Home

Kolektivizimi i detyruar i viteve ’30 të shekullit të kaluar, urdhëruar nga Stalini, përfaqëson një nga faqet më të errëta të komunizmit sovjetik: shkaktoi miliona viktima dhe ende sot qëndron në themel të marrëdhënieve të acaruara ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Një tragjedi e paimagjinueshme për të cilën, deri pak kohë më parë, Perëndimi nuk ishte në dijeni, kjo falë edhe bashkëpunimit kriminal të intelektualëve si historiani Edward Carr, ekonomisti John Kenneth Galbraith, shkrimtares Simone De Beauvoir, gazetarit fitues të çmimit Politzer William Duranty e madje dhe nobelisti Solzhenitsyn ka mohuar që ukrainasit ishin viktimë e një gjenocidi, duke i cilësuar qëndrimet e tyre si akt revizionimi historik. Kapitulli i dhimbshëm i zisë së bukës (Holodomor) që shkaktoi shfarosjen e popullsisë fshatare të Ukrainës, ishte lënë në harresë nga historianët deri në vitin 1986, kur historiani anglez Robert Conquest dorëzoi në shtyp veprën e tij monumentale “Harvest of Sorrow”. Ishte i pari perëndimor që hodhi dritë mbi zinë e shkaktuar nga Stalini, mbi miliona viktimat që ajo shkaktoi dhe i pari që e cilësoi si gjenocid.
Kundërshtitë e forta të Rusisë kanë bërë të mundur që OKB-ja të mos e pranojë zyrtarisht si gjenocid. Në këtë kuadër, as Shqipëria nuk e njeh zyrtarisht si gjenocid tragjedinë ukrainase.

Një kontribut të vyer në debatin historiografik ka dhënë dhe historiani italian Ettore Cinella, me veprën e tij “Il genocidio dimenticato, 1932-1933”. Profesor Cinella cilësohet si një nga ekspertët italian më të mirë të historisë ruse.

 

 

Profesor Cinella, përse mund të cilësohet si gjenocid tragjedia ukrainase?

Tashmë shumë bien dakord me faktin që pati një gjenocid social, pra një përpjekje për të shfarosur një pjesë të mirë të popullsisë fshatare sovjetike, pra dhe ruse. Por unë besoj se pati dhe një tjetër lloj gjenocidi: përpjekja për të shkatërruar karakterin kombëtar të popullit ukrainas. Deshën të ndëshkonin fshatarësinë, t’ju jepnin një mësim të paharrueshëm, për ti detyruar të pranonin kolektivizimin e tokës, gjë që praktikisht i kthente në bujkrobër. Kur këta u rebeluan, u përpoqën të dhunonin edhe identitetin e tyre, nëpërmjet një sulmi të hapur ndaj fesë dhe kishës së tyre. Jam ndalur gjatë në aspektet e persekutimeve fetare, të shkishërimit apo shkatërrimit të kishave që përfaqësonin identitetin e fshatrave. Fshatarësia ukrainase ishte shënjestra kryesore, por jo e vetmja: u sulmuan dhe intelektualët me qëllimin e qartë të fshirjes së kujtesës historike, mes tyre sidomos mësuesit e shkollave dhe kisha, e cila ishte autoqefale, pra e pavarur nga Moska. U goditën madje edhe komunistët ukrainas që ëndërronin një rrugë ukrainase për socializmin duke kërkuar një zhvillim të pavarur nga Moska. Duke bashkuar këto pika, duke vlerësuar që pati një qëndrim të vullnetshëm për të shtypur dhe ribërë përmasat e këtij populli, quaj plotësisht të ligjshme të flasim për gjenocid.
Pse kjo tragjedi për një kohë të gjatë u bë objekt i një përbetimi heshtjeje?

Sepse ishte një krim gjigand, i padëgjuar ndonjëherë, i cili duhej fshehur me çdo kusht. Stalini dhe Shteti sovjetik bën çdo gjë të mundur për ta fshehur, dhe ja dolën. Ç’do të thuhej nëse merrej vesh që Moska qëllimisht linte me miliona fshatarë të vdisnin urie? Kuadri i përgjithshëm dhe disa detaje njiheshin mjaft mirë, por për arsye diplomatike apo arsye të tjera u zgjodh heshtja.
Të gjithë opinionin publik ndërshtetëror të majtë e kishte zënë qymyri me BRSS-në dhe për këtë arsye zgjodhi të heshtte. Pas lufte ishte edhe më keq, sepse Stalini ishte një nga fituesit e mëdhenj të luftës. Heshtja vazhdoi deri në kohën e Gorbaçiovit, pasi edhe Hrushovi mes krimeve staliniste denoncoi vetëm ato që lidheshin me spastrimet e brendshme të partisë komuniste. Nëse merrej vesh që fshatarët sovjetikë u lanë të vdisnin urie, miti i BRSS-së do të shembej menjëherë.

Rusët, ende sot, nuk e pranojnë plotësisht atë që ndodhi. Pse edhe personazhe si Solzhenitsyn-i mohuan qëndrimet ukrainase?

Kjo vjen si pasojë e forcës së madhe të imperializmit kulturor rus, nuk flas vetëm për gjeopolitikën, por edhe për traditat dhe legjendat ruse. Jo më kot vazhdojnë të besojnë se Kievi është djepi i qytetërimit rus, kur ndërkohë ishte djepi i qytetërimit të sllavëve të lindjes. Historie ruse është e gjitha e veshur me legjenda. Ideja se qytetërimi emigroi nga Kievi për në Moskë dhe më tej u rikthye në Kiev, është e pabazë. Historikisht rusët ngrenë legjenda për të justifikuar sjellje që kanë synim mbizotërimin. Imperializmi kulturor rus ka pasur shumë ndjekës, mes tyre dhe Solzhenitsyn-in.

Si e perceptojnë ukrainasit, sot, Holodomorin?

Është një simbol tragjik i përkatësisë së tyre kombëtare. Ishte një proces i gjatë dhe i mundimshëm, që shpërtheu vrullshëm me rënien e Shtetit sovjetik dhe me zbulimin e kësaj tragjedie të tmerrshme.

Zemërata ukrainase kundrejt Moskës vazhdon edhe pas rënies së komunizmit?

Po, nuk është zbehur ndonjëherë. Ka shumë histori, kujtime e fshatra të zhdukur që shpjegojnë mirë përse ukrainasit nuk mund të rrinë më me rusët. Mund të ketë një lloj pajtimi nëse rusët e pranojnë që kanë gabuar dhe që ata vetë ishin viktima të një tragjedie të pamat, të një regjimi të përbindshëm, dhe të përpiqen të ecin përpara së bashku. Por një shtet i vetëm është i pa mendueshëm sepse janë dy botë, dy realitete të ndryshme, që mund të bashkëpunojnë vetëm nëse të dyja palët e duan këtë gjë.

 

 

Intervistoi Riccardo Michelucci. «Avenire», 10.10.2015.
Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s