Në vitin 1984 Shtëpia Botuese «Naim Frashëri», në kuadër të serisë “Biblioteka e Pionierit”, nxori në botim vëllimin me vjersha dhe poema «Dhjetë sy”. Në këtë vëllim përfshiheshin vjersha të Dritëro Agollit, kushtuar moshave më të reja.
Në vijim riprodhojmë disa fragmente
[…]
…Dhe naganti nuk na ngeci
Që në Kuç e Vishegrad;
Ngriti këngë Shefqet Peçi,
Komandanti ynë lab.
Nën nj shkëmb murrash të shtrembër,
Që mban emrin Gur-Kusar,
Rrugën gjeti gjer në zemër
Plumb i nxehtë komisar!
(Komisari)
[…]
Dhe iku profesori të përcillej
Me nxënësit e tij në shkollë;
Në malet partizane të ngjitej,
Ku frynte erë e binte shi e hollë…
– Në mal me ju! – bërtitën dhjetra, –
Se s’mund ta linin profesorin vetë…
Ai u ngrit e thirri nga katedra:
– Nga ky provim ju merrni notën dhjetë!
(Balada e notës)
[…]
O kohë e komisarëve,
Mua poetin rrëmbemë
Dhe pranë luftëtarëve
Me nagantë në dorë shpjepë!
O kohë e komisarëve,
mos më lërë
Të ndryshkem në mendime,
Më merr, më hidh në zheg e në erë
Të viteve plot gjëmime.
…
Unë atherë s’e njihja metrikën,
Po plumbin dija ta nisja,
Njihja dyfekun,
njihja mashinkën.
Dija të vdisja,
Ne nga poetët e tjerë ndryshojmë…
Ndodhka kështu në jetë:
Më parë mësuam me plumb të qëllojmë,
Pastaj u bëmë poet.
…
Zvarriset vrasësi si vemje
Me sy të skuqura,
Zvarriset vrasësi, lajmin t’i japë
Bazit të Canit në Zall të Herrit,
Zvarriset nëpër vapë,
Dyllë prej vrerit…
Zvarriset e dridhet nga dridhmat
Mos dalë prapë komisari
Me gjoks të përgjakur në drithërat,
Me flokë të djegur nga zjarri
E kokën mbi grurë të ngrerë;
Ngadalë ta çapitë përruan,
Nagantin nga brezi të nxjerrë:
«E sheh?
Ne prapë u takuam!»
…
Në fushë ku piqej drithi…
O komisar,
Revolucioni me fjalët e tua
Valëve vrullin u shton,
Edhe i vrarë shumë thua,
Naganti yt qëllon.
Unë, poeti, në vargjet e mia,
Sikur të të ngjaja një grimëz,
Edhe i vdekur vargje me mijëra
Të hidhja në luftë për komunizëm;
As frikë të mos kisha,
As dhimbje të mos kisha
Të bija me kafkë të shpuar;
Unë, poeti, do të doja të vdisja
Si ti:
i madh
i nderuar
…
– Ç’e bëtë komunistin e prapë?
U tha Bazi i Canit vrasësve shaluar
Në shalën mbuluar me napë.
Hej, Baz i Canit, komisari s’është turtull,
Atë s’do ta shohësh të shtrirë kurrë
Me syrin tënd të turbullt!
Të katër vrasësit me fytyrë të nxirë
Memecë mbetën te hendeku
Si katër tyta, të ngrirë,
Si katër tyta dyfeku…
E Bazi i Canit atëherë dha urdhër
Të digjeshin gruri e bari
E vrasësit të zinin të katër udhët,
Se gjallë na ish komisari.
E flaka kallinjtë i rrëmbeu,
E mal i Dajtit pa zjarret,
Me kokrra të djegura gruri u mbush dheu
Dhe hiri e mbuloi gjakun e komisarit.
Hej, Bazi i Canit, ku shkoi komunisti?
Ndoshta fluturoi përtej arave,
Ndoshta nga hiri i tij u përtëri si feniksi,
Ndoshta për komunizmin u flet fshatarëve.
Hej, Bazi i Canit, s’i njeh komisarët,
Plumbi godet në ta e kthehet i shuar.
Hej, Bazi i Canit, Cani i marrë,
Të tilla legjenda kurrë s’të kanë treguar!
Hej, Bazi i Canit, u ngrit komisari,
U ngrit me grurin tjetër
Dhe krahët e rënë s’ia dogji zjarri,
S’ia dogji baruti i egër;
Ai shtrëngon me duar kallinjtë,
Kallinjtë përdhe s’e rrëzojnë.
Po të gjithë së bashku, me shtat të florinjtë,
Përkulen e – «mbahu!», – i thonë.
Qëndron mes tyre e rritet mes tyre
Figura e tij, si mal,
E kokrrës ia jep të tijën ngjyrë
E kokrra të sajën ia fal.
E ziejnë kallinjtë,
e ulen,
e hidhen,
E mbahet për ta komisari;
Pëllumbat i mblidhen
e turtujt i mblidhen
E bukë bie erë behari,
E del poezia,
e flet poezia
Për jetën e tij të gjallë,
E nxjerr nga këllëfi koburen e tija
E shkon, si ngaherë, në ballë,
E thotë i ashpër për tonat poema:
«Përpara, o djema!»
(Baladë e re për komisarin)
[…]
…Dhe rridhte fëmini e turbulluar,
Dhe dukej se nuk ishte fëmini,
Po ish diçka më e ashpër dhe e më vuar,
Po ish diçka që quhej pjekuri…
Me krismën e dyfeqeve në male,
Me ngritjen e raketës në errësirë,
Me vrull e himnit «Internacionale»
I thashë fëminisë lamtumirë.
Fillori rinia ime e furishme
Si lava e valuar ndër vullkane,
Filloi rinia ime e furishme,
Filloi ajo në rrugën partizane.
(Poema e udhës)
[…]
Kështu na bëtë burra,
baballarë!
Ne qemë ushtarët e revolucionit,
Që me durim të fortë prej kopshtari
Guxim çast më çast ju na mëkonit!
…
Bërtasin narkomanët:
«Etërit janë mykur,
Me ta në paqe ne,
modernët,
s’rrojmë;
Në pleqërinë e tyre janë zhytur
Dhe mes anakronizmave notojnë!»
Dhe poetucët vargje stisin,
vargje thurin
Dhe lëngje vargjesh derdhin mbi të «vjetrit»
Ndër kabaretë modë e «izmave» mburrin,
Si setra demode i flakin etërit!
E dini
cilët janë,
baballarë?
Ata sot hedhin tuist fytyrëflakë
E nesër vrasin vietnamezë në arë,
E nesër ngasin tanket nëpër Pragë!
…
Ju,
baballarë
kini djem të mirë,
Se ëndrrat i bashkuam në një ëndërr,
Se grurin tok e kemi shirë,
Ndaj njëri-tjetrin nuk e shohim vëngër
Dhe kur dikush
këlysh mikroborgjezi,
Me petkun progresiv na vjen vërdallë
Dhe sherrin etër-bij kërkon të ndezë,
ia shkulim dhëmbë
e dhëmballë…
Dhe kur dikush me pantallonat-tuba
Mundohet të ngërdheshet para jush
Në trotuar,
sikur të lozë rrumba,
Ne nxehemi e bëhemi si prush!
Dhe kur dikush
ka turp me ju të rrijë
Në restorant a kafene a klub,
Ne me përbuzje sytë i vetëtijmë
Dhe ndoshta mund të rrihemi me grusht;
Kërkënd s’lejojmë ne me ju të tallet…
….
A s’ishit ju
që në nëntor shtëpinë
E hapët dhe çelësat na dhatë,
Dhe lindëm ne te vatra juaj Partinë
Mbi një rrogoz e një minder të varfër?
A s’ishit ju që mbajtët Enver Hoxhën
Dhe rrobat qull në mal ia thatë…
(Bababllarët)