Rënia e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm daljen nga skena të sponsorit kryesor të ekonomisë kubane por edhe shfaqjen e një vargu problemesh për shtetin ishullor, dhe rrjedhimisht një seri masash absurde. Një nga shembujt më domethënës të masave ndërmarrë nga Partia Komuniste Kubane për të “shpëtuar” ekonominë e vendit është sistemi i dyfishtë i valutës. Ashtu si dhe në rastin e politikave të tjera, ata që dëmtohen më shumë janë vetë kubanët.
Aktualisht në Kubë veprohet me dy valuta. E para është Peso kuban, apo CUP, cilësuar si valuta e brendshme e Kubës dhe në të cilën paguhen shumica e njerëzve. Valuta e dytë është Peso i Shkëmbyeshëm kuban, ose CUC. Kursi i shkëmbimit me USD-në është 1 me 1 dhe vlen 25 herë më shumë se CUP-i. Përgjithësisht CUC-u cilësohet si valuta e turistëve, pasi të gjitha të mirat dhe shërbimet që u ofrohen e kanë çmimin në CUC.
Përpjekja e parë e Kubës për një sistem të dyfishtë valute u krye në vitin 1994, pas përfundimit të marrëveshjeve tregtare me Bllokun Lindor. Duke parë izolimin ekonomik të vendit Fidel Kastro vendosi të legalizojë mbajtjen dhe përdorimin e USD-së duke shpresuar të futej në ekonominë botërore dhe të rriste prurjet e të hollave në vend. Dhjetë vite më vonë CUC-u zëvendësoi USD-në i cili nuk do të mund të përdorej më në marrëveshjet tregtare. Kjo gjë në vend të zgjidhte problemet i theksoi ato, sidomos për kubanët e thjeshtë.
Fillimisht, kur u fut në qarkullim për herë të parë, kubanëve nuk u lejohej përdorimi i CUC-ut, por reformat e fundit i kanë hapur rrugën qarkullimit edhe ndërmjet kubanëve të thjeshtë. Në vend të lehtësonte mirëfunksionimin e ekonomisë kjo masë shkaktoi kaos – kërkime pafund për dyqanin e duhur, përzënien nga dyqane të tjera dhe trajtimin e veçantë për ata që kanë pesosin e shkëmbyeshëm.
Duke qenë se shumica e kubanëve punojnë në Shtet, ata paguhen në CUP. Kjo do të thotë që janë drejtpërsëdrejti të prekur nga kjo politikë valutore. Shumica e të mirave dhe shërbimeve shiten në CUC. Kjo është e kuptueshme për dyqanet, pasi CUC-u vlen më shumë, por për ata që paguhen me CUP dhe blejnë me CUC është problem. Kur shumica e njerëzve kanë një pagë mujore në CUP, që shkëmbehet me 20 USD, edhe blerja e një pako kafeje, që kushton 3 dollarë, kthehet në luks. Produktet që mund të blihen me CUP janë të një cilësie shumë të dobët dhe për më keq, dora dorëz që shtohen dyqanet që shesin me CUC, pakësohen dhe produktet që mund të blihen me CUP. Prodhimet bazë, tashmë, shiten vetëm me pesos të shkëmbyeshëm. Sistemi i dyfishtë i valutës vetëm sa e ka vështirësuar jetesën e kubanëve të thjeshtë.
Disa banorë e kanë përjetuar këtë sistem valutor si një sulm të drejtpërdrejtë. Një prej të intervistuarve të mi, pohoi se e gjitha është një përpjekje për të hequr dollarin nga duart e njerëzve. Të tjerë pohojnë se ky sistem nuk i shtyn njerëzit të punojnë, kur dollari ishte në qarkullim njerëzit punonin më shumë, pasi me atë valutë mund të bëje shumë gjëra.
Tashmë, prej kohësh po flitet për kthimin në valutën e vetme. Vetë Raul Kastro u shpreh, kur mori presidencën në vitin 2008, se do ta ndiqte çështjen. Vitin e kaluar burime të shtypit pohonin se sistemi i dyfishtë do të eliminohej përpara Kongresit të Partisë që u mbajt në prill të 2016. Sigurisht, nuk u bë gjë. Partia thotë se kalimin në valutën e vetme nuk do të dëmtojë asnjë prej mbajtësve të secilës valutë, por ka një ndjenjë të përhapur frike se CUC-ët e fituar me aq mundim mund të avullojnë. Në çdo rast, sistemi i dyfishtë ka shkaktuar dëme të panumërta.
Katarina Hall
Përkthimi MVSK