Kryengritja e Budapestit, e vitit 1956, përfaqëson krisjen e parë të madhe në murin e ngritur për mbrojtjen e perandorisë. Mur që u ndërtua hap pas hapi me instalimin e regjimeve të demokracive popullore, pra komunizmit. Ato dymbëdhjetë ditë që tronditën fatet e Hungarisë dhe që mallëngjyen Perëndimin janë ngjarja, si i përkufizoi më vonë Richard Nixon-i, që shënuan «fillimin e fundit për perandorinë sovjetike».
Shtypja e përgjakshme e kryengritjes heroike hungareze pati ndikim të madh në imazhin e BRSS-së. Vetë filozofi marksist Jean-Paul Stare pranoi që pas masakrave të Budapestit «komunistët në Perëndim kurrë më parë nuk e kishin parë vetën aq të izoluar». Kjo, pas një periudhe që paraqiste rusët «në avantazh në çdo fushë», deri në pikën që «dukej se do të fitonin Luftën e Ftohtë».
Ditët e Budapestit nuk erdhën nga hiçi. Në fillim të qershorit të po atij viti, 1956-tës, gazeta New York Times kishte publikuar fjalimin e Hrushovit, mbajtur pak muaj më parë në Kongresin XX të PKBS: të ashtuquajturin «raport sekret» ku denoncoheshin krimet e stalinizmit dhe kulti i individit. Pak kohë më vonë ndodhën, fillimisht revolta në qytetin polak Poznan që mori karakter antirus dhe, më vonë, ditët e tetorit polak që u mbyllën me rikthimin në pushtet të Wladislaw Gomulka, i cili më herët ishte shkarkuar nga Stalini me akuzën e deviacionit ideologjik. Gomulka paraqitej jo më si një udhëheqës komunist reformator, por si një prijës nacionalist, çka do të thoshte fundin e stalinizmit.
Pra, i ashtuquajturi «destalinizim», po ndodhte. Ç ‘ishte në të vërtetë «destalinizimi» përshkruhet nga François Furet: «Destalinizimi nuk është as filozofi, as strategji, as ide dhe as program. Nuk kishte dhe as nuk ka një forcë shpërbërëse dhe as një aftësi çrregullimi. Si një këqyrje e së shkuarës u morr me ideologjinë dhe terrorin, dy shtylla të regjimit komunist». Ai përfundon duke pohuar se «bilanci i atij viti themeltar në historinë e komunizmit është i dyfishtë: fillimi i shpërbërjes së bllokut dhe fundi i mitit të unitetet të cilit ishte mbartës». Në fakt, kryengritja e Budapestit shfaqi hapur dështimin e projektit politik të Hrushovit, i cili nëpërmjet «destalinizimit» synonte, si vë në dukje Furet, të «përforconte autoritetin moral të Bashkimit Sovjetik», dhe nëpërmjet «bashkëjetesës paqësore» ta vinte BRSS-në «në qendër të dinamikës së progresit që do të duhet ta katandiste si letër smerili pjesën e botës që kishte mbetur nën zgjedhën kapitaliste». Denoncimi i krimeve të Stalinit shtriu «dyshimin nga i akuzuari te akuzuesi», ndërkaq që zbehja e kërcënimit të një lufte la centralizimin pa një nga arsyet e tij kryesorë.
Historia e ditëve heroike të Budapestit është një histori epike shkruar me gjakun e punëtorëve dhe studentëve, të cilët së bashku me gratë dhe intelektualët, morën armët për të fituar lirinë dhe ëndrra e të cilëve u ndërpre dhunshëm nga tanket sovjetikë, tanket e një regjimi që paçka «destalinizimit» kishte ruajtur të paprekur shpirtin e tij kriminal. Por është edhe historia që shfaq dyfytyrësinë e Shteteve të Bashkuara (dhe Perëndimit në përgjithësi) që solidaritetin me kryengritësit e shprehën vetëm me fjalë por që, në emër të arsyes së Shtetit dhe të realizmit politik, u kujdesën për të mos ndryshuar ekuilibrin në raportet me Bashkimin Sovjetik. Në të njëjtat ditë që kryengritësit heroik të Hungarisë, në emër të lirisë sakrifikoheshin mbi barrikada, në një tjetër zonë të nxehtë të globit kishte shpërthyer kriza e Suezit: Nasser-i kishte shtetëzuar Kanalin. Trupa izraelite, angleze dhe franceze ndërhynë, por amerikanët përballë kërcënimit të ndërhyrjes sovjetike, i detyruan të tërhiqeshin. Hija e luftës së kanalit – që përcaktoi fundin e eurocentrizmit, kurorëzimin e bipolarizmit SHBA-BRSS dhe zbritjen në nivel fuqish rajonale për vendet evropiane – ra me një cinizëm shkëmbimesh të ndërsjella, mbi kryengritjen e Budapestit, duke i braktisur hungarezët në fatin e tyre. Megjithatë sakrifica nuk shkoi dëm. Jo vetëm shumë intelektualë komunistë në Evropë hapën sytë, por në mendjet e miliona njerëzve të shtypur nga demokracitë popullore filloi të forcohej ajo ide lirie që do të sillte, duke kaluar nga Pranvera e Pragës e Solidarnosc-i, rënien e murit të Berlinit dhe fundin e regjimeve bazuar mbi të ashtuquajturin socializëm real.
Në këtë këndvështrim, ditët heroike të Budapestit ende sot përbëjnë një paralajmërim: vërtet komunizmi historik mbaroi, por utopia revolucionare, si një feniks nga hiri i vet, mund të ringjallet në forma të tjera.
Francesco Perfetti, «Il Giornale», 23.X.2016.
Përkthimi MVSK