kastro është mësuar të zgjidhë krizat me terror, ashtu ka bërë gjithmonë. Tani kriza është shumë e thellë. Pas 11 shtatorit ra dhe turizmi, që ishte një nga burimet kryesore për Shtetin. Kriza ka vënë në vështirësi sektorin e asistencës, kur njerëzit kanë uri, protestojnë, dhe nëse nuk arrijnë gjë: rebelohen. Terrori shërben për të ulur rrezikun e një revolte.
Kastro akuzon disidentët si “agjentë të Shteteve të Bashkuara”, ju akuzon se merrni fonde nga Uashingtoni.

Më vjen për të qeshur. Unë kam botuar të gjithë dokumentet ku tregohet se kur luftonim për revolucionin u ndihmuam nga Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, marrëdhëniet ndërmjet Fidelit dhe Shteteve të Bashkuara ishin të shkëlqyera. E pastaj? E majta nuk ka pranuar kurrë një fakt shumë të thjeshtë: Kastro nuk ka qenë kurrë marksist, as komunist. Në një pikë të caktuar kuptoi se mund të shfrytëzonte BRSS-në për të konsoliduar pushtetin e tij. Bashkimi Sovjetik, për shkak të vendndodhjes strategjike, vetëm nëntëdhjetë milje larg Shteteve të Bashkuara, e mbaji ishullin, në kuptimin e plotë, për tridhjetë vite. Çdo gjë vinte nga Moska. Makinat, ushqimet dhe barnat. Kubanët mund të rrinin gjithë ditën pa bërë gjë pasi i mbante rusi. Pasi ra sistemi, Kastro shpiku aparteidin, ishullin e turizmit seksual. Nuk e ka vrarë ndonjëherë mendjen për socializmin, gjithmonë i ka interesuar vetëm pushteti i tij.
Çfarë është sistemi që e quani aparteid?

Ka plazhe në të cilat ndalohet hyrja e kubanëve, si për shembull plazhi më i famshëm dhe i bukur i ishullit: Varadero. Kubanët nuk mund të hyjnë as në hotelet apo restorantet për turistët. Pastaj është pjesa që i përket industrisë, që unë e quaj të përbindshme. Kuptohet që nuk ka sindikata, të protestosh kundër punëdhënësit është kundërrevolucionare. Sipërmarrjet evropiane mund të punojnë në ishull vetëm nëse bëjnë ortak të barabartë Shtetin. Rroga e punonjësve i paguhet Shtetit në dollarë, por Shteti i paguan punëtorët në pesos duke mbajtur diferencën nga kursi i këmbimit. Për disa sipërmarrje është rehati e madhe: nuk ka protesta, nuk ka greva. Kush ngre kokën, pushohet nga puna dhe shëndet e të mira. Nuk quhen punëtorë që kërkojnë të drejtat e tyre, por quhen kundërrevolucionarë.
Ç’duhet të bëjë Evropa?

Duhen menjëherë masa të prekshme, qeveritë evropiane nuk duhet të kreditojnë regjimin dhe të ndalojnë sipërmarrjet e tyre të bashkëpunojnë me Kubën, të paktën deri sa të lirohen të burgosurit politikë.
«La Repubblica», 7.IV.2003
Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s